|
Mimma Aloisi, moj mike e heshtur e Shqipërisë!
Botuar në gazetën “Shqip”, 6 dhjetor 2007
Nuk duket shumë çudi po të thuhet se vendi ynë ka më shumë miq të huaj tani se gjatë periudhës së gjatë të diktaturës. Afërmendsh që është kështu, ka të drejtë të përgjigjet gjithkush. Shqipëria tashmë është një shoqëri e hapur. Do të mjaftonin dy milionë bashkëkombas të emigruar në të gjithë globin, të cilët sikur nga një mik të kenë zënë në vendin ku jetojnë, do të kemi automatikisht të paktën po kaq miq të Shqipërisë. Gjatë të kaluarës diktatoriale për fat të keq këta miq zgjidheshin e inkurajoheshin në bazë të kritereve shumë të ngushta e radikalisht ideologjike. Tani kjo praktikë është shkulur. Megjithatë atëhere, ndoshta nga mungesa e ndjeshme e miqve apo nga që regjimi e ndjente izolimin e thellë, punohej shumë për t’i fituar. Tani bëhet mjaft pak për sa realisht kemi nevojë. Madje tani duket sikur nuk kemi shumë urgjencë për ta, ua kemi degdisur në harrim deri edhe vetë emrin “Mik i Shqipërisë”. Pothuaj nuk e përdorim këtë term, siç duket kemi vendosur t’ja lëmë peng regjimit të shkuar. Thua këtë ndjenjë ngopjeje na e jep ideja e bollëkut me miq që kemi?
Mirëpo ky është një iluzion. Shqipërisë i janë shumëfishuar ata që e duan aktivisht, por ndërkohë i janë dhjetrafishuar mosbesuesit. Nuk i janë pakësuar shumë as mosdashësit, i gjenden edhe jo pak armiq. Në rrethana të tilla, pra të një raporti real të plus-minuseve, shija e vetëkënaqësisë që provojmë, është shkujdesje e madhe.
Ja përse ndodh që një pjese të miqve ua bëjmë nderet dhe ua shprehim mirënjohjen. Këto çaste autorit të këtij shkrimi nuk i vijnë patjetër ndërmend vetëm Dr. Ana Kohen, presidente e organizatës Shqiptaro-Amerikane të Gruas (AAWO), qytetare nderi e Vlorës, as mjekut Kolio Mihalis, pa dyshim koleksionuesi më i madh i thesarit historik shqiptar, i cili do të çelë në mes të këtij muaji, në Muzeun Historik Kombëtar, një ekspozitë apo më saktë një befasi. Nuk e kemi fjalën po ashtu as për shtetarë e politikanë të mëdhenj, tashmë dashamirës të njohur të Shqipërisë si Bill e Hilari Klinton, Xhorxh W. Bush, Bernard Kushner, Massimo D’Alema dhe Silvio Berluskoni…Vetëm në librin “Në mirëkuptim” të një ambasadori për tetë vite në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Agim Nesho, libër që së shpejti do të dalë në treg apo në një ditar pune të çdo diplomati shqiptar, do të gjesh jo pak emra të huajsh miqësorë ndaj nesh.
Këta janë të rendësishmit dhe njëkohësisht më të zëshmit. Ata kanë në vendet e tyre pushtet të madh publik dhe doemos miqësia me ta kërkohet posaçërisht nga drejtuesit dhe administrata e shtetit tonë.
Ndërkohë mes të zhurrmshëve veprojnë edhe bubullitës të tjerë, të cilët pas poteres që bëjnë, fshehin thjesht miqësi për interesa financiarë. Pastaj të kthejnë shpinën, në mos hedhin gur nga pas, po nuk mbushën mirë xhepat.
Por ka edhe miq të heshtur. Këta janë më të shumtët. Duke qënë se ata vetë nuk ndihen, nuk bëzajnë për ta as strukturat përkatëse në vendin tonë. Edhe mes miqve të huaj të sinqertë, siç është prej kohësh rregull në xhunglën shqiptare, fitojnë më të fortit.
Ja pse na u kujtua në këtë fund viti, para Krishtlindjeve, shkrimtarja e përkthyesja italiane Mimma Aloisi. Në maj 2006 ajo mbushi 75 vjeç. E gëzoi ngjarjen e saj të shënuar rreth familjarëve të vet e disa miqve, njëlloj si më 2003, kur pati festuar 50-vjetorin e martesës. Në maj të këtij viti mbushi 76 vjeç dhe sërish nuk u kujtua njeri nga Tirana. Por ajo bëri të veten, fare heshtur, siç një dekadë më parë shpenzonte nga të ardhurat e punishtes së vogël familjare të zbukurimeve për Krishtlindje para për rindërtime shkollash në veri të vendit tonë apo në Kosovë. Faturat e harrxhimeve të saj janë një deng, por këtë gjë mund ta dijnë vetëm miqtë e saj të ngushtë. Mimma Aloisi atë deng nuk e tund para syve të të tjerëve.
Ajo, siç shkruan në librin e saj të fundit “Shkallë pa shkallare” (“Scale senza gradini”) është nga ato që përshendet e para. “Kështu jam bërë unë”, thotë. Kështu bëri edhe me vendin tonë. Ishte e para që e përshendeti, kur dhjetë vjeçe e nisi jetën në Pogradec.
Mimma Aloisi rininë e saj të hershme e ka kaluar në Shqipëri. I jati ishte një ushtar i thjeshtë i armatës pushtuese italiane dhe mbushja e moshës së mobilizimit e gjeti në Pogradec. U lirua, por nuk u rikthye në vendin e vet. Bëri të kundërtën. Me të hequr uniformën e ushtarit thirri të gjithë famijen e tij me gruan e katër fëmijët të vinin në Shqipëri. Në Pogradec u ushqyen modestisht me punën në një bar me pronar shqiptar të quajtur “Kafe Napoli”. Aty edhe kaluan vitet e luftës, pak kohë nga pasçlirimi dhe më vonë u zhvendosën në Tiranë. Këtu pritën rradhën e vështirë të rikthimit në atdheun e tyre. Për periudhën e parë, Pogradecin, Aloisi ka shkruar e botuar në vendin e vet dy libra: “Luis” dhe “Shqiponjat e bardha”. Për periudhën e tretë e nxitëm të mos vononte shumë e të shkruante një libër tjetër. Mimma Aloisi ka nisur t’i mbushë faqet e këtij të fundit dalngadalë, sepse mosha po bën punën e vet. Kësaj rradhe Shqipërinë ajo do ta shohë nga ngjarjet që përjetoi në kryeqytetin e saj, aq fort të trazuar në fund të viteve dyzetë. Do të jetë një kendvështrim i veçantë, një sy e përjetim tjetër. Mimma gjithë mesazhin e këtij libri, të cilit i takon të përkthehet edhe në shqip, e ka ndërtuar mbi simbolin e shpirtit të saj që fluturon mbi Shqipëri. Kështu na u përgjegj, kur e pyetëm si do ta ndërtonte krijimin e vet të ri. Tha se kishte një jetë të tërë që bënte ta kthente e mbante përgjithmonë zemrën e saj në Itali, në qytezën Mineo, në Siçilinë e saj të shtrenjtë dhe ajo përherë gjente rastin dhe i ikte, vraponte për në Shqipëri.
Kaq e natyrshme në dashurinë e saj për vendin tonë Mimma Aloisit as i shkon mendja se këtë gjë duhet ta thotë para se ta pyesin. Ajo përshendet e para, por nuk flet kurrë për veten e para.
Ajo është një italiane vitale dhe me siguri shumë jetëgjatë. Nuk i vuri re as shtatëdhjetë e gjashtë vitet që i mbushi në maj. Me këtë rast do të ishte e gëzuar t’i vinte një mik nga Shqipëria, njeri i thjeshtë apo zyrtar. Por nuk i shkoi njeri. Mund t’i dërgonin edhe një fletëmirënjohjeje, një çertifikatë, e cila materialisht është vetëm një letër e thjeshtë e formatit A4. Ku të falenderohej. Për ndonjë dekorim as që bëhet fjalë. Kujtohen për këtë gjest ata që nuk kanë asgjë në dorë dhe nuk e sjellin qoftë edhe për një çast ndërmend ata që e kanë kompetencë.
Veç Mimma Aloisi kujtohet gjithnjë për Shqipërinë. Shtatëdhjetë e gjashtë vjetorin e festoi me një ekspozitë për vendin tonë. Ky ishte i gjithë kuptimi e mesazhi i ditëlindjes së saj. Në ekspozitë kishte foto për Shqipërinë, botime librash, qendisma, deri edhe gatime karakteristike. E harroi veten mikja e heshtur e vendit tonë.
Mimma, siç edhe theksojnë intelektualët e Mineos, përherë ka qënë e angazhuar në veprimtari shoqërore. Në komunën e saj për dy legjislatura ajo ka qënë edhe këshilltare e kulturës. Aloisët janë një ndër familjet më të vjetra e autoktone të qytezës, siç edhe është pasqyruar me foto në kalendarin e vitit 2004 të saj.
Duke e folur dhe shkruar shqipen përkryer Mimma Aloisi është edhe përkthyesja në italisht e librit të shumënjohur të Dritëro Agollit, “Komisari Memo”. Parathënien e ka shkruar vetë, me pak fjalë. Atje e dallon që shpirti i fluturon mbi anët tona.
Ndodh e njëjta gjë në librin e saj të fundit “Scale senza gradini”. Malli për Shqipërinë gjendet në faqen e parë të librit dhe mbyllet me të, po ashtu, saktësisht edhe në faqen e fundit. I urojmë jetë të gjatë kësaj mikeje të heshtur të vendit tonë, edhe pse e ndjejmë që “Shkallë pa shkallare” është një lloj testamenti për katër nipërit e saj, të cilët me dashuri gjysheje i quan “katër shtyllat e familjes”.
Mimma Aloisi është e fortë, megjithatë. Sheh akoma qartësisht shkronjën që me një makinë të thjeshtë shkrimi e hedh mbi fletën e bardhë. Me siguri do të përfundojë edhe librin e tretë për Shqipërinë, pse jo edhe një të katërt...
Vendi ynë është shpirti i saj djegur nga malli. Eshtë edhe testamenti i saj.
Me kaq ndihet lumturisht e qetë. Përse duhet të bërtasë se nga autoritetet përkatëse të Shqipërisë i mungon një copë letër A4 me sipër fjalët e thjeshta “Çertifikatë Mirënjohjeje”?
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|