Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Një rrëfim për heronjtë e parrejshëm


Shënime rreth librit “Lamtumirë kallashnikov”, të autorit Ylli Polovina

Neritana Kraja

(Botuar në gazetën “Shqip”, 12 prill 2008)

Disa njerëz e bëjnë luftën, disa të tjerë e ndjekin hap pas hapi dhe e rrëfejnë atë dhe kur gjithçka merr fund, kur të shtënat e armëve mbarojnë dhe vit pas viti në skenën historike fillojnë e shfaqen heronjtë e rinj të kohës, vjen momenti që hendeku mes gojëdhënave, fakteve, dëshmive për atë çfarë ka ndodhur dhe kontributi real i njerëzve që luftuan, që shkruan apo që mbrojtën kauzën e lirisë, të gjejë vendin e merituar.

Nëntë vjet kanë kaluar nga lufta e Kosovës, vetëm pak muaj nga shpallja e pavarësisë së saj. Shumë dëshmorë të luftës janë kujtuar e nderuar, shumë gazetarë u janë rikthyer shkrimeve në të përditshmet shqiptare duke prekur temën e Kosovës.

E megjithatë, në gjithë këtë kontekst, diçka mjaft e rëndësishme nuk duhet harruar. Nuk duhet harruar se sado të shkruhet e të thuhet, kontributi i pashembullt i dy të rinjve nga Shqipëria, (ndonëse në drejtime të ndryshme), ngelet si një ndër rastet tipike kur gazetari njeh për profesion raportimin nga fronti i luftës dhe mbrojtjen me zjarr të çështjes kombëtare dhe kur luftëtari patriot njeh si ideal të tij, vetëm lirinë e trojeve shqiptare.

Gazetari Arjan Konomi dhe luftëtari Skerdilajd Llagami janë dy heronjtë e trajtuar në librin “Lamtumirë kallashnikov”, të autorit Ylli Polovina, libër që ka dalë në treg vetëm pak kohë më parë.

Ky gazetar guximtar dhe ky luftëtar i lirisë, nuk janë aspak emra të rastësishëm dhe as kalimtarë. Njëri me guximin, forcën e fjalës dhe argumentin, ndërsa tjetri me kurajën prej luftëtari, bënë atë që pakkush mund ta mendonte ato kohë të mbushura me ngjarjet tronditëse që zhvilloheshin makthshëm matanë kufirit.

Kur Heminguej titullonte librin e tij “Lamtumirë armë”(A Farewell to Arms, 1929) një ndër kryeveprat e letërsisë botërore, zor ta ketë menduar se edhe në fundin e shekullit të 20-të, konfliktet e armatosura në botë do të vijonin të ishin mjaft kokëforta dhe luftërat po kaq të egra, dhe se dikush tjetër, do të ndërmerrte të shkruante një libër, ku si titull simbol do të shprehej dëshira për t‘i dhënë lamtumirën një herë e mirë armës me emrin “Kallashnikov”.

Dhe ky libër i bukur i publicistit Ylli Polovina, vjen jo vetëm si dëshirë për të shprehur fundin e një epoke të errët për Kosovën dhe fillimin e një epoke të re, ku armët nuk kanë pse hyjnë më në punë, por edhe si një temë mjaft e mirë për të cekur argumentin e nacionalitetit etnik në përgjithësi dhe në veçanti të nacionalizmit shqiptar, që autori deri më tash kishte tentuar t‘i qëndronte larg.

Duke dashur të zgjojë opinionin rreth kësaj teme, Polovina ka vendosur të mishërojë në faqet e librit dy nga heronjtë shqiptarë dhe kontributin e dhënë prej tyre: Arjan Konomin si reporter i parë që arriti të prekë me dorë, t‘i takojë dhe të flasë me krerët e UÇK-së, akoma kur ekzistenca e këtij organizmi të armatosur nga shumë qarqe vihej në dyshim, si dhe Skerdilajd Llagamin, mishërimin konkret të kësaj ushtrie, djalin nga Tirana që ra dëshmor për kauzën e Shqipërisë etnike.


Jetë paralele


I tërë libri ndërtohet në dy rrafshe, të cilët ndërthuren ritmikisht njëri me tjetrin, duke synuar t‘i shohë personazhet paralelisht. Nëse idetë dhe jeta e Skerdilajd Llagamit përbën një ndër rastet tipike për të parë dhe dëshmuar realisht se cili është etnonacionalizmi shqiptar, i mishëruar te djali nga Tirana që iu bashkua UÇK-së së Kosovës e më tej asaj të Maqedonisë, përzgjedhja si personazh paralel i Arjan Konomit, është rasti i spikatur i një gazetari të guximshëm që me penën dhe fjalën e tij, i shërbeu mjaft mirë çështjes kombëtare. Në libër tregohet sesi Arjani jo vetëm ndërmori detyrën e vështirë për të çarë i vetëm, mes rrezikut serb, drejt udhëheqësve kryesorë të UÇK-së, për të përmbushur detyrën e vështirë të reporterit të luftës, por që njëkohësisht me analizat e “Limes\\\\\\\\\\\\\\\", (një revistë mjaft e njohur gjeopolitike që botohet në Itali), do të përballte edhe shumë debate për çështjen shqiptare, në televizionet italiane dhe zvicerane. Kështu, ai do të ftohej nga gazetari i njohur italian, Gad Lerner, do të polemizonte ashpër me kryetarin e partisë “Lidhja e Veriut”, Umberto Bosi, me ish-gazetaren e të përditshmes komuniste “Il Manifesto”, Rina Galiardi, me ambasadorin jugosllav në Romë, Miodrag Lekiç, dhe sidomos do të përfshihej në një debat të rreptë me serbin Dragash Kalajiç, një ndër eksponentët kryesorë të përfaqësimit të Millosheviçit në Itali. Gjithashtu, ai do të merrte pjesë në mitingje me shqiptarë deri në mes të Parisit, si dhe do të ishte i ftuari kryesor dhe shpesh i vetëm, në shumë konferenca të mbajtura gjatë luftës për çlirimin e Kosovës.

Të dy ishin bashkëmoshatarë. Arjani luftoi me penë dhe fjalë dhe e vendosi emrin e tij të plotë në krye të të gjithë artikujve që botoi, Skerdilajdi u kodua me emrin “Shpendi” dhe luftoi me armë derisa ra dëshmor. Arjani u bë popullor në dhjetëra ekrane televizive në Itali, ndërsa Skerdilajdit mezi iu gjetën gjashtë apo shtatë fotografi nga e gjithë lufta e tij. Ai vinte nga “Veriu” dhe një e kaluar përballjesh me sllavët, e veçanërisht serbët, ndërsa Arjani nga “Jugu” dhe përvoja të hidhura në kufi me Greqinë.

Të gjitha këto janë dallimet mes dy heronjve të librit që i vë në dukje gjatë analizës së tij, autori Ylli Polovina. Por Polovina dëshiron sidomos të këmbëngulë në një pikë të përbashkët, në lidhjen e fortë të tyre me ndjenjën e përkatësisë kombëtare. “Për shumë breza rresht familjet Konomi dhe Llagami vinin historikisht nga trashëgimi me gjendje të mirë ekonomike. Të dyja familjet i kishin qëndruar larg regjimeve autoritare. Me realkomunzimin kishin kapërcyer një bashkëjetesë të zorshme. Njohës gjuhësh të huaja, të dy bashkëmoshatarët ishin po ashtu pinjoj paraardhësish të shkolluar dhe të ditur. Skerdilajdi dhe Arjani përbënin një çift rilindësish”, shkruan autori që në faqet e para të librit.


Profesioni: reporter lufte


Ndoshta është ndër të vetmit libra shqiptarë ku faqe të tëra i kushtohen gazetarisë së luftës, me një protagonist të vërtetë të saj. Në faqet e librit mësojmë se në vitet e luftës së Kosovës, gazetari Arjan Konomi ishte bashkëpunëtor i revistës së njohur gjeopolitike “Limes”. Në të sot e kësaj dite vazhdojnë të shkruajnë specialistë të njohur të gjeopolitikës, jo vetëm nga Evropa, por nga gjithandej. Libri na tregon se si gazetari Arjan Konomi, siç e sollën rrethanat historike dhe aftësia e tij analizuese, u angazhua dhe veproi në revistë me autoritetin e ndikimit më të madh në qarqet politike e studimore të kontinentit. Ai trajtoi me përparësi zhvillimet në hapësirat shqipfolëse, por sidomos spikati me shërbimet e tij speciale në Kosovë dhe Maqedoni, si reporter i luftës.

Historia botërore e gazetarisë së luftës, realisht na ka dhënë mësime të mëdha dhe njëkohësisht ka listuar emra po kaq të mëdhenj. Heminguej, Fallaci, Montanelli, apo Peter Arnet, njeriu që kallëzonte drejtpërdrejt nga televizioni se si bombat i rrëkëlleheshin mbi krye në një nga hotelet e Bagdadit, janë emra që kujtesa nuk mund t‘i fshijë. Pas çdo gjase, e gjithë retorika që kinematografia dhe letërsia i kanë veshur figurës së reporterit të luftës, është krejt e justifikuar, kur mendon se si rritet tirazhi i botimeve apo numri i shikuesve në televizor, kur aftësia për të hetuar në një mjedis shpesh tejet të vështirë, si dhe zotimi për t‘iu shtrënguar kushtëzimeve të ndryshme, identifikon një gazetari të bërë mirë. Libri “Lamtumirë kallashnikov”, në një pjesë të mirë të tij, përbëhet nga kronika e ngjarje historike, aventura dhe plot të papritura të reporterit të luftës, Arjan Konomi, që në rrjedhën e luftës së Kosovës kanë lënë gjurmë në jetën e gazetarit të angazhuar.

Autori i librit, Ylli Polovina, duke qenë edhe ai vetë njeri i kontributeve me vlerë në fushën e publicistikës, ka arritur të japë një tablo të kompletuar të punës së gazetarit, që si mision ka të vërtetën dhe çështje kombëtare. Në përshkrimin e kësaj “aventure”, autori i librit ka përdorur si materiale ndihmëse jo vetëm rrëfimet e vetë gazetarit Konomi, por edhe ka zbardhur copëza shkrimesh, idesh, pikëpamjesh, analizash dhe debatesh, që mbajnë firmën e Konomit, ose ku ai është protagonist i fjalës së folur.

Ndryshe ndodh me rrëfimet për Skerdilajdin, djalin e vetëm të familjes Llagami, personazhi tjetër i librit. E gjithë jeta dhe historia e tij prej luftëtari, rrëfehet përmes një tjetër shtegu, përmes përjetimeve mallëngjyese të babait, nënës, apo motrës së heroit të rënë në luftë. Janë përjetimet personale të këtyre prindërve të mirë, është frika për jetën e të birit, por edhe krenaria për kauzën e drejtë të lirisë, të Shqipërisë etnike, për të cilat dha jetën biri i tyre.

Nga ana tjetër ky libër përcjell edhe një kontribut të vyer në shfletimin e fakteve të historisë së kombit shqiptar, ngjarjeve, heronjve, marrëdhëniet me fqinjët, eksplorimin në mitologji, apo legjenda. Puna për realizimin e këtij libri duket voluminoze dhe e detajuar njëkohësisht. Një libër i shkruar me kulturë dhe dashuri. Një libër i ardhur përmes dhjetëra intervistash, dëshmish, shfletime arkivash, njohjeje të mirë të çështjeve ballkanike, njohje të mirë dhe dokumentimi skrupuloz të ngjarjeve të kohës.

Kjo është mënyra që autori i saj, publicisti Ylli Polovina, ka zgjedhur për të thënë “Lamtumirë kallashnikov”. Një libër që i ngjason një libri biografik, për dy njerëz të zakonshëm, por që rrëfehet përmes emocionesh të jashtëzakonshme dhe i ngjan një kronike që lëviz nga lufta në paqe.


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com