Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Kosova, përleshja mediatike mes gënjeshtrës dhe të vërtetës

Botuar në gazeta “Shqip”, 16 korrik 2007


Gjurma e breshërisë së fundit që lëshuan mbi imazhin e Kosovës mjedise të afërta me interesat aktuale gjeostrategjike të shtetit serb u regjistrua pak ditë më parë, më 9 korrik, në një televizion të specializuar të një vendi të rëndësishëm të Evropës Perëndimore. Përveç dy analistëve të njohur të çështjeve të Ballkanit, njëri profesor universitar dhe autor i shumë librave, mes tyre edhe i një botimi dashamirës për shqiptarët, personi i tretë i ftuar në panel ishte një funksionare e lartë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të atij vendi, në gjuhën e të cilit fliste televizionI. Erdhi një çast i bisedës, kur drejtuesi i emisionit, pra telegazetari, i zhvendosi pyetjet nga Bosnja dhe përkujtimi i dhimbshëm i 12 vjetorit të krimit millosheviçian të Srebrenicës (11 korrik 1995), në temën e nxehtë të Kosovës. Nuk bëri keq, sepse krimi kujton krimin, por çuditërisht ajo që tha nuk kishte të bënte me përdhunën që skuadronet e paraushtarakëve apo repartet speciale të diktatorit serb kryen në Kosovë deri sa më në fund ndërhyri NATO. Telegazetari në vend që të vijonte pyetjet, siç edhe në atë studio e kishte për profesion, bëri një deklaratë agresive. Ai tha se është e vërtetuar që “pjesëtarët e grupit terrorist që hodhi në erë trenat në Madrid ishin stërvitur në kampe përreth Kosovës”. Përveç faktit që kjo nuk është e vërtetë edhe formulimi “kampe përreth Kosovës” është djallëzor. “Përreth” do të thotë jo brenda, por jashtë një hapësire. Saktësisht kjo do të thotë se bazat stërvitore të terroristëve islamikë, që kryen masakrën në stacionin qendror të trenit në Madrid, kanë qënë jashtë Kosovës. Mirëpo gënjeshtrën antishqiptare gazetari i atij televizioni të specializuar perëndimor nuk mund ta bënte duke përcaktuar korrektësisht emrin gjeografik të territorit dhe shtetit “përreth”, por i duhej të përmendëte patjetër dhe vetëm Kosovën. Me teknikat e manipulimit mediatik konsumatori pasiv i informacionit nuk përqendrohet tek parafjalët apo ndajfoljet. Ai e përtyp mesazhin në formën “bazat e stërvitjes së terroristëve islamikë që hodhën në erë trenat në Madrid janë në Kosovë“.
E gjithë kjo dhelpëri, i gjithë ky mashtrim i rafinuar, bëhet sepse Kosova ka hyrë në mpikun e luftës vendimtare për të siguruar pavarësimin e saj dhe krijimin e shtetit të vet. Ky proçes i natyrshëm është i mbështetur jo vetëm nga SHBA, por edhe nga BE. Porse janë mobilizuar dhe hedhur në ofensivë të përgjithshme të gjitha ato qendra gjeostrategjike pushteti global apo kontinental e rajonal që janë kundër. Aq e ndezur dhe frontale është kjo luftë politike, diplomatike dhe mediatike, sa po të studjosh të gjithë pamjen e manipulimit të opinionit botëror me të quajturën humbje (nënkuptuar vjedhje) e orës së presidentit amerikan Xhorxh Bush gjatë vizitës në Shqipëri, kupton se sa e etur për gënjeshtër është ajo palë që kërkon të bllokojë e bëjë të dështojë në Kosovë të drejtën më të shenjtë ndërkombëtare: atë të vetvendosjes së popujve.
Aq manipuluese dhe rrufjane është fushata aktualisht në kulmim e agresionit kundër pavarësimit të Kosovës saqë hidhet e shtyhet përditë në tregun mediatik qarkullimi i një teorie sipas të cilës një Kosovë e pavarur përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare?! Madje kjo paketë mashtruese përmban si dy krahë të saj, tezat se rasti i Kosovës është një rast universal, i zbatueshëm në dhjetra e dhjetra raste të tjera në glob. Për pasojë një pavarësim i këtij vendi do nxiste një cikël destabilizimi në dhjetra e dhjetra shtete e pika të nxehta të botës. Me një fjalë ndërsa vite më parë u përpoqën të dizinformonin se lufta në Kosovë do të bënte shpërthimin e të gjithë Ballkanit (në rajon përpjekja çlirimtare me armë e shqiptarëve shpërtheu kur kjo luftë kishte nisur me kohë në zona të tjera të gadishullit), tani në paqe ripërsëritin të njëjtën logjikë shtrembëruese. Madje tashmë e kanë përpiluar si më katastrofike: pavarësimi i Kosovës nxit plasjen e një lufte botërore. Si mundet që një Kosovë që nuk solli luftë e destabilizim në Ballkan, të ketë forcë ta bëjë këtë gjë me vetë planetin?
Por për fat të keq në historinë njerëzore është e shumëprovuar se gënjeshtra përhapet më shpejt se e vërteta. Për pasojë edhe përdoruesit e saj janë shumuar e sofistikuar. Në shkurt të këtij viti jo vetëm në Itali, ku shpërndahet më shumë, por edhe në disa vende të europerëndimit, doli nga botimi numuri i ri revistës dymujore e specializuar për gjeopolitikë, “Limes”. Titulli i saj: “Kosova, shteti i mafieve”. Nëntitulli në kopertinë, me gërma të dukshme edhe në distancë të dy-tre metrave: “Mbi shpatullat e Evropës, Një ndarje model, Efekt domino gjer në Kaukaz”.
Në brendësi janë të gjithë artikujt e nevojshëm që argumentojnë tezën e pavarësimit të Kosovës si rast universal, ndërsa dihet që SHBA dhe shtetet më të fuqishëm të Bashkimit Evropian e vlerësojnë si rast unik, të përveçëm, të pangjashëm me asnjë tjetër. Në faqet e revistës janë përkujdesur që përveç përfaqësuesve serbë të jenë me artikuj edhe shqiptarë si Agim Çeku, Hashim Thaçi apo Albin Kurti. Të “paanshëm” në brendësi, të njëanshëm në kopertinë. Dinakëria është e njohur. Lexuesit e revistës janë mijra herë më pak se njohësit e kopertinës së saj. Vetëm në një të përditshme italiane, ku botimi i saj njoftohet për një javë rresht, ka afro një milion lexuesë. Një televizion satelitor ku ajo prezantohet si kopertinë ka në të gjithë botën tetë milionë ndjekës. Në faqen e internetit të vetë revistës, shoqëruar me vetëm titujt dhe autorët e shkrimeve, po ashtu dominon kopertina. Në rast se lobet që sot fuqimisht i kundërvihen pavarësimit të Kosovës, e kanë të vështirë të sponsorizojnë e të vendosin nëpër mure e shtylla në eurokontinent e përtej tij postera me thirrje për të dalë kundër krijimit të shtetit të Kosovës, këtë gjë e bën fare mirë dhe “me shkencë” kopertina e revistës gjeopolitike “Limes”.
Po ne ç’bëjmë? Bëjmë sa dimë, por nuk bëjmë përherë sa mundim. Dhe mundësitë, po të jetë dëshira e ndezur, shkojnë gjer atje sa mund të kryesh çudira. Në fund të këtij shkrimi duam të propozojmë vetëm një nga këto shumë mundësi. Eshtë fjala për domosdoshmërinë e përkthimit në anglisht të librit të Dr. Islam Laukës. Ai titullohet “Kosova, rast universal apo sui generis”. Islam Lauka është një diplomat veprues, aktualisht drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme për Marrëdhëniet Shumëpalëshe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Botimi i tij është një krijesë inteligjente ku argumentohet me aftësi shkencëtari e pavërteta e platformës se pavarësia e Kosovës është një rast universal, rrezikuese e qendrueshmërinë së shumë shteteve e rajoneve të botës dhe gjoja shkelje e të drejtës ndërkombëtare. Libri është punë ngulëkembëse mbi dy vjeçare, i përfunduar së shkruari në muajin maj dhe pak ditë më parë nxjerrë nëpër libraritë e Shqipërisë e Kosovës, ai përmbush të gjitha standartet e një studimi të nivelit europian. Për fat dhe përkujdesje të autorit ai doli në publik saktësisht në mpikun e përleshjes politike, diplomatike dhe mediatike mes gënjeshtrës “rast universal” dhe të vërtetës “rast unik”. Nën përkujdesjen e shtetit tonë, 224 faqe të përkthyera në anglisht, të shpërndara më pas kudo ku punonjës të Shërbimit të Jashtëm Shqiptar udhëtojnë, përfaqësi diplomatike dhe miq të shumtë të çështjes shqiptare gjenden, do të përbënin një aksion të dobishëm. Mbase nuk kemi fuqi që ajo kopertinë libri të dalë edhe në ndonjë televizion të njohur të botës, përshembëll në CCN apo BBC. Atje do të shihnin se një diplomat shqiptar kopertinën e librit të tij nuk e përdor as për diversion e manipulim mediatik, as si poster. Dr. Islam Lauka, edhe pse me origjinë është nga Kosova dhe i digjet zemra të bëjë sa më shumë për të, e ka formuluar titullin e librit të tij formalisht në mënyrë të paanshme: “Rasti i Kosovës universal apo sui generis”. Nga kjo kopertinë me këtë titull lexuesi apo vështruesi i saj para një vitrine librarie apo akrani televiziv nuk kupton se me këtë ide konkrete është autori.
Eshtë gabim? Duhej ndryshe? E thënë më drejtpërsëdrejti?
Por Islam Lauka nuk mund të dalë jashtë kulturës së tij. Ai nuk di të bëjë agresion mediatik. Eshtë diplomat dhe shkencëtar, të vërtetën e thotë vetëm pas një debati. Pastaj është edhe shqiptar. Shumë beteja ne i kemi humbur sepse nuk kemi patur ferment agresiviteti. Edhe idenë e përkthimit në anglisht të librit të tij, mirëfilli një lëndë për aksion të menjëhershëm diplomatik, Dr. Islam Laukës ia thamë ne.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com