Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Nga liria e ndaluar në lirinë e munguar

Botuar në revistën “Shqip”, qershor 2008

Historia e shtypit shqiptar nuk mund të jetë veç vetë historia e lirisë. Liritë në këtë botë janë të shumta dhe nuk mund t’i fitosh dot të gjitha. Për një popull herë ndodh që ja del të zotërojë fare pak prej tyre, herë më shumë nga të tjerë, jo rrallë nuk fiton asnjë liri, siç edhe i humbet ato që ka. Liria e shtypit është më e madhja nga të gjitha liritë, sepse ajo është liri e shprehjes së opinionit jo në një mjedis shokësh, mes të afërmëve apo në një skaj tryeze klubi. Liri e shtypit do të thotë e drejtë për ta shprehur një mendim a gjykim nëpërmjet një mjeti që e shumfishon dhe e përhap në hapësira të mëdha, në një audiencë të gjërë përtej një qyteti, tutje një teritori gjeografik, shpesh edhe tej kufijve kombëtarë apo kontinentalë.
Në rast se do të duhet të vështrohet se sa liri kemi sot, pa e anashkaluar se mund ta bësh këtë gjë edhe duke analizuar lirinë e lëvizjes apo edhe të drejtën e punësimit, nuk ka mënyrë më të mirë se përqëndrimi me objekt shtypin. Atje, në atë letër gazete a reviste të ilustruar është fiksuar gjithçka. Asaj gjurme e dëshmie mund t’i rikthehesh përherë. Ajo nuk ikën dhe as të fshihet dot. Gërma e ngulitur nëpër fletë nuk tretet në eter siç bën sinjali televiziv apo ai radiofonik.
Në shtypin shqiptar mund të dallosh fare qartë se si gjer në fund të vitit 1990 liria jonë ishte e ndaluar rreptësisht e totalisht. Ishte e lirë vetëm paliria. Shumë nga ne, të palirë siç ishim, patëm shumë gjatë iluzionin se në të vërtetë gëzonim liri. Kështu për një gjysëm shekulli paliria u hyri shqiptarëve nën lëkurë, shpesh duke iu bërë tatuazh i përhershëm. Heqja e tij tashmë nuk është thjesht një fshirje boje. Paliria dhe të ambjentuarit me të është ndërrim mendësie.
Ja përse në tetëmbëdhjetë vitet që pasuan rënien e diktaturës dhe hapjen e shoqërisë sonë, pa vështirësi mund të kuptosh se lirisë iu hoq ndalimi, por ajo gjithsesi akoma mungon shumë.

ooo

Në këtë vëzhgim të shkurtër ndoqëm një rrugë jo nga ato që të çojnë në sallat dhe arkivat e bibliotekave apo në redaksitë e gazetave. Zgjodhëm t’i shkojmë pas një njeriu. Ky quhet Osman Bulku, burrë afro të gjashtëdhjetave. Trupmadh dhe natyrë optimiste, i mbushur plot dëshirë për punë dhe i fortë të përballë pa u ankuar të papriturat më të mëdha të mbijetimit, Osmani është një shitës i thjeshtë gazetash. Me këtë përcaktim, pra shitës i thjeshtë, duam të shprehim statusin e tij social mes gjithë atyre që e bëjnë këtë punë. Gazeta e revista gjenden përditë edhe nëpër librari moderne, ku në sfond dëgjohet muzikë simfonike. Gazeta dhe revista mund të blesh edhe në kioska të posaçme, të lejuara apo jo nga bashkia e qytetit, por ku nuk mungojnë as librat dhe shiu nuk të lag. Shitësi aty rri brënda dhe e vështron klientin përgjumshëm. Gazeta dhe revista gjen lirisht po ashtu edhe nëpër kthina dyqanesh, mjedise të përçartur ku ndihet e pranishme era e djathit apo e gjizës. Në këtë hierarki të shitësve të gazetave Osman Bulku është shkalla më e ulët. Ai është në fund, “proletari”. Më poshtë nuk shkohet më. Kjo do të thotë se njeriu që ne kemi zgjedhur për të na ndihmuar t’i rihedhim një vështrim temës “Nga liri e ndaluar në liri të munguar”, është thjesht një ambulant. Në pak fjalë ka një mjet të thjeshtë lëvizjeje e transporti gazetash (një karrocë-biçikletë apo një biçikletë si karrocë). Shpina e saj është edhe shtroja ku rrinë pranë njëra-tjetrës të përditshmet. Me këtë pajisje të lashtë “proletari” Osman zë në Tiranë një pozicion strategjik, patjetër në një udhëkryq, atje ku shkëmbehen e përplasen me njëra-tjetrën, në nxitim e sipër, turmat e kalimtarëve. Në atë llogore “mediatike”, i dukshëm maksimalisht, e zë jo rrallë edhe shiu, i hidhet mbi trup e mushkri pluhuri apo zmogu i makinave, e mbyt në zagushi dielli apo e mardh ngrica e janar-shkurtit.
Osman Bulku ka që në vitin 1992 që e kryen këtë profesion, të cilin në kushtet si e ka kryer dhe e kryen, në Evropë me siguri e gjen vetëm në Shqipëri. Por në fund të fundit kjo është edhe e veçanta. Gjashtëmbëdhjetë vite të shkuara këtë “zanat” të ri e pati zgjedhur, siç thotë jo pa humor, “me hir dhe me pahir”. Gjer ato çaste pati qënë një teknik i mirë frutikulture, me përvojë në disa ferma shtetërore nga Tirana deri në Vlorë. Me rënien e sistemit komunist dhe falimentin e tij politik dhe ekonomik, fermat u shpërbënë dhe mbetën njëherësh të papunë, burrë e grua. Fëmijët donin të hanin e të vazhdonin shkollat kështu që në sistemin e ri shoqëror nuk hapej asnjë rrugë tjetër mbijetimi përveç punës private. Për pak javë provoi si ambulant të shiste në një tregëtore disa bizhuteri konsumi të përgjithshëm, por vuri re se si ai kishte kudo. Shumica e Shqipërisë po shiste dhe për të blerë kishte mbetur vetëm pakica.
I gjendur si në grackë një ditë, siç edhe përcakton me shprehjen “duke ardhur vërdallë”, i shkoi ndërmend tamam si në një shpikje gjeniale, ideja se mes turmës së madhe të gjithë asaj enciklopedie shitësash mund të gjente një kend më interesant dhe deri ato çaste më pak të konsumuar. Në pozicionin e ri vërtet atje fitonte fare pak, sa për bukën e gojës, por në këtë treg të shkalafitur të pasdiktaturës ai nuk kishte dalë për t’u pasuruar. Kështu zgjodhi të shiste gazeta në mënyrë shëtitëse. Ishte një profesion i ri, i paparë gjer para vitit 1990. Në sistemin komunist gazetat shiteshin vetëm nëpër libraritë shtetërore.
Kështu Osman Bulku nisi rrugën e mjeshtërisë së re që erdhi bashkë me pluralizmin. Puna e re dukej me perspektivë, treg që nuk nuk mbyllej dhe as dukej se mund të falimentonte. Partitë shtoheshin nga dita në ditë dhe bashkë me to edhe gazetat. Pazari i ri nuk i shkurtonte organikat e shitësve, por i shtonte. Ishte një ndërmarrje pa godina, zyra, emër, liçensë, pronar apo këshill administrativ, por gjithsesi plot gjallëri dhe me qarkullim të vrulltë paraje. Tekniku i dikurshëm i frutikulturës në një farë mënyre ishte bërë pjesë e pamjes së re shqiptare me ekonomi tregu të pafre dhe me pluralizëm që vlonte nga sherri. Me këta shitësa të rinj të “mallit” më të ri që kishte prodhuar liria e të shprehurit, gazetat e të gjitha krahëve politikë e llojeve, Osman Bulku hyri në kronikën e jetës së përditshme të kryeqytetit të Shqipërisë dhe zuri vendin si pjesë e dëshmi origjinale e saj.

ooo

Që në ditët e para shkoi nëpër redaksitë e kohës dhe kërkoi t’i jepnin gazeta, duke u premtuar se do t’i shiste korektësisht dhe po aq rregullisht do të dorëzonte paratë e grumbulluara. Atë fillim viti 1992 redaksitë më të fuqishme e që vlonin nga poterja e artikujve ishin të të përditshmeve partiake “Rilindja Demokratike” dhe “Zëri i Popullit”. Dy partitë e mëdha ishin në betejë të plotë politike dhe gjithsecila e gazetë e tyre shitej në dhjetra mijra kopje. Vetëm Osmani çdo ditë merrte ato kohë dhe shiste pothuaj sa hap e mbyll sytë nga treqind copë prej gjithsecilës. Ndërkohë doli edhe një rivale tjetër, “Republika”, por që ato çaste nuk mundi dot ta fitonte garën. U shfaq më pas edhe një e katërt, “Kombi”. Ishte epopeja e gazetave partiake, por edhe e atyre që do të ndiqnin një rrugë tjetër, atë jashtë këtij formati. Hyri në ballafaqim “Koha Jonë”, duke bërë të qartë që në fillim se e ardhmja ishte e shtypit të çliruar nga administratat e partive dhe celulat e tyre. Që në fillim “KJ” i kaloi në konkurencë dy të përditshmet “ZP” dhe “RD”. Shitësi ynë, i cili ishte vetëm një nga pothuaj tetëdhjetë të tillë që qenë shpërndarë nëpër të gjithë Tiranën, brënda orëve të paradites vinte në duart e lexuesve katërqind kopje të saj. Shoqëria ishte në trazim të plotë, në kërkim të ekuilibrimit të ri në një sistem të hapët. Ai ishte i vështirë sepse pati munguar në pothuaj nëntëdhjetë përqind të historisë së vetë shtetit shqiptar.
Në pamjaftueshmëri të një lirie të gjërë të medias elektronike, pasojë e kontrollit të rreptë që u mbajt mbi të nga grupi politik qeverisës gjer në vitin 1997, e gjithë pesha e lirisë për t’u shprehur mbeti te shtypi i shkruar, duke e shpërpjestuar rolin e këtij pushteti. I përgjysmuar dhe i paplotë, bashkë me kontributin mjaft pozitiv, në një rrethanë të tillë morën ndikim publik edhe informacioni tendencioz ose krejtësisht i paverifikuar, përhapja e thashethemit apo e lajmit destabilizues. Ndërkohë u bë me peshë të madhe, pse jo edhe të ekzagjeruar, publicisti protagonist, ai që lirinë e përdorte për të mirë apo keqinterpretuar zhvillimet politike dhe mirë apo keqorientuar prirjet e natyrshme të opinionit publik. Ky shtyp, ku në shtimin e masës së lexuesve të një gazete do ta luante rolin e parë jo vetë gazeta por publicisti që shkruante në të, do të vijonte. Gjer në fund të vitit 1997 mori formë të plotë tipi i gazetarit-politikan, i njeriut me rol të madh publik. Ishte koha kur e vërteta e njohur se media është pushtet më vete në një shoqëri të hapur hyri në teritorin e iluzionit se një gazetë mund të rrëzonte apo sillte në pushtet një qeveri.
Publicisti që e përdor penën me teknikat e politikanit dhe media me në kokë ëndërrën se mund të ngrinte e rrëzonte qeveri vijoi deri në dy apo tre vitet e para të këtij shekulli. Më pas do të hynim në një fazë të re ku prania e disa emrave që më parë shtonin tirazh apo rritnin dukshëm audiencë, nuk do të ndodhte më. Po ashtu do të binte përfundimisht edhe miti që kjo apo ajo e përditshme ose ekran televiziv mund të përcaktonin fatin e një grupi partiak, të një kabineti qeveritar apo edhe të një legjislature.
Pasviti 1997 ose periudha kur bashkë e lirinë e të shprehurit do të gjente hapësirën e vet të zhvillimit edhe vetë liria e plotë e ngritjes dhe funksionimit të një medieje, shënon ndryshime mjaft të ndjeshme. I pari përparim do të qe mbyllja përfundimtare e atij moti kur pjesën më të madhe të opinionit publik do ta bënin gazetat partiake, në rastin konkret “Zëri i Popullit” dhe “Rilindja Demokratike”. Tani ndërsa në pikën e tij ambulante të shitjes së shtypit Osman Bulku çdo ditë shet dy të përditshme me nga afro njëqind kopje secila, një tjetër me gjashtëdhjetë e një të katërt me pesëdhjetë, dy dikur “elefantët” e shtypit “ZP” dhe “RD” nuk i kapërxejnë veç e veç nga tre copë. E përditshmja e një partie të vogël të së djathtës, e cila e vetme ka kryer operacionin e daljes nga celula, edhe pse duke mbetur në afërsi me atë mjedis politik, çdo ditë lë në duart e lexuesve tre herë më shumë kopje se dy partiaket e mëdha. Kështu ajo dëshmon qartë një rrugë që duhet ta zgjedhin gazetat blu e rozë nëse dëshirojnë ta zgjatin jetën dhe biografinë e tyre profesionale. E përditshmja me karierë nga ngushtësisht partiake në gjerësisht e djathtë provon po ashtu se partiaket e stilit të shkuar nuk kanë asnjë të ardhme, madje të pareformuara, siç ende vijojnë, e mbajnë të ngushtë hapësirën e lirisë.
Këtë ndryshim, saktësisht rritje të opinionit publik, ndarje e prerë nga media e partive, gazetashitësi Bulku e argumenton me arsyetimin se në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të shkuar shqiptarët e pasdiktaturës shpresonin shumë se tani në forcën e politikës për ta shndërruar jetën e tyre sa hap e mbyll sytë në një rrjedhë mirëqënieje dhe sigurie. Ata ishin ende të doktrinuar nga dogma se partia ishte motorri kryesor i zhvillimit të shoqërisë dhe jo puna e tyre e pavarur nga premtimet elektorale. Në ato vite partia peshonte aq shumë në ëndërrat dhe shpresat e njerëzve sa që deri në vitet 1993-1994 kishte jo pak lexuesë që i blinin njëherësh të dy gazetat partiake rivale për të zgjedhur më mirë pozicionin ku do të rrinin politikisht e jepnin votën. Jo rrallë nëpërmjet këtyre dy të përditshmeve ata bënin krahasimin e të tashmes me të shkuarën.
Në Tiranë tashmë ka mbi dyqind pika shitjeje të shtypit, pothuaj tre herë më tepër se një dekadë më parë, por drama e të përditshmeve partiake po u ngjitet pas edhe atyre gazetave që edhe pse nuk ndikohen nga celulat apo forumet drejtuese partiake, pëlqejnë të gjenden nën ndikimin e fortë të tyre. Zhvillimi i dukshëm i opinionit publik dhe i konceptit të përparuar që ai ka për lirinë jo vetëm të të shprehurit, por dhe të të mbështeturit politikisht, bën të kërcënohen nga rënia përfundimtare edhe ato media që mbështesin pa asnjë qortim qeveritë. Që pas marsit 1992, çast kur cikli politik pluralist nisi i plotë, ato gazeta apo ekrane televizive që janë konformuar me kabinetet qeverisëse kanë rrezikuar fatin e tyre, ndërsa ato që kanë qënë kritike shtuar tirazhin dhe ndikimin publik. “Populli është opozitar” shprehet në mënyrë lakonike gazetashitësi Osman Bulku.

ooo

Për të dalë nga gjendja, në të vërtetë për të sjellë lirinë, jo pak pronarë mediash dhe stafe që organizohen sipas nivelit dhe shijeve të tyre, janë duke kërkuar rrugë të tjera. Ato botojnë shtojca gossip apo kronikë vip-ash. Duke qënë se këto jo vetëm në diktaturë, por edhe pak vite më parë patën munguar, futja e tyre në jetën e përditshme shënon atmosferë lirie. Por nga përmasa e nevojës po shkohet në zell të tepruar, duke krijuar iluzionin se pikërisht kjo pjesë e jetës i intereson rinisë. Mirëpo interesat e të rinjve janë edhe tema të gjëra e moderne të historisë, ato debatuese për të ardhmen e shoqërisë, çështje të mprehta kulturore. Ndërkohë një pjesë e të përditshmeve kanë nisur të botojnë faqe të tëra për shendetin. Edhe pse në pamje të parë me këtë tendencë duket sikur i drejtohen moshës së tretë kjo ka qënë një emancipim i madh për mënyrën e jetesës së shqiptarëve. Në rritjen e ndikimi të qytetëruar publik kanë nisur të jenë protagoniste edhe shtojcat psikologjike, ato me temën e femrës apo edhe suplementet e mbushura me informacion utilitar. I pafat duket zgjatja e prirjes së shtypit për puntatat apo telenovelat e ish-Bllokut, sepse dëshmohet që ato rrëfenja, edhe pse nuk lexohen për mbështetje politike të diktaturës, por thjesht për kuriozitet, ashtu siç trajtohen publicistikisht, janë tejkonsumuar e nuk shtojnë më asnjë tirazh.
Pa efekt në tirazh dhe mirëndikim publik janë edhe ngulëkembja për hollësi të tejskajshme pas kronikave të zeza, sidomos krimeve të dhimbshme.

ooo

Liria nuk fitohet në një ditë, madje jo vetëm jeta e një brezi, por e gjithë historisë së njerëzimit nuk është gjë tjetër veç luftë e pafund për ta realizuar atë. Në Shqipëri jemi vetëm në gjysmëhapat e para. Më tepër se liri informacioni ende kemi liri disinformimi. Gjithçka nuk bën prapa, por duke ecur përpara e bën atë me një ritëm të ulët, jo shumë të ngjashëm me atë të vendeve të zhvilluara të kontinentit. Gazetashitësi Osman Bulku tregon se në fillim të përditshmet e kohës i merrnin pasmesnate te Poligrafiku, ku shtypeshin. Në orën një apo dy të territ i sillnin në shtëpi dhe vetëm tre orë më pas zgjoheshin të pangopur kurrë me gjumë dhe hipur mbi biçikletat e tyre niseshin drejt “pozicioneve” në udhëkryqe. Në qetësi publike apo në Shqipëri të përfshirë nga anarkia e njëherë edhe nga shpallja e gjendjes së jashtzakonshme, shtypi, falë gazetarëve dhe shpërndarësve, nuk ka munguar asnjë ditë. Në ditë të vështira ishte e vetmja që kishte mbetur nga liria e premtuar. Në vitin 1997 u duhej të sfidonin edhe plumbat që zbrazeshin nëpër rrugë, ca më tepër netëve, kohë kur shumica e njerëzve tërhiqej e mbyllej brenda shtëpive të tyre, ndërsa delnin nga ato dhe shkonin në redaksi gazetarët. Dhe pas tyre ndaj të gdhirë përhapeshin në pikat kyçe të qyteteve gazetashitësit ambulantë.
Ka disa vite që mënyra e jetës dhe e punës së këtyre të fundit ka pësuar një ndryshim. Ata nuk shkojnë më në pasmesnate nëpër shtypshkronja, por në Tiranë, në orën pesë të mëngjezit gjenden të gjithë në sheshin para “Zërit të Popullit”. Aty ndodhet “magazina” nën qiell të hapët e shtypit shqiptar. Vijnë makinat e ardhura nga çdo gazetë si edhe shitësit e tyre, të rinj, por edhe pleq deri shtatëdhjetë vjeç. Sipas një kontrate njëvjeçare që kanë me redaksitë këta të fundit dorëzojnë shitjet e një dite më parë si edhe gazetat e mbetura, mbajnë pjesën e mundit të tyre dhe furnizohen me të përditshmet e rradhës. E bëjnë këtë me një intuitë shumë pak të gabueshme. E përpijnë në sy faqen e parë, titullin kryesor dhe zgjedhin sa copë do të marrin.
Pastaj nisin sa më shpejt rrugën për te lexuesit. Liria e vërtetë është ende larg, por sidoqoftë gazetarë e gazetashitës bashkë mbrojnë një pjesë të saj. Herë na krijojnë iluzionin se ka liri, herë se ajo gjallon vërtetë dhe e vlen të luftosh për të. Gazetarë e gazetashitës i japin guxim njeri-tjetrit. Përhapin përreth kurajë.
Edhe për kaq, që nesër të jetë më shumë, ia vlen t’i nderosh.


Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com