Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

NJĖ SURPRIZĖ QĖ FSHIHET NĖ JAVOREN VJENEZE “DAS INTERESSANTE BLATT” NĖ NUMRIN E SAJ TĖ 28 NĖNTORIT 1912
FESTAT 28-29 NĖNTORIT 1945 DHE LOJA E ENVER HOXHĖS ME FJALĖN DEMOKRACI Pjesa e dytė
FESTAT 28-29 NĖNTORIT 1945 DHE LOJA E ENVER HOXHĖS ME FJALĖN DEMOKRACI Pjesa e parė
LAJMI I SAJUAR MBI NGRITJEN E FLAMURIT DHE SHPALLJEN E PAVARĖSISĖ NĖ DURRĖS
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 2)
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Gazetaret qe nuk duken

Korrieri, 14 tetor 2006

Sigurisht ka edhe gazetarë që nuk duken. Rregulli më i thjeshtë për një që në një media punon me statusin e publicistit apo të komentatorit, kronistit, opinionistit, reportazhierit e kështu me rradhë është që ai duhet të jetë “i dukshëm”. Kjo do të thotë se kur boton një shkrim apo përpilon një lajm e çdo krijim radioteleviziv, do të nënshkruajë patjetër me emrin e tij. Ka që prej tyre nuk përdorin emrin e vërtetë, por ndonjë formulim publiçistik, pra pseudonime profesionalë, por zakonisht këta janë të paktë. Mes gazetarëve “të dukshëm” ka po ashtu edhe shumë apo pak që e ngulmojnë zellshëm këtë detyrim por edhe privilegj të natyrshëm të zanatit. Aktualisht madje ka një grup të tillë që është i kudodukshëm, siç edhe gjenden të tjerë që kanë zgjedhur apo kanë mbetur në zona të parrahura nga vemendja e shikuesve. Ka po ashtu gazetarë që janë shumë të dukshëm, por jo edhe kaq të shikueshëm. Me një fjalë si në çdo profesion publik dukshmëria mbetet një e drejtë e natyrshme e të gjithë atyre që punojnë e krijojnë në media. Mëkat në rast se do tua quanim në parim si një dëshirë abuzive.
Ndërkohë ndodh që ndërsa në një profesion tjetër me dukshmëri të nevojshme, siç është përshembëll politika, nuk gjen asnjë që nuk ngulmon të mos u rrijë para syve shikuesve, në gazetari gjenden vërtet edhe disa që nuk duken fare. Opinioni ata nuk i dallon dot, madje as i kërkon t’i gjejë. Kjo ndodh jo sepse nuk dëshiron t’i njohë, porse nuk di që ata ekzistojnë ose sepse nuk zotëron asnjë të dhënë të qartë për të ditur se ata jetojnë e punojnë fare pranë tyre. Kështu ky opinion humbet mundësinë e pse jo edhe kënaqësinë për t’i vlerësuar, kritikuar, ndihmuar apo anashkaluar me indiferencë. Dhe çka është më e çuditshmja në këtë dukuri këta pak gazetarë që nuk duken për opinionin e shoqërinë tonë, për shkak të profilit të veçantë të veprimtarisë së tyre, bëjnë shumë për të. Shpesh edhe më tepër se disa gazetarë shumë të dukshëm të mbledhur bashkë.
Duke dhënë tre shembuj nga devotshmëria e heshtur për kombin e tyre të këtyre gazetarëve dhe me këtë rast duke bërë të ditur tre emra nënvizojmë faktin se duke mos qënë një “armatë“ ata janë më tepër se sa do të ekspozojmë në këtë shkrim. Veç tre rastet apo tre emrat që do të pasojnë janë ndër më përfaqësuesit e atyre gazetarëve që shumica jonë pothuaj nuk i ka parë ose i ka parë fare pak, pse jo për një shumicë as dëgjuar.
Në mes të marsit të këtij viti ndodhi që disa përfaqësues organizatash me besim mysliman në Shkodër u shpallën kundër vendosjes së një statuje të Nënë Terezës në hyrje të qytetit të tyre. Personi që përballoi argumentimin e kësaj teze u shpreh se ishte dakord me vlerësimin e bërë kësaj figure bamirëse në vendin tonë, duke i dhënë emrin e saj shesheve, spitaleve dhe aeroportit të Tiranës. Gjithashtu e quante të drejtë vendosjen e bustit të saj pranë Universitetit në Tiranë, “por nuk duhet të vendoset busti i kësaj figure fetare katolike në qytetin e Shkodrës, ku situata nuk është shumë e qetë”. Kaq mjaftoi që ngjarja të bëhej lajm jo vetëm për opinionin shqiptar, por të delte edhe jashtë kufirit. Nënë Tereza është një figurë e gjithadmiruar botërisht dhe çdo gjë që lidhet sidomos me cënime apo rishikime të figurës së saj tërheq menjëherë vëmendjen e medias globale. Për një të huaj që e di se Nënë Tereza është një shqiptare fakti se në atdheun e vet kishte njerëz që ishin kundër ngritjes së një shtatoreje të saj krijon menjëherë, veçanërisht në vendet perëndimore, habi dhe shumë zemërim. Bamirësja më e madhe e botës është nder për çdo shesh qyteti në botë, jo më në vendin e saj. Pastaj me përhapjen e këtij lajmi në opinionin ndërkombëtar nga një vend i mirëkuptimit fetar, një ndër jo shumë pasuritë që kemi, rrezikonim të përfundonim në një shembëll të moskuptimit ndërfetar. Mirëpo për mënçuri dhe fat figura e parë e Komunitetit Mysliman Shqiptar, i nderuari Selim Muça, pa humbur asnjë minutë nga çasti kur prej kundërshtuesve të ngritjes së statujës së Nënë Terezës në hyrje të qytetit të Shkodrës lajmi mori dhenë, deklaroi qartësisht para medias shqiptare se “Komuniteti Mysliman i Shqipërisë vlerëson së tepërmi kontributin e Nënë Terezës, si një personalitet ndërkombëtar, e cila ia ka përkushtuar gjithë jetën e saj njerëzve në nevojë, madje duke u vlerësuar edhe me çmimin Nobel”.
Ata që merren me teknologjinë e lajmeve e dinë shumë mirë se “lajm” (ose bujë) ishte në thelb ai i kundërshtimit të vendosjes së bustit të Nënë Terezës, jo aq ai i shefit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë“. Në këtë çast të dinamikës së lajmit hyri në veprim një “gazetar i heshtur”, Llazar Semini, i cili në Tiranë punon për agjensinë mjaft prestigjioze “The Associated Press”. Si një profesionist i vërtetë dhe i paanshëm, por edhe me ndjenjë serioze mëmëdhetarie, ai përpiloi dhe dërgoi në qendër një lajm të cilit iu vuri titulli vëmendjethirrës “Statuja e Nënë Terezës shkakton mosmarrëveshje në Shqipëri”. Kështu ai u bë joshës për opinionin global, ndërsa në brendësi në të njëmbëdhjetë rradhët e tij, pasi shpjegonte reagimin e disa individëve dhe shoqatave myslimane në Shkodër dhe spikatëte të plotë deklarimin lapidar të kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, finalizonte kontributin e tij profesionist për të mbrojtur imazhin pozitiv të Shqipërisë. Pasi e kishte devijuar e neutralizuar bujën e negative të fazës së parë të lajmit (deklarata e disa shoqatistëve) në pesë rreshtat e fundit nënvizohej disa herë dukshëm se Nënë Tereza ishte shqiptare dhe se në Maqedoni, ku kishte lindur e në Kalkuta ku kishte vepruar pjesën më të madhe të jetës, nobelistja pohonte se mbetej gjithnjë e tillë, një shqiptare.
Ky lajm pati një “shpërthim” të vërtetë mediatik anë e kend botës. Gjeografia e përhapjes së tij ishte e madhe jo vetëm në rajon, por edhe në lindje dhe në perëndim të kontinentit, në SHBA e gjer në Kanada.
Pak ditë më parë ndodhi që media nuk mori dot vesh për dëshirën dhe urimin e Papa Benediktit XVI shprehur ambasadorit shqiptar në Vatikan, Rrok Logu, për hyrjen sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE me meritën se ishte edhe bartëse e vlerës së bashkëjetesës si spikatur ndërfetare. Në të vërtetë institucionet përkatëse të shtetit e dinin, informacioni zyrtar nga ambasadori kishte mbërritur dhe po depërtonte në shtyp. Mirëpo ngjarja e vërtetë (dhe lajmi) nuk ishte aq shumë ajo deklaratë papale e thënë brenda kufizimit normal të një takimi zyrtar Papë-Ambasador. Superngjarja (e superlajmi) ishte se këtë kumt të gëzuar të deklaratës papale e kishte përcjellë anë e kend botës agjensia e famshme e lajmeve AFP. Në Tiranë korespondente e vjetër e kësaj agjensie është “gazetarja e heshtur” Briseida Mema. Duke qënë një profesioniste dhe plot përvojë pozitive për intensitetin dhe baraspeshimin e lajmit, e vlerësuar dhe e dekoruar nga Franca, por po ashtu edhe një ruajtëse dhe mbrojtëse e vendosur e imazhit të vendit të saj, ajo telefonoi menjëherë një ministër. Për ta hequr gjer në fund merakun që përherë e kanë jo vetëm shqiptarët e devotshëm, por edhe njerëzit e mirë, ajo ja përcolli vetë lajmin e gëzuar një grupimi mediatik shumë të fuqishëm. Të nesërmen, edhe pse një pjesë e shtypit, për shkak të padijes dhe në mos rutinës, nuk e kishin publikuar lajmin me variatin e AFP-së, shumica e bashkëkombasve tanë kudo ku gjenden e rroku sihariqin.
Në Itali ka një stacion radiofonik që ndiqet me shumë vëmendje nga politikanët, analistët e zhvillimeve ndërkombëtare, gazetarët, studentët e shkencave politike dhe sociale, ambasadat e huaja të vendosura në Romë e kështu me rradhë. Ajo ka në vendin e vet afërsisht treqind mijë dëgjuesë, shumica të elitës së mësipërme. Në Tiranë korespondent i saj është një tjetër “gazetar i heshtur”: Artur Nura. Të vjen keq të pohosh se veprimtaria e këtij kolegu në dobi të shqiptarisë kalon pa u vënë re, sigurisht jo për keqdashje, por për së shumti prej padijes. Po të kesh mundësi të shohësh e dëgjosh raportet e tij javore në italisht për Radio Radikale, të paktën duke filluar nga 5 nentori i vitit 2005 e deri tani, vetëm me temën strategjikisht më të favorshmen për ne, atë të vlerave historike dhe aktuale të mirëkuptimit fetar, nuk mund të mos provosh për të ndjenjën e nderimit të thellë. Bëhet fjala për informime dhe analiza nga më të saktat dhe ku raportuesi ynë nga Tirana citon me respekt dhe baraspeshim emrat e dhjetra e dhjetra intelektualëve tanë.
Sot nuk bëhet aspak keq që qeveritë nga buxheti veçojnë shifra edhe për përhapjen e imazhit optimist të Shqipërisë në botë dhe këtë gjë e bëjnë me sponsorizime mediash të huaja. Eshtë thjesht rasti të kujtojmë njeri-tjetrin se kemi disa gazetarë që këtë punë të vyer në media të huaja e bëjnë me kohë dhe përditë. Pa u bërë zhurrmë e modestisht.
Siç veprojnë gjithnjë ata që kanë virtutin të anashkalojnë interesat personale në dobi të shërbimit për ato publike.

Ylli Polovina




















Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com