|
Shqiptarët, sa shumë larg racizmit!
Botuar në revistën “Shqip”, prill 2008
Në Shqipëri nuk ka patur ndonjëherë nxitës të racizmit, ekzekutuesë të teorive raciste apo ideologë të saj. Kjo duhet të ketë ndodhur për një arsye mjaft të thjeshtë. Shqiptarët si popull nuk janë racistë.
Mirëpo kohët e fundit ka patur përsëritshëm edhe ndonjë bashkëkombas mjaft të guximshëm për të denoncuar padrejtësitë shoqërore, i cili ka shkruar se ne shqiptarët nuk i kemi mbrojtur çifutët.
Ka një tjetër që ngul kembë se tregohemi racistë me popullsinë rome.
ooo
Racizmi nuk është patjetër kulturë e popujve me qytetërim modest apo të ulët. Ai ka qënë zhvilluar në kombe me traditë të lashtë siç janë gjermanët, ka patur deri pak vite më parë përfaqësuesë agresivë si Jorgen Hajder në Austri. Pikëpamjet raciste gjejnë strehë komode tek njëri prej politikanëve më aktivë e më të qendrueshëm francezë, Le Pen, pak vite më parë edhe garues final për postin e presidentit të vendit.
Racizmi nuk ka qënë më pak dhunues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jo vetëm me ligje, por edhe me një organizatë të ligë në famë, si Ku Klus Klani, ndaj banorëve me ngjyrë, sidomos zezakëve, janë kryer krime të frikshme, djegie përsëgjalli dhe varje.
Ne nuk jemi vend i zhvilluar, por kjo nuk do të thotë aspak se racizmi është pjesë e kulturës së të pazhvilluarve, atyre që nga kjo botë dinë më pak. Akte monstruoze kundër popujve apo fiseve të tjera kryhen në Afrikë, pikërisht në vendet më pak të zhvilluara të saj. Janë shfarrosje në dhjetra mijra, ku përdoret marrja e jetës nëpërmjet goditjeve me sopata dore.
Shqiptarët edhe sikur të përbënin vendin më të përparuar ekonomikisht të Evropës, siç edhe po të ishin të prapambetur sa për njëqind vite të tjera, nuk do të prodhonin dot racizëm. Nuk është kjo në formimin e tyre, në identitetin kombëtar që kanë. Me pak fjalë, thënë pak në formë humori: racizmi nuk është në “racën” tonë.
Themeli i këtij virtuti rri në një cilësi të konfirmuar të shqiptarëve: tolerancën. Mirëpo që ta nisim më qetësisht argumetimin se mes nesh nuk ka patur e nuk ka mendësi raciste, na duhet për pak çaste të qëndrojmë te toleranca. Jo të gjithë shqiptarët e veçanërisht përfaqësues të elitës së saj mendojnë se jemi një popull tolerant. Disa kendvështrues të tillë nuk thonë se, duke mos qënë tolerantë, kemi shfaqje të të kundërtës, pra të intolerancës. Ata thjesht nuk janë dakort të vetkonsiderohemi si posaçërisht tolerantë, sikur këtë veti e kemi më të zhvilluar, përshembëll, se fqinjët, grekët, malazezët, maqedonasit e më tej: bullgarët, rumunët, italianët. Këtu kanë të drejtë, por këtë gjë nuk e ka thënë askush prej nesh.
Ka të ngjarë që këta intelektualë, të cilët refuzojnë të theksojmë tolerancën tonë, alergjinë nuk e kanë marë prej ndonjë fobie antishqiptare apo se janë “të shitur” këtu apo atje, në qarqe të huaja, si zakonisht kemi qejf t’ua nxjerrim ne inatin. Ata kundërvihen sepse pjesë të caktuara të klasës sonë politike e veçanërisht disa nga ata që luftojnë të mbledhin votë “patriotike”, e zmadhojnë këtë cilësi, e fryjnë atë, sigurisht duke mbërritur në një deformim të së vërtetës.
Mohimi i tolerancës karakteristike të shqiptarëve gjithsesi, përveç nënvleftësim ndaj të vërtetës dhe shpërfillje, përmban brënda vetes edhe pak racizëm. Ka që e luftojnë racizmin nëpërmjet racizmit. Nuk gabojmë po ashtu të themi se një ekzagjerim i cilësisë sonë të tolerancës, mund të përfundojë në një shfaqje të racizmit, në vetkrijimin e idesë se jemi shumë më të mirë se të tjerët. Ky cak, pra ideja se jemi ndryshe nga të tjerët, është shtrati i sigurtë ku racizmi merr jetë dhe po nuk u ndal, nuk di më të kthehet mbrapsht.
Mirëpo shpërdoruesit politikë të tolerancës shqiptare, edhe pse i kanë provuar të gjitha përpjekjet për të nxjerrë në pah me tepri këtë veti, nuk kanë shkuar kurrë më tepër. Jo rrallë ata këtë fryrje e kanë kryer të vetdoktrinuar nga një lloj patriotizmi primitiv, prej një nacionalizmi frymëvjetër. Nuk kanë shkuar më tej jo vetëm për këtë arsye, por të paktën edhe për dy të tjera. Më së pari se nuk gjejnë mes shqiptarëve mbështetës të ekzaltuar, për pasojë u mungon turma, ajo që sipas rregullave të ushtrimit të profesionit të tyre, mund ta manipulojnë. Përsa kohë Shqipëria ka qënë shtet i pavaruar dhe është krijuar mundësia e kultura qytetare për ushtrimin e lirë të politikës si edhe bashkë me këtë edhe formimi i një klase të saj, kjo turmë për të bërë më të mirin komb mes fqinjëve, ka munguar përherë. E dyta, sepse sado politikanët tanë të kenë veset e zanatit të grumbullimit të sa më shumë mbështetësve, ata vetë janë si vegjëlia e tyre: tolerantë ndaj popujve të tjerë.
Që ne shqiptarët jemi tolerantë ndaj popujve të tjerë kjo dëshmohet edhe prej faktit se nuk përpunuam asnjë teori për zgjerim të hapësirës teritoriale në brendësi të trojeve, ku ishin fqinjët. Në historinë tonë ka një hero-model, shembëll, Gjergj Kastriot Skënderbeun. Ai është simbol i mbrojtjes, jo i ekspansionit dhe i sulmit mbi trojet të huaja.
Toleranca jonë ndaj popujve të tjerë, në thelb ofertë e përhershme miqësie, nuk vjen prej pafuqisë numerike. Në gadishull jemi ndër tre më të mëdhenjtë kombe përbërës të tij, bashkë me serbët dhe grekët.
Nuk jemi racistë (ose nuk bëhemi dot racistë), sepse nuk na lë historia jonë, tradita, identiteti tashmë i ngulitur përfundimisht.
Nuk hyn në këtë kulturë të përgjithshme tolerance ndaj popujve, etnive apo kombeve të tjerë, niveli i saj brenda vetes, pra ndaj njëri-tjetrit. Këtu ne kemi disa treguesë që në pamje të parë nuk janë fort optimistë, por kjo nuk është tema e këtij shkrimi. Sigurisht nuk mund të quhet shfaqje e mirëfilltë e racizmit përleshja gjer në përdorim mjetesh e fjalori ekstrem midis krahëve të ndryshëm të politikës. Shkurt: jemi më tolerantë ndaj të huajve se mes nesh.
Në këtë kuptim, kur prej bashkëkombasit të njohur për guximin e tij u shkrua se me hebrenjtë jemi sjellë më mirë se me të persekutuarit nga regjimi komunist, e drejta ishte me të.
ooo
Ndryshe qendron puna po të ndjekim arsyetimin se duke mos qënë aspak racistë ndaj grekëve apo serbëve, vllehëve apo romëve, gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk u paskemi bërë asnjë lloj mbrojtjeje çifutëve. Sipas kësaj teorie ne nuk kemi asnjë meritë për mosushtrimin në Shqipëri të ndonjë progromi ndaj hebrenjve, sepse ishin vetë nazistët gjermanë që nuk urdhëruan arrestimet e tyre masive dhe dërgimin nëpër kampet e përqëndrimit.
Përveç pranisë së ndonjë dokumenti ku dëshmohet se ministra kolaboracionistë shqiptarë në qeveritë e pushtimit kanë shmangur mundësinë e ndonjë akt genocidi ndaj çifutëve, vetë fakti që ata nuk bënë të kundërtën, pra t’i denonconin tek autoritetet e larta gjermane, provon se ka vepruar ndërgjegjshëm një akt mbrojtjeje. E njëjtja sjellje u dëshmua edhe mes popullit të thjeshtë. Ky u krijoi familjeve çifute, në çdo qytet ku jetonin apo u transferuan, një mjedis të ngrohtë dhe dashamirës. Në regjimin e një pushtimi të egër dhe të një diktature ky ishte maksimumi që mund të bëhej, ishte mbrojtja më e madhe. Në Gjermani shumicën e hebrenjve e denoncuan vetë qytetarë gjermanë, një pjesë sepse ishin të doktrinuar nga ideologjia naziste dhe jo pak, sepse po t’i merrnin nën mbrojtje e paguanin me jetë. Patjetër është madhështi ajo që disa vite më parë në një artikull shkruante e prekur Hilari Klinton. Zonja e shumënjohur tregonte se kur gjenerali Vishi, kreu i regjimit pronazist francez, i kërkoi mbretit të Marokut që të dorëzonte hebrenjtë, ky iu përgjegj “Këtu nuk ka as çifutë dhe as arabë. Ka vetëm marokenë”. Kur shqiptoi këtë frazë dinjitoze gjithsesi Maroku nuk ishte pushtuar nga nazistët dhe thjesht ishte një gjysëmkoloni e Francës. Të jesh një vend i vogël, në një pushtim të dytë fashist, i angazhuar në një luftë çlirimtare dhe për pasojë i ekspozuar nga hakmarrja dhe t’u bëhesh strehë e ngrohtë dashurie hebrenjve, është po aq madhështore sa edhe deklarata e mbretit të Marokut.
Për të bërë imazhin e keq do të mjaftonte mes nesh qoftë edhe një antisemit të bënte potere në administratën naziste apo, tek shkembeheshin në rrugë a në ndonjë dyqan, t’i fyente hebrenjtë. Antisemitë këtë kohë kishte jo vetëm mes falangave fashiste italiane, spanjolle a bullgare. Kurse në Shqipëri antisemitë nuk ka patur dhe nuk ka. Lexuesit do t’i kujtohet se si pak vite më parë në një të përdishme të Tiranës bëri zhurrmë një shkrim për një denoncim të një familjeje çifute në Durrës. Kuriozitetin e përgjithshëm e ngacmoi edhe fakti që denoncuesi konsiderohej nga gazeta si komunist. Përfundimi i të gjithë këtij hetimi gazetaresk ishte: jo vetëm nuk konfirmohej që denoncuesi ishte komunist, por në administratën shqiptare të kohës familja hebreje u muarr nën mbrojtje dhe tentativa për kallzim u mbyll menjëherë.
Jo vetëm respekti dhe dashuria për çifutët, por edhe mosurrejtja ndaj tyre janë dëshmi se u kemi dalë në krahë në kohët më të vështira për ta. Këtë gjë më parë se ta kuptojmë ne, njerëzit e thjeshtë dhe ta përdorë gjer në tepri e teatralitet një pjesë e politikës, e kanë kuptuar vetë hebrenjtë. Jo vetëm në shtetin e tyre dhe në simbolet e tij që përkujtojnë Holokaustin, por gjithkund ku ndodhet populli çifut përjetohet si një bindje e thellë ky rol dashamirës i shqiptarëve. Këtë kontribut, të cilën po e quajmë modest dhe aspak më të mirë nga të popujve të tjerë, ndërsa shteti izraelit e ka gdhendur e shkruar kudo ku ka institucionet e tij të kujtesës kombëtare, çdo çifut i thjeshtë këtë e ka të ngulitur në zemër. Të gjithëve mund t’u kujtohet se gjatë luftës së Kosovës, mes vullnetarëve që erdhën në Shqipëri nga e gjithë bota për të ndihmuar refugjatët bashkëkombas, kishte edhe mjekë çifutë. Kujdesi që ata treguan për kurimin e të plagosurve, mes tyre edhe të një vajze të vogël, të cilën e kishte depërtuar plumbi i një arme serbe në shpatullën e majtë, nga pamjet televizive që u përhapën kudo preku gjithë botën. Është mirë të kujtojmë e rikujtojmë me nderim të gjithë ata gazetarë të huaj, të cilët në mediat e tyre të mëdha mbrojtën këtë kohë çështjen e lirisë së Kosovës, sepse jo pak prej tyre ishin hebrenj. Për ndonjë nga ata bashkëkombas të mirë që akoma lëkunden në bindjen se shqiptarët gjatë pushtimit fashist gjerman nuk kanë qënë në krah të familjeve çifute, i nxisim të interesohen pranë të njohurve të tyre emigrantë, të cilët kanë krijuar familje nëpërmjet martesave me hebrenj. Atje do të mësojnë se çfarë konsiderate kanë për ne.
Shteti dhe populli izraelit nuk e krijoi këtë bindje të fortë për qejfin tonë, sepse pa në televizion ndonjë nga spektaklet politike të bëra në Tiranë. As i kanë parë ndonjëherë, thjesht edhe sepse nuk është e mundur. Ata janë bindur nga përvoja e tyre.
Ambasadori shqiptar në Kombet e Bashkuara për tetë vite rresht, Agim Nesho, në librin tij “Në mirëbesim” shkruan për një udhëtim të tij pune nga Orizona në Los Angelos. Me këtë rast ai dëshmon se rrugës për në Palm Spring, një nga vendet më të bukura të Kalifornisë, u takua me një jurist hebre, i cili kishte shkruar një libër ku fliste për ndihmën që shqiptarët u kishin dhënë çifutëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ato kohë ai po organizonte një mbledhje fondesh për të bërë një film për këtë kontribut. Ëndërra e juristit të mirë çifut ishte të mblidhte 10 milionë dollarë, sepse dëshironte që filmin dëshmues për dashamirësinë e shqiptarëve ta prodhonte Hollywoody.
ooo
Nuk kanë mundur ta dinë shumë, por në Shqipëri ka qënë edhe një intelektual, i cili ka shkruar e botuar librin “Raca shqiptare”. Është publikuar për herë të parë në Tiranë në janar 1944 dhe është titulluar paralelisht “Studime antropologjike mbi shqiptarët”. Ribotimi i tij u bë vetëm pas më shumë se një gjysëm shekulli, kur kishim hyrë në vitet dymijë.
Autori i këtij libri të veçantë quhet Jakov Milaj. Kur vepra e tij rigjeti kontaktin me lexuesit ai nuk ishte më. Pati ndërruar jetë në ditët e para të janarit 1997.
Ata dy-tre që me rastin e ribotimit e bënë të ditur para publikut subjektin e librit ishin mjaft entuziastë dhe të ngarkuar me këtë pathos e informuam opinionin edhe me disa konsiderata. Studimin e quajtën elitar, librin lapidar, autorin pionier të studimit të racës së shqiptarëve. Ata cituan nga kjo vepër sidomos fragmentin “E kaluara dhe e ardhmja e një kombi ndjekin një rrugë të caktuar, drejtimin e së cilës, më tepër se fati, e japin fuqitë biologjike. Prandaj, po të kërkojmë thellë-thellë shkaqet e lulëzimit ose të tëposhtës së një populli, do të hasim, në çdo rasje, në faktorë biologjikë. Thesari më i çmuar i një shteti nuk përbëhet prej pasurisë së tokës e së nëntokës së tij dhe prej mundësive të zhvillimit ekonomik, por prej njerëzve që ai shtet mban në gji, prej shpirtit që u jep gjallëri këtyre njerëzve, prej gjakut që qarkullon nëpër venat e tyre. Raca, si pas mendimit të të gjithë biologëve, përcakton prirjet shpirtërore të një populli, kanalizon dëshirat e mendimet, rregullon, pa e kuptuar, jetën e individëve, qoftë në pjesën vetiake, qoftë në marrëdhëniet me shoqi-shojnë”.
Rasti i ribotimit të vonuar të librit “Raca e shqiptarëve” bëri që dy-tre gazeta të botonin edhe fragmente prej tij. Nga ata pak bashkëkombas që e paraqitën në shtyp librin, faji i heshtjes që nga viti 1944 iu vu regjimit komunist. Jakov Milaj menjëherë pas çlirimit, në 1945, ishte arrestuar dhe dënuar me 15 vjet burg, prej të cilave bëri 6 vite i kaloi në qeli dhe 4 vite të tjerë i internuar. Pas burgut kishte bërë punë të ndryshme si veteriner, i shmangur nga institucionet e kualifikuara shkencore. Në profesionin e vet Jakov Milaj ishte diplomuar me vlerësim të shkëlqyer në Torino. Gjatë viteve tridhjetë, mik i Migjenit dhe i Branko Merxhanit, pati zhvilluar po ashtu veprimtari publicistike. Duke qënë nga natyra erudit, i pasionuar pas historisë, etnografisë dhe antropologjisë, ai u angazhua edhe në politikë. Në vitin 1935 mori pjesë në Kryengritjen e Fierit, si pasojë e të cilës u dënua me burgim të përjetshëm, kurse nga 12 shkurti deri me 12 prill 1943, për vetëm dy muaj, mori pjesë në kabinetin e Maliq Bushatit, prej ku dha dorëheqjen.
Në studimin e tij Jakov Milaj shkruan se shqiptarët vijnë nga raca ilirike ose dinarike dhe është një “nga racat më të larta, më të gjalla e me shpirt të pajosur, me cilësi të zgjedhura”. Po ashtu ai ngul kembë se “ndihet nevoja për një politikë shoqërore, që të synojë fuqizimin fizik të racës shqiptare”. Ndërkohë në librin e tij Milaj bën të qartë se “Ky studim nuk është bërë për t’u marrë me racizëm në kuptimin politiko-filozofik, që i japin këtij skaji popujt e tjerë të botës”.
Kjo thënie e autorit është e sinqertë, sepse në të vërtetë në brendësi të librit të tij nuk ekziston asnjë platformë për një racë të posaçme superiore shqiptare, e cila kishte të drejtën të sundonte mbi të tjerat. Sigurisht Jakov Milaj është viktimë e teorisë së racës, aq e kultivuar politikisht atë kohë nga nazizmi, sepse nuk ekziston as racë e shqiptarëve, as e gjermanëve, as e anglezëve apo e grekëve dhe e serbëve. Këta janë popuj, etni. Dihet që shkencërisht njeriu ndahet në vetëm tre raca: europeide, mongoloide dhe negroide. Por edhe këto formulime të kritikuara shumë herë nuk e bëjnë aspak dallimin për shkak të ndryshimeve në forcën mendore apo fizike, por thjesht në ngjyrën e lëkurës, të flokëve, formën e syve. Raca popujsh më të gjalla, më të larta e me cilësi të zgjedhura, siç bashkëkombasi Jakov Milaj përcakton shqiptarët, nuk ka.
Kur libri u botua në fillim të vitit 1944 askush nga shqiptarët, mbështetur mbi idetë e Milajt, nuk përpunoi ndonjë filozofi apo formatoi ndonjë grup politik. Nuk u ngrit as edhe ndonjë qendër studimesh e nuk u çel ndonjë shkollë. Në të vërtetë kjo ishte përgjigja që i dhanë përpjekjes së sinqertë dhe sipas mënyrës së tij edhe patriotike, por që ishte një tentativë e butë për racizëm. Për një gjysëm shekulli më pas ja lamë përgjegjësinë e heshtjes regjimit komunist, edhe pse si sistem totalitar që ishte, mbase kujtohej të kishte interes për pikëpamjen e studjuesit Jakov Milaj se “ndihet nevoja për një politikë shoqërore, që të synojë fuqizimin fizik të racës shqiptare”. Kur në majat e regjimit projektonin dhe vinin në jetë krijimin e të quajturit “njeriu i ri”, nuk bënin gjë tjetër veç në një mënyrë ideologjike zbatonin këtë ide fuqizimi biologjik të racës.
Në Shqipëri ra realkomunizmi dhe kaloi një dekadë me sistem të hapur. Po të kishte në shoqërinë tonë virusin e racizmit libri “Raca e shqiptarëve” do të botohej e ribotohej pa mbarim. Porse vijoi heshtja. Heshtja vazhdoi edhe pas ribotimit të tij në fillim të vitit dymijë.
Dhe do të vazhdojë.
Shqiptarët dhe racizmi qëndrojnë shumë larg njeri-tjetrit. Është vendi që ka lindur Nënë Terezën.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|