Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Politike, pse humb kohe!

“Korrieri”, 23 tetor 2006


Një shoqëri e shtet që kërkon të rindërtohet pas një dëmtimi të rendë etnik (përgjysmimi i trojeve dhe i vetë shqiptarëve), nga tre luftra globale (një ballkanike dhe dy botërore), nga disa pushtime territoriale (serbë, grekë, italianë, austriakë, bullgarë, francezë, gjermanë), prej një devijimi shumë të rendë ideologjik (realkomunizmi), nga të paktën dy regjime të gjata autoritare dhe diktatoriale si edhe nga një tranzicion i tejzgjatur, sigurisht më shumë se çdo shoqëri e shtet tjetër ka arsye të jetë më racional dhe më i drejtpeshuar në çdo veprim që kryen. Kemi humbur shumë kohë mes prapësive të krijuara nga jashtë dhe nga brenda dhe nuk ka më keq për një shoqëri se sa të vazhdojë ta shpenzojë kohën në paperspektivë. Kur bashkë me shoqërinë humb kohë edhe shteti apo elita politike është akoma më keq. Në këtë pakt edhe pse të paqëllimtë kohëmbeturit në krye arrijnë të mbajnë në të njëjtën gjendje pakohësie sidomos gjeneratat e reja. Pikërisht që t’i shpëtonin kësaj vorbulle më shumë se një milion nga ne ikën në ato vende ku për nevoja të zhvillimit koha fitohet. Përderisa humbëm shumë kohë në të kaluarën detyrimisht më e arsyeshmja është që tani ajo të rifitohet e rifitohet pa pushim.
Por ka të paktën dy-tre muaj që një dëshirë të përbashkët për të ecur ngulshëm përpara nuk e kemi më. Ritmi i lëvizjes ka rihyrë në rutinën e vjetër, në atë mënyrë të ecuri që përherë na ka mbajtur mbrapa. Protagoniste kryesore e saj, edhe pse jo e vetmja, është politika. Ndokush mund të pezmatohet e të thotë: tërë jetën do të vazhdojmë me këtë teori të tipit konspirativ, sipas të cilës gjithë të këqijat këtij vendi i vijnë nga politikanët?!
Vërtet në mos teori një përshtypje e tillë është shumë e përhapur mes shqiptarëve dhe në demonizimin e politikës janë bërë dhe bëhen teprime. Sidoqoftë e kritikuar në një përmasë të caktuar ajo gjendet me bollëk deri edhe te të gjithë popujt e vendet e zhvilluara. Në fund të fundit për zhvillimin ekonomik nuk mund të jenë përgjegjës shkrimtarët, aktorët e filmave apo kantautorët e balerinët. Politika është brumi e lenda me të cilën ndërtohet qeverisja e një shteti. Kur e vëmë politikën e vendit tonë në qendrën e një qortimi apo përgjegjësie patjetër i hapim vend edhe vlerësimit të rolit të saj ekskluziv për zhvillimin. Dhe zhvillimi komponent të parë ka mënyrën se si përdoret koha në dobi të tij. Në rast se bie në nivelin e treguesit që je në pragun më të skajshëm të zgjedhjeve dhe akoma ruan kodin e vjetër për ta zënë në pikën më të dobët rivalin (në pikë të dimërit) apo ngathëson veprimet qëllimisht që ta shtysh përtej janar-shkurtit ballafaqimin elektoral, do të thotë vetëm humbje e humbje kohe. Si fitohet ajo? Nuk ka më të thjeshtë: rishikohet data. Madje kjo duhej bërë shumë më parë. Askush nuk ka interes, nga qeveria, opozita apo edhe vetë klasa politike, që pas mbylljes së kutive të votimit të shpërthejë hataja e akuzave të ndërsjellta për manipulim. Në morinë e standarteve më të afërta që duhet të përmbushim për në Bashkimin Evropian nuk është vënë as rritja e pagave, as ndërtimi i rrugëve apo apartamenteve të banimit, as ndarja e pronave apo dëmshpërblimi i të persekutuarve nga regjimi diktatorial. Të gjitha këto janë standarte me autoritet të BE-së dhe duhen plotësuar një për një. E megjithatë “provimi” ynë i parë i madh janë këto zgjedhje. Humbëm treguesit e tyre demokratikë apo sadopak i kompromentuam ato atëhere u kthyem edhe dhjetë vite të tjera pas. Dhe plotësimi i standarteve të zgjedhjeve në kushtet e Shqipërisë nuk është punë e lehtë, nuk është një premtim apo “piknik”. Ajo ka rezultuar nga më të ndërlikuarat dhe më problematiket, nga më frenueset e zhvillimit. Pra në një farë mënyre mundet që Ushtria jonë t’i plotësojë standartet e saj profesionalë për të hyrë në NATO shumë më shpejt se proçesi i drejtë dhe i lirë elektoral. Kjo do të thotë se zgjedhjet problematike apo thjesht të kryera në kushte të jashtme problematike e të manipulueshme edhe për në bashkimin ushtarak atllantik do të na pengojnë. Kur janë kaq nevralgjike për perspektivën tonë përse u investua presion i tejskajshëm për të zgjidhur me vonesë problemin e listave zgjedhore e nuk lëviz nga vendi marrëveshja ndërpartike për vetë datën e ballafaqimit në kutitë e votimit? Në akullimën e dimrit, rrugët e zëna nga bora dhe sidomos me dritat e ndërprera të gjithë llojet e “ujqërve” do të përfitojnë. Që shteti, qeveria, klasa politike, administrata e komisionet zgjedhore, media e vëzhguesit ndërkombëtarë apo vendas ta kontrollojnë proçesin zgjedhor u duhet më së pari të kenë mundësi të administrojnë territorin. Në mes të dimërit kjo e fundit lë “zona të errëta” thjesht edhe për arsye të mungesës së plotë të infrastrukturës apo të dobësisë së saj. Nëse kjo me datën zgjedhore quhet “lojë politike” ajo veç e tillë nuk është. Eshtë minimalisht sot një konflikt më tepër, një tension më shumë dhe pa dyshim një krizë të madhe e panevojshme nesër.
Ne shqiptarët jemi një popull vital, në kuptimin se kemi shumë energji. Problemi ynë është se përgjithësisht nuk jemi racionalë në mirëpërdorimin e kësaj energjie. E ”djegim” atë edhe nëpërmjet marrëzish të pafund, sidomos bëmash që si litarët e shthurrur na kapin nga kembët. Dhe e vërteta është se nuk “djegim” tepricën, por energjinë themelore, atë që na duhet për të kapur kohën e humbur. Me që e kemi fjalën për klasën politike (sepse defektin realisht e kemi të gjithë) a nuk keni vënë re se disa vite më parë ajo i linte vetes më shumë kohë për të reflektuar? Po e shpjegojmë ku e kemi fjalën. Partitë politike janë si njerëzit e arsyeshëm e të mënçur që kur bëjnë bilançin e një dite shohin sa kohë kanë konsumuar për të projektuar të nesërmen, sa për ta përgatitur konkretisht atë dhe sa kohë për veprim konkret. Jeta për njeriun serioz (ca më shumë për një parti politike) nuk është një kuturu, hap e mbyll derën e shtëpisë, rrufit pjata me gjellë dhe bëj kalamaj. Ajo është gjurmë pozitive në jetën e familjes dhe të shoqërisë, një gur modest në ndërtesën e tyre. Duke hyrë në vitin e shtatëmbëdhjetë të pluralizmit shqiptar sot përfundimisht nuk gjen qoftë edhe një rast kur partitë tona politike, veçanërisht dy më të mëdhatë që kanë ndikim më shumë në të ardhmen e vendit, të organizojnë sistematikisht debate profesionale brenda tyre. Teoria e praktika e politikës, që nga spektri i majtë e deri te i djathti, është e pafund dhe nga rrahja e mendimit zjen në të gjitha vendet e zhvilluara. Te ne heshtet. Kanë ndjesinë se i dinë të gjitha. Te ne ose krijohen organizma të tilla (KOP) vetëm për nevoja të proçesit të drejtpërdrejtë parazgjedhor ose marrin formën e zbavitjeve masive (natën muzikë e birrë për të rinjtë dhe mitingje për veteranët ditën, si çdo shtator në Pezë). Nga që kur grumbullohen mblidhen vetëm forumet partiake dhe qarqet intelektuale mungojnë mbi jetën e shoqërisë shkarkohen pa fund e pa bërë një grimë pushim tensione të ashpëra, të papërpunuara e e palëmuara. Eshtë bërë jeta shqiptare vetëm parti, për fat të keq mbetje e kulturës së vjetër moniste ku nëpër dolli nuk mungonte edhe e famshmja dhe më absurdja që ka ekzistuar ndonjëherë mes urimeve njerëzore: “Parti gjithë bota!”
Pak ditë më parë në një televizion edhe një politikan i civilizuar i pakicës parlamentare interpretonte si rregulli normal që opozita nuk propozon asnjë projektligj, sepse ato i bën qeveria. Sipas tij opozita e shumta sugjeron ndonjë amendim. Duke qënë se reformat për t’i përshtatur standarteve të një vendi që synon hyrjen në Bashkimin Evropian janë shumë të domosdoshme a nuk e keni vënë re shumica parlamentare këtë vullnet pozitiv nuk e çon dot deri në rregullin më të thjeshtë politik: për reformat me interes ekskluziv kombëtar i duhet patjetër bashkëpunimi dhe konsensusi i pakicës.
Detyrimisht kështu nuk fitohet kohë, por humbet.
Politika, ky profesion i vështirë dhe delikat, ka nevojë për kërkimin e vazhdueshëm të ekuilibreve dhe jo për të kundërtën: prishjen sistematike të baraspeshimeve. Pluralizmi dhe mrekullia e tij nuk funksionojnë me rregullin e egër sipas të cilit njëra palë mund ta prishë pa teklif ekuilibrin sepse, si në parimin e enëve komunikuese, do të jetë baraspeshues veprimi i kundërt, ai i rivalëve. Absolutisht nuk është kjo lloj “arithmetikë”. Veprimi i kundërt i një akti çekuilibrues është në thelb një tjetër prishës agresiv i baraspeshimit politik. Kështu në pamje të parë krijohet iluzioni se shkohet nga ekuilibri në ekuilibër, ndërsa në të vërtetë vrapohet nga shrregullimi në shrregullim, nga kriza në krizë. Vrapohet nga humbja e kohës më një humbje të re.
A nuk e keni konstatuar se niveli e aftësia për kompromis, alfa e politikës, ka rënë më shumë se më parë, kur duhej të ndodhte, të paktën për hatër të përvojës së grumbulluar, fare dukshëm e kundërta? A nuk ju duket se janë shumuar në Kuvend mes pakicës parlamentare modelet e sjelljes me kërcënim fizik dhe fjalor vulgar dhe te shumica “skifterët” që nuk kursejnë të paktën tonin e fjalëve të shqiptojnë?
Ndoshta në këto që shkruaj nuk jam i saktë ose mbase gaboj tërësisht. Po të jetë kështu jam gati t’ju kërkoj ndjesë. Thjesht e bëra këtë shkrim sepse “koha është flori”.





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com