Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Bacë, Evropa e kreu!

Botuar në gazetën “Shqip”, 20 shkurt 2008

Si rrallë ndonjëherë televizioni i shumëndjekur evropian Euronews, në një farë mënyre CCN i kontinentit tonë, gjatë 17 shkurtit transmentoi live, drejtpërsëdrejti, të gjithë ceremonë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, madje edhe festimet. Deri edhe dy koncertet që u dhanë me këtë rast, ai zyrtari dhe tjetri, popullori, në sheshin qendror të Prishtinës. Ju sigurojmë se është një gjë e tepër e rrallë dhe nuk e kanë patur fat këtë vëmendje mjaft ngjarje të tjera me peshë botërore.
Kjo do të thotë se Evropa tashmë mbetet e bindur se ky shtet i ri do të jetë pro Brukselit. Po të kishin brengosjen a dyshimin më të vogël se ai do të qe një shtet kukull, në Ballkan një plastdarmë proislamike apo “kobure” amerikane, nuk do të kishte dalë nga zemra e kontinentit asnjë lloj mbështetjeje. Dhe siç pa kontributin historik e të pashlyeshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një Kosovë e pavarur nuk do të ekzistonte kurrë pa pëlqimin e Evropës.
Si në një mrekulli shqiptarët i bënë të dy bashkë, gjithë botën demokratike.
Presidenti Bill Klinton nuk do të harrohet kurrë, sepse i çeli rrugë kësaj dite. Do të mbetet në jetën tonë përherë i nderuar Xhorxh Bush, presidenti që ndihmoi të bëhej plotësisht realitet. Ndërkohë si mund të harrohet presidenti francez Sarkozi, i cili kreu gjestin më të paimagjinueshëm një shekull apo një dekadë më parë: shkoi në një shkollë dhe para nxënësve të një klase vizatoi me duart e veta në hartën e Evropës kufirin e Kosovës. Nuk u largua pa i thënë brezit të ri francez se tani në kontinentin e tyre duhej të mësoheshin me ekzistencën e një shteti të ri. Në mbrëmjen e 18 shkurtit Masimo D’Alema, nënkryeministri italian dhe njëkohësisht ministri i Punëve të Jashtme, duke konfirmuar votën pro të vendit të tij shtoi edhe ato fjalë të thjeshta, kaq herë të thëna, se Kosova nuk mund të rikthehej kurrë më në Serbi. Kjo jo aq për arsye historike, etnike apo kulturore, por thjesht dhe vetëm sepse nëntëdhjetë përqind e popullit të atij vendi nuk donte këtë gjë. Pas një “Nuk të dua” edhe në një çift të thjeshtë vijon menjëherë procedurat e divorcit. “Nuk të dua” i thanë varësisë ndaj Beogradit njëzëri të gjithë shqiptarët dhe si në një gjykatë të madhe botërore opinioni publik do ta mirëpranojë divorcin. Është çështje lirie e gjithsecilit. E tha këtë me një frazë lapidare Ismail Kadare “Shqiptarët patën fatin t’ia kujtojnë botës ç’është liria”.
Në mesditën e 17 shkurtit autori i këtyre rradhëve bëri në sheshin Skënderbeu disa fotografi nga atmosfera e pritjes së shpalljes së pavarësisë. Në njërin nga kendet më të dukshme të lidhjes së sheshit qendror me shëtitoren Dëshmorët e Kombit valvitej një çift flamujsh: yni dhe ai i Bashkimit Evropian. Si të deshte t’u jepte hijeshi flamujve të shumtë atë ditë frynte erë. Kyqeziu ynë dhe shumëyjëshi evropian ishin vendosur afër dhe nën valvitjen e fortë palët herë pas here rroknin njëri-tjetrin. Nga altoparlantët dëgjohej një intervistë e Fatmir Mediut: tema e masave të sigurisë dhe të bashkëpunimit me UNMIK-un. Pastaj një falenderim i tij për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në mbrëmje në një konferencë për shtyp foli Sali Berisha. Të nesërmen Kryeministri sërish doli para mediave. Dy herë. Dukej qartë se provonte një emocion të parrëfyer. Mbajti një ekuilibër fin në vlerësimet që u bëri ndihmës së SHBA-së dhe BE-së, vendeve të veçanta një nga një. Në mbrëmjen e 17 shkurtit foli edhe Edi Rama. Fjala e tij sërish e baraspeshuar në vlerësime, e qartë në shprehjen e mirënjohjes, qetësisht e thellë. Në një televizion kombëtar Ilir Meta ndërkohë i përgjigjej gazetarit bindshëm i sigurtë se në Ballkan me këtë ngjarje të re nuk po avitej ndonjë furtunë lufte, por e kundërta: po i hapeshin të gjitha dyert miqësisë.
Që të gjithë politikanët shqiptarë nuk harruan të siguronin se marrëdhëniet me shtetin serb do të bëheshin më të afërta e më të forta. Ishin unanimë: Kosova e pavarur dhe shtet i Evropës nuk ishte pengesa, por garancia e afrimit. Ja përse do të ishte e gëzueshme që në Beograd ta kuptonin si mjaft të besueshëm thelbin e deklarimit se tek Hashim Thaçi, guerriljeri i djeshëm, qeveria e kombi serb kanë aktualisht partnerin më të mirë.
Mbështetja e Evropës për pavarësinë e Kosovës i dha një dimension të ri këtij akti historik. U rikonfirmua se trojet ku jetojnë shqiptarët janë tokë evropiane. E dinin këtë të vërtetë qendrat e tij të pushtetit edhe në vitin 1912, por ishte kohë tjetër, bëheshin llogari të tjera gjeostrategjike. Disa kronika thonë se nëpër kanceleri tirrej dyshimi mos të porsashkëputurit nga Perandoria Osmane do të ishin, mes kontinentit të krishterë, një vend kokëfortësisht mysliman. E dëgjua kjo mërmërimë edhe tani, ndërsa Kosova pritej të fitonte statusin përfundimtar. Nëse u gabua apo u lëkund një shekull më parë dhe na la të na ndanin përgjysëm, këtë tashmë Evropa e shleu. Nuk duhet të merakosemi aq fort përse disa nga shtetet e vjetër apo të rinj të BE-së nuk do të munden për disa kohë të shpallin përkrahjen për Kosovën e mëvetësuar. Që të gjithë ato qeveri nuk kanë paragjykime për të dhe shqiptarët. Mospajtuesit kalojnë probleme të ndërlikuara etnike brenda vetes dhe duhen mirëkuptuar.
BE e deklaroi se nuk do të ketë, nëpërmjet parlamentit të vet a forumeve të saj të shumtë, një votim të të gjithëve për Kosovën, por qëndrimin e vet secili shtet do ta shpallë më vete. Por kjo nesër, në fund të kësaj jave, të këtij muaji apo viti, në kronikat e historisë, nuk do të shkruhet si miratim nga vetëm një pjesë e kontinentit amë. Evropa e lirisë me shpirt e mendje ka votuar njëqind për qind për Kosovën si shtet demokratik dhe shumetnik.
Këtë logjikë e atmosferë mund ta kuptosh sot në mijra mënyra. Po zgjedhim vetëm një. Poeti Gëzim Hajdari, i shumënjohur në Itali, vendin ku ka emigruar e boton, por me jehonë të krijimtarisë së tij edhe në vende të tjera, i ka dhënë këto ditë një intervistë gazetës kombëtare italiane “Il Mattino”. Është një nga rastet e rralla që një media e huaj këto ditë i hap vend të dukshëm një shqiptari të paangazhuar politikisht, thjesht intelektual (sepse pëlqyen të merrnin mendime nga elitat e tyre). E përditshmja italiane me një tirazh afro njëqindmijë kopje e ka titulluar intervistën “Poeti Hajdari: “Një hap i parë drejt Evropës”. Duke iu përgjegjur katër pyetjeve të vështira (mes tyre “Pavarsia u fut frikën shumëve. Ka që i druhen një Shqipërie të Madhe në konflikt me Serbinë” apo “Nuk besoni që do të ketë një përplasje kulturash?”) ai mes të tjerash është përgjigjur “Pavarësia e Kosovës do të shmangë derdhjen e gjakut”, “Do të desha të saktësoj se gëzimin im për pavarësinë e Kosovës nuk kam nga ndonjë shpirt nacionalizmi. Theksoj se ky rikthim në identitetin kombëtar do të jetë hapi i parë drejt integrimit të Ballkanit në BE”, “Popujt që në Ballkan dëshirojnë të fitojnë kufijtë e tyre këtë gjë e bëjnë që nesër t’i shkrijnë ato brënda Bashkimit Evropian”.
Ky është efekti i mbarë i ngjarjes në kontinent. Evropës i kemi fituar zemrën. Bacë, kësaj rradhe Evropa e kreu!


Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com