|
Ajo që ndodhi në 22 nentor 1946
Botuar ne gazeten Shqip, 22 nentor 2007
Tani, në rast se kërkon një informacion për ish-kënetën e Maliqit të dhënat e para që të dalin parasysh janë të dy llojeve. Së pari, turistike. Përcaktohet pozicioni gjeografik i saj në një hartë satelitore, tregohen vendndodhjet e hoteleve, restoranteve dhe muzeve. Me këtë rast të urohet në disa gjuhë të huaja mirseardhja. Të dhënat e llojit të dytë kanë të bëjnë mirëfilli me identitetin historik të lashtë të shqiptarëve. Hapësira e cilësuar si ish-Këneta e Maliqit është një vendbanim ilir që në epokën e Broncit dhe të Hekurit. Informacion më tej, po të kërkosh më ngulmas, gjen edhe për disa karakteristika të tjera. Përshembëll që dikur Këneta e Maliqit ka qënë liqen dhe nëpër mijëvjeçarë dalngadalë nisi të vdesë, duke u bërë më në fund ujë i ndenjur dhe i rrezikshëm për shendetin e njerëzve. Doemos që aksioni i tharjes së saj nga qeveria komuniste e pasluftës ishte mjaft i dobishëm, jo vetëm sepse largoi një vatër infeksioni të malarjes, por edhe u fituan toka shumë pjellore. Po ashtu kësaj dobie mund ti shtohet edhe një përfitim tjetër: zbulimi nga arkeologët e dëshmive të lashta ilire u bë për pasojë të kësaj tharjeje. Provat u gjendën pikërisht atje ku më parë qendronte uji kënetor.
Dhe sa mirë do të ishte që çdo informacion për këtë kend të bukur të Shqipërisë të mbyllej këtu. Mirëpo këtë fat historia dhe e kaluara jonë nuk e ka. Tashmë edhe pse të dhënat turistike e kulturore nuk të lënë të depërtosh më tej, aq ngulmonjëse e agresive janë, një hap më tej le ta bëjmë ne. Këneta e Maliqit sot, më 22 nentor, mbush një 61 vjetor të përzishëm e tragjik. Këtë ditë, me akuzën se kanë sabotuar tharjen e saj, u vranë gjashtë vetë. Katër ishin bashkëkombas, njëri italian dhe viktima e gjashtë një kroate.
Këtë vit, 2007, në të cilin historia shqiptare shënon ditën e bukur të 95-vjetorit të Pavarësisë, për një rastësi, megjithatë shumë simbolike, mbarti edhe 85-vjetorin e marrëdhënieve të kombit e shtetit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U desh pasviti 1990 që shumë gjëra ti rimësonim në të vërtetën e tyre dhe të kuptonim të gjithë sa jetike ka qënë ky raport miqësie mes Tiranës dhe Uashingtonit. Mjafton të kujtojmë se në të dy herët, kur u shtrua për zgjidhjen përfundimtare fati i pavarësimit të shqiptarëve në shtetin e tyre, SHBA kanë luajtur rolin përcaktues. Presidenti Uillson mund të rrijë natyrshëm në kujtesën tonë historike si njëra nga ato duar, që simbolikisht bashkë me Ismail Qemalin dhe gjithë atdhetarëte tjerë, ngriti flamurin tonë në Vlorë. Më 1999 mund ta ripërfytyrojmë çlirimin e Kosovës po ashtu me të njëjtin gjest: dorën e Bill Klintonit mbi shtizën e flamurit shqiptar, tashmë ngritur në Prishtinë.
Kur të pavarësohet Kosova dhe kur të gjithë shqiptarët të hyjnë në shtëpinë e tyre të madhe e të natyrshme, Bashkimin Evropian, do të kuptojmë edhe më mirë se tani e çfarë rëndësie jetike gjeostrategjike është kjo miqësi popujsh dhe e vetë dy shteteve. Me siguri edhe atë kohë akoma më të qartë se sot do ta kemi gjykimin sa e gabuar ka qënë përzgjedhja e krahut stalinist të komunistëve shqiptarë, të cilën zgjodhën këputjen e vetëdijshme të kësaj lidhjeje. Gjashtëdhjetë e një vite më parë në vendin e sotëm turistik Këneta e Maliqit u luajt një nga aktet më dramatike e më dritëshkurtërat në marrëdhëniet tona ndërkombëtare. Atje u vranë raportet e ngushta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prej këtij momenti, përveç jo pak dokumentave të shkruara, ka mbetur në celuloid vetëm një sekuencë dhjetësekondëshe. Për ironi dokumentari ka qënë jugosllav, thua aq shumë të gëzuar ishin shtetarët e rinj të këtij vendi fqinj që shqiptarët po vazhdonin vrasjen e njeri-tjetrit.
Sekuenca tronditëse rrëfen se si në një karrige ka hipur një njeri, të cilit i kanë vënë litarin në qafë. Brenda dhjetë sekondave të mbetura si dëshmi duket edhe një hetues famëkeq i kohës, i cili vrapon drejt karriges për ta goditur me shkelm e kështu njeriu mbi të të kishte vetëm dy-tre minuta jetë, të gjitha në një përpëlitje që do të fikej me shpejtësi, gjer në dhënie shpirt.
Njeriu në atë prag të dhimshëm vdekjeje është inxhinier Kujtim Beqiri. Ishte njëri nga gjashtë të vrarët atë ditë të 22 nentorit 1946. Nuk kishte vdekur me varjen e parë. Litari në qafë nuk i ishte vënë saktë dhe megjithëse karrigia iu hoq, ai nuk dha shpirt. E zbritën nga litari të gjallë dhe me urdhër të prokurorit e rivarën sërish. I biri i tij, Kadriu, kur tregon këtë çast, nuk i gjen lehtë shprehjet. Mbetin të gjitha, ngurosen, tek fjala babai..., babai.....
Kujtim Beqiri ishte një nga atë dhjetë a pesëmbëdhjetë shqiptarët, të gjithë nxënës të Shkollës Teknike, të cilët në 8 maj 1945 dolën sëbashku në portin e Durrësit dhe pritën dërgatën amerikane të ardhur në qyteti i Barit në Itali. Misioni kishte mbërritur për të njohur nga afër gjendjen e më pas, sipas atyre të dhënave, Departamenti Amerikan i Shtetit të vendoste për njohjen apo jo të qeverisë komuniste. Siç dihet ai mision ndenji vetëm tetëmbëdhjetë muaj. Mirëpo udhëheqja komuniste zgjodhi Stalinin dhe modelin bolshevik. Do të ishte njëra e keqe kjo që ndodhi, sikur Tirana zyrtare të mjaftohej me kaq. Por ajo shkoi më tej dhe, në mos një mister ndërkombëtar e veprim vendas me zell të paturpshëm, ajo u hodh në sulm kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë sulm propogandistik, aspak. Eshtë një aksion marramendës e i lajthitur, shumë gjakatar, me arrestime e pushkatime kudo ku pothuaj kishte ish-nxënës të Shkollës Teknike e shqiptarë me ide proamerikane.
Të gjashtët e vrarë në 22 nentor 1946 ishin pjesa më e spikatur e këtij aksioni. Ata që e pritën misionin amerikan në portin e Durrësit (Kujtim Beqirit e jëma i ishte lutur shumë të mos shkonte, se parandjente pasojat) dëshironin që vendi ynë të merrte rrugën perëndimore të zhvillimit dhe të ishte aleat i SHBA-së. As më shumë dhe as më pak kërkonin atë që kombëtarisht ne sot kemi dhe e pohojmë çiltas para botës.
Të quajturit sabotatorë të tharjes së Kënetës së Maliqit, u arrestuan më 6 nentor 1946, i nxorrën në gjyq më 8 nentor, ditën e themelimit të partisë në pushtet, më 19 u dhane vendimet. Për gjashtë prej tyre ishte kapital: marrje jete. Dy me varje. Katër me pushkatim. Natën duke u avitur 22 nentori, i ngarkuan në makinë dhe prej Tiranës i dërguan në kantjerin e tharjes së Kënetës së Maliqit. I kishin grumbulluar të gjithë punëtorët, u mbajt një fjalim i shkurtër dhe pastaj nisi vrasja. Kujtim Beqiri dhe Abdyl Sharra e dhanë jetën në litar, katër të tjerët me plumba. Zyrika Mano u pushkatua njëherësh bashkë me Mirush Përmetin dhe italianin Eugenio Scaturro. Ky i ngratë, i gjendur para skuadrës me armë, nuk po kuptonte asgjë. Në gjyq nuk i kishin dhenë ndihmë të merrte vesh në gjuhën e tij se do ta vritnin. Asnjë e dhënë nuk konfirmon se ishte ndonjë proamerikan.
Por e gjitha ajo që ndodhi ishte një montazh i egër ideologjik kundëramerikan. U sajua një komplot i Uashingtonit në Shqipëri, një përpjekje gjoja për të çarë digën e mbytur popullin. Sipas këtij skenari shqiptarëve u futej pakënaqësia ndaj Amerikës, opinionit botëror, në kuadrin e Luftës së Ftohtë, të porsanisur, një argument më shumë sipas interesave të Stalinit. Ajo SHBA-në e kishte përcaktuar imperializëm gjakatar dhe xhandar të popujve. Kësaj rradhe montazhi propogandistik i Moskës zyrtare u bë me gjak shqiptar.
E gjitha kjo tragjedi e disafishtë, marrje jete njerëzish që e adhuronin sinqerisht vendin e madh demokratik, dhe ndërkohë prishje totale me SHBA-në, ngjanë më 22 nentor 1946. Vetëm një javë më parë, më 14 nentor, misioni amerikan kishte lënë Shqipërinë. Erdhi për të hapur një rrugë shprese për vendin e popullin, me të cilin duhej e respektohej reciprokisht, ndërsa në gjyqin e të quajturve sabotatorë, akuzat ishin të gjitha kundër Amerikës. Madje ai gjyq ishte kllonuar vetëm për të prishur këto marrëdhënie.
Mirëpo gjyqet e vërteta i bën historia.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|