Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Skënderbeu dhe ne

Shpëtim Çuçka

Botuar në gazetën “Republika” më 1 korrik 2008

1
Vetë titulli i librit “Gjysma e harruar e Skënderbeut” e Y. Polovinës na shtyn të mendojmë që së paku gjysmën e vlerës së kësaj figure të historisë sonë ne edhe mund ta kemi harruar.
Edhe sikur ky të mos jetë një fakt, prapë, nëse udhëhiqemi nga arsyeja dhe ndjenja, nuk mund të mos shtrojmë një varg pyetjesh: Sa kemi harruar ne nga rëndësia historike e figurës së Skënderbeut dhe përse? A i ka takuar ky fat i të harruarit nga ne pasardhësit vetëm Skënderbeut apo kjo ka ndodhur edhe me figura të tjera? Nëse po, përse tek ne është kaq e paqëndrueshme dhe kaq e cekët kujtesa historike? Ç’do të thotë kjo dhe ç’e ardhme na pret?
Nuk marr përsipër të them se sa e madhe është harresa e vlerave historike dhe aktuale të Skënderbeut në kujtesën tonë kombëtare. Unë nuk do ta shikoja madje fare në mënyrë sasiore vlerën e harresës dhe do të kisha përqendruar vëmendjen te shqyrtimi i çështjes se çfarë pikërisht kemi harruar ne nga kjo figurë.
Mundet që ne të kemi ruajtur shumëçka prej tij dhe ajo që kemi harruar të jetë numerikisht fare pak, e megjithatë kjo të mos jetë aspak një arsye për të qenë zemërqetë. Në të vërtetë ajo që mund të kemi harruar nga Skënderbeu mund të përbëjë thelbin e kësaj figure dhe kjo mjafton për të thënë se kjo është një humbje me përmasa të pallogaritshme.
Mundet që veç Skënderbeut ne të kemi harruar edhe jo shumë figura të tjera të rëndësishme të historisë sonë e prapë kjo të mos jetë një arsye për të qenë të pashqetësuar. Kemi lënë në heshtje, e kjo është njëlloj si të kemi harruar, Naim Frashërin, Migjenin, Qemal Stafën. Mjafton edhe vetëm heshtje-harresa rreth këtyre treve për të treguar se cilët jemi ne sot, cila është ndërgjegja jonë e sotme kombëtare e shoqërore dhe cilën udhë kemi marrë.


2
Ne këtu po flasim vetëm për harresë, në daçim edhe thjesht për heshtje, rreth disa figurave të historisë sonë, ndër to edhe rreth Skënderbeut. Kjo nuk është plotësisht e saktë. Njihen raste, dhe në librin e Y.Polovinës shohim të përmenden të tillë, kur heshtja ndaj Skënderbeut “është thyer” dhe për të është folur në një mënyrë, le ta quajmë kështu, ikonoklastike, domethënë “ikonëthyese”.
Kjo sigurisht është diçka krejt ndryshe nga heshtje-harresa. Ajo është një prirje e disa shtresave të caktuara në shoqërinë tonë këta njëzet vitet e fundit për të rishikuar historinë e vendit, madje jo vetëm në periudhën e Skënderbeut por në të gjithë shtrirjen e saj me synim rishkrimin e saj.
Këtu nuk ka asgjë për t’u çuditur e për t’u skandalizuar në parim. Çdo kohë si rregull duhet të ketë pikëpamjet e veta jo vetëm për të ardhmen, por edhe e natyrisht për të kaluarën.
Madje, po të duam të jemi të sinqertë me veten, të rishikuarit e të rishkruarit e historisë, për më tepër të të tjerëve, ka qenë në të kaluarën dhe sot ca më shumë është bërë një dukuri mjaft e përhapur në atë që quhet botë e qytetëruar. Pikërisht vendet e Evropës Perëndimore janë përpjekur gjithnjë, sidomos në shekullin e kaluar, dhe vazhdojnë të përpiqen pa ndalur edhe në këtë fillim shekulli, për të shembur kufijtë politikë, ekonomikë, kulturorë, psikologjikë, gjuhësorë e fetarë të një vargu shtetesh, kombesh e qytetërimesh. Ndërkaq zërat e atyre që e shohin me shqetësim këtë dukuri të gjerë e të thellë përmbysëse (ose, thënë ndryshe, revolucionare) nuk ndihen fort, gjë që mund të ketë dy shpjegime: ose ata janë të paktë, ose atyre nuk u jepet hapësirë në mjetet e informimit.
Në pjesën perëndimore të Evropës nuk e kanë për gjë të karikaturizojnë me cinizëm simbolet fetare të 1/5 së popullsisë së botës, ndërkohë që deri pak kohë më parë liria e ndërgjegjes (në fakt e parë vetëm si liri për të besuar në zot, por jo edhe si liri për të mos besuar) shpallej me të madhe si një nga liritë kryesore të njeriut. Përse do të duhej të çuditeshim që ndër ne dikush a disa duan të thonë mendimin e tyre për Skënderbeun e për cilindo tjetër? A nuk synuam tek e fundit edhe ne lirinë e pakufishme të fjalës, të mendimit e të ndërgjegjes?


3
Analiza e lënies në heshtje dhe goditjes së vlerës historike të figurës së Skënderbeut nuk mund të mos marrë parasysh edhe një faktor tjetër, pa të cilin këto dy prirje nuk mund të kuptohen.
E kam fjalën për atë që sot e quajmë ekonomi e tregut, ndërsa dikur është quajtur kapitalizëm. Tanimë është gjë e ditur që kjo lloj ekonomie, ky lloj sistemi ekonomik, ka luajtur një rol të paparë demistifikues në historinë e botës duke shkatërruar çdo gjë të konsoliduar në shekuj e duke lënë vend vetëm për një kult, atë të parasë, e vetëm për një synim, atë të fitimit. Moxarti dhe Bethoveni nga pikëpamja e ekonomisë së tregut nuk vlejnë kurrgjë përpara yjeve të muzikës moderne dhe rinia luan mendsh për këta të fundit e jo për ta. “Harri Poteri” nga pikëpamja e ekonomisë së tregut i thyen të gjitha kryeveprat e letërsisë botërore të të gjitha kohëve të marra së bashku. Ramboja apo terminatorët e ndryshëm janë ku e ku më popullorë se Aleksandri i Maqedonisë apo qoftë dhe Napoleoni, ndonëse këta të dytët janë figura historike, reale, ndërsa të parët janë thjesht fantazi.
Si mund të çuditemi që Skënderbeu të lihet në heshtje në kushtet e ekonomisë së tregut, domethënë të fitimit? Si mund të konkurrojë kjo figurë gjashtëqindvjeçare me këngëtarët, sportistët, gazetarët, yjet e kinematografisë, topmodelet, politikanët e biznesmenët? Masa e fitimit nga Skënderbeu, dhe këtë e gjejmë edhe te libri i Polovinës, nuk mund të jetë veçse e papërfillshme. Si mund të pritet atëherë peshë morale nga një figurë jo fitimprurëse?
Dhe le të kujtojmë se si deri para pak vitesh te këmbët e përmendores së Skënderbeut në qendër të kryeqytetit njerëzia luanin bixhozin e tri kartave e merreshin me shitblerje çikërrimash.
Prapë nuk është për t’u habitur. Njëri ndër sheshet kryesore të Bonit, pikërisht ai ku ngrihet përmendorja e Bethovenit, kundërmonte deri para pak vitesh (dhe nuk më besohet që kjo të ketë ndryshuar) nga tymi i salsiçeve dhe avujt e alkoolit të birrës. Nuk mësova që në atë shesh e përpara asaj përmendoreje të luhej ndonjëherë ndonjë koncert publik me muzikë të kompozitorit gjenial, siç do të ishte më e arsyeshme veç jo nga pikëpamja e ekonomisë së fitimit.
Në kohën e tij Migjeni u thoshte lexuesve se kishte ardhur koha që njeriu duhej të pyeste veten se çfarë duhej të synonte të bëhej: Sokrat i përvujtur apo derr i kënaqur. Besoj se sot askush nuk ka më dyshime për faktin që triumfi i suksesit i ka buzëqeshur “derrit të kënaqur”. Natyrisht me një vërejtje të vogël: që sot është e vështirë të bëhesh qoftë Sokrat i përvujtur, për shkak të gjendjes së arsimit, qoftë “derr i kënaqur” për shkak të shtrenjtësisë së jetesës.


4
Në 250 e ca faqet e librit të tij Ylli Polovina është përpjekur të përvijojë disa prerje të figurës së Skënderbeut: diakronike dhe bashkëkohore, politike dhe ushtarake, reale dhe artistike, kombëtare dhe ndërkombëtare.
Kjo patjetër na përforcon bindjen për atë që figura e Skënderbeut mbetet shumë komplekse jo vetëm nga përmasat e saj reale, por edhe nga shtresëzimet disashekullore, që janë mbivendosur mbi të nga shumëkush, me dhe pa seriozitet, me dhe pa objektivitet, me dhe pa dashuri për të, shtresëzime që nuk mund të thuash se në fund të fundit e kanë bërë figurën historike më të qartë, më të kuptueshme. Siç ka ndodhur jo rrallë në histori, veçanërisht me figura të rëndësishme, e pavërteta, edhe kur nuk ka qenë tërësore, ka ndikuar për errësimin e tyre shumë më fuqishëm nga ç’ka ndikuar e vërteta për ndriçimin.
Mendoj se edhe Skënderbeu nuk i ka shpëtuar këtij fati.
Siç shihet që në titull, Ylli Polovina në këtë vepër, e cila do të jetë, siç thotë në libër autori, e para e një triptiku rreth Skënderbeut, ngre shqetësimin e harrimit nga ana jonë, e shqiptarëve, e njërës gjysmë të kësaj figure historike. Madje në ndonjë vend ai thotë se kjo pjesë e tij e harruar përbën më tepër se gjysmën, përbën pjesën më të madhe e më të rëndësishme. I gjithë libri, me pasqyrimin e hollësishëm të jehonës historike ndërkombëtare të Skënderbeut, ka synuar të tregojë se kjo gjysmë e harruar, madje gjysma më e rëndësishme, e vetmja me vlerë aktuale, është aksioni proevropian i Skënderbeut, mbrojtja që ai i ka bërë Evropës nga rreziku që i vinte qytetërimit evropian prej zgjerimit të Perandorisë Osmane.
Dhe kjo harresë është aq më e rëndë, sipas autorit të librit, sot, kur Shqipëria priret me të gjitha energjitë drejt integrimit në Bashkimin Evropian (në NATO, këtë fytyrë tjetër – ushtarake – të Evropës Perëndimore, praktikisht jemi të pranuar).


5
Skënderbeu nuk është figurë, për të cilën mund të flitet në mënyrë shteruese në një kumtesë, artikull, sprovë apo qoftë edhe libër. Skënderbeu nuk është një figurë aq e thjeshtë e historisë sonë, ndonëse do të duhej në thelb të ishte i tillë.
Nuk është figurë e thjeshtë, pasi ajo, duam s’duam, u përket të gjithë brezave të shqiptarëve që kanë jetuar këta gjashtë shekuj nga lindja e tij. Dhe shqiptarët e këtyre gjashtë shekujve në formësimin e tyre të vazhdueshëm historik nuk kanë pasur asnjë figurë tjetër më të përshtatshme e më të çmuar për t’u identifikuar se Skënderbeun. Për asnjë figurë tjetër pëlqimi i shqiptarëve nuk ka qenë e nuk është më i madh, më i padiskutueshëm. Kështu që të thuhet për Skënderbeun diçka që shmanget nga ky pëlqim masiv në shekuj patjetër që është e vështirë.
Nuk është figurë e thjeshtë edhe për vetë veprimtarinë që Skënderbeu ushtroi gjatë jetës së tij parë ajo në lidhje me kushtet e kohës, kur jetoi. Veprimtaria e Skënderbeut është ajo e një burri shteti, i cili duhej të mendonte për të gjitha çështjet e frymëmarrjes së një shteti të sapokrijuar në kushtet e zhvillimit të një lufte reale, konkrete, praktike, me një superfuqi agresive të kohës, luftë që e shoqëroi nga dita e parë e sundimit deri në ditën e fundit të jetës.
Nuk është figurë e thjeshtë edhe për arsye se historia e tij dhe historia e kohës kur jetoi nuk janë ndër periudhat më të qarta as të historisë sonë as të historisë së botës. Dhe në rast se do të mbajmë parasysh se ç’debat i ashpër lidhur me përcaktimin e së vërtetës shoqëron çdo ditë të jetës sonë politike sot dhe çdo fakt sidokudo të rëndësishëm të kësaj dite, paçka se jemi shoqërues të gjallë të asaj që ndodh, atëherë kuptohet se trajtimi i figurës së Skënderbeut patjetër që ngjall probleme jo të papërfillshme.
Së fundi, nuk është figurë e thjeshtë për arsye se rajoni ynë, Ballkani, u intereson, sikundër u ka interesuar në shekuj, shumë faktorëve të rëndësishëm jashtëballkanikë, të cilët kanë luftuar e vazhdojnë të luftojnë, ndër të tjera, që në përputhje me interesat e tyre të ndikojnë në vlerësimet që popujt e këtij rajoni i bëjnë historisë së tyre të veçantë dhe asaj rajonale, në këndvështrimin që këta popuj duhet të zgjedhin, kur ndërtojnë historinë e tyre dhe arsyetojnë rreth saj, në aleancat strategjike që këta popuj duhet të lidhin me faktorët jashtëballkanikë.
E megjithatë figura e Skënderbeut, për mendimin tim, do të duhej të ishte për ne shqiptarët figura më e thjeshtë në të trajtuar e gjithë historisë sonë kombëtare. Pse? Për arsye se ajo, më shumë se cilado tjetër, është një figurë me orientim shumë të qartë, pa asnjë dykuptimësi, figura historike, misioni i së cilës ka pasur më shumë se cilado tjetër një domethënie të qartë, të pangatërrueshme, pothuaj njëkuptimshe.
Skënderbeu mbetet në radhë të parë, mbi të gjitha – dhe, përsa i takon ndërgjegjes së tij si figurë historike, kryekëput – mbrojtës me armë i vendit të vet nga pushtuesi i huaj osman.


6
Ky ishte misioni i tij në vitin 1443, kur erdhi në Shqipëri (kur përdorim këtë term, veprojmë pak a shumë si e gjithë historiografia botërore kur flet për Francën, Gjermaninë, Anglinë, Italinë e vende të tjera evropiane, ndonëse shtetformimi i këtyre vendeve vazhdoi për shumë shekuj): të bashkonte dhe organizonte të gjitha energjitë dhe forcat e shqiptarëve në luftën e armatosur për flakjen e sundimit osman dhe për qëndresë ndaj agresionit të tij të pritshëm.
Këtij misioni iu nënshtruan të gjitha veprimet e tij politike brenda vendit, që me organizimin e Kuvendit të Lezhës të prijësave (princave), shqiptarë e jo vetëm, në mars të vitit 1444, krijimin e ushtrisë së përbashkët, të gardës kombëtare dhe më pas në vijimësi të atributeve të tjera të një pushteti të përqendruar, i cili shtrihej mbi të gjithë hapësirën e qeverisur nga prijës shqiptarë.
Këtij misioni iu nënshtrua edhe veprimtaria e tij diplomatike, si figura qendrore e organizimit të ri politik të shqiptarëve, me princat joshqiptarë të Ballkanit dhe me formacionet e rëndësishme politike të Evropës Perëndimore dhe Qendrore. Madje si akt diplomatik duhet parë edhe kthimi i tij në krishterimin katolik, sikundër do ta kenë interpretuar edhe në Evropën Perëndimore, gjë që shpjegon mbështetjen e vakët që iu dha kryengritjes së Skënderbeut nga Perëndimi dhe të gjitha luhatjet e dyshimet që shoqëruan vazhdimisht marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë dhe Venedikut me Skënderbeun.
Këtij misioni ai i kushtoi të gjithë jetën. Në shtratin e vdekjes dhe tek përgatitej të organizonte një Kuvend të ri të Lezhës ai vazhdonte të ishte, madje pakrahasimisht më shumë se në fillimin e kryengritjes së tij, prijës real dhe moral i të gjithë shqiptarëve (përjashtuar atyre që gjendeshin tanimë nën sundimin e osmanëve dhe të formacioneve politike ballkanike a jashtëballkanike). Pra, kishte arritur të bënte atë që për rreth katër shekuj e gjysmë pas tij nuk qe në gjendje ta bënte asnjë shqiptar tjetër.
Misioni i Skënderbeut, ashtu si mendoj se e ka përcaktuar ai vetë në ndërgjegjen e tij dhe si dëshmohet nëpërmjet veprës së tij, mbyllet këtu.


7
Sigurisht veprimtaria e Skënderbeut në përputhje me ligjet e historisë pati lidhje me zhvillimet në Ballkan e më gjerë dhe ndikoi jo pak në to.
Sigurisht kjo veprimtari ngjalli interesimin e fqinjëve dhe të organizmave politikë evropianë, para së gjithash atyre evropianoperëndimorë e evropianoqendrorë.
Sigurisht vetë Skënderbeu e kuptonte fare mirë se lufta e tij për të flakur sundimin osman, luftë kjo që parakuptonte bashkimin e gjithanshëm të forcave të shqiptarëve, kishte një ndikim jo të vogël e të papërfillshëm për sigurinë e fqinjëve ballkanikë dhe të faktorëve të rëndësishëm politikë evropianë, rrezja e interesave të të cilëve shtrihej mbi gadishullin tonë dhe mbi gjithë pellgun e Mesdheut.
Por Skënderbeu nuk mund të ishte aspak aq mendjelehtë, kur fillonte kryengritjen e tij, sa ta shihte këtë nismë vetëm apo edhe kryesisht në funksion të mbrojtjes së qytetërimit evropian. Nuk ka asnjë provë që të na bindë se Skënderbeu e ndërmori nismën e tij vetëm pas një bashkërendimi mendimesh e planesh me forca të tjera joshqiptare, vetëm e pas një ndarjeje rolesh në një luftë të gjithëmbarshme evropiane kundër invazionit osman.
Në kohën e Skënderbeut, por edhe më pas, aksionet e përbashkëta të evropianëve kundër zgjerimit të Perandorisë Osmane kanë qenë sporadike dhe aspak të vendosura. Kjo ndër të tjera shpjegon edhe faktin që në Ballkan prania e osmanëve zgjati për rreth pesë shekuj. Madje, po të sjellim ndër mend reagimin e Evropës Perëndimore ndaj shkatërrimit që Perandoria Osmane i bëri Perandorisë së krishterë të Bizantit dhe ndaj pushtimit të Konstantinopolit, po të sjellim ndër mend edhe reagimin e saj kur Rusia e krishterë theu keqas Perandorinë Osmane në Ballkan në luftën ruso-turke të viteve 1877-1878, si dhe po të mbajmë parasysh përpjekjet e vendosura e të vazhdueshme të evropianoperëndimorëve për t’ua lënë osmanëve dhe turqve kontrollin e Detit Marmara dhe dy ngushticave të tij, atëherë mund të shihet se politika e vendeve të Evropës Perëndimore ndaj Perandorisë Osmane dhe Turqisë ka qenë një politikë krejtësisht pragmatiste me të gjitha tiparet që mund të ketë një politikë e tillë.
E pamundur të mendohet që Skënderbeu nuk e kuptonte politikën pragmatiste të evropianoperëndimorëve, në radhë të parë të atyre që kishte më afër, dhe të kishte një vlerësim tërësisht pozitiv të kësaj politike. E pamundur që ai të besonte dhe shpresonte në një ndihmë të tyre të plotë e pa rezerva në luftën e tij kundër osmanëve. Mjafton të mendojmë për mënyrën se si reagoi ai ndaj pabesisë së Venedikut në rrëmbimin e pronave të Lekë Zaharisë.
E megjithatë fillimisht ai shtriu dorën e bashkëpunimit drejt Perëndimit. Dhe akti i tij, kur kaloi Adriatikun për të ndihmuar mbretin e Napolit të ruante pushtetin, e dëshmon megjithatë Skënderbeun një njeri të besës, një aleat të vendosur. Gjestet e Perëndimit në këtë dritë janë shumë më të zbehta dhe aspak siguruese. Veç rastit flagrant me trojet e Lekë Zaharisë mjafton të kujtojmë tregtinë që Venediku vazhdonte të kryente me ushtrinë osmane që kishte rrethuar Krujën dhe dyshimet që kanë qarkulluar për organizime atentatesh ndaj jetës së Skënderbeut.


8
Rëndësia ndërkombëtare e veprimtarisë së Skënderbeut nuk mund të kuptohet pa përmendjen e marrëdhënieve të tij me fqinjët ballkanikë.
Sot tingëllon si e pabesueshme të konstatohet që Skënderbeu nuk ka pasur asnjë krisje serioze, jo më konflikt, me fqinjët e Ballkanit. Por faktet flasin pikërisht për këtë. Në Lidhjen e Lezhës u ftua dhe mori pjesë edhe princi i Malit të Zi, ndërsa në ceremoninë e varrimit të Skënderbeut ishin të pranishëm edhe princa sllavë.
Pikërisht kjo anë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Skënderbeut flet më së miri për vendin që ky i njihte vetes në Ballkan dhe kuptimin e tij për rëndësinë e lidhjeve ndërballkanike në tërësi, për rëndësinë e tyre në përballimin e agresionit osman në veçanti.
Nuk është aspak jo logjike të mendohet që pikërisht këto marrëdhënie të Skënderbeut me fqinjët ballkanikë dhe vizioni i tij për to, që shpalosej e kuptohej nga natyra mirëbesuese e këtyre marrëdhënieve, të kenë qenë një tjetër arsye serioze e dyshimeve dhe vakësisë që kishin në Evropën Perëndimore, sidomos në gadishullin e Apenineve, kundrejt Skënderbeut.


9
A mund të lihet sot mënjanë natyra e veprimtarisë së Skënderbeut si figurë historike, me fjalë të tjera lufta e tij e armatosur për mbrojtjen e vendit nga pushtimi osman? A mund të vihet theksi kryesisht, madje tërësisht, tek diçka tjetër, pikërisht te fakti që një luftë e tillë nuk mund të mos kishte ndikim pozitiv për Evropën Perëndimore, pavarësisht se sa kjo e vlerësonte sinqerisht luftën e shqiptarëve dhe pavarësisht se sa kjo e ndihmoi sinqerisht e sipas fuqive të veta këtë luftë? A mund të kalohet kështu qendra e rëndesës e luftës së shqiptarëve me Skënderbeun në krye nga mbrojtja e vendit të tyre në mbrojtjen e Evropës Perëndimore?
Mendoj se ky do të ishte një falsifikim i historisë reale të Skënderbeut dhe luftës së tij. Dhe kjo është arsyeja se përse shqiptarët në masën e tyre kanë ngritur e theksuar pikërisht karkaterin kombëtar e jo ndërkombëtar të kësaj lufte, ndonëse ajo, sikurse është thënë disa herë më lart, nuk ka qenë aspak e zhveshur nga ndikimi dhe pesha, sigurisht modeste, në zhvillimet ndërkombëtare.
Skënderbeu ishte ai prijës i shqiptarëve, i cili më mirë e më shumë se të gjithë prijësit e tjerë të tyre arriti të shprehë aspiratat e tyre themelore: dëshirën për pavarësi dhe për marrëdhënie të mira me fqinjët.
Kjo shpjegon në fund të fundit se përse ai mbetet figura me pëlqim më të madh ndër të gjithë shqiptarët. Kjo shpjegon dhe arsyen se përse rreth figurës së tij megjithatë ka jo pak dyshime, intriga e madje sulme të hapura. Janë këto qëndrimet e të gjithë atyre që brenda e jashtë Ballkanit nuk kanë dashur asnjëherë pavarësinë e popujve të gadishullit tonë, paqen dhe hamoninë mes tyre.
Në këto kushte tingëllon si ahistorizëm të duash ta nxjerrësh Skënderbeun si simbol të prirjes së shqiptarëve për të hyrë në Evropë.
Së pari, sepse Evropa e kohës së Skënderbeut ishte aq e përçarë dhe e ngërthyer në luftra të brendshme. Mjafton të sjellim ndër mend që, kur ai nisi kryengritjen, ende nuk ishte mbyllur e famshmja Luftë njëqindvjeçare midis francezëve dhe anglezëve. Pa folur këtu për problemet e mprehta jo vetëm me karakter teologjik por edhe politik, që ishin shfaqur në gjirin e krishterimit katolik e që pas pak do të shpaloseshin në një çarje të madhe që do të rrokte gjithë Evropën Perëndimore. Kështu që nuk mund të flitet për një Evropë unike, me interesa unike në kohën e Skënderbeut.
Së dyti, sepse të flasësh për Evropë duke përjashtuar haptazi nga ky term pjesë të tëra të kontinentit është më së paku jo korrekte. Termi “Evropë” nuk është pronësi e askujt. Ai që mendon ndryshe bën më së paku një gabim mendjemadhësie. Çdo banor i kontinentit tonë, aq më shumë ata që merren me politikë, duhet të pyesin veten e të shpjegojnë atëherë domethënien e luftës mbarëevropiane që ndodhi në kohën e qeverisjes së Francës nga Napoleoni dhe fushatën e tij ushtarake kundër Rusisë, të luftës mbarëevropiane të viteve 1914-1918, e cila për përmasat që mori u quajt luftë botërore, si dhe të luftës mbarëevropiane që ndodhi në kohën e qeverisjes së fashistëve në Itali dhe nazistëve në Gjermani si dhe fushatën e kryesuar nga nazistët kundër Bashkimit Sovjetik, luftë që për përmasat e saj sërish u quajt botërore. Duam a s’duam ne (dhe pa qenë nevoja të ndalemi në marshimin e Aleksandrit të Maqedonisë në dy kontinente, në historinë e Romës, në egërsinë e luftës fetare brenda Evropës, në kryqëzatat apo në pushtimet që bënë në të gjithë rruzullin fuqitë evropiane dhe në mënyrën se si u sollën evropianët kudo ku shkuan), kjo Evropë u bë tri herë arenë e luftrave me përmasa botërore dhe këto sigurisht nuk janë aspak faqe krenarie e qytetërimi, përkundrazi janë shembuj të një barbarie që e turpërojnë në shekuj çdo evropian, edhe atë më të thjeshtin e më të parpëgjegjshmin për to, jo më politikanët, ushtarakët dhe tërë atë luzmë ideologësh, që i frymëzuan, i përgatitën dhe i vunë në zbatim.
Së treti, sepse të flasësh për qytetërim evropian në një mënyrë kaq emfatike dhe selektive do të thotë të japësh shkak për lindjen e teorive raciste dhe për luftën e qytetërimeve. Këto të fundit nuk janë aspak diçka teorike: ato kanë dalë realisht në Evropë dhe në atë areal që njihet si areal i qytetërimit evropian (le të shtojmë edhe atlantik). Ne evropianët nuk duhet të bëhemi në asnjë mënyrë shkas për lindjen e vijave të reja ndarëse në kontinentin tonë e nëpër botë. Pasojat e një veprimi të tillë jo vetëm do të ishin të mbarsura me rreziqe të paparashikueshme, por edhe të papërligjshme e të pafalshme.
Skënderbeu nuk është figura e përshtatshme për të bërë diskriminime. Ai ishte thjesht mbrojtës i vendit të tij. Dhe këtë gjë e bëri me një vendosmëri, bindje dhe aftësi të tillë, sa e shtyu edhe një francez të tillë aq pak konformist e aq pak megaloman për qytetërimin evropian siç ishte Volteri, të deklaronte se sikur perandorët e Bizantit të kishin qenë si Skënderbeu, Bizanti nuk do të kishte rënë. Kur Volteri thoshte këtë, ai me siguri nuk kishte aspak ndër mend të bekonte veprën e kryqtarëve evropianoperëndimorë, kur shkatërruan Bizantin me një egërsi e barbari edhe më të madhe se ato të treguara nga osmanët.
Thjeshtësinë e tij thelbësore dhe natyrën e veprës së vet, ashtu siç e kuptonte ai vetë, Skënderbeu e shfaqi më së miri me pamjen që paraqiti, kur shkoi në Romë për të kërkuar ndihma. Ai shkoi jo si ndonjë mbret, princ a dukë i kamur, por ashtu siç ishte në të vërtetë, prijës i varfër (për parametrat evropiane) i një vendi të varfër, i cili kishte vetëm një pasuri: vullnetin dhe aftësinë për të mbrojtur pavarësinë e vendit.
Retushimi i këtij roli të Skënderbeut dhe i kësaj figure të tij është i padrejtë, pavarësisht se me ç’arsyetime e dëshira ky retushim mund të ndërmerret. Dhe jam i bindur që një retushim i tillë nuk do të ecë në ndërgjegjen e popullit shqiptar, pavarësisht përpjekjeve që mund të bëhen dhe sado të fuqishme qofshin forcat që mund ta ndërmarrin.

Shpëtim Çuçka


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com