Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Diplomaci dhe mot i keq mbi Kanalin e Otrantos


Botuar në revistën “Shqip”, korrik 2008

Në historinë e marëdhënieve të Shqipërisë me vendet fqinje shpesh gjenden ngjarje që të bëjnë të reflektosh edhe për vetë fatin e popujve. Njerëzit e thjeshtë, grekë qofshin apo serbë, malazezë, maqedonas apo italianë, kanë qënë përherë të prirë për miqësi me njeri-tjetrin. Kanë qënë politikat shtetërore, interesat e elitave të pushtetit, të cilat i kanë shpërfillur këto raporte të ngrohta komunikimi, kurse në më të shumtën e rasteve edhe i kanë ftohur, i kanë mbushur me ngricë. Madje i kanë përskuqur me gjak përleshjesh për të rrëmbyer copra teritoresh. Në këtë trazim të madh, ku njerëzit e thjeshtë kishin dëshirë për të shkuar mirë mes tyre dhe ushtruesit e pushtetit bënin lakmi për të kundërtën, mund të gjesh ndodhi e emra që të lënë mbresa të pashlyeshme për mirësinë e tyre.
Një nga këta është edhe Paolo Pinto. Kronikat e shënojnë si njërin prej notarëve më të mëdhenj italianë.
Kur ndodhi ngjarja e lidhur me të në Shqipëri ishte kohë e turbullt, diktatura gjendej në krizë të plotë. Pas të quajturave “pastrime” të mospajtuesve apo kundërshtarëve në fushën e kulturës, ekonomisë dhe ushtrisë, pasi edhe vetë kryeministri i vendit kishte vrarë veten, varfëria po merrte përmasa të mëdha dhe ushqimi i popullit ishte pothuaj racionuar. Tashmë në muaj mund të merrje vetëm një apo e shumta dy kilogram mishi të cilësisë më të ulët. Po ashtu për gjithsecilën familje në tridhjetë ditë nuk kishte më tepër se njëqind gramë kafe, të cilën prej mbeturinave duhej ta qeroje njëlloj si orizin nga elbi.
Në një gjendje të tillë diktatura dhe vetë i pari i saj, në fillim të 1984-tës, vetëm një vit para se të vdiste, kërkonin shpëtimin. Një rrugëdalje e tillë u gjykua se gjendej nëpërmjet hapjes me fqinjët, shprehjes së gjesteve të miqësisë e të shkëmbimit të veprimtarive kulturore, pse jo edhe të mallrave. E gjitha do të bëhej e shumëkontrolluar, rreptësisht pa dëmtuar sistemin totalitar stalinist shqiptar. Në një farë mënyre politikisht kjo sipërmarrje hapjeje bënte pjesë në lojën politike të pasinqertë të Tiranës zyrtare dhe nuk mund të ishte veç një hipokrizi. Shumë njerëz idealistë e të çiltër u shpërdorën për të sajuar këtë “pranverë” të vogël, por që vetëm e tillë nuk ishte. Ai ishte muzg, muzgu i “perëndive” komuniste.
Ngjarja me notarin e madh italian Paolo Pinto do të ndodhte në gjysmën e parë të vitit 1984, pikërisht në këtë muzg, ndërsa një vit e gjysëm më pas, në mes të dhjetorit 1985, regjimin stalinist shqiptar do ta trondiste futja në ambasadën italiane në Tiranë të gjashtë pjesëtarëve të familjes Popa. Për pothuaj katër vite raportet Tiranë-Romë pothuaj ngrinë.

ooo

Gjithçka që do të tregojmë e që lidhet me notarin Paolo Pinto nuk nisi në Shqipëri, por në Gadishullin Apenin. Ishte një letër që kryetari i bashkisë së Otrantos, Prof. Salvadore Miggiano, ia pati dërguar më 16 shkurt 1984 ambasadorit Bashkim Dino në Romë. Në të Miggiano i afroi idenë si edhe bashkëpunimin e një aksioni të veçantë miqësie mes dy popujve. I paraqiti kryediplomatit shqiptar në kryeqytetin italian edhe një projektprogram. Sipas kryetarit të bashkisë së Otrantos notari kampion i distancave të gjata, puliezi Paolo Pinto, do të kryente një kalim të detit prej qytetit të Vlorës deri në brigjet italiane. Kjo gjë propozohej të ndodhte rreth datave 4-15 qershor 1984. Ishte një mot që parashikohej me kushte optimale, të paktën në temperaturën e ujit, duke kërkuar gjithnjë për të fiksuar në këtë hapësirë dhjetëditore ditën me detin më të qetë. Profesor Miggiano shpjegonte se për ta nisur notimin jo nga brigjet e vendit të tij, por nga Shqipëria, Paolo Pinto më së pari duhej të vinte në Vlorë dhe atje, përveç mirseardhjes, i duheshin siguruar edhe kushtet për ta patur gjendjen shpirtërore e sidomos atë fizike në lartësinë e duhur që të mund të ndërmerrte kapërximin e të gjithë distancës ujore që ndante dy vendet.
Kryetari i bashkisë së Otrantos po ashtu sqaronte se ky manifestim i veçantë dhe origjinal miqësie nuk do të ishte vetëm sportiv, por edhe tërësisht kulturor. Sipas projektpropozimit të tij në veprimtarinë e përbashkët do të përfshihej rikujtimi i Gjergj Kastriot Skënderbeut, figurës sublime që harmonizonte miqësinë e të dy popujve, një ekspozitë prodhimesh e veçanërisht objektesh qeramike nga Terra D’Otranto. Mundej po ashtu edhe një ekspozitë filatelike. Patjetër edhe një festival modest filmash kinematografikë. Titujt e filmave shqiptarë, nënvizonte Salvadore Miggiano, Tirana mund t’i zgjidhte të gjithë sipas dëshirës së vet. Në projektprogram parashikohej po ashtu edhe një shfaqje folklorike. Ndërkohë në letrën e tij kryetari i bashkisë së Otrantos shprehej i sigurtë se në brigjet shqiptare dhe italiane veprimtaria do të ndiqej me vëmendje e propogandohej nga të dy televizionet përkatëse: RAI dhe TVSH. Në projektprogramin drejtuar ambasadorit Bashkim Dino premtohej se e gjithë ajo veprimtari e miqësisë historike mes dy popujve do të kryhej nën kujdesin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë.
Kjo donte të thoshte se ajo kishte statusin e një ngjarjeje të veçantë diplomatike. Ambasadori shqiptar në Romë këtë gjë e kuptoi shpejt dhe ia dërgoi qendrës së vet në Tiranë, Ministrisë së Punëve të Jashtme. Duket këtu e gjetën të arsyeshme që projekti i hartuar në bashkinë e Otrantos të merrte rrugën drejt kryeministrisë. Prej andej, siç ishte rregulli në diktaturë, do të ngjitej nëpër shkallët e atëhere Komitetit Qendror e të merrte miratimin e partisë së vetme në pushtet.
Rrugë pak e gjatë, e mbushur me hierarki zyrash e personash. Profesor Miggiano e pati nisur letër-projektprogramin e tij nga qyteti i Otrantos në 16 shkurt 1984, kurse ambasadori Bashkim Dino e ngriti nivelin e vënies në dijeni në shkallë kryeministrore në 27 mars. Në të diplomati i parë shqiptar në Romë shprehej se ngjarja ishte mjaft pozitive dhe se nuk mund as të anashkalohej dhe as të refuzohej. Duke përcjellë e shpjeguar letrën e kryetarit të bashkisë së Otrantos për bashkëpunim Bashkim Dino ngulte kembë se ngjarja do të ishte shumë pozitive për njohjen më të madhe të Shqipërisë në Itali. Ambasadori e hartoi letrën e tij në një mënyrë të tillë që tek eprorët e vet të ndihej shija e mirë e një veprimtarie, nëpërmjet të cilës më shumë se në Gadishullin Apenin fitonin në vendin e tyre. Kështu ai, duke pritur miratimin qeveritar, fshaqi optimizmin se Shqipëria mund të merrte të gjitha masat që aktiviteti të realizohej dhe sidomos të kryhej thelbi i saj: kalimi me not nga Paolo Pinto i Kanalit të Otrantos.
E mbërritur në Tiranë kjo letër e fundit nisi ngjitjen nëpër shkallët e pushtetit të tejcentralizuar të diktaturës. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme nga Drejtoria e Tretë doli opinioni se oferta nga pala italiane më shumë se sportive apo kulturore ishte politike. Në një çast tjetër të jetës së diktaturës, atëhere kur ajo ndihej e fortë në të quajturën luftë kundër “imperializmit” dhe “revizionizmit”, shkresa e ardhur nga ambasadori shqiptar në Romë do të pritej më tepër me një “jo”. Porse kësaj rradhe diktatura ishte e dobët, pothuaj azmatike, për pasojë i duhej oksigjen. Regjimi komunist kishte nevojë urgjente për një lloj hapjeje. Pasi letra e dërguar nga Bashkim Dino bëri rrugën e zakonshme të hierarkisë totalitare më 17 prill 1984 Ministri i Punëve të Jashtme, Reiz Malile, hodhi përfundimisht firmën e miratimit. Kështu nga çasti kur letra e kryetarit të bashkisë së Otrantos qe mbyllur në zarf me adresën e ambasadorit shqiptar në Romë e deri sa doli për veprim shkresa miratuese e Maliles, patën kaluar pothuaj dy muaj e gjysëm.
Tashmë në të dy brigjet nisi përgatitja për realizimin e kalimit me not të Kanalit të Otrantos. Në të vërtetë gjithçka ishte simbol. Ai det që ndante Shqipërinë me Italinë duhej të bashkonte. Ky ishte edhe mesazhi. Edhe vetë notari Paolo Pinto do të ishte një i tillë, simbol e mesazh bashkë. Çdo element i ngjarjes në tërësi, çdo veprimtari që do të kryhej në të, e gjithë mënyra e protokollit do të ishin rreptësisht të tilla.

ooo

Paolo Pinto që nga viti 1961 deri 1972 ishte kampion i Pulies dhe ndërkohë zinte edhe vendin e dytë në kampionatin italian. Më 1977 pati kaluar Ngushticën e Mesinës. E kishte kryer në 34.01 min. Më pas kreu një dopio kalim, pra vajtje e ardhje. Këtij notimi të gjatë ia doli me 1 orë, 41 minuta e 54 sekonda.
Më 1977 Paolo Pinto kapërxeu distancën Kapri-Napoli. Ishte kampionat botëror dhe doli i gjashti. Më 1978 rikaloi Ngushticën e Mesinës. Kësaj radhe e kreu në dimër. Ishte vetëm me rroba banje dhe asnjë veshje speciale ndaj të ftohtit. Temperatura e ujit ishte dhjetë gradë. Ia doli me 54 minuta.
Nga 14 deri 16 korrik 1979 kapërxeu për herë të parë Kanalin e Otrantos. Kalimin e bëri nga Kastro Marina (Itali) në Fanos (Greqi). Ishte 98 kilometra. E kreu në 41 orë dhe 45 minuta. Ishte rekord botëror. Më 31 gusht 1979 brënda 16 orëve e 14 minutave kaloi Kanalin e La Manshit. Ishte i pari italian në histori.
Më 5-6 qershor 1982 Paolo Pinto e kaloi detin Adriatik nga Pelagosa (Jugosllavi) për në Pizzomunno (Itali) në gjithsej 25 orë e 14 minuta. Një vit më pas, më 6-7 qershor 1983, e kreu distancën mes dy ishujve Korsika dhe Elba, plot dyzetë milje, në 26 orë e 30 minuta.

ooo

Në 24 maj 1984 Paolo Pinto doli në një konferencë shtypi. E dha atë në selinë e Shoqatës Kulturore Itali-Shqipëri. Ishte i pranishëm edhe admirali Bini, kryetar i Lidhjes Italiane të Lundrimit. Në atë konferencë shtypi, të cilën menjëherë e përhapi Ansa, Agjensia Italiane e Lajmeve, Paolo Pinto bëri të ditur para opinionit publik të dhënat rreth notimit të tij nga Shqipëria në Itali.
Ai tha se atë gusht mbushte dyzetë e shtatë vjeç, pra nuk ishte më i ri. E megjithatë shtoi se do të ishte i pari notar i distancave të largëta në botë që do të kalonte hapësirën detare Shqipëri-Itali. Ai shpjegoi se do të nisej në agim nga Kepi i Gjuhëzës për të arritur ditën e ardhshme në Sena degli Alimani, afër Portit të Otrantos. Gjithsej ishte 44 milje në vijë ajrore, por që mund të zgjatej si pasojë e rrymave nga jugu në veri dhe nga veriu në jug. Paolo Pinto tha se temperatura e ujit parashikohej të ishte 16-18 gradë, se gjatë notimit nuk do të mbështetej asnjëherë në ndonjë trup, por do të kryente qëndrime të programuara prej 1-2 minutash vetëm për t’u ushqyer. Sipas tij do të bëheshin të gjitha përpjekjet që notimi të kryhej midis 20 dhe 22 qershorit. Pinto informoi se kësaj radhe nuk do të kishte pranë ndonjë kafaz sigurie, por një grup zhytësish të armatosur me pushkë gjahu në det, dy anije peshkimi, një varkë me vela me nga 2 motorë, si edhe anije mbështetëse shqiptare. Më pas shtoi se në karierën e tij sportive ajo ishte përpjekja e njëzetë e atij lloji. Më në fund dha për simpatizantët e tij dhe të gjithë kuriozët edhe shifrën e fundit: në atë notim të gjatë do të bënte gjithsej 145 mijë lëvizje krahësh.

ooo

Ndërsa në Itali kishte dalë afishja me tekstin “Paolo Pinto, kalimi me not Shqipëri-Itali, Kanali i Otrantos, qershor 1984”, në Tiranë dhe Vlorë qenë marë të gjitha masat që sipërmarrja sportive me rëndësi të madhe diplomatike të realizohej pa u penguar nga asnjë rrethanë. Në programin tashmë të fiksuar thuhej se mjetet italiane të lundrimit do të niseshin nga bregu i tyre në përputhje me kushtet atmosferike deri në pikën e caktuar në det. Atje do të kryhej takimi i dy palëve dhe Paolo Pinto me fare pak nga shoqëruesit e tij do të merrej në dorëzim nga autoritetet shqiptare. Ekipi i ardhur nga Italia, i përbërë nga 12 vetë në 6 barka, grupe amfibe të karabinierisë, helikopterë të Rojes së Financës dhe mjete të tjera, nuk do t’i afroheshin më bregut shqiptar. Do ta prisnin aty notarin e tyre, sapo ai të nisej nga Kepi i Gjuhëzës. Edhe pse çdo operacion filmimi i ngjarjes do të kryhej ekskluzivisht nga një kinooperator shqiptar, u lejuan të zbrezin në brigjet shqiptare edhe një gazetare e një kameraman i Radiotelevizionit Italian.
Në programin e hartuar nga atëhere Ministria e Arsimit dhe e Kulturës parashikohej që në 20 qershor, ditë e mërkurë, në orën 8.00, Paolo Pinto dhe grupi i tij shoqërues do të priteshin në det nga Kryetari i Federatës së Notit, në orën 10.00 notarit të dëgjuar italian do t’i bëhej një pritje në Vlorë nga kryetari i komitetit ekzekutiv, në 13.00 do të kishte drekë e lirë, në 17.00 do të vizitonte Muzeun e Pavarësisë, në 18.00 brezaret e Jonufrit, 19.30 vizitë në pikën panoramike Kuzbaba dhe në orën 21.00 ajo ditë do të mbyllej me darkë zyrtare si edhe ngritjen e një dollie për miqësinë mes dy popujve.
Të enjten, në 21 qershor, në orën 8.00 do të mbahej ceremonia e përcjelljes së Paolo Pintos në port dhe më pas, nga 8.30 deri 10.30, me parashikimin e kushteve atmosferike, do të niste notimi i kalimit në Kanalit të Otrantos.
Mirëpo pikërisht ato kushte do të bëheshin pengesë që ardhja e Pintos të shtyhej nga dita në ditë. U duk sikur 25 qershori ishte ditë e mbarë dhe atë mëngjez, në orën 8.30, ekipi me plot 22 vetë, mes tyre edhe Arturo Foski, kryetari i Shoqatës Itali-Shqipëri, ishte gati për t’u nisur drejt brigjeve të Vlorës. Porse moti nisi të egërsohej. Në Tiranë Radio Televizioni Shqiptar dhe agjensia shtetërore e lajmeve ATSH njoftonte opinionin publik me shënimin “urgjent” se në det kishte erë të fortë 7 ballë dhe se në orën 21.00 të asaj dite grupi i italianëve akoma nuk qenë nisur nga bregu i qytetit të Barit. Të nesërmen, në 6 të mëngjezit, lajmet bënin të ditur se Paolo Pinto me shoqëruesit e tij ishte rreth 9 milje larg Kepit të Gjuhëzës. Pa u mbyllur paraditja ATSH njoftonte se pati mbërritur në Vlorë notari i njohur italian Paolo Pinto dhe se një grup pionierësh i patën dhuruar një buqetë me lule.

ooo

Ajo që ndodhi dy ditët e qëndrimit të Pintos në Shqipëri nuk mund të gjendet jo vetëm në shtypin e çensuruar të Tiranës, por as edhe në atë të lirë në Itali. I gjithë misteri ndodhet në raportin që ka hartuar për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë shoqëruesi i Paolo Pintos, punonjës i TVSH-së. Raporti ka titullin “Përshtypjet e notarit për vendin tonë, 26-28 qershor 1984”. A.X. bën të ditur se Pinto “kur zbriti nga anija ishte tepër i lodhur nga deti i keq e nata me det shumë të fortë, anija qe e vogël”. Sipas tij notari i njohur i kishte thënë se “askund nuk më kanë pritur kështu” dhe se i pati bërë përshtypje se të gjithë autoritetet e larta që e patën pritur, e nxitën të notonte. Në raportin e tij A.X. shprehej se Paolo Pinto “ishte njeri i thjeshtë dhe i butë, i informuar mjaft për vendin tonë, i sinqertë” dhe se përherë “hapej si mik i Shqipërisë”. Sipas atij raporti “Operatorët italianë donin ta intervistonin, por ai nuk pranoi në mbrëmje pa qënë i pranishëm shoqëruesi shqiptar i tij”. Shoqëruesi A.X. më tej shkruante se më 27 qershor patën qënë në Berat dhe se gjatë kthimit pasdite, prej gjendjes së entuziazmit Pinto bashkë me shoqëruesit e tij, përfshi edhe dy gazetarët italianë, patën nisur të këndonin.
Në mbrëmje, ndërsa të nesërmen do të niste notimi, Paolo Pinto do të kalonte një darkë në Kuzbaba. Ndërkohë A.X. po e priste në holl. Pas një gjysëm ore papritur zbriti nga shkallët e brëndshme të hotelit një nga shoqëruesit italianë dhe me thirrjet “Dio mio! Dio mio!” kërkoi sa më shpejt një doktor. “Çfarë ka ndodhur?” u alarmua A.X. dhe pasi njoftoi urgjencën vrapoi për një dhomën e notarit. Paolo Pinto ishte i shtrirë gjërë e gjatë në dysheme. Dorën e majtë e mbante të palëvizur përgjatë trupit, kurse të djathtën të mbledhur grusht e përplaste në dysheme. Shihte tavanin dhe sytë e kishte të mbushur me lotë. Herë pas here thoshte “S’është e drejtë, s’është e drejtë! Pse të ndodhte kështu, përse?” Në kembët e tij qëndronte një karige e rrëzuar, mbi shtrat kuverta qe e hapur vetëm në njërën anë. Çdo gjë u bë e qartë menjëherë. Paolo Pinto para se të delte nga dhoma kishte dashur të mbyllte dritaren me perde. Mirëpo nga poshtë ajo nuk lëvizi kështu që pati hipur mbi karige. Njërën anë të perdes e vuri, por kur deshi tjetrën e zgjati trupin dhe karigia rrëshqiti në parket. Kështu u rrëzua përdhe, ende pa rënë duke e goditur shpinën në kurrizin e kariges. A.X. për disa çaste mendoi se Pinto duhej të kishte thyer ndonjë brinjë, por mjeku i porsambërritur siguroi se kjo gjë për fat nuk pati ngjarë. Sigurisht që ishte demtuar aq sa nuk mund të notonte dhjetë metra e jo më të kapërxente Ngushticën e Otrantos. “Doja të tregoja se deti që i ndan dy popujt tanë edhe i lidh ata” përsëriste me lot në sy Paolo Pinto.
Të nesërmen, më 28 qershor, moti gdhiu i mirë dhe deti i përshtatshëm për notim, mirëpo Pinto u kthye siç edhe pati ardhur, hipur në anije. Të nesërmen shtypi italian e vendosi ngjarjen në faqen e parë. Gazeta e Otrantos shënonte se ndiheshin të dëshpëruar që kapërximi simbolik i Kanalit nuk u bë. Ajo siguronte se mes dy vendeve me këtë ngjarje të papritur nuk kishte ndodhur asnjë incident diplomatik. E përditshmja kombëtare “Il Tempo” informonte se në Shqipëri prej pranisë së Paolo Pintos pati ndodhur një atmosferë e bukur feste, me njerëz që filmonin e fotografonin gjithçka dhe se bashkëqytetarin e tyre të njohur e pati pritur vetë ministri i Tregëtisë së Jashtme dhe ai i Financës. Pinto i kishte treguar gazetës se në Vlorë kishte patur për Italinë dhe miqësinë mes dy popujve aq shumë buzëqeshje. Në “Il Tempo” Paolo Pinto bëri përpjekjen për të mos e fajësuar në asnjë Shqipërinë. Rënien nuk e tregoi se i kishte ngjarë në dhomën e hotelit, por në barkën e tij, ndërsa gjoja një çast i patën rënë syzet në fund të saj. Në të përditshmen “La Gazzetta del Mezzogiorno” Paolo Pinto pati premtuar se “Do ta bëj kalimin e detit”. “Corriere dello sport” shkonte më tej: thoshte se për shkak se Pinto qe i dëmtuar kalimi i Kanalit të Otrantos do të shtyhej vetëm një muaj.
Por kapërximi simbolik i detit nuk ndodhi as pas një muaji dhe as pas një viti. Kalimi i tij ngjau në verë të vitit 1990, ndërsa diktatura filloi të tronditej. Me mijra shqiptarë hynë në ambasadat e huaja dhe që prej andej, nën presionin e tyre dhe të opinionit ndërkombëtar, qeveria shqiptare u shtrengua t’i lejojë të kapërxejnë detin, drejt botës së lirë.
Paolo Pinto donte popullin shqiptar, aspak regjimin. Ai ishte njeri i miqësisë dhe i hapjes. Kështu edhe në historinë mes dy vendeve do të mbetet. E nxorëm nga arkiva bukurinë e tij shpirtërore jo për të treguar thjesht një nga misteret e diktaturës staliniste, por për të nderuar një italian e mik të madh të Shqipërisë.



Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com