Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

ĒFARĖ FSHIHET PAS MUNGESĖS SĖ FOTOS PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912?
AMERIKĖ, PSE TĖ DUAN KAQ SHUMĖ SHQIPTARĖT
FLAMURI QĖ U NGRIT NĖ VLORĖ DHE KASTRIOTI I PESTĖ, ALEANDRO
22 NĖNTOR 1944, QYTETI I TIVARIT: ARRATISJA E BALLIT KOMBĖTAR NĖPĖR NJĖ DET TĖ MINUAR
PASARDHĖSIT NĖ ITALI TĖ SKĖNDERBEUT NĖ KRYE TĖ MBROJTJES SĖ PAVARĖSISĖ SĖ PORSASHPALLUR
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Skënderbeu, i shëmtuar dhe i shkurtër?

Jo aspak, ai ishte një burrë i pashëm dhe i gjatë

Alda Bardhyli
Gazeta “Shqip”, 26 qershor 2008

“Skënderbeu është figura më imediate e sotme më e nevojshme për Shqipërinë. Është figura me të cilën shqiptarët duhet ta kenë flamurin kryesor për të hyrë në Europë. Është figura që tregon se si shqiptarët janë ndier europianë nëpër shekuj, sepse edhe kur u pushtuan dhe kur mbetën në një kohë gjysmë anadollakë, prapëseprapë ata nuk e braktisën këtë figurë asnjëherë. Pra nuk e braktisën asnjëherë aspiratën evropiane, dëshirën për të qenë në Evropë dhe ky duhet të jetë një argument i yni përballë të gjithë atyre rretheve jo dashamirëse disa herë, që kanë qejf ta shikojnë Shqipërinë si një vend joevropian. Por ne duhet të kemi argumentet tona. Gjergj Kastrioti është argumenti i parë, flamuri i parë që plotësisht e hedh poshtë çdo etiketim kundëreuropian të shqiptarëve. Do ta kishin zili shumë popuj në Ballkan këtë figurë. Ne e kemi, nuk dimë ta çmojmë”. Kjo është një thënie e shkëputur nga një intervistë e shkrimtarit tonë të njohur Ismail Kadare dhënë në janar të vitit 2005 për “Deutsche Welle”. Tre vjet më pas, Skënderbeu vijon të mbetet si imazhi më i sigurt i shqiptarëve kudo në botë, si një kartë nëpërmjet të cilit ne tregojmë identitetin tonë.

Këto vite janë shkruar dhjetëra libra mbi këtë figurë. Studiuesit rreken të shpjegojnë vlerat e tij jo vetëm si strateg, por dhe si një personalitet i rëndësishëm i historisë.

Por Ylli Polovina, diplomat dhe publicist, sjell në një libër një rrëfim krejtësisht ndryshe për këtë figurë. Libri “Gjysma e harruar e Skënderbeut” është promovuar dje mes njerëzve të letrave në ambientet e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës Arbnori. Për Polovinën “libri është pjesa e parë e një triptiku, përmes të cilit kërkon të zbulojë këtë figurë të madhe, pasi deri tani në Shqipëri njohim vetëm një pjesë të dimensionit historik të Gjergj Kastriotit”.

Si publicist ai nuk e quan librin një krijim historiografik. “Detyra ime është që, duke studiuar të tjerët, mes tyre dhe historianët, duke i respektuar e cituar kontributet e tyre, të hulumtoj e gjej edhe vetë fakte të reja, por në fund të fundit gjykoj se kam vetëm të drejtën morale të interpretimit të ngjarjeve historike dhe të protagonistëve të tyre. Duke pasur objektiv të parë pasqyrimin e zhvillimeve të ditës përparësi, sidomos ato të ndodhura pas vitit 1990, me këtë libër për herë të parë shkoj thellë në histori”, thotë Polovina.

Gjithë udhëtimi i tij për të njohur më thellë Skënderbeun ndodhi në vitin 1998, atëherë kur Polovina u vendos si diplomat në Romë. Ishin ditë të ftohta janari, kur, ndërsa endej për të shijuar Romën, ai do të ndeshej me statujën e madhe dhe imponuese të Skënderbeut m‘u në mes të kryeqytetit italian në sheshin “Albania”. Po atë ditë ai do të njihej me dikë që iu prezantua si pasardhës i familjes së Gjergj Kastriotit, që siç dihet pas vdekjes së tij (Donika dhe i biri Gjoni) u vendosën në Napoli dhe Pulia. Gjatë gjithë kohës së asaj veprimtarie përkujtimore pretenduesi si trashëgues i ligjshëm i Skënderbeut heshti dhe në mbyllje të saj, kur Polovina i kërkoi ta takonte, ai iku me ngut.

Këtu do të niste hetimi i diplomatit shqiptar për të rrëmuar më shumë për ata, që edhe pse mund të ishin me origjinë shqiptare, nuk ishte aspak pasardhës së Heroit tonë Kombëtar.

Polovina tregon se në Itali ishin të shumtë njerëzit që kërkonin të hiqeshin si pasardhës së heroit. “Në Itali dhe jo vetëm aty, të sajuarit si pasardhës të Skënderbeut qenë aq turmë e madhe sa nuk të linin të dalloje e të gjeje të vërtetët. Por edhe kur këta të fundit ,falë kërkimeve edhe të miqve të mi, si botuesi roman Costanco D‘Agostino dhe më pas edhe profesor Giancarlo Vallone, pedagog në Universitetin e Salentos u gjetën, sërish të pavërtetët trashëgimtarë dhe sponsorët e tyre të gjithfarshëm, nuk i lënë të shihen. Një dinakëri e tillë mori jetë edhe dy javë më parë, ndërsa ishte bërë e plotë përgatitja që të dy përfaqësuesit realë, doktori në nivel shkencëtari Alessandro Castriopta Scanderbeg, dhe Giorgio Maria Castriot Scanderbe, drejtues i një filiali banke, u bënë gati shpirtërisht të gjendeshin këtu”, thotë Polovina.

Për të, ky libër është një zbulim i shumë detajeve që ai i ka gjetur gjatë hulumtimit për figurën e Skënderbeut. Në pjesën e parë të botuar ai tregon se në Shqipëri dhe kudo ku ka bashkëkombës njohim vetëm një pjesë të dimensionit historik të Skënderbeut. “Përmasën e tij reale ne jo vetëm nuk e kemi zmadhuar, siç dëgjon rëndom dhe tashmë për disa është bërë modë për t‘u shfaqur si interesant, por nën ndikimin e shumë faktorëve kemi bërë dramatikisht të kundërtën: mbajtjen në përmasa të zvogëluara”, thotë Polovina. Sipas tij, gjysma e harruar e Skënderbeut është profili dhe rëndësia e tij shumë e madhe europiane. “Para se të jetë një hero lokal, pra hero i shqiptarëve, Gjegj Kastrioti është një hero i kontinentit tonë. Madje ai është hero më i madh europian se kombëtar”, thotë Polovina.

Gjysma e harruar e Skënderbeut sipas tij janë edhe dy degët e ligjshme e natyrore të pemës gjenealogjike të tij, të cilat jetojnë në Napoli dhe Leçe. Por dëshmitë e reja të kësaj gjysme të harruar Polovina do t‘i japë në dy vëllimet e tjera që po i përgatit për lexuesin.

Ndryshe nga rrëfimet e tjera që janë bërë për Heroin Kombëtar, Polovina thotë se për Skënderbeun nuk dihen shumë gjëra. Ndoshta këto vite jemi mësuar me imazhin pozitiv të tij dhe nuk kemi pasur kureshtjen për të mësuar më shumë rreth tij. Polovina kritikon disi kohët moderne për mënyrën se si disa studiues e kanë përshkruar këtë figurë. “Në librin tim ngul këmbë se tashmë po bëhet një zakon i keq që kohëve moderne disa rishkrues bashkëkombës t‘u përgjigjen duke e përshkruar Skënderbeun si një njeri që me luftën e tij të rezistencës e përgjaku ekstremisht e në mënyrë të panevojshme popullin e vet. Në libër denoncoj ata që kanë shkuar edhe më tej: e kanë shpallur Skënderbeun renegat, njeri që bashkëpunoi me fqinjët shovinistë, kundër vetë interesave kombëtare. Nuk përbën histori dhe as art ta interpretosh Skënderbeun me shkujdesje deri edhe si hileqar province apo të ngulësh këmbë se ishte i shëmtuar dhe i shkurtër. Nga rishkruesit modernistë nuk mund të kuturiset gjer kaq, të paktën për një minimum respekti ndaj së vërtetës, por edhe ndaj historiografisë shqiptare dhe asaj të huaj”, thotë Polovina.

Por pavarësisht përpjekjeve negative që në çdo kohë nuk mungojnë për të futur errësirë në figura që i kanë dhënë aq shumë kombit, të gjithë e dinë se Skënderbeu ishte një burrë i pashëm dhe shtatlartë.

Ky hulumtim i Polovinës është një udhëtim për të zbuluar të vërtetat që rrethojnë jetën e një prej personazheve më të rëndësishëm të historisë sonë.

Një udhëtim i bërë me dashuri nga një njeri që gjithnjë ka qenë i pasionuar ndaj njerëzve që kanë dhënë një model dhe kanë bërë histori me jetën e tyre.


Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com