|
Filozofia e policit të trafikut
Botuar në gazetën “Shqip”, 26 janar 2008
Nuk duam t’i shtojmë qoftë edhe një gërmë asaj psikologjie të përgjithshme që me punën (jo jetën) e policëve shtojnë ditë për ditë listën e rrëfimeve për të qeshur. Barsaletat për ta nuk krijohen vetëm në Shqipëri, i gjen kudo nëpër botë. Mund të jenë xhandarmë e karabinierë, por gjithsesi humori bëhet vetëm me këtë profesion të njerëzve me uniformë. Eshtë një keqkuptim i madh, për fat të keq, i punës së tyre të shtrenguar vetëm në disa rregulla të rrepta dhe urdhëra. Kështu më shpesh ata nuk veprojnë dot sipas arsyetimit, por sipas katër-pesë fjalëve të urdhërit të “shefit”. Në rrethana të tilla, pa iu përshtatur dot situatave, ata bëhen komikë. Sepse edhe kur arsyetimi u punon fare mirë dhe e vënë në përdorim jashtë kornizave të urdhërit epror ndodh shpesh që e arsyetuara nuk funksionon tek urdhërdhënësi. Pastaj dihet që ndëshkimi i një “shefi” me uniformë blu nuk është shumë tolerant, rendon sa i një polici në fuqi të dhjetë.
Këtë shkrim nuk e kemi, pra, me ta si profesion e ca më pak si njerëz, por me një mendësi të shumë prej tyre, të cilin do ta quanin “filozofia policit të trafikut”. E emërtojmë kështu sepse nuk është vetëm tek ta. Eshtë edhe filozofia jonë, mentalitet që i është ngjitur nga pas shqiptarit modern.
Në Tiranë, në kryqendrën tonë më të zhvilluar, në vetë laboratorin që parathotë se si do të jetë i gjithë vendi në muajt apo vitet e ardhme, ka disa udhëkryqe të mëdhenj, ku trafiku është gjykuar se duhet të ndihmohet edhe nga policë të veçantë. Ata rrinë bashkë me semaforët. Ka vite që qendrojnë pranë njeri-tjetrit në pikat më të populluara të Tiranës, atje ku nuk mungojnë asnjëherë edhe të huajt. Sigurisht që ata lënë mendtë se si atje ku ka semafor për të rregulluar trafikun duhet të ketë edhe policë që bëjnë të njëjtën gjë. Në vendet e tyre as nuk mund të përfytyrohet. Madje do të përbënte një kuriozitet aq të rrallë sa edhe i ashtuquajturi njeri që është filmuar në Mars këto ditë. Semafori i trafikut dhe polici i trafikut që bëjnë të njëjtën gjë është njëlloj si të rrinë sheshit, para syve të të gjithëve, Ligji dhe Maliqi. “Dy mami e vdesin fëmijën” thotë një fjalë e urtë popullore. Semafori dhe polici “vdesin” rregullin publik. Dhe që, para se të japim disa shembuj, të mos keqkuptohemi, nuk e kemi fjalën për rastet kur nuk ka energji elekrike dhe në një situatë të tillë polici i trafikut është jetik. Në ato raste ai ngarkohet të jetë semafor, i jepet e drejta të bëhet rregullator. Këtë detyrë ata e bëjnë siç dinë, ndonjëherë edhe subjektivisht, por kur i sheh që rropaten mes pluhurit dhe tymit të makinave, zëmëratës së shoferave dhe shfryrjes së burive të tyre, ndjenja e respektit dhe e dhembshurisë për ta është e madhe.
“Filozofia e policit të trafikut” nuk shfaqet kur ai, për lëvizjen e mijra njerëzve dhe mjeteve, ngarkohet të bëjë semaforin, por kur KESH-i ka patur mirësinë të ketë lëshuar korentin. Këtu ai duhet të tërhiqet menjëherë nga drejtimi individual i trafikut dhe në një kend të trotuarit të rrijë në gatishmëri të plotë për thyesit apo ndërlikimet që mund të ngjajnë. Semafori është përsosmërisht i rregullt dhe i drejtë, i komanduar elektronikisht, pra në mënyrë të pavarur, për të caktuar kur të kalojnë njerëzit dhe kur makinat.
Mirëpo jo pak nga policët e trafikut, bash ata në udhëkryqet më të mëdha të kryeqytetit, mu në zemër të tij dhe pranë institucioneve më të larta të shtetit, në mpikun më të madh të njerëzve, lëvizin pa pushim krahët, u fryjnë bilbilave, u bëjnë shenjë makinave që të ecin, madje ta shtojnë shpejtësinë edhe pse kjo e fundit nuk është ndonjë nxitje e bukur. Pasi me duar dhe me kembë (si nuk lodhen?!) urdhërojnë makinat të kalojnë, pa parë fare nga semafori dhe tashmë shenja e gjelbër atje, i ndalojnë ato kur e gjykojnë ata. Ky është çasti i ngushtë kur duhet të ecim ne, kalimtarët, por kësaj rradhe polici i trafikut bëhet mospërfillës, ndoshta mbledh forcat. Ndodhi njëherë që një polic i tillë në udhëkryqin e madh në Shëtitoren Dëshmorët e Kombit, nga që nuk orientohej fare nga semafori dhe as nga vëmendja për njerëzit, na futi në mes të dy rrjedhave me makina. Ishim mbi dhjetë kalimtarë dhe hapësira ku na bllokoi ishte aq e ngushtë sa gati u shtypëm. Të revoltuar i thamë policit se ç’po bënte ashtu. Përgjigja e tij ishte lakonike: “Unë merrem vetëm me trafikun”. E kishte fjalën vetëm për makinat. Çfarë mund të presësh prej një njeriu që me fjalën trafik kupton vetëm rregullimin e lëvizjes së makinave dhe jo të njerëzve. Një herë tjetër, në udhëkryqin paralel, në rrugën e Elbasanit, polici i çakërdisur i trafikut e bënte punën si për qejfin e tij. Vetë shoferat, me të parë semaforin që u bënte shenjë se duhej të ndalnin për të lënë kalimtarët, frenonin makinat. Por ndërkohë niste atë tundje-shkundje të sforcuar të krahëve polici, madje u bërtiste që të vazhdonin lëvizjen. Njëri nga shoferat kundërshtoi dhe i tregoi me gisht semaforin. A e dini si reagoi rregulluesi ynë me uniformë i trafikut? I vajti pranë dhe miqësisht e zë të lartë i tha “Të bie ta kesh më mirë me policin se me samaforin!”
Më qartë nuk kishte. Ky është thelbi i “filozofisë së policit të trafikut”. Po ndalemi këtu, sepse shembuj të palogjiktë e komikë ndesh përditë. Boll të kesh zell e t’i mbash shenim. Mes personazheve tanë, të cilët nuk kujdesen që njerëzit, në kembë apo në mjete, të respektojnë semaforin, por t’u binden vetëm atyre, gjen edhe nga ata që mbajnë syze dielli kur në qiell ka re të renda dhe para ca ditësh njëri polic përtypte pa pushim çimçakiz. Sa të rëndësishëm ndihen! Madje këtë kompleks shfryjnë kur shpërfillin vetë të parët semaforin, duke prishur një rregull publik dhe çedukuar njerëzit. Pasi ke kaluar një ditë të tërë pune, ku “komandantë” ke patur plot, nuk të ndahet në fund të saj edhe një “komandant” tjetër i jetës tende, madje këtë e ke qelepir fare, mu në mes të rrugës. Ti sheh që semafori ka ndezur dritën e gjelbër dhe bën të kalosh, por “hip këtu të shohësh Stambollë!”. Ke për të lëvizur vetëm kur të vendosë polici.
Ndërkohë ndodh që atje ku nuk ka policë trafiku e semaforët punojnë normalisht rregulli ndonjëherë është mahnitës. Madje edhe në autostradë, larg syve të shumëve, përshembëll në udhëkryqin për në Laprakë, prekesh nga ndjenja e madhe e respektimit të të drejtës për të lëvizur që kanë shqiptarët. Shfaqet shenja e gjelbër për kalimtarët dhe lumi i stërmadh i makinave ndal në vend, si në çdo vend perëndimor. Por një nga dramat tona si popull është se disa syresh, me imponimin e “filozofisë së policit të trafikut”, ende nuk po na lënë të shfaqemi para vetes e botës si shoqëri normale.
Ka disa muaj që po përjetojmë një prirje të elitës sonë politike për të bërë sëbashku atë që është Shtet dhe për të kryer veças atë, e cila quhet rivalitet e konkurencë për të fituar të drejtën e qeverisjes. Megjithëse politika jo rrallë e ka zanat të të zhgënjejë ajo në thelbin e vet është e kultivuar dhe doemos që i kupton fenomenet socialë. Për profesion ajo merret me zhvillimin dhe hapin prapa e parandjen shpejt. Tashmë ajo e di që populli ynë ka një ritëm ecjeje përpara më të madhe se të mjaft prej tyre. Moment të dukshëm të këtij kuptimi me sa duket po kalojmë, ndërsa janë të gjallëruara nismat për konsensus bipartizan për Drejtësinë. Ka të ngjarë, nëse nuk na deziluzionojnë edhe njëherë tjetër, që të jemi para një hopi cilësor të politikës sonë. Ky hap i madh ka të bëjë me Institucionet. Ka ardhur koha që të jetë përfundimisht çështje e zgjidhur, e pranuar dhe e ndihmuar nga të gjithë, ajo e pavarësimit të tyre. Shqipërisë i duhet Semafori. Të gjitha studimet më profesioniste në botë kanë provuar se ajo klasë politike apo grupe agresive të saj, që kujtojnë se qendrojnë me shumë apo rikthehen më shpejt në qeverisje duke çpavarësuar institucionet e Shtetit dhe vënë ato nën kontroll, kanë shijuar të kundërtën. Janë rikthyer me vonesë ose kanë ikur shpejt. Kështu kanë humbur ata, ka humbur më shumë edhe populli. Në rastin tonë, shqiptar, kemi patur humbje më të mëdha, sepse jemi vend i vogël dhe forca e qendresa jonë në këtë botë që globalizohet rrufeshëm dhe të përlan, nuk qendron tek numri i popullsisë apo kilometrat katrorë, por tek Shteti. Po qe i fortë ai...
Përshembëll sa bukur do të ishte që ashtu si një Kryeministër i vë vetes qëllim të mbarojë një vepër kolosale komunikacioni që lidh dy pjesë të kombit, një President gjatë mandatit të tij i përkushtohet realizimit të Institucioneve të Pavarura. Kjo është vepër mbi vepër.
Pra një kryevepër.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|