|
 Foto: Shaban Polovina i patundur nga vitet | 11 maj. Babai ynë, Shaban Polovina, mbushi 85 vite
Festën e bëmë në Berat, në shtëpinë tonë, atje ku tani jeton babai ynë. Ishte i qetë dhe pa iu trembur syri se aq ceremonial për tetëdhjetë e pesë vite jetë mund të zgjonte xhelozinë e mënxyrës së ikjes prej saj. Bani, siç prej fëminisë u mësuam ta thërritnim, nuk përsërit kot sa herë që takohemi: Jeta do kurajë. Të gjitha shpenzimet ja përballuan katër familjet tona, të vëllezërve. Pagoi vetëm tortën, pasi ngulëm kembë me shaka ne. E dimë që paratë e kursyera i ka hequr mënjanë për njëqind vitet e ardhshme të jetës së tij të nderdhme e të guximshme.
E telefonuan motrat Memi dhe Rina, të gjithë nipërit e të tëra mbesat që ka në Greqi e Itali, farefisi. Para se të çelej dreka mbajti edhe një fjalë të shkurtër. Në dy minuta, duke u ngritur në kembë pa bastun, përshkroi të gjithë jetën e tij që nga lindja. Lakonik e shprehës në mënyrë të mahnitshme.
Festës i bëra 130 foto. Gramozi, që kishte ardhur nga Athina posaçërisht, i mori me vete, pa harruar dhe njëzetë të tjera që pata bërë me pamje nga Berati. Po ashtu edhe Ndriçimi, që jeton e punon si unë në Tiranë, i hodhi në kompjuter.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|