Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Mrekullia qe tha Papa

“Korrieri”, 3 tetor 2006

Ndërsa radikalë të ndryshëm e jo pak të shumuar kohët e fundit e kanë gjetur temën e besimit fetar si një mënyrë të re e “moderne” për të goditur drejt e në zemër qytetërimet pluraliste, mes tyre edhe Shqipërinë akoma të brishtë, ndodhi një episod. Papa Benedikti XVI më 29 shtator të këtij viti i deklaroi ambasadorit shqiptar në Selinë e Shenjtë, Rrok Logu, se “Shqipëria aspiron integrimin në Europë me të cilën ndihet e lidhur jo vetëm për arsye gjeografike, por edhe për arsye historike e kulturore. Uroj me gjithë shpirt që kjo ëndërr e shqiptarëve të bëhet sa më shpejt realitet”. Ky lajm u shpërnda që të shtunën e kaluar në disa nga mediat më kryesore të vendit dhe kjo gjë u bë me dashamirësi dhe korektesë profesionale. Pse jo edhe me gëzim, sepse në disa raste iu hap vend në faqen e parë. Veç çuditërisht ky lajm u pasqyrua në dy variante. Në njërin prej tyre e citonte episodin vetëm me burim ambasadorin shqiptar, i cili sigurisht kishte informuar menjëherë qeverinë e tij për deklaratën që kishte bërë Papa Benedikti XVI dhe pastaj mekanizmi shtetëror kishte bërë punën e vet: ja kishte përcjellë organeve të shtypit dhe atyre radiotelevizive. Vetëm në disa prej tyre dhe dukshëm në TopChannel dhe në të përditshmen “Shqip” lajmi citonte si burim jo thjesht ambasadorin shqiptar, por Agjensinë Franceze të Lajmeve. Që këtë variant më të plotë të lajmit ta merrnin vesh sa më shumë shqiptarë këtej kufirit, përtej tij dhe të shpërndarë në të gjithë globin, u kujdes një zonjë e nderuar, gazetare e vjetër. Ajo nuk dëshiron për modesti t’ia citojmë emrin, por prej kësaj vepre të saj tashmë ne dimë që deklarata e Papa Benediktit XVI nuk është një episod burokratik mes shtetesh, Vatikanit dhe Republikës së Shqipërisë. Me rendësi patjetër ishte kjo deklaratë edhe sikur të kishte mbetur vetëm mes kreut të Selisë së Shenjtë dhe ambasadorit shqiptar. Edhe i mbetur deri këtu lajmi është me një rendësi të pazakonshme, sepse do të thotë që me dëshirën e hyrjes sa më të shpejtë të vendit tonë në Bashkimin Evropian do të punojë e gjithë struktura globale e Vatikanit. Njihet në zhvillimet botërore ndikimi i Selisë së Shenjtë. Po ashtu dihen edhe raportet pozitive që ka me Brukselin.
Edhe vetëm kaq e ndodhura është një ngjarje. Porse e vërteta është shumë më e bukur dhe entuziaste. Lajmin nuk e kanë prodhuar e shpërndarë disa zyra, por vetë një nga agjensitë më të mëdha të lajmeve në botë. Mirëpo ata që punojnë në media dhe të tjerë që e dinë se sa vështirë është të fitosh statusin e të qenit lajm, e kuptojnë se kësaj here kemi të bëjmë me një NGJARJE. Po e shkruajmë fjalën me gërma të mëdha e kundër rregullave standarte të mirëshkrimit me qëllim që ta ravijëzojmë para lexuesit të jashtzakonshmen e saj. Korespondentit të France Presse-it në Romë nga e gjithë fjala e Papa Benediktit XVI i ka rënë në sy pikërisht ajo për përkatësinë e Shqipërisë në Evropë. Përse ndodhi kështu? Ta shohim qetësisht atë që ka ndodhur.
Tek Leonidha Mërtiri, në Ministrinë e Punëve të Jashtme përgjegjës sektori për marrëdhëniet me Italinë, Greqinë dhe Turqinë, gjendet fjala e plotë e Papës në bisedën me ambasadorin shqiptar Rrok Logu. I zbardhur në letër nga vetë Selia e Shenjtë ajo përmban katër faqe si edhe në fund shënimin “nga Castel Gandolfo, 29 shtator 2006”. Castel Gandolfo është një seli e Papës në afërsi të Romës. Në këtë fjalë Benedikti XVI i uron mirseardhjen diplomatit shqiptar dhe e uron për mbarësinë e misionit të tij të porsanisur pranë Selisë së Shenjtë. Më pas i lutet atij që t’i përcjellë përzëmërsisht Presidentit Alfred Moisiu përshendetjet e tij. Në vijim, ndërsa shpalos idetë e veta, Papa Benedikti XVI menjëherë, pasi nënvizon se “Evropa me trashëgiminë e saj shumë të pasur të ideve dhe të institucioneve, gjatë këtyre dymijë vjetëve ka përbërë një laborator të spikatur të qytetërimit”, shpreh tashmë opinionin e tij bërë të njohur nga media jonë: “Shqipëria aspiron integrimin në Europë me të cilën ndihet e lidhur jo vetëm për arsye gjeografike, por edhe për arsye historike e kulturore. Uroj me gjithë shpirt që kjo ëndërr e shqiptarëve të bëhet sa më shpejt realitet”. Idetë e tjera të kreut të Selisë së Shenjtë, në lendën e faqeve të shkruara 2, 3 dhe 4, kanë të bëjnë jo vetëm me kujtimin e nderuar të Nënë Terezës, por edhe me përpjekjet për të mbrojtur të drejtat e emigrantëve shqiptarë. Nuk mungon nga thëniet e Papës në takimin me ambasadorin shqiptar edhe idea se “Selia e Shenjtë dëshiron në këtë mënyrë të kontribuojë për konsolidimin në Shqipëri të shtetit të së drejtës dhe të nevojës së një kuadri ligjor për një ushtrim real të të drejtave të qytetarëve në fushën e besimit fetar. Kjo do të favorizojë më shumë bashkëjetesën mes besimeve të ndryshme fetare që janë të pranishme në vendin tuaj dhe që kanë ditur deri tani të japin një shembëll të respektit dhe bashkëpunimit reciprok, gjë që duhet ruajtur dhe propoganduar”.
Në këto katër faqe në të cilat Selia e Shenjtë ka cituar të gjithë fjalën e Papa Benediktit XVI gjendet e plotë dhe e drejtpërdrejtë, e pa errësuar nga ndonjë mbetje paragjykimi, e gjithë platforma e opinionit dhe e veprimit të Vatikanit për çështjen e Shqipërisë. Atje gjithçka nuk është “lojë diplomatike”, por bindje e thellë. Eshtë një ngjarje kaq shumë e dëshiruar që prej rreshtit të parë dhe deri në atë të fundit që udhëheqësi botëror i besimit të krishterë katolik e vlerëson dukshëm Shqipërinë si një model bashkëjetese fetare. Papa Benedikti XVI e konsideron rastin tonë si të nevojshëm jo vetëm për t’u ruajtur, zhvilluar dhe konsoliduar, por edhe për t’u propoganduar. Kjo do të thotë se ai njeh si një vlerë të madhe në trashëgiminë e qytetërimit shqiptar jo vetëm besimin e tij apo edhe atë të krishterë ortodoks, por edhe besimin mysliman. Papa në takimin me ambasadorin Rrok Logu ka bërë të ditur hapët se mes popullit tonë feja myslimane është një komponent jo vetëm pluralizmi vital, por edhe zhvillimi dhe demokracie. Duke inkurajuar dhe nxitur hyrjen sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian Papa Benedikti XVI ka pohuar me zemër të hapët se myslimani shqiptar jo vetëm nuk ka patur të hedhur ndonjë urë lidhjeje me fondamentalizmin islamik, por ka qënë përherë krahë e zemër hapur ndaj familjes evropiane, qytetërimit të të cilit i përket historikisht.
Pikërisht sepse kishte këtë risi (dhe “të papritur” të kendshme) e kapi menjëherë mesazhin korespondenti i Agjensisë France Presse në Romë dhe ja dërgoi menjëherë qendrës së vet në Paris. Ai e kishte gjykuar si lajm me rendësi globale deklaratën e Papa Benediktit XVI për domosdoshmërinë e hyrjes së Shqipërisë në BE, por mund të ndodhte që në qendër të mos e cilësonin ashtu si njeriu i tyre në Romë. Me një fjalë lajmi i ardhur nga kryeqyteti italian dhe drejtpërsëdrejti nga Vatikani, siç edhe ndodh natyrshëm me shumicën e lajmeve që vijnë në një qendër seleksionimi dhe shpërndarjeje, mund të ishte lënë mënjanë si i panevojshëm për ta ditur bota. Mirëpo nuk ndodhi kjo dhe këtu kemi të drejtën të shprehim jo vetëm gëzimin, por edhe opinionin se më 29 shtator ka ndodhur një ngjarje e madhe. Agjensia franceze e lajmeve e përhapi menjëherë atë që kishte deklaruar Papa. Madje aspak të gjithë përmbajtjen e fjalës së tij, por më së pari dhe saktësisht urimin dhe besimin se Shqipërisë i takon hyrja në Bashkimin Evropian. Patjetër duke përmbushur standartet ekonomikë apo socialë e politikë, sepse përsa i përket standarteve të bashkëkuntributit në vlerat e qytetërimit evropian besimet e krishtera dhe ai mysliman në Shqipëri e kanë dhënë me kohë provën e tyre pozitive. Me këtë rast në shtatëmbëdhjetë rreshtat e lajmit të formuluar e shpërndarë nga France Presse thuhet se “Parlamenti Evropian ratifikoi në fillim të shtatorit një marrëveshje të Stabilizim-Asoccimit mes Shqipërisë dhe BE-së, etapë e parë drejt një anëtarësimi në Bashkim. Por përpara kësaj ngjarjeje akoma të largët BE i ka kërkuar Tiranës të vazhdojë reformat veçanërisht në lëmin e lirisë së shtypit dhe të respektit të shtetit ligjor”. Pas kësaj në tre rreshtat e fundit France Presse nënvizon deklaratën e Papa Benediktit XVI për “Nënë Terezën e Kalkutës si “bijë e shquar e Shqipërisë“.
Tani, pas kësaj deklarate dhe lajmi që e ka marrë vesh gjithë globi se Evropa na pranon fetarisht kështu si jemi, pa e çarë kokën fare për përqindjet që zënë mes nesh katolikët, ortodoksët, myslimanët, laikët apo ateistët, nuk ka asgjë të keqe që debati për identitetin tonë fetar të vazhdojë dhe po ashtu të shpallen shifrat e studimeve apo sondazheve. Përbëjnë megjithë mend një kuriozitet të rrallë. Por vetëm kaq. Nuk kanë asnjë fije ndikimi dhe autoriteti tjetër.


Ylli Polovina








































Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com