Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
Një kolonel midis Tiranës dhe Prishtinës

(Botuar nga Emal, qershor 2007)

Fragment

Në Tetovë shkuan në një bazë, në familjen e bashkëkombasit me emrin Daut. Darkën e hengrën atje. Çuditërisht aty ndiheshin të qetë dhe jashtë çdo rreziku, si të ishin në një planet tjetër.
Pasi konsumuan ushqimin, pinë nga një gotë çaj të nxehtë që binte erë luleshtrydhesh, u ngritën, veshën këpucët dhe ndërkohë që po ndaheshin, nëna e Dautit tërhoqi që nga thellësia e shpirtit fjalë “Bijtë e nënës, u kthefshi gjallë!” Pastaj u ul në divan dhe lotët iu rrëkëllyen njëherësh gjer në mjekër. Koloneli i hoqi shpejt sytë prej saj. U ngashërye. Për fat ato çaste asnjë nuk i foli sepse ndryshe do të ishte “çburrëruar”.
Dy furgona erdhën e qëndruan në avllinë e rrethuar të shtëpisë. Hipën nëpër makina pa u ngutur dhe në hapësirat e tyre të brëndshme të mbyllura dhe pa asnjë dritare u ndjenë jo vetëm të lirshëm, por edhe ngrohtë.
Tashmë ishin nëntë. Daja i Vogël kishte qëndruar në Tetovë.
Njeriu që do ta udhëhiqte rrugëtimin drejt kufirit të Kosovës thirrej me pseudonimin Mjekra. Ishte djalë i ri dhe i bukur, pothuaj një përmendore e gdhendur. I siguruan se në ato anë ai përfaqësonte udhërrëfyesin më të guximshëm dhe më të aftë. Djaloshi me pseudonimin Mjekra ishte shqiptar nga një fshat që gjysmën e trupit e mbante në Kosovë dhe pjesën tjetër e shtrinte në Maqedoni. Quhej Bilal Ceka.
Pasi lanë pas fshatin Shemshist grupi i makinave, në kushtet kur rruga kontrollohej nga ushtria maqedonase, u nis në drejtim të Jazhincës. Deri sa mbërritën këtu udhëtimi u krye pa as më të voglin incident. Nëpër natë para grupit marrshues të të nentëve bardhësia e borës nuk ishte dukur aq ndjellakeqe sa kur njëzetë e katër orë më parë kishin ngjitur e zbritur lartësinë e Stërblevës. Sapo në atë brinjë mali bënë hapat e para, në qiell nxorri kokën një hënë e plotë. Ua bëri dritë rrugën. Për gati një orë, ndërsa nga qielli hëna u hidhte përndritjen e saj të gëzuar, udhëtuan si të ishin zhytur në motet e kengëve të kreshnikëve. Kur më në fund mbërritën në Jazhincë u shfaqën njeri pas tjetrit njëzetë djem shtatlartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pamja e tyre i mahniti. Gjithçka dukej sikur vinte nga legjendat. Njësia e posaçme e UÇK-së për pritjen e shoqërimin e tyre ishin luftëtarë nga fshatrat e Kaçanikut, shumica nga fshati Glloboçicë, por disa edhe të pjesës shqiptare në Maqedoni. Tërheqja e tyre brënda territorit maqedonas ishte rrjedhojë e një operacioni të ndërmarrë dy ditë më parë nga armata serbe kundër forcave të zonës së gjashtë operative, që vepronte në rrethinat e Kaçanikut. E gjithë popullsia e ikur ishte strehuar në Jazhincë. Atje i jepej ushqim dhe për të sëmurët e të plagosurit ilaçe.
Ardhja e grupit të makinave nga Tetova përndezi mes popullsisë një entuziazëm të paparë. Shumë shpejt njerëzit morën vesh se udhëtuesit ishin drejtuesë të rëndësishëm të luftës dhe se marrshonin drejt zemrës së Kosovës.
Ato çaste Dilaver Goxhai ndjeu në të gjithë qënien e tij se kishte hyrë në betejë. Lufta mes UÇK-së dhe ushtrisë serbe nuk kryhej vetëm në thellësi të territorit të Kosovës, por sapo ta kaloje kufirin vetëm një hap.
Të njëzetë luftëtarët që do t’i shoqëronin, kolonelit i dukeshin si ëngjëj që do t’i merrnin në mbrojtje. Për herë të parë e shihte armatën e bashkëkombasve të tij.
Kollona me marrshuesit, tashmë e gjatë, u nis drejt malit të Sharrit, andej nga ishte lartësia e Boranikut, mbi lagjen Kodrali të fshatit Glloboçicë. Shtresa e dëborës ishte shumë e madhe, por falë të ftohtit të ashpër ajo kishte ngrirë. Kjo bënte që udhëtimi të mos paraqiste shumë vështirësi.
Kur u ngjitën në majë të malit mjaft të pjerrët të Boranikut dëgjuan një zhurrmë të potershme kembësh. Papritmas para vështrimit të kollonës së marrshuesve u shfaqën flakë zjarri që përskuqnin mbi lagjen Kodrali. Madje edhe më tej, në Glloboçicë. Armata serbe ndodhej gjithandej, në të gjitha rrugët që kishin përpara. Në këto rrethana kollona devijoi drejtimin për t’iu shmangur ndeshjes me armikun. U zgjodh të ecej drejt Boranikut. Për të kontrolluar rrugën Bilal Ceka bashkë me disa luftëtarë të UÇK-së, me zvarritje kemba-doras, lëvizi andej nga u dëgjuan zhurrmat e hapave të rëndë, ndërsa e gjithë kollona i hoqi armët nga siguresa dhe qendroi në pritje. Pasi Mjekra me skuadrën që mori pas, kontrolloi terrenin, rifilloi lëvizja. Kësaj rradhe me masa shumë të rrepta sigurie dhe saktësisht nisi në mesnatë. E gjithë hapësira, ku do të marrshonin, ishte jashtë kontrollit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kur mbërritën në Kovaçeç kishte rënë agimi. Zbardhja e ditës së re i gjeti te një mulli e pranë një përroi. Një grup vëzhgimi nga kollona provoi të hidhej përtej vijës së bumyer të ujit dhe të shihte se si ishte situata prapa lartësisë që u rrinte përballë. Terreni ishte i veshur, të jepte mundësinë të fshiheshe, por ishte mjaft i thepisur. Pas ca kohe grupi i vëzhgimit u kthye i lodhur. Thanë se ishte e pamundur të vazhdohej në atë drejtim. Kishte shumë forca serbe. Atëhere u vendos të lëvizej drejt fshatit Kovaçeç. Tani udhërrëfyes ishte pjesëtari i Brigadës 162, luftëtari me emrin e luftës “Kapuçi”.
Bilal Ceka mori rrugën e kthimit për të rihyrë në Maqedoni. Këtë çast, për një arsye që koloneli nuk arriti ta shpjegonte dot, ndjeu mall për Mjekrën.
Në Kovaçeç u strehuan te shtëpia e elektriçistit Burniku, një nga themeluesit e parë të Brigadës 162. Nuk ishin ulur ende për të pushuar kur ja behën për t’u takuar me përfaqësuesit e lartë të Shtabit të Përgjithshëm, komandanti i Brigadës 162 me zëvendësin e tij. Ata raportuan për luftimet e zhvilluara tre-katër ditët e fundit si edhe propozuan drejtimet më të mundshme nga kollona mund të lëvizte në thellësi të Kosovës. U vendos që të shkohej drejt fshatit Duraj, në lagjen e tij me emrin Rakaj.


Në atë mesnatë plot me hënë e borë të ngrirë, gjithkund me rrezik ndeshjeje me ushtarët serbë, gjithë rrugës kolonelit nuk iu ndanë vargjet e kengës që pat mësuar qysh kur ishte fëmijë i shkollës fillore: “Ti moj Hënë që del në mal/A s’më thua për babanë/Mos ma pe në ndonjë anë/Unë e pashë dhe i thashë/Djalë e grua i ke mirë/Por lufto të jesh i lirë!”
Edhe në atë ditë të dytë të marrshimit koloneli e rikëndoi disa herë atë motiv. E këndoi vetëm për veten e tij.
Tashmë kishte një ditë të tërë nga jeta e tij që ndodhej në Kosovë. Nga emocioni shqiptoi me vete “E mbajta fjalën, Xheladin Beqiri!”.
Në krahinën e tij të Labërisë për shkak hasmërie dhe ndjekjes nga policia serbe në vitet njëzetë, kur ishte ende fare i ri, emigroi nga Kosova bashkë me familjen e tij Xheladin Beqiri. Vinte nga krahina e Karadakut. Në Labëri Xheladini u martua dhe krijoi familjen e vet. I donte shumë vendasit dhe ata linin kokën për të. Një kosovar mes lebërve ishte njëlloj si të ktheheshin për disa çaste në 28 nentor 1912, kur për ngritjen e flamurit të pavarësisë pranë Ismail Qemalit mbërriti edhe Isa Boletini.
Bashkëkombasi nga Kosova ishte një lloj realizimi i ëndërrës së bashkimit që lebërit e kishin patur përherë të pafikur.
Aty, vendas e Xheladin Beqiri, pritën bashkë me përbuzje pushtimin fashist italian. Bashkë edhe dolën një ditë në mal. Xheladini ishte një ndër tetë partizanët e parë të Çetës së Kurveleshit. Emrin e luftës e zgjodhi “Karadaku”, në kujtim të krahinës ku kishte lindur dhe të Kosovës së tij. Më pas bëri pjesë në formacionin e Brigadës së Parë Sulmuese bashkë me dajën e Dilaver Goxhait. Bashkë edhe u vranë në mbrojtje të Kongresit të Përmetit në betejën e Qafës së Gjarpërit. Me krijimin e Kuvendit Popullor në vitin 1946 Xheladin Beqiri ishte ndër të parët që u shpall Hero i Popullit.
“Unë nuk po bëj asgjë më shumë nga ti”, oshëtiu brenda gjoksit koloneli, “Po të kthej borxhin që të kemi. Atëhere kishte nevojë Shqipëria, sot ka nevojë Kosova”.
“Nuk po bëj asgjë më shumë, Xheladin!” ngulçoi me vete Dilaver Goxhai dhe ndjeu sërish buzët t’i përpëliteshin. I kishte ndodhur ta kishte këtë emocion vetëm kur kishte bërë betimin ushtarak.
Hëna në qiell me një zhdërvjelltësi të çuditshme u shpëtonte sulmeve të reve të vogla, të cilat i vërtiteshin nga të gjitha anët.
Koloneli nisi të këndojë me vete refrene këngësh partizane. Kur më 1968 u denoncua Traktati i Varshavës nxënësit e dy shkollave ushtarake të Tiranës, shkolla “Skënderbeu” dhe Shkolla e Bashkuar e Oficerëve “Enver Hoxha”, për dy muaj rresht, shtator-tetor, bënin çdo ditë marrshime me hap e këngë nëpër rrugët e kryeqytetit. I gjithë populli qëndronte buzë trotuareve dhe i duartrokiste. Ua shoqëronte me përplasje pëllëmbësh çdo hap dhe të gjitha ritmet e këngëve partizane.


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com