Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

ShBA dhe tri gra

Botuar në “Tirana Observer”, 1 dhjetor 2007

Shkrimtarja shqiptaro-amerikane Albana M. Lifschin në një nga tregimet e saj të fundit, të titulluar “Azil nën kullat e rëna”, një ngjarje të ndodhur në rrugën e famshme të avokatëve e gjykatësve të Nju Jorkut, Broduej, e bënte të kujtonte se në rininë e vet si kryeqytetase kishte me këtë emër edhe një të tillë në Tiranë. Në Shqipërinë e kohës së diktaturës, saktësisht një nga gjashtë rrugët që edhe tani të nxjerrin në Sheshin “Skënderbej”, thirrej Broduej. Nuk është se e kishte të shkruar në pllakën e alumintë, ku atëhere viheshin emrat e rrugëve, por të ngulitur në të folurën popullore. Ishte në përdorim nga fjalori i të rinjve, sidomos i atyre që kërkonin të delnin nga skema e ngrirë e mënyrës së jetesës së kohës. Disa prej këtyre djemve uleshin në buzën e parmakëve të trotuarëve dhe “ngacmonin” vajzat.
Tani, tek e kujton këtë fakt, të duket çudi se si në një regjim ashpërsisht antiamerikan një rrugë mu në zemër të kryeqytetit do të thirrej lirisht me emrin e njëjtë të “kapitalistes” Broduej. Sigurisht në mënyrën e vet kjo ishte një sfidë ndaj diktaturës. Ishte po ashtu edhe një nga mjaft dëshmi, të cilat provonin se propaganda kundër vendit më me liri në botë nuk kishte bindur në Shqipëri asnjë. Kështu edhe ndodhi që, për një simbolikë të veçantë, diktatura ra prej atyre që me muaj e muaj të tërë gjatë pranverës, verës dhe vjeshtës së vitit 1990 dëgjonin hapët, deri edhe nën çadrat e plazheve në buzëdet, emisionet e lajmeve të radios “Zëri i Amerikës”. Për një simbolikë tjetër gazeta më e madhe që ndoqi nga afër të gjithë periudhën e tronditjeve nga brenda të regjimit, ikjen nëpër ambasada, protestat studentore dhe fillimin e pluralizmit, ishte një e përditshme amerikane: “Nju Jork Times”.
Tani pas shtatëmbëdhjetë vitesh shoqëri të hapur në kryeqytetin shqiptar nuk gjendet, as e shkruar dhe as e thirrur në të folurën popullore, ndonjë rrugë me emrin Broduej. Ka vetëm ndonjë bar, restorant apo motel. Me sa duket nuk është e nevojshme më të mbijetojë në formën e mëparshme. Gjatë diktaturës atë emërtim e bënte dëshira për ta sfiduar antiamerikanizmin. Kur kjo fobi u shua dhe Shqipëria u rikthye në shtratin e vet të natyrshëm gjeostrategjik, sfida e kohës ishte të merrje pjesë në “llotarinë amerikane”, pra në mundësinë e përvitshme për të emigruar në SHBA.

Pse Pranvera Dibra?

Këtë vit ne festuam 95-vjetorin e pavarësimit. Për një mesazh të gëzueshëm, ky jubile u shoqërua me një përvjetor tjetër: 85-vjetori i marrëdhënieve zyrtare mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë. Janë dy jubile që jo vetëm këtë vit, por përherë ndjekin njëri-tjetrin, si dy vëllezër siamezë. Kur patëm 85-vjetorin e Pavarësisë, përkujtuam edhe 75-vjetorin e lidhjes Tiranë-Uashington. Kur u festua jubileu i shtatëdhjetë e pestë i ngritjes së flamurit kombëtar nuk ndodhi që të përmendej jubileu tjetër, ai i gjashtëdhjetë e pesë vjetorit. Nuk gjendet ai në kronikat zyrtare deri edhe pas çlirimit të vendit, edhe pse ushtria partizane e ngritur dhe e udhëhequr nga Partia Komuniste Shqiptare, ishte e rreshtuar me aleatët e boshtit antifashist.
Madje jubileu i respektimit të vendosjes për herë të parë të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës jetën e pati vetëm para pushtimit, në periudhën e monarkisë.
Në vitet njëzetë-tridhjetë të njëqindvjeçarit të shkuar e veçanërisht në dekadën e fundit të tij, duket sikur njëri përvjetor nuk mund të ekzistojë pa tjetrin. Gati sa nuk mendon se pavarësi të shqiptarëve nuk mund të mbërrihej dot në asnjë kohë pa SHBA-në. Ky mund të jetë një teprim, të paktën për të ardhmen, por dy herë rresht në shekullin e shkuar është provuar katërcipërisht kjo e vërtetë.
Në një historik të shkurtër, por të dendur në informacion, që ka përgatitur përgjegjësja e sektorit të Arkiv-Dokumentacionit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Pranvera Dibra, njëkohësisht edhe pedagoge e jashtme e historisë moderne në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, thuhet se kontributi i parë amerikan për ne është qendrimi i prerë kundër copëtimit territorial të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1919-1920. Këtë fakt tashmë e dinë të gjithë, dhe për këtë arsye të thjeshtë kjo duket një përsëritje e mërzitshme. Mirëpo kjo përgjatë gjithë periudhës fashisto-komuniste, plot pesëdhjetë e gjashtë vite, ka qënë një vlerë historike e jashtzakonshme e mohuar tërësisht.
Sipas historianes Pranvera Dibra “gjatë muajit shkurt të vitit 1920, kur ende çështja shqiptare nuk kishte përfunduar në Konferencën e Paqes, qeveria provizore e Shqipërisë dërgoi një përfaqësues në New York me titull “Komisionar i Shqipërisë”. Ky ishte Kostë Çekrezi, i cili duhej të influenconte në përkrahjen e SHBA për një zgjidhje të drejtë të çështjes shqiptare në Konferencën e Paqes dhe njëkohësisht të siguronte ndonjë hua nga qeveria amerikane dhe shqiptarët e Amerikës”.
Kjo përfaqësi e filloi aktivitetin në 1 mars 1920. Pa e lënë pasdore lëvizjen diplomatike të shtetit të vogël e të dobët ballkanas, të rrezikuar rendë për t’u zhdukur nga harta e botës, në dimër të atij viti, qeveria amerikane dërgoi në Tiranë nënkonsullin Robert S. Townsend. Misioni i tij ishte të studjonte gjendjen politike dhe ekonomike të vendit.
Kanë qënë çaste historike jo sepse ndërkohë do të dëgjohej zëri i vendosur i presidentit Udrou Uillson dhe do të ndërpritej fati ynë tragjik, por sepse në Uashington po hidhte themel ideja se në gadishullin e largët e shumë të trazuar ballkanik, kishin një popull që i admironte dhe mbi të cilin mund të mbështeteshin. Në këtë psikologji të përgjithshme të shqiptarëve misionarët amerikanë, të cilët në forma e identitete të ndryshme, që prej çastit të pavarësimit, hynë dhe e panë nga afër konkretisht “vendin e shqiponjave”, dalluan se këta kishin nevojë urgjente për një mbrojtës të fuqishëm. Vendasit kishin lënë pas periudhën e zymtë të të qënit në strehën e një fuqie lindore, Perandorisë Osmane, dhe tashmë ishin shumë të kërcënuar në vetë ekzistencën e tyre nga revanshi për zgjerim agresiv të dy fqinjëve, serbëve dhe grekëve. Mbi të gjitha administrata amerikane dalloi se brenda trojeve gjeostrategjikë të shqiptarëve po fuste dorën e gjatë Rusia Cariste.
Ja përse Tirana zyrtare, edhe pse ende vetëm një tokë pa stabilitet dhe po aq shtet-kërthi, në shkurt 1922 veproi energjikisht. Ajo ngriti nivelin e përmbajtjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kostë Çekrezin e zëvendësoi me Koço Tashkon, tashmë jo si “Komisionar”, por si Nën/Konsull. Sipas studimit të diplomates historiane Pranvera Dibra, Koço Tashko u paraqit në Departamentin e Shtetit më 4 prill 1922 për t’i dorëzuar aty Sekretarit të Shtetit Charles Hughes letrën e prezantimit të bërë prej Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë Fan Noli. Mirëpo letra e tij e prezantimit nuk u pranua meqënëse akoma qeveria shqiptare nuk ishte njohur zyrtarisht nga Uashigtoni. Sidoqoftë i ardhuri me ngut nga Tirana, por gjithsesi qëllimmirë, u lejua të fillonte nga detyra. Kjo ndodhi më 7 prill 1922. Deri në njohjen zyrtare të qeverisë shqiptare, qeveria amerikane nuk kreu asnjë akt zyrtar me Konsullatën Shqiptare në New York.
Viti 1922 duket vit kyç, jo vetëm për raportet e reja që po krijoheshin mes Uashingtonit dhe Tiranës, por në krejt historinë e vendit tonë. Në mënyrën se si ngjarjet po merrnin drejtim këtë vit mund të lexosh “kodin” e ekzistencës së Shqipërisë. Për të gjetur këtë “kod” kishin punuar rilindasit. Sekreti i tij qendronte në lidhjen përfundimtare dhe të pandashme asnjëherë e në asnjë rrethanë me Perëndimin. Çelësi i ekzistencës dhe i përparimit të fatit të shqiptarëve në vitin 1922 u ripërcaktua se qendronte në përkatësinë e plotë evropiane të tij dhe në mbështetjen fortë tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu gjykohej në Tiranë, por a do të mendohej njëlloj edhe në Shtëpinë e Bardhë? Mund të duash një shtet, por po ashtu ka të ngjarë që ai nuk të do. Veçanërisht kur është shtet tepër i madh.
Në vitin kyç të marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë, 1922, pritej vendimi se si do të vendoste supershteti i fuqishëm. Në “vendin e shqiponjave”, si në të gjithë eurokontinentin, madje botën, fuqia e madhe, superfuqia, ishte Britania e Madhe. Duhej ta zhvendosje atë nga ndikimi global apo të prisje dobësimin e natyrshëm të saj për t’i zënë teritoret ku humbte forcën e kontrollit. Por ndërkohë perandoria cariste, me të kaluarën e saj depërtuese në Ballkan, ishte mveshur me petkun bolshevik. Në vitin 1922 atje akoma kishte kaos revolucionar, por në Shën Petërsburg e Moskë nuk i kishin harruar trojet shqiptare me daljen e tyre të butë në Mesdhe e Kanalin e Otrantos. Komunizmi, si edhe dikur carizmi, i gjykonte të rendësisë së veçantë gjeostrategjike.
Veç shqiptarët nuk i kishin sytë nga vendi prej ku ndiheshin mirë serbët, ata që u kishin rrëmbyer me vrasje e krime etnike gjysmën e trojeve. Afrimi me Moskën gjykohej si zgjidhja më e keqe, madje nuk ishte asnjë çast zgjidhje, por ndërlikim dhe kompromentim.
Kështu në vitin 1922 shqiptarët nuk e kthejnë kokën mbrapsht, por nxitojnë të sigurojnë aleatin e madh perëndimor, SHBA-në. Administrata e tij jepte shenja se kërkonte ta nxirrte sa më parë vendin e vet plot energji ekspansioniste nga skema e deriatëhershme izolacioniste e politikës së jashtme. Në 7 qershor 1922 qeveria shqiptare iu drejtua Sekretarit të Shtetit Amerikan me një notë, duke i kërkuar njohjen e qeverise shqiptare. Qëlloi në shenjë. Po brenda atij muaji, duke dëshmuar se nuk kishin ndërmend të vononin veprimin as në Uashington, qeveria amerikane dërgoi në Tiranë Maxwell Blake, përfaqësues i saj me cilësinë dhe titullin gjysëm zyrtare “Komisar pranë Qeverisë Shqiptare”.
Sipas studimit të diplomates Dibra amerikani Blake më 23 qeshor 1922 takoi kryeministrin Xhefer Ypi, i parashtroi atij, para se qeverisë shqiptare t’i akordohej njohja zyrtare, dy kërkesa: SHBA të gëzonte statusin e kombit më të favorizuar dhe të njiheshin pashaportat amerikane për shqiptarët e natyralizuar sipas ligjeve amerikane.
Kaq ishte e gjitha.
Më 25 qershor kryeministri shqiptar u përgjigj pozitivisht. Një muaj më pas, më 28 korrik 1922, Shtetet e Bashkuara të Amerikës njohën zyrtarisht qeverinë shqiptare. Përkohësisht, deri në mbarimin e proçedurave, u ngarkua me detyrën e Ministrit Fuqiplotë të SHBA-së në Tiranë Maxwell Blake. Ndërkohë Tirana më 31 korrik njoftoi Uashingtonin se kishte caktuar si Ministër Fuqiplotë të shtetit të saj një nga intelektualët e saj më properëndimorë, Mithat Frashërin. Mirëpo, nënvizon studjuesja Pranvera Dibra, diplomati i vendit tonë nuk u nis dot kurrë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Arsyeja mjaft e dhimbshme: shteti shqiptar nuk kishte mundësi financiare.
Ndërkohë në fundvjeshtë të këtij viti kishin përfunduar proçedurat dhe më 4 dhjetor 1922 mbërriti në Tiranë Ministri i ri Fuqiplotë i qeverisë amerikane Grant Smith.

Pse Edith Harxhi?

Rusia bolshevike, pasi nëpëmjet Leninit kishte denoncuar publikisht traktatin e fshehtë të Londrës, ku vendi ynë copëtohej e zhdukej, filloi të rrisë ndikimin e vet mes shqiptarëve. Kështu viti 1924 do të jetë i nxehtë në rivalitetin amerikano-sovjetik. Fan Noli, streha e të cilit për pjesën më të madhe të jetës do të bëheshin më vonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tentoi, kur bëri qeverinë e tij gjashtëmujore, të lidhë raporte miqësore me Moskën. Sidoqë që të shpjegohet, përbuzet apo justifikohet, ky gjest ka përbërë një përpjekje që delte jashtë natyrës dhe traditës historike të marrëdhënieve ndërkombëtare të shqiptarëve. Në thelb nuk është për t’u lëvduar. Në dhjetor 1924, bashkë me rrëzimin e kabinetit qeveritar të Nolit, u ndërpre me këtë rast, për fat, edhe ndonjë aksidentim i mundshëm i raporteve Tiranë-Uashington. Gjithçka ndodhi në periferi të këtyre marrëdhënieve, pa lenduar thelbin.
Kështu miqësia shqiptaro-amerikane mbrodhësoi e palëkundur.
Në vitin 1924 në New York, nën kujdesin e gazetarit shumë të njohur Hamilton Holt, u ngrit shoqata “Miqtë e Shqipërisë” (“Friends of Albania”). Ajo i vuri detyrë vetes të nxiste investimet amerikane në Shqipëri si edhe veprat filantropike.
Po në këtë vit Koço Tashko u zëvendësua si Konsull i Shqipërisë në SHBA nga Abdyl Sula. Në mars 1925 Grant Smith u largua nga Tirana dhe më 21 korrik mbërriti këtu, Ministër i ri Fuqiplotë, Charles Calmer Hart. Gjatë të njëjtit muaj, korrikut, u emërua në Uashington Ministri Fuqiplotë i parë shqiptar. Ishte shkëlqimtari Faik Konica.
Ky ishte dhe mbeti maja më e lartë e përfaqësimit dinjitoz të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë të vërtetë më shumë se njerëzit e thjeshtë e dinë diplomatët e tanishëm shqiptarë. Kudo që ata shërbejnë, modelin Faik Konica e konsiderojnë frymëzues, e citojnë me krenari, synojnë e lakmojnë ta arrijnë. Nuk doli nga ky rregull edhe diplomatja Edith Harxhi, kur iu projektua mundësia për të qënë ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Uashington. Tani ajo prej dy vitesh është Zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe në punën e saj nuk është qortuar për ndonjë gabim, përkundrazi. Kur në mirëpritje të kandidaturës së lartë, që i bëri kabineti Berisha, në një intervistë ajo u shpreh se do ta përfaqësonte vendin e saj në lartësinë e Faik Konicës, nuk e kishte fjalën se do të ishte person i famshëm kombëtar sa ai. E kishte fjalën për Konicën si diplomat, jo si shkrimtar e eseist vezullues. Ndoshta fraza nuk ishte e plotë, mbase ngaqë diplomatët kanë punë “rezervat”, jo të hapur gjithmonë për publikun po ashtu ndodhi që kur shprehu këtë ideal Edith Harxhin nuk e njihnin në profesionin e vet. Veç ajo shprehu atë që mendon çdo diplomat shqiptar, të cilit i vihet detyra të përfaqësojë vendin e vet në Uashington: të ndjekë shembullin e Faik Konicës. Duam apo nuk duam, dimë apo nuk dimë me fjalët e duhura ta shprehim këtë ide, kjo do të thotë se çdo diplomat duhet ta arrijë atë nivel. Deri tani një lartësi që në SHBA e mbërritëm me kryetar shteti Ahmet Zogun, akoma nuk e kemi kapur.
Eshtë një stimul për më pas, sepse mund të arrihet e madje çohet më tej.


Pse SHBA?

Republika dhe më pas monarkia zogolliane paraqesin periudhën e lulëzimit të plotë të marrëdhënieve Tiranë-Uashington. Pas Charles Calmer Hart përfaqësues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u bë Walter Edge, pas këtij Herman Bernstein. Në vitin 1933, një vit simbolik, sepse mbushte dyqind vite ditëlindje e presidentit George Washington, Ministër Fuqiplotë u emërua Post Wheeler. Pikërisht ky i fundit u dekorua nga Mbreti Ahmet Zogu me dekoratën shumë të lartë “Kordon i Madh i Urdhërit të Skënderbeut”.
Viti 1933 ishte më entuziasti në raportet e deriatëhershme mes dy vendeve. Me rastin e 200-vjetorit të lindjes së George Washington, si shenjë e vlerësimit të qeverisë amerikane për pjesëmarrjen e Shqipërisë në festimet e këtij përvjetori, qeveria amerikane dekoroi qytetet e Shkodrës dhe të Korçës.
Në vitin 1936 presidenti Roosvelt ftoi për vizitë në Uashington Ahmet Zogun, duke shënuar kështu një kulm.
Prej këtu, bashkë me pushtimin e Shqipërisë nga fashizmi antiamerikan i Benito Musolinit, ndodhi rënimi i plotë, e tatëpjeta. Shtatë prilli i vitit 1939 ishte ditë e zezë pushtimi për shqiptarët, por u nxi edhe më keq nga ndërprerja e lidhjes së saj jetike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Tiranë nuk ekzistonte më as legata amerikane dhe asnjë diplomat i saj.
Rimëkembja nisi gjatë viteve të luftës. Rilidhësi i raporteve të këputura me dhunë u bë kapiteni Thomas Stefan. Misioni ushtarak amerikan kishte hyrë në teritorin shqiptar në maj 1944 dhe në 3 qeshor Thomas Stefan njoftoi Enver Hoxhën se ishte caktuar pranë Shtabit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare me cilësinë e oficerit zyrtar të këtij misioni. E quajtura “Qeveria Demokratike Provizore e Shqipërisë”, e krijuar gjatë luftës, që në tetor 1944 kërkoi njohjen e saj nga fuqitë aleate. Më 21 dhjetor 1944 kjo qeveri iu drejtua kryetarëve të tre fuqive të mëdha SHBA, BRSS, Britani e Madhe, për njohjen e saj. Pasi Shqipëria u çlirua dhe u bënë muajt e parë të pushtetit komunist, më 22 mars 1945, Departamenti Amerikan i Shtetit i dërgoi Enver Hoxhes një Memorandum, në të cilin ngulte kembë se SHBA nuk do të njihte asnjë lloj qeverie para se të informohej plotësisht mbi gjendjen. Për këtë arsye i parashtrohej Tiranës kërkesa që nga Departamenti i Shtetit të dërgohej në Shqipëri një grup i vogël, i cili do ta furnizonte qeverinë amerikane me informatat e nevojshme.
Qeveria shqiptare e dha pëlqimin e vet dy ditë më pas, me 24 mars.
Misioni zyrtar amerikan mbërriti në Tirane më 8 maj 1945 dhe kryesohej nga J.E.Iacobs, funksionar i Shërbimit të Jashtëm të SHBA. Kushtet që vinin Shtetet e Bashkuara të Amerikës për njohjen e qeverisë shqiptare dhe rilidhjen e marrëdhënieve diplomatike u parashtruan për herë të parë në letrën e Misionit Amerikan të datës 12 nentor 1945. Në të Enver Hoxhës i kërkohej siguri nga qeveria shqiptare që zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese të zhvilloheshin mbi baza me të vërtetë të lira, me votim të fshehtë dhe pa kërcënime apo frikësime, që të gjithë individët dhe grupet të gëzonin lirinë e fjalës dhe të drejtën e plotë ligjore për të paraqitur dhe përkrahur kandidatët e tyre. Po ashtu kërkohej që korespondentët e shtypit të huaj të lejoheshin të hynin në Shqipëri për të vëzhguar dhe raportuar lirisht mbi zgjedhjet dhe veprimtarinë e Asamblesë Kushtetuese.
Në atë Memorandum ishte edhe një kusht tjetër, rreth të cilit më pas do të ketë zhvillime nga më të çuditshmet e më misteriozet, por për të nuk është vendi në këtë shkrim. Kërkesa ishte: Qeveria e SHBA dëshironte që autoritet shqiptare të konfirmonin që marrëveshjet dhe traktatet, të cilat ishin në fuqi midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë deri në 7 prill 1939, të mbeteshin në fuqi.
Pikërisht këtu u pa qartë se qeveria komuniste nuk ishte për vazhdimin e natyrshëm të këtyre marrëdhënieve, të ndërprera brutalisht në 7 prill 1939. Gjithçka më pas, se si shkuan punët, dihet nga shumë shqiptarë. Pas tetëmbëdhjetë muajsh pranie në Tiranë, ajo që duhej të ishte kthyer në një pranverë, u shndërrua në dimër. Më 14 nentor 1946 misioni amerikan la përfundimisht Shqipërinë. Dimri i gjatë i marrëdhënieve të ndërprera përfundoi në fund të vitit 1990, bashkë me shpërthimin e Lëvizjes së Dhjetorit.
Rigjetja e njëri-tjetrit u bë pas plot pesëdhjetë e tre viteve. Në shtatëdhjetë e tetë vite shtet të pavarur raportet Tiranë-Uashington kishin funksionuar vetëm shtatëmbëdhjetë vite. Ose sa vetëm një e pesta e jetës së tij. Në 85 vite kemi deri tani vetëm 34 vite miqësi zyrtare. Do të bëhen, të paktën barabar, periudha e mohimit dhe ajo e miqësisë së hapët në vitin 2058.
Por kjo është thjesht një kuriozitet, sepse për shqiptarët shpirtërisht koha e humbur u fitua që në çastin e parë të pritjes së Sekretarit Amerikan të Shtetit Xhejms Bejker në Tiranë, pranverë 1991.

Pse Albana M. Lifschin?

Sepse ajo ka bërë dy botime të librit të saj të suksesshëm “Një udhëtim në historinë amerikane”, një vëllim me mbi treqind e pesëdhjetë faqe, një rrëfim i magjishëm për mënyrën si është plazmuar shteti më i lirë dhe më i fuqishëm i botës, vendi i veçantë mik dhe aleat historik i tij. Ai libër i shkruar me pasion, fillimisht i botuar pjesë-pjesë në gazetën “Ilyria” të Nju Jorkut, ka forcën artistike dhe dinjitetin të konkurojë për statusin e librit alternativ të shkollave për mësimin e historisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shkolla shqiptare dhe nxënësit e saj kanë nevojë urgjente për t’i patur si kode të formësimit të tyre historinë e Bashkimit Evropian dhe të ShBA-së.

Pse SHBA dhe tre gra?

Tre zonjat e nderuara Harxhi, Dibra dhe Lifschin në këtë shkrim për 85-vjetorin e marrëdhënieve Tiranë-Uashington janë zgjedhur thjesht për një simbolikë. Albanën e bashkon me SHBA-në jo vetëm jeta që bën atje që prej vitit 1992, disa botime, kontributi vetiak si edhe libri i saj për Kosovën “Children of Kosova-Stories of Horror” (në gjuhën shqipe me titullin “Fëmijëri e përgjakur”), libër që është zgjedhur si jashtëshkollor për nxënësit e Nju Jorkut. Po ashtu jo vetëm edhe vëllimi “Një udhëtim në historinë amerikane”. Pranvera Dibrën e bashkon jo vetëm profesioni i saj si pedagoge e historisë moderne, shefe e arkivës në Ministrinë e Jashtme apo libri “Shqipëria dhe diplomacia angleze 1910-1927”. Edith Harxhin nuk e bashkon vetëm dëshira e saj e sinqertë për një nivel të lartë të përfaqësimit diplomatik shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as edhe një libër që ajo e ka shkruar që në moshën 19-vjeçare, ku për anglishtfolësit Shqipëria përshkruhet si një vend normal evropian, i bukur në natyrë dhe popull i çiltër në shpirt.
Edith Harxhi është nxitësja kryesore e studjueses Dibra që për nevojat e Shërbimit të Jashtëm të Shqipërisë të shkruhej një histori e shkurtër e marrëdhënieve zyrtare mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Harxhi gjithashtu është e vetmja nga nëpunësit e lartë, që mori si dhuratë nga autorja e “Udhëtim në historinë amerikane” dhe jo vetëm i bëri asaj një letër përgëzuese e inkurajuese, por edhe e ftoi me dashamirësi të mbante, në një kohë të afërme, një leksion për këtë histori në Akademinë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Ky ishte edhe “privilegji” modest i të tre zonjave të sipërcituara, si edhe lidhja e tyre me SHBA-në. Me qindra emra të tjerë mund të merrnim si pika referimi për 85-vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes Tiranës dhe Uashingtonit. Veç Albana, Pranvera dhe Edithi e kanë të plotë dinjitetin të jenë ndër festueset më të gëzuara të këtij jubileu.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com