Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Te ndahesh me komunizmin apo ta sulmosh ate?

“Korrieri”, 21 nentor 2006-11-22


Eshtë vetë niveli i zhvillimit të një shoqërie që plazmon formën e mënyrës së saj të jetesës, shkallinën e kulturës demokratike, mënyrën e qendrimit ndaj vlerave, vlerësimin për ideologji të ndryshme, frymëzimin apo apatinë për aspiratat kombëtare, raportet me njerëzit e pushtetit dhe elitat e tij, shkallën e vëmendjes ndaj gjeneratave të reja e kështu me rradhë. Për efekt të këtij rregulli që nuk i shpëton asnjë shoqëri njerëzore, ne kemi patur edhe komunizmin më të ashpër. Duam s’duam patëm edhe tranzicionin më të vrazhdë. Duam apo nuk e duam kaluam edhe antikomunizmin më të ashpër.
Që të mos keqkuptohemi: me termin “i ashpër” nuk kemi parasysh “i thellë”. Realkomunizmi, pra varianti bolshevik i tij, i cili u zbatua në Shqipëri, duke qënë më i vrazhdi dhe më vulgari, nuk ka qënë kurrë më i thelli. Edhe pse tashmë njihet dështimi i plotë politik i kësaj alternative, vendet e tjera të lindjes ish-komuniste kishin një komunizëm më të thellë, për pasojë më pak të ashpër. Madje duke filluar nga vetë vatra e shpërndarjes dhe e mbështetjes së tij, ish-Bashkimit Sovjetik. Sot me komunizmin, aspak variantin bolshevik, akoma bashkëjetojnë mbi një miliardë kinezë. I bashkuar fort edhe me ekonominë e tregut si edhe lejimin e në mos nxitjen e qarkullimit të njerëzve jashtë kufijve të shtetit, ky variant përbën shembullin e një komunizmi shumë më pak të ashpër dhe për këtë arsye edhe mjaft më të thellë nga shembujt e mëparshëm të pas Luftës së Dytë Botërore.
Kemi patur mundësinë të ndjekim pothuaj tridhjetë teledokumentarë për ish-lindjen komuniste, të përgatitur që të gjithë nga specialistë të vërtetë të vëzhgimit dhe interpretimit të shoqërive në kalim prej diktaturave komuniste në shoqëri të hapura. Secila seri e këtij cikli ishte njëorëshe. Në të gjitha rastet ku realkomunizmi ishte vënë në jetë si model relativisht më pak i përdhunshëm, anketat tregonin përmasa përfillëse nostalgjikësh të tij. Kështu ndodhte në Poloni, në Çeki apo Sllovaki, në Rumani e Bullgari, Serbi e Maqedoni e deri në pjesën lindore të Gjermanisë. Sigurisht nostalgjia kryesisht nuk ishte për ideologjinë, por për sigurinë e vendit të punës, qetësinë e rendit publik, mungesën e prostitucionit apo drogës. Patjetër që ajo masë e dukshme shpreson më kot t’ja bënte jetën më të mirë një sistem si realkomunizmi, por problemi që duam të ravijëzojmë është ky: për shkak të nivelit relativisht të zbutur të zbatimit (meritë jo aq e politikanëve komunistë të kohës se sa e nivelit të mirë të qytetërimit të shoqërive përkatëse) ky sistem dështak ka depërtuar me thellë se në rastin shqiptar. Varianti ynë ka qënë aq mediokër e i mbrapshtë sa për aq sa pamë rreth tridhjetë orë teledokumentarë nga eurolindja e kontinentit, te ne nostalgjikë të tij ka shumë më pak se në çdo skaj të kësaj gjysme kontinenti të ish-vetmbyllur.
Kjo do të thotë se mbishtresëzimi realkomunist në vendin tonë është më lehtësisht i heqshëm. Kështu një të keqe të madhe, siç ishte ai diktaturës, në të vërtetë realisht është kompensuar me një të mirë. Të mos harrojmë se për shkak të natyrës individualiste të njeriut shqiptar, në thelb e në brendësi ai nuk u pajtua dot me komunizmin. Operacioni ideologjik që u krye mbi të, në të vërtetë jo pak i sofistikuar, veproi e ndikoi vetëm “në kokë”, jo “në shpirt”. Bëri trysni si ideologji, por jo si mënyrë jetese. Sepse nuk e treti dot brenda vetes “homo albanicus” në mënyrë të pandërgjegjeshme apo me plot a gjysëm vetëdijë, e sabotoi atë sistem. Po ta kishte dashur shpirtërisht kishte për ta bërë më të thellë dhe më të pranueshëm.
Që paskomunizmi ynë ofron kushte më të favorshme për dekomunistizim nuk do të thotë aspak se nuk është punë e komplikuar dhe e gjatë xhveshja prej kësaj cipe. Në pjesë të ndryshme, ku është mpleksur me traditën e vjetër të vetëpëlqimit apo unit, me dëshirën skajshme për protagonizëm dhe kult të të parit, me frymën e servilizmit apo të poterexhiut, me venerimin për pronën personale dhe indiferencën për gjënë publike, është bërë koracë. Nuk dëshirojmë këtu t’i shkojmë më tej idesë se realkomunizmi shqiptar, duke i refuzuar vlerat, trashëgoi edhe disa vese të monarkizmit të viteve tridhjetë.
Në këtë punë të nevojshme, ku për të përftuar sa më shpejt standartet e shoqërive të zhvilluara të europerëndimit kërkohet më shumë se emocion inteligjencë dhe largpamje, metoda e reformimit nëpërmjet antikomunizmit do të ishte shtegu i gabuar. Kjo frymë e fundit fanatike e militante do ta vështirësonte ndarjen sa më reale me gjysmëshekullin komunist, pasojë kulturore ky shumë më i thellë se pesëdhjetë vitet e bolshevizmit. Antikomunizmi si çdo “anti” nuk dëshiron të analizojë, ai vetëm sulmon. Sulmi kundër një rreziku eminent është veprimi më me vend, por kur nuk ka rrezik ai është i pakuptimtë. Kur sulmon atë që nuk përbën kanosje jetike, por është strukur në pafuqinë e vet, atëhere e trimëron. E mobilizon të organizohet e të vetmbrohet. E shtrengon të gjejë forma të reja më “bashkëkohore” rikthimi. E detyron të hyjë mes turmës, të lypë keqardhje e kërkojë vota.
Në rast se projekti për ta caktuar 21 majin si dita e të persekutuarve nga komunizmi është një gjë e dobishme përse kjo risi socialpolitike kërkon patjetër terrësimin zyrtar të 29 nentorit? Në qoftë se Shqipëria ka nevojë të ketë muze një prej burgjeve të saj më të rendë politikë të diktaturës, përse duhen fikur dritat mbi ngjarjen e Kongresit të Përmetit apo Konferencës së Pezës? Duke qënë se është e nevojshme të pastrohet lufta antifashiste çlirimtare nga glorifikimet e tepërta, përse duhet shkuar gjer aq sa të shkruhet kembëngulshëm se kryeqytetin e Shqipërisë e kanë çliruar në të vërtetë aleatët dhe jo partizanët? Në kërkon me të drejtë të rishikosh ngjarjen e njohur si masakra e 4 shkurtit 1944 si është e mundur që atentatorët e ministrit të brendshëm të qeverisë kolaboracioniste, duke ua treguar shpërfillshëm në ekran trupat e pajetë pas vrasjes nga gjermanët dhe bashkëpunëtorët e tij, u hedh nga pas edhe një tiradë fjalësh pa respekt sikur të ishin kriminelë? Dita e të Persekutuarve nuk shkon me mijra ngjarje të realkomunizmit, por me ditëçlirimin bashkëjeton fare mirë. Eshtë antikomunizmi që ka hyrë në mes. Burgu-muze i persekutimit politik gjatë diktaturës nuk ka asgjë të pabashkëjetueshme me Konferencën e Pezës apo Kongresin e Përmetit. Rishikimi i këtyre të fundit dhe shumë ngjarjeve të tjera që realkomunizmi i kishte zyrtarizuar, duke i hequr nga ky status, janë vepër e specialistëve të historisë apo politologjisë. Politika mund të rrijë pak më mënjanë për t’i marrë pas tyre vendimet. Mirëpo që ta kesh mendjen të kthjellët nuk të lë antikomunizmi. Që është fryrë me shifra e bëma çlirimi i Tiranës këtë tashmë e dinë shumë. Faktin që jo vetëm hyrja e partizanëve në kryeqytet, por edhe në mjaft qytete të tjera atë kohë u favorizua nga tërheqja masive e ushtrisë gjermane nga Greqia e vendi ynë (meritë e drejtpërdrejtë e tre aleatëve të mëdhenj SHBA, Britani e Madhe, Bashkimi Sovjetik) kush nuk e njeh. Edhe pse të fryrë nga megalomania bolshevike e kishim pasuri kombëtare faktin që kryeqytetin tonë shqiptarët e kishin çliruar me forcat tona. Ç’punë ka e ardhmja bijve dhe e nipave tanë se disa dekada më parë një grup politik me në krye të tij një diktator na ndrynin në kokë këtë ditëçlirim “me forcat tona” si një mënyrë manipulimi për një sistem të tërë antidemokratik “të ndërtimit të shoqërisë socialiste me forcat e veta”? Me tre pushkë apo me njëmijë predha shqiptarët u vetçliruan dhe mbi këtë fakt të madhërishëm, ku nuk mund t’i mohohet për çastin merita as PKSH-së, zelli kundërkomunist është më antihistoriku. Një nga padrejtësitë e mëdha që bëri e shkuara diktatoriale ishte jo vetëm ajo e kriminalizimit të të gjithë njerëzve që u bashkuan me Legalitetin apo Ballin Kombëtar, por edhe që i vizatoi ata si frikës të mëdhenj. Për pesëdhjetë vite humbëm prestigj dhe forcë me këtë djallëzim total e përçarës. Përse na duhet të humbasim vlerat e çlirimit për arsyen se disa ish-ballistë që kanë rrëmbyer flamurin antikomunist vuajnë nga kompleksi i fajit se më 17 nentor 1944 ishin bashkuar në Tiranë me pushtuesin gjerman? Çfarë ndodhi më pas, kur nisi ozurpimi bolshevik, patjetër përfundoi në një krim shtetëror, veç ajo që akoma në fund të luftës, fare të papenduar e të palëkundur, një grup kolaboracionistësh rrinin e luftonin në krah të hitlerianëve, është pak tua quash turp. Në të gjithë Perëndimin është konsideruar krim. Ndërsa partizanët shqiptarë kundër fashizmit u bashkuan me aleancën fitimtare, në të cilën bënin pjesë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Britania e Madhe, ata ngritën pushkë e shtinë mbi alternativën e dy demokracive më të mëdha të botës.
Ndarja me komunizmin dhe çdo ideologji totalitare është një proçes shumë më i vështirë dhe i ndërlikuar se sulmi i ndërkryer ndaj tyre, ca më tepër kur ky i fundit shndërrohet në vetëm retorikë. Duke patur nevojë për denoncimin e krimeve të diktaturës, kryer kjo sidomos nga shtresa e madhe e të persekutuarve, dekomunistizimi real nuk ka tashmë urgjencë për ndërhyrjen kembëngulëse të ish-komunistëve kundërkomunistë. Gjatë viteve nentëdhjetë shërbimi i tyre, edhe pse me tepri tejkalimi për shkak të kompleksit të natyrshëm të së shkuarës, ishte në kohën e vet. Ishte në një farë mënyre i domosdoshëm. Tani edhe efekti i komplekseve duhet të fashitet, sepse realisht askush nuk mund të akuzojë jo vetëm një ish-kolaboracionist, por edhe një ish-komunist, se pasi i ka shërbyer demokracisë për gjashtëmbëdhjetë vite me rradhë na ia paska asaj me pabesi.



Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com