Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Mos u ndalni çupa!

“Korrieri”, 13 nentor 2006

Duke u mbyllur muaji tetor një paralele ngjarjesh zhvillohej ngutshëm para syve të shqiptarëve. Një nga drejtueset më të mira të debateve televizive si edhe një shkrimtare origjinale, Rudina Xhunga, botoi në ditoren “Shqip” një shkrim flakërues në mbrojtje të kryetares së Kuvendit. Me stilin e saj tashmë të stërvitur mirë për të komunikuar efektshëm me publikun telegazetarja e interpretoi sulmin e opozitës ndaj zonjës Jozefina Topalli jo si pjesë të lojës së politikës korrente, por si shfaqje të plotë të kulturës maskiliste. Ishte dëshira e saj që nëpërmjet atij shkrimi të shkathët të delte në konkluzionin se para syve të bashkëkombasve të vet po kryhej, në emër të antifeminizmit, një agresion tërësisht i padrejtë ndaj spikeres së Kuvendit. Ka të ngjarë që përjetime të përafërta të ketë provuar edhe vetë zonjusha Xhunga, madje ato mund të jenë zhvilluar njëkohësisht. Ajo është bërë një shkrimtare e lexuar pikërisht për temën e librave të saj. Atje në qendër është femra dhe mëkembja e saj e vështirë në një shoqëri akoma të pambërritur në standartet normale të emancipimit perëndimor. Edhe pse dëshirojmë të vëmë në dukje se interpretimi i sulmit të opozitës ndaj spikeres së parlamentit ka të bëjë kryesisht me kritere politike dhe jo me parametra maskilistë, Rudina Xhunga dhe Jozefina Topalli përbëjnë sot një çift me kuota të larta joshjeve publike dhe kjo patjetër ka ngacmuar ligësinë e xhelozëve. Mes tyre mund të ketë edhe gazetarë apo politikanë meshkuj, por patjetër ka edhe një vargan të madh zonjash e zonjëzash që nuk i kanë mbërritur dot lartësinë e lakmuar të dy vip-eve. Shpesh ka femra më maksiliste se vetë burrat më “burra”.
Ngjarja e dytë që bëri “poteren” e përkohshme mediatike kishte të bënte me vrasjen brenda një dite të dy vajzave. Njërës ia mori jetën me armë ai që thirrej i fejuari i saj, tjetra u vetvra nëpërmjet varjes së vullnetshme. Në të dy rastet e dhimbshme kronikat shenuan se shkaku kryesor për flijimin e tyre kishte qënë mospranimi i fatit të imponuar që të prostituonin në atë pjesë të tregut perëndimor, ku ushtrohet vagabondazhi i “mishit të bardhë”. Tronditëse patjetër ka qënë edhe pamja jo e transmentuar në tv e të vrarës nga “i fejuari”, kurse ajo e Denisa Dervishit, vajzës nga lagjia “Kalluç” e qytetit të Poliçanit, ishte ulëritëse. E reja me atë emër të bukur e modern ishte vetëvarur jo te dega e parë apo e dytë e pemës, por lart, në mes të saj. Dukej sikur kërkonte posaçërisht ta kishte vdekjen plotësisht të sigurtë. Po ta kryente vetvrasjen sipas mënyrës tradicionale, poshtë pemës, ka dyshuar se do të binte në sy dhe do ta ndihmonin të shpëtonte. Eshtë ngjitur lart fatkeqja, është kacavirur nëpër trungun e pemës deri afër majës që të mos e shihte e ndihmonte njeri. Ka kërkuar kembëngulshëm ikjen nga kjo jetë pa i dhënë mundësinë qoftë edhe një kalimtari t’ja hiqte litarin në qafa para se të jepte shpirt. Lart, mes degëve ende të mbushura me gjethe në vjeshtërim, Denisa Dervishi ngjante me një frut të tjetërsuar. Nga kjo pamje me mijra shqiptarë me siguri brenda vetes kanë klithur nga dënesa. Pa tjetër e kanë ndjerë se ai vetflijim ishte një akt i madh proteste kundër atyre që ia merrnin nëpër kembë të drejtat më elementare për ta gëzuar jetën siç dëshironte vetë. Të vjen keq që prej jo pakëve ai trup rinor, i cili lëkundej i pajetë në mes të pemës, nuk u kuptua si klithmë kundërshtimi ndaj përdhunimit të lirisë së femrës shqiptare. Eshtë e trishtueshme që Denisa apo çdo vajzë tjetër që dëshiron të protestojë maksimalisht, për të zgjuar aksion mbrojtës të shoqërisë, i duhet të shkojë patjetër në sheshin më të madh të qytetit e t’i vërë flakën vetes.
Mirëpo asnjë jetë femërore jo vetëm nuk duhet të humbet, por as të dhunohet. Sipas një raporti të Ministrisë së Brendshme në dhjetë vitet e fundit të vrarë nga bashkëshorti apo i dashuri janë afërsisht rreth 40 femra. Një pjesë prej tyre e kanë patur fatin e hidhur të humbjes së jetës sepse nuk kanë pranuar të shiteshin në bulevardet e putanërisë. Kjo që po ndodh, pra çmimi i rendë që paguajnë ato bashkëkombase të cilat i rezistojnë kësaj dhune, tregon dy anë të vetëm një problemi. Shoqëria shqiptare akoma është e kanosur fort nga bota e krimit që merret posaçërisht me ushtrimin e trafikut dhe shfrytëzimit të prostitucionit, por ndërkohë femra shqiptare e ka rritur ndjeshëm shpirtin e saj të rezistencës. Në rast se Rudina Xhunga apo Jozefina Topalli qendresën ndaj maskilizmit e përjetojnë në forma e nivele krej të tjera, të cilat lidhen me mbrodhësinë e karrierës së tyre të lartë, jetëvetëhumbura Denisa Dervishi dhe dhjetra të tjerat e kanë çështje të ekzistencës. Shtrengimi i vajzave shqiptare për prostitucion të organizuar padyshim që përfaqëson formën më brutale dhe më antinjerëzore të kundërkulturës së maskilizmit. Kur një qënie mashkull e konsideron partneren e madhe të jetës së një njeriu, femrën, si mall tregu seksi, atëhere ai është shkatërruesi më i madh i të ardhmes së një shoqërie. Ai kërkon të deformojë e vrasë qelizat rinuese të një populli. Ato janë femrat dhe sidomos vajzat. Njihen kodet e rënimit të popujve: shkatërrojua rininë dhe në mënyrë të sigurtë i lë jo vetëm pa të ardhme, por edhe pa të sotme. Shqiptarëve, këtij populli numerimisht të vogël, skllavëroja femrën dhe u ke prishur jetën në të tre dimensionet e mbijetimit: të shkuarën, të sotmen, të ardhmen.
Aktualisht vala e re e sulmit të egërsuar të maskilizmit nuk është thjesht një dallgë kalimtare. Ky agresion ecën në mënyrë sistematike bashkëngjitur tranzicionit shqiptar për ta mbajtur atë sa më gjatë në tunelin e mosdaljes. Ndërkohë më shumë se në mënyrë të organizuar nga shoqëria, femra shqiptare po tregon se di të luftojë edhe vetë. Madje ta bëjë me thonj e me dhembë. Po ta shohim me vëmendje është heroike rezistenca e saj, shpesh madhështore. Sa keq që na ndodh të mos e vëmë re në kohën e duhur dhe në çastin më të parë ta inkurajojmë e nderojmë! Vajza shqiptare e viteve dymijë po përleshet me armikun e saj me një energji të habitshme. Maskilizmi ynë ka forma dhe hedh në fytyrë me mijra maska. Eshtë rrufjani dhe kllouni më i madh. E megjithatë e reja shqiptare këto çaste dallon për qendresën e saj inteligjente më shumë se të gjitha shtresat apo gjymtyrët e shoqërisë. Duket sikur në vijë të parë të luftës për të futur në Shqipëri qytetërimin europerëndimor aktualisht është bisnesi apo media, shumë personalitete të shquara të letrave apo të komunikimit publik, politikanë e artistë, OJQ apo struktura qeveritare. Patjetër ato marrin pjesë në këtë luftë për emancipimin e shoqërisë sonë, porse protagonistja më e madhe këto kohë mbetet e reja shqiptare, ajo bukuri femërore dhe mendore që ndjek gjimnazet apo universitetet. Shqipëria më në fund i ka “tetëmbëdhjetë vjeçaret” e saj. Janë ato mrekullira pavarësimi ekonomik nga familja dhe sidomos pengjet e së shkuarës, që po kryejnë “revolucionin e trendafiltë”. Po e bëjnë heshturazi, modestisht, pa i fyer vëllezërit, baballarët apo shokët e punës.
Eshtë koha të dallohen dhe të nxiten “çupat” shqiptare. Jo vetëm në Tiranë ku ato rrezëllijnë e shkëlqejnë modernitet, ambicie pozitive dhe etje për spikatje vlerash, por deri në qytetet e vegjël e skajet e fshatrave. Terri i maskilizmit në këto anë është më i rendë. Të mos kujtojmë se “revolucioni i trendafiltë” (i vërteti dhe jo ai me kostum politik) nuk ka nevojë për pjesëmarrje të të gjithëve. Pabarazinë me femrën te ne e mbarti jo vetëm pushtimi i gjatë lindor osman dhe rregullat e e atëhershme të fesë islame. Para tij dhe më pas shqiptarja ka vuajtur jo pak edhe nga diskriminimi që i kanë sjellë disa segmente të kulturës së krishterë të kohës, mbërritur nga perëndimi. Kanuni i maleve akoma mban gjallë kodet e veta shtypëse ndaj femrës.
Vajzat shqiptare, shumica me ditëlindje vitin e parë të pluralizmit, kanë energji të ndryshojnë jo vetëm veten, por tërë Shqipërinë. Modelet Xhunga apo Topalli, si edhe mjaft femra të tjera të mbërritura në nivelin e vip-it social, janë ikona që frymëzojnë. Sipërmarrjet për t’i nxitur që të përbëjnë pesëdhjetë përqind të të zgjedhurve në parti apo forume shtetërore, në administratë apo në përfaqësime të ndryshme ndërkombëtare janë gjeste të shënjuara nga aftësia e largpamjes. “Çupat” nuk duhen lënë vetëm. Mes tyre ka nga ato që “të marrin gjak në vetull” siç pamë në internet një bashkëkombase me emrin Sonila Turshila. Biografia profesionale e jetës së saj ishte e mbushur me ngulmim e arritje: një temë studimore në qershor 2000 e kishte realizuar me temën e mbrojtjes së gruas nga abuzimet, ishte pedagoge në Universitetin e Tiranës, specialiste për marrëdhëniet publike, bashkëpunëtore mediatike, bashkëpunëtore e jashtme e UNCHR-së, punonjëse sociale, koordinatore për rininë e ASMA/PS, prodhuese, organizuese dhe spikere në televizionin Norba, kishte titullin master dhe kryer 14 trajnime. Mund të gjesh përshembëll edhe një vajzë tjetër, të quajtur Stela Manopulli, e cila nuk jep asnjë shenjë të jashtme agresiviteti sa bashkëmoshatarja e saj. Gjykon se nuk është një nga ato që në vendin e vet për të frenuar maskilizimin po kryen “revolucionin e trendafiltë”. Ndërsa në të vërtetë kontributin e saj e ka dhënë. Pasi mbaroi universitetin pesëvjeçar në Bolonja të Italisë u kthye në Tiranë e punon në studion e të jatit mjek dentar.
“Çupat” i kemi heroina. Asnjëherë Shqipëria nuk ka patur brez më të përparuar, më shpërthyes dhe më transformues sa to.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com