Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

ĒFARĖ FSHIHET PAS MUNGESĖS SĖ FOTOS PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912?
AMERIKĖ, PSE TĖ DUAN KAQ SHUMĖ SHQIPTARĖT
FLAMURI QĖ U NGRIT NĖ VLORĖ DHE KASTRIOTI I PESTĖ, ALEANDRO
22 NĖNTOR 1944, QYTETI I TIVARIT: ARRATISJA E BALLIT KOMBĖTAR NĖPĖR NJĖ DET TĖ MINUAR
PASARDHĖSIT NĖ ITALI TĖ SKĖNDERBEUT NĖ KRYE TĖ MBROJTJES SĖ PAVARĖSISĖ SĖ PORSASHPALLUR
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Sa për të kujtuar se cili ishte Skënderbeu


Botuar në gazetën “Shqip”, 23 nentor 2008 dhe “Illyria” e Nju Jorkut në numrin special të 28 Nentorit

Sa herë që ndodh të shfaqet mes nesh lajmi se Skënderbeu nuk është absolutisht ai që na kanë mësuar në shkolla, në libra e në filma, kemi parë në piktura e dëgjuar në kongrese albanologjie dhe se si të kemi qënë burra me tru pule kemi rënë viktima të këtij dizinformimi të madh, të këtij superkomploti të zgjatur mbi pesë shekuj, si për të qetësuar veten më ndodh t’i kthej kujtimet për disa ]aste tek një miku im italian. Quhet Kostanco D’Agostino dhe në Romë përfaqëson një botues të vogël, por me plot pasione të mëdha. Në fillim i hyri publikimit të librave enciklopedikë dhe doemos, për shkak të kostos së madhe financiare të tyre doli me humbje. Më shumë zemër idealiste se shpirt tregëtar sidoqoftë me pas u muar me botime më praktike, ato që mund të quhen “portë më portë“. Nëpërmjet të rinjve, zakonisht studentëve të punësuar përkohësisht, ato libra nisi t’i shiste duke shkuar nëpër shtëpitë e lexuesve. Duke qënë i etur përherë për diçka të re, qoftë edhe të pallogaritur mirë si do t’i delte, ndërsa kishte shkruar vetë e publikuar librin “Shqipëria-mrekullia e vitit dymijë“, papritmas nisi botimin e librave për ata që në viset përtej detit quhen “Heronjtë e Evropës”.
Ky italian i mirë të gjithë këtë fushatë për të rikthyer në vëmendjen e lexuesve të vendit të tij rilindasit e mëdhenj të kontinentit, pionierët e Evropës moderne, pra të Bashkimit Evropian, e financoi vetë. Për të qënë më transparentë me lexuesin, duke qënë se në profesionin e tij të botuesit fantazist D’Agostino nuk del mirë, një pjesë të të hollave i mori nga e shoqja, një grua e shkathët p[r biznes dhe e palodhur. Kështu tërësisht me shpirtin e paratë e veta Kostanco D’Agostino mori përsipër jo vetëm botimin e këtyre librave, por edhe honorarin e shkrimit të tyre.
Për të qënë i palëkundur në simbolikën e aksionit të vet edhe krijuesin e kolanës e zgjodhi prej atyre që lidheshin me BE-në. Ishte gjykatësi penal italian Xhenaro Françone, atë kohë por edhe aktualisht kryetar i Shkrimtarëve Gjykatës të Bashkimit Evropian.
Librin e parë që projektoi dhe pasi u shkrua nga Françone e futi në treg në fillim të vitit 2002, e titulloi “Skënderbeu-një hero modern”. Botimi i dytë i kolanës qe “Domine Dracula”, kushtuar princit të njohur rumun Vlad Tepesh, i cili luftoi kundër pushtimit osman dhe qe pothuaj bashkëkohës i Gjergj Kastriotit. Edhe këtë libër e paraqiti para lexuesit italian në fund të vitit 2002. Një vit më pas përfundoi shkrimi dhe botimi i librit për astronomin polak Mikollaj Kopernik. I katërti qe ai për Ludvig Holberg, pionierin e kulturës dhe të letërsisë moderne skandinave. U botua më 2007.
Duke e quajtur kolanë për Heronjtë e Evropës, në të vërtetë njeriu i mirë D’Agostino të gjithë përpjekjen e vet e kishte për të evidentuar Skënderbeun. Jo vetëm në librin e parë posaçërisht kushtuar jetës dhe veprës së tij, por edhe Holbergun e publikoi sepse ka një kapitull të tërë, njëmbëdhjetë faqe të plota, për Gjergj Kastriotin. Librin për Vlad Tepesh-in po ashtu. Aty jo vetëm Skënderbeu dhe aksionet e tij më kryesore citohen, por edhe dihet që në Evropën lindore dhe atë juglindore, pra në gjysmën e kontinentit, dallgës së fuqishme të pushtimit osman arritën t’i bëjnë qëndresë të dukshme vetëm tre persona. I pari qe gjenerali dhe më pas regjenti i mbretërisë hungareze, Janosh Huniadi, i dyti Gjergj Kastrioti dhe i treti princi dhe më pas mbreti i Vllahisë në Rumani Vlad Tepesh.
Këta për veprën e tyre jo të zakonshme ja dolën të kapërxejnë kufijtë e vendit të tyre dhe të hyjnë në historinë e kontinentit dhe më tej. Të tjerët qenë të zakonshëm dhe bëma iu regjistrua vetëm në kronikat e etnive të tyre. Më të vegjël përfunduan ata prijës, mbretër, princër, dukë apo gjeneralë e kapidanë që bënë kompromisin me pushtuesit e kohës, osmanët. Atëkohë arkivë kujtese ishte Evropa. Prej hapësirave nga vinin osmanët ndodhte vetëm e kundërta: mosruajtja dhe fshirja e kujtesës.
Në këtë treshe Huniad-Skënderbe-Vlad Tepesh ngjashmëria më e madhe e jetës personale është tek këta dy të fundit. Dhe me që është hapur sëfundi çështja e ndikimit të jetës dhe e qëllimeve personale në bëmën historike të një protagonisti të saj, gjithnjë duke rikujtuar tre botimet e sinqerta të italianit D’Agostino, por edhe duke njohur letërsi tjetër historike, po ndalemi sa të jetë e mundur më shkurt në ngjasimet e çfarë kanë të ndryshme shqiptari Gjergj Kastrioti dhe vllahu i Transilvanisë Vlad Tepesh.
Tek populli mik rumun shumica kanë gjithnjë dëshirë fisnike të gjejnë jo të mospërputhshmen, por sa më shumë të përbashkëtën me Skënderbeun. Për këtë opinion jo Vlad Tepesh-i por Gjergj Kastrioti ynë i krahasuar me të përbën një figurë model. Kjo nuk ndodh vetëm sepse Vlad Tepesh në moshë qe një çerek shekulli më i vogël se princi ynë. Dijetarët e këtij vendi thonë se të dy janë njohur në oborrin e sulltan Muratit, sepse edhe Vladi me të vëllanë e tij Radu, siç edhe pati ndodhur me katër djemtë e Gjonit, u morën peng për të garantuar vasalitetin ndaj Portës së Lartë dhe perandorisë osmane. Kjo ka ndodhur në vitin 1442 dhe të paktën, deri sa në nëntor 1443 Gjergj Kastrioti nisi rebelimin, ka një vit kohë për të besuar se Vladi e vëllai i tij e kanë takuar shqiptarin me autoritetin e emrit-titull Skenderbej (Aleksandri i Madh). Thonë se të dy të rinjtë e thërritnin “ungji Gjergj”.
Po ashtu ky opinion dashamirës për ta bërë të afërt Vlad Tepesh-in me Gjergj Kastriotin thotë se njëlloj si Skënderbeu edhe heroi i tyre i rezistencës kundër pushtimit osman e mohoi fenë islamike, me të cilën ishte konvertuar në rradhët e jeniçerëve. Të dy u kthyen në të krishterë katolik.
Dijetarët rumunë thonë se princi i tyre nuk shpëtoi dot nga tradhëtitë brenda familjes. Në rast se Gjergj Kastriotin e besëpreu nipi i tij Hamza ndodhi që Vlad Tepesh-in ta pabesonte vetë vëllai i tij Radu. Ndërsa Skënderbeu e mundi Hamzanë bashkë me ushtrinë turke me të cilën erdhi që në betejën e parë dhe për të ruajtur stabilitetin e vendit këtë konflikt e mbylli duke e larguar menjëherë Hamzanë në burgun e Napolit, rrjedha e ngjarjeve Vlad-Radu është tjetër, e mbushur me luftë ndërsjellëse dhe urrejtje të madhe. Të dy vëllezërit herë duke bërë aleanca me turqit e sidomos me mbretërit e Hungarisë Janosh Huniad dhe Matias Korvino, e luftonin njëri-tjetrin duke shkretuar vendin e tyre. Më i zellshmi në urrejtje e shkatërrim qe Vlad Tepesh. Kur në vitin 1457 ky bëri sulmin e radhës në rajonin Sibiu, i cili i kishte strehuar të vëllanë kundërshtar, bëri të derdheshin lumenj gjaku. Në të gjithë hapësirën transilvane përreth Sibiut plaçkiti, shkatërroi kështjella, u vuri zjarrin dhe i ktheu në hi të gjitha vendbanimet.
Skënderbeun, siç dihet, do ta tradhtonte për pak kohë Moisi Golemi dhe do të mbusheshin me pakënaqësi disa princa të tjerë. Por vetëm kaq. Që në betejën e parë me Gjergj Kastriotin Moisiu u mund dhe u fal. Madje iu rikthyen të gjitha titujt e pronat e konfiskuara. Për aq hapësira sa Skënderbeu dhe kapedanët e tjerë shqiptarë mund të mbanin të lira nga pushtimi osman prej të gjithëve u tentua ruajtja e stabilitetit. Kështu asnjë nga princat e tjerë nuk i doli ushtarakisht kundër, madje nuk e bëri këtë gjë as politikisht. Të pezmatuar nga dora e fortë centralizuese e Gjergj Kastriotit ata e shumta bënë mënjanë nga detyrimet e Lidhjes së Lezhës. Edhe Lekë Dukagjini, princi që për rivalitet, por edhe shtysë të fshehtë venedikase, u përpoq t’i bënte deri edhe atentat Skënderbeut, e mbylli raportin e ndërlikuar me të në mënyrën më madhështore të mundshme: duke i qëndruar në krah vitet e fundit, kur vdiq Gjergj Kastrioti duke thirrur gjithë dhimbje (kronikat kanë regjistruar vetëm tingujt e këmbanave mortore dhe klithmën e tij) dhe më pas duke luftuar ndaj pushtuesit gjer në fund me po atë shpirt që pati edhe Skënderbeu.
Kurse Vlad Tepesh jo vetëm do të urrehej, por edhe do të tradhëtohej masivisht nga shumë feudalë të tjerë të Transilvanisë dhe Vllahisë. Edhe këta nuk do t’ja falnin jetën, po ta kapnin, por vetë Vladi me opozitarët e tij ishte një gjaksor i vërtetë: ua merrte jetën duke i ngulur në hunj.
Të dy, edhe Gjergj Kastrioti edhe Vlad Tepesh-i nuk e donin Mehmetin edhe pse ka dokumenta të sigurta që ky i fundit, kur qenë të rinj, ishte shumë mik me të dhe këtë gjë e dinte dhe e inkurajonte edhe vetë sulltan Murati. Pa dokumenta përflitet se edhe Gjergj Kastrioti njihej nga afër me Mehmetin. Nga një dokument që ditët e fundit është bërë publik jo në faksimile origjinale kemi marë vesh se prej një ambasadori anonim të Skënderbeut u është thënë dy diplomatëve milanezë se zoti i tyre kishte dorë në një komplot pallati për të vrarë Mehmetin. Për Vlad Tepesh mund të thuhet në mënyrë të sigurtë se në natën mes 16 dhe 17 qershorit 1462, kur ushtria e tij përleshej me atë të perandorisë osmane, i maskuar si turk, bashkë me disa njerës të tij tentoi t’i afrohej çadrës së Mehmetit, tashmë sulltan, për ta vrarë me dorën e tij.
Kjo betejë e bërë do të mbahet mend jo për përmasën e madhe të armatës osmane (60.000 ushtarët dhe 30.000 vullnetarë të bashkuar me ta), porse të njëzetë mijët turq të zënë rob Vlad Tepesh i bëri të vdisnin duke i ngulur mbi hunj. Është një masakër që edhe tani shkakton dridhje në kujtesën e botës. Nga ajo u rënqeth edhe vetë sulltan Mehmeti dhe prej atij çasti e quajti ish-shokun e tij Kaziglu Bej (Princi Hungulës).
Nga dokumenta të besueshme dihet që Gjergj Kastrioti, pasi e mori në dorëzim kalanë e Krujës me autorizimin e rremë dhe atje ishte garnizoni osman, i detyruar ta pushtonte patjetër edhe ushtarakisht, bëri të mundur të futeshin natën fshehurazi luftëtarët e tij. Patjetër është bërë kasaphanë dhe mjaft nga turqit mund të jenë shpuar nga ushtat, prerë nga shpatat e therrur nga thikat edhe në gjumë. Mirëpo si mund të bëhej tjetërlloj dhe cili ushtarak në ato rrethana do të vepronte ndryshe?
Kur në fundvjeshtë të vitit 1443 Skënderbeu tridhjetë e tetë vjeçar braktisi sulltanin jo nga sarajet e tij në Edirne por në një betejë kyçe në Nish, nisi kryengritjen dhe u bashkua me aleancën e krishterë të kohës, doemos që me këtë rast rimori edhe pronat e familjes. Nuk kishte qënë asnjëherë më parë trashëgimtar i tyre dhe as princ. U bë i tillë në mënyrën më të ligjshme, përderisa sulltani ja kishte konfiskuar.
Katër vite më vonë pasi i jati dhe një vëlla ranë në një pritë rivalësh të krishterë (ua morën jetën me qërrim sysh, ngulje patkonjsh në kembë dhe varrim për së gjalli), Vlad Tepesh iku që nga sarajet e sulltan Muratit. Shtatëmbëdhejtë vjeçari vrapoi me të shpejtë për të marë fronin dhe pronat e familjes. Dhe a e dini kush e nisi? Vetë djali i Muratit, Mehmeti, sulltani i ardhshëm, njeriu që Vlad donte ta vriste me dorën e tij në mesnatën e 16-17 qershorit 1462.
Pasi bëri edhe më pas kompromise me turqit, si edhe më në fund të dy palët u shndërruan në armiq të përbetuar, Vlad Tepesh u vra në dhjetor 1467 në një betejë kundër ushtrisë osmane afër Bukureshit.
Siç dihet, dhe këtë e kanë pranuar të para kronikat osmane, Gjergj Kastriotit të varrosur në Lezhë pas vdekjes nga ethet e malarjes, kur ajo u pushtua nga turqit, ia nxorrën eshtrat. Mund të ketë qënë thjesht zbatim i një urdhëri nga lart për t’ia profanuar dhe zhdukur, por në të vërtetë pati luftëtarë turq që fshehurazi eprorëve të tyre i futën nën rroba dhe i trajtuan si hajmali.
Vlad Tepesh-in thuhet se në betejë e vranë padashje ushtarët e tij, sepse nga që e kishte zakon prej viteve të gjata të qëndrimit në sarajet e sulltanit të mbante një kësulë turke, e ngatërruan për një osman. Megjithatë trupi nuk iu gjet kurrë dhe legjendat për fatin e tij ende vazhdojnë.
Ja, për sa ishin gjallë, këto qenë një pjesë e ngjashmërive dhe të të ndryshmes mes dy nga tre figurat më të njohura antismane të Evropës lindore. Por ajo që përbën të krahasueshmen dhe dëshirën që çdo lexues të nxjerrë përfundimin e vet të lirë se cili ka qënë princi ynë Gjergj Kastrioti ka të bëjë me atë që ngjau pas vdekjes së tyre. Këtu ndodhi një nga befasitë.
Mitizimi i Vlad Þepeºh-it mori rrugën e shndërrimit të tij në Vampirin Drakula Njeriu i tmerrshëm tashmë i njohur me dy dhembët e parë të stërmëdhenj që ua ngul në trup njerëzve dhe nis tua pijë gjakun është i njohur edhe për të gjithë shqiptarët. Dokumentat thonë se mitizimin e tij në këtë formë e ka nisur pesëmbëdhjetë vite para se Vladi të ndërronte jetë poeti gjerman Michel Beheim. Me poezinë “Historia e një të çmenduri me emrin Drakula i Vllahisë” ai paratha se në çfarë mënyre do të ruhej në kujtesën e njerëzimit Vlad Tepesh. Me siguri këtë kohë edhe për ca arsye politike edhe gjykata e Budës në Hungari favorizoi përhapjen e kësaj legjende, e cila shumë shpejt u bë mjaft popullore dhe best-seller i kohës. Flitet paralelisht edhe për një komplot të një lobi sakson, kryesisht tregëtarë. E megjithatë ky transformim i imazhit të tij ngjau sepse Vlad Tepesh ishte vërtet njeri i përgjakshëm.
Skënderbeut dihet si i ndodhi proçesi i mitizimit nga Evropa. Ajo e bëri hero kontinental, e përshkroi si mbrojtësin më të vendosur të saj, e vlerësoi si “Atlet i Krishtit”, si një nga gjeneralët më të mëdhenj në botë dhe deri si despot i ndritur. Nuk u kursye të mishërohej në letërsi edhe si një kavalier me të cilin binin në dashuri franceskat apo gjermankat e shekujve shtatëmbëdhjetë e tetëmbëdhjetë.
Sa ishte gjallë e ca më shumë as vdekljes edhe Gjergj Kastriotit, si Vlad Tepesh-it, nuk i munguan përreth e jashtë vendit ata që tentuan ta manipulonin e shtrëmbëronin imazhin. Megjithatë bashkëkombasit tonë nuk ndodhi asgjë. Ai me tiparet e tij u idealizua edhe më shumë, iu theksuan gjer në zbukurim virtutet. Kjo jo se ai qe njeri i përkryer dhe nuk kishte të gjitha defektet që ka një njeri i vdekshëm e sidomos një prej atyre që kërkojnë e ushtrojnë pushtet mbi të tjerët. Megjithatë po të qe përgjakës e shkatërrues i qëllimshëm i popullit të vet, terrorizonjës ndaj opozitarëve, nuk kishte forcë hyjnore ta shpëtonte, ca më shumë që përfaqësonte një popull e një fuqi fare të vogël.
Në shekullin e pesëmbëdhjetë e më pas, për sa kohë rreziku osman kërcënoi Evropën, ndërsa forconte themelet e historisë së qytetërimit të saj të vjetër, ajo kishte nevojë për sa më shumë heronj, edhe për të krishterin Vlad Tepesh. Mirëpo ishte gjë që nuk bëhej. Kështu zgjodhi unanimisht dhe përfundimisht Gjergj Kastriotin bashkë me emrin e tij të dytë turk, Skënderbeu.
Ja përse asnjë devijim i imazhit të tij nuk do të funksionojë. Do të konsumohet si një kronikë dite që nuk bëhet dot histori.

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com