|
Librat e Enver Hoxhës në trotuar
Botuar në gazetën “Shqip”, 4 shkurt 2008
I njohuri im shet libra në një nga anëtrotuaret e Shëtitores “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Eshtë një ambulant tashmë profesionist, pararendës i epokës së shkuar të kioskave, por për shkak të ngushticës ekonomike, edhe vazhdues i sotëm i asaj tradite. Librat i shet duke i shtrirë sa gjatë gjërë përdhe. Gjashtëdhjetë e pesë vjeçari, duke qënë i zhdërvjellët, sipas stinëve dhe ofertë-kërkesës ka shitur buzë trotuarit paketa cigaresh e çimçakiza, misra të pjekur, ka djegur e stërpjekur gështenja, tani tregëton librin. Para disa ditësh, ndërsa qielli i lëshonte nga lart armikun e tij, shiun, gjithë ditën nuk pati asnjë blerës. Nentë orë në kembë dhe zero lekë. Pikërisht një ditë më pas, e enjte, 31 janar, kishte shitur dy libra. Pyetjes se cilët autorë pati mundur të shiste iu përgjegj me një titull që nuk më mbeti ndër mend, kurse i dyti po. I njohuri im tha “Eurokomunizmi”.
Kurioz se mos ishte ndonjë botim që nuk e kisha në bibliotekë, e pyeta sërish se i kujt ishte ai libër. Tjetri më pa sikur të vija nga ndonjë planet përtej yllësisë tonë. “Eurokomunizmi i Enver Hoxhës, kush tjetër” m’u përgjegj. Pra ishte “Eurokomunizmi është antikomunizëm”, i botuar në vitin 1980. Tirazhi duhet të ketë qënë ato kohë astronomik, sepse jo vetëm që u shpërnda dhe u dhurua brenda vendit tonë, shkoi në trevat kombëtare jashtë kufijve, por nëpërmjet përfaqësive diplomatike të kohës dhe rrjetit mjaft aktiv të “Miqve të Shqipërisë”, vrapoi nëpër Evropë e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E kam gjetur në shumë biblioteka arbëreshe në Itali.
Aq i madh ka qënë tirazhi sa edhe sot, pa u ribotuar, gjen kopje të tij jo vetëm tek gjashtëdhjetë e pesë vjeçari ynë, por edhe tek ambulantë më të rinj, njëri mu në zemër të ish-Bllokut.
Pyetjes nëse i blinin librat e Enver Hoxhës i njohuri im u përgjegj “Po”. “Me siguri librat me kujtime të tij, jo veprat?” Përgjigja “Edhe veprat”. “Sa ke shitur këto tre muaj që po tregëton librin?” Tjetri, për të mos e vonuar përgjigjen, gati nuk merr frymë: “Pesëdhjetë-gjashtëdhjetë copë”. “Po kjo do të thotë se i bie pothuaj një libër në ditë”. Përgjigja “I kërkojnë shumë. Ai po më ushqen mua”. Unë “Nuk të ushqen ai, sepse ti shet mezatarisht katër copë libra në ditë, siç me kë thënë”. Tani dyshoj mos miku im është ndër nostalgjikët e Enver Hoxhës. “Po kush i ble ato libra? Me siguri janë të moshuar”. Shitësi ambulant kapsallit sytë me dinakëri si të të më thotë “Hajde, hajde, sa mbrapa botës je!” dhe lëshon përgjigjen e fundit “Ka edhe mjaft të rinj”.
Gjej justifikim arsyen e semaforit që ka ndezur dritën jeshile e më duhet të kapërxej udhëkryqin, dhe ndahem me të. Në të vërtetë dëshiroja të isha vetëm.
Liria e të shprehurit është fitorja më e sigurtë që në këta vite të pasdiktaturës kemi. U arrit që në fillim, u lendua disa vite, kurse tani është në lulëzim të plotë, madje gjer në shpërdorim. Nuk është vlerë e vogël ajo e lirisë së të folurit e të shkruarit. Por në një vend jo të gjithë janë të etur më së pari për të e pastaj për të tjerat. Demokracia dhe zhvillimi kërkojnë të ketë punë, ujë e energji të pandërprerë elektrike, lehtësi për të udhëtuar jashtë vendit, të ardhura të mira. Këto nuk mbërrihen në një ditë, kërkojnë kohën e tyre dhe mobilizim më të madh të qeverisësve. Kështu ndërsa një intelektual i gëzohet mjaft lirisë së shprehjes, njerëzit e thjeshtë nuk e kanë këtë hall të dorës së parë. Ata nuk jetojnë me lirinë e fjalës, por me sigurinë për një vend pune. Në rrethana të tilla rikthehet Enver Hoxha dhe librat e tij. Ata blerës të “veprave” apo kujtimeve të tij nuk janë intelektualë. Këta mund ta kenë këtë libër në shtëpi, kurse shumica edhe flakur. Blerësit e lexuesit e Enver Hoxhës janë prej njerëzve të thjeshtë, të moshuar qofshin apo të rinj.
Dhe këtu është problemi.
Duke i dhënë liri përhapjeje ideve dhe imazhit të diktatorit, njeriut që pikërisht jo vetëm lirinë e të shprehurit, por edhe lirinë e të menduarit ndaloi e goditi, shoqëria shqiptare nuk ka bërë asnjë gabim. Liria e lejuar nuk e shton nostalgjinë për Enver Hoxhën, siç disave u duket gabimisht. Bën të kundërtën. Liria, duke mos ndaluar, kryen punën më të dobishme: seleksionon e përzgjedh më të mirën. Lehtëson garën dhe konkurencën e ideve. Ky është edhe thelbi i demokracisë e i shoqërisë realisht të hapur. Nëse akoma shiten jo pak libra të Enver Hoxhës dhe këto kohë ka një rigjallërim të këtij tregu e të temës së komunizmit (mund të dëshmohet nga titujt e faqeve të para të mjaft të përditshmeve tona) kjo nuk do të thotë aspak se konsumatorët janë patjetër që të gjithë nostalgjikë. Ca më pak të alarmohemi se ka aktivistë që duan ta rikthejnë atë sistem të dështuar dhe diktaturën. Sot grupet enveriste, madje edhe partitë, përfshi edhe më kryesoren, atë të drejtuar nga Hysni Milloshi, përveç ndonjë manifestimi të qetë e ndonjë interviste, nuk kryejnë asnjë gjest dhune. Nuk hedhin slogane e nuk veprojnë për të përmbysur rendin shtetëror, çka po të ndodhte, meritonte përdorimin ndaj tyre të rreptësisë së shtrengimit. Që enveristët shqiptarë nuk i drejtohen dhunës si ekstremistë, gjë që kryhet në mes të vendeve të zhvilluara të Evropës, është një temë interesante dhe jo vetëm sepse një poet atdhetar si Milloshi e kupton se duhen zbatuar rregullat e lirisë dhe të pluralizmit.
Që shiten jo pak libra të Enver Hoxhës nuk duhet të na bëjë t’i druhemi pluralizmit si të jetë një sistem i brishtë. Demokracia është regjim shumë më fortë se diktatura. Ajo është mjaft e rezistueshme edhe kur gjendet në faza delikate e jo më tashmë, në vitin 2008, kur ka dëshmi që në Shqipëri po hyn në fazën e stabilizimit. Në ata që blejnë libra të Enver Hoxhës ka edhe kuriozë. Ka edhe nga ata, që të pështjelluar nga shkrimet me inat ideologjik të fanatikëve të pandryshueshëm mes ish-komunistëve, ish-ballistëve apo ish-monarkistëve, duan ta gjejnë vetë të vërtetën. Duan ta kenë bindje. Përderisa librat e Enver Hoxhës akoma nuk janë ribotuar, pasojë kryesore e tirazhit të madh të kohës, kjo do të thotë se nëpër trotuare ato libra gjenden sepse të tjerë i kanë hequr nga bibliotekat e tyre personale. Pak muaj më parë kam blerë një “Kujtime për Enverin”, pjesa e parë, të Nexhmije Hoxhës, madje me më shumë lekë sa më kërkoi shitësi, sepse në brendësi kishte një autograf të saj. Ishte një shkrim mjaft harmonik. Ia kishte bërë dhuratë një personi, emër i dëgjuar i gjysmëshekullit të shkuar. Libri kishte përfunduar në trotuar, sepse tashmë personi të cilit ja pati dhuruar, nuk jeton më. Djemtë e tij librin e kishin hequr nga shtëpia. Nuk e donin.
Që librat e Enver Hoxhës shiten në mes të Tiranës apo në Gjirokastër prej ndonjë tregëtuesi të vogël bëhet bisnes me gota porcelani me portretin e tij, duhet të na bëjë të mendohemi. Po të mendohemi mirë e thellë e të mos bërtasim propogandë, secilit prej nesh, aty ku jetojmë e veprojmë, në atë shkallë që kemi në dorë të ndikojmë, na takon të bëjmë më shumë për të mbrojtur e zhvilluar këtë sistem lirie të pas nëntëdhjetës. Kjo do të thotë shumë më tepër vende pune, energji elektrike të pandërprerë, kujdes shëndetësor, antikorrupsion, më pak të droguar, përkujdesje të dukshme të administratës për popullin e thjeshtë. Patjetër edhe më shumë vëmëndje për ata që kanë vuajtur e janë persekutuar nga diktatura. Nuk e shihni që po mbushen vite që për dramat e tyre të mëdha në median e kujtesën e opinionit publik po krijohet boshllëk? Kjo do të thotë prag harrimi. Po kalojmë një çast delikat, sepse kujtesës sonë të shkurtër po i shtohen rrëmbyeshëm një brez i ri i lindur pas viteve nentëdhjetë, gjeneratë që nuk e ka parë diktaturën. Ata që kanë qënë dëshmitarë të saj, të çdo lloj bindjeje politike, nuk e duan më të rikthehet. Të rinjtë për një çast papërvoje apo krize adoleshence mund t’i kthehen mendërisht e shpirtërisht.
Librat e Enver Hoxhës duhet t’i bëjmë të rrijnë me më shumë siklet në trotuar.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|