Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Të bësh patriotizëm elitar


Botuar në revistën “Shqip”, dhjetor 2008

Pasi ke lexuar librin me titullin në shqip “Zonja Lane për Shqipërinë” dhe në origjinal “Peaks of Shala” të Rose Wilder Lane i rikthehesh edhe njëherë faqes së parë të tij, atje ku është portreti i shkrimtares amerikane dhe emri i përkthyeses shqiptare Doriana Molla. Dhe e kupton menjëherë të përbashkëtën e tyre, të njëllojtën e njëkohësisht të veçantën e madhe. Të ndara nga pothuaj një shekull ato ngjajnë shumë, duket sikur janë vazhdim i njëra tjetrës.
Edhe pse tani për tani nuk mund t’i barazosh të dy veprat, është fryma që kalon nga brezi i Rose Wilder Lane tek gjenerata e Doriana Mollës. Është pikërisht kjo ide që të bën të të vijë natyrshëm në kokë tema e këtij shkrimi. Molla prej më tepër se një dekade jeton e punon në Nju Jork. Ishte në fillim i dashuri i saj, shqiptari nga Kosova Adrian Morina, më pas edhe bashkëshorti, që në një ditë të vitit 2002 i rekomandoi të lexonte njërin nga librat që kishte në bibliotekën e vet. Kur ja tregoi Dorianës origjinalin ajo mbeti e pagojë: Qe një botim fort luksos dhe me përmasa imponuese, si të ishte një bibliotekë me vete.
Libri i rekomanduar qe pikërisht “Peaks of Shala”.
Adriani, i cili në profesionin e vet është piktor, i tha vajzës që kishte zgjedhur për shoqe jete se ai vetë e kishte lexuar dhe i pati lënë shumë mbresë. Bënte fjalë për Shqipërinë e viteve 1920-1922, për pamje krejt të panjohura të saj. Dorianës iu lut thjesht t’i hidhte një sy. Mbase do të qe edhe ajo e të njëjtës mendje.
Në të vërtetë Adrian Morina në shtëpinë e tij në Nju Jork ka një muze të vogël, por të rrallë. Ai mbledh çdo gjë të veçantë që lidhet me identitetin dhe historinë shqiptare. I ble menjëherë kudo ku i ndesh, në dyqanet e antikuareve apo në internet. Grumbullon veçanërisht harta të vjetra të trojeve shqiptare, duke nisur që nga Iliria, monedha të rralla të kombësisë sonë, libra, gazeta, shkrime të ndryshme. Nuk mungojnë edhe flamuj. Muzeu i tij ka edhe dy abetare të vjetra.Njëra prej tyre është e vitit 1903.
Për leximin e librit Doriana ca ditë u lëkund. Ishte skeptike nëse “Peaks of Shala” do ta habiste. Pastaj e mëdyshuar nisi ta shfletojë. Papritmas libri e tundoi. E kuptoi që veçanërisht e kishte bërë për vete pamja dhe sinqeriteti aq magjepës i Rose Wilder Lane.
Kështu nisi ta lexonte sa herë që i lirohej kohë e mjaftueshme për të rrëmbyer nga ai qoftë edhe disa faqe. E mbylli e mrekulluar. Emocionet që pati provuar kishin qënë të papërsëritshme. Mbi të gjitha, edhe pse sapo ishte njohur me një Shqipëri ende shtet në fillimet e veta, të pazhvilluar, ndihej megjithatë mjaft krenare. Nuk e zbuloi që në çastet e para cili qe sekreti i atij libri që i shkaktonte të qe kryelartë për përkatësinë etnike të saj, kur vendi ekonomikisht ishte i prapambetur. Kur shumë mbrapa qe edhe organizimi i jetës shoqërore e politike, pas ishin letërsia dhe për shkencë e universitete as që bëhej fjalë.
Pak çaste mendoi se atë energji atdhetarizmi e kishte si mbetje të një kulture të vjetër patriotizmi foklorik. Duke mos e besuar këtë gjykoi se ai mall për mëmëdheun e saj i vinte nga edukata e marë në familjen e saj në Shqipëri dhe e shumuar në Nju Jork nga malli i largësisë.
Apo magjia e fshehtë qe tek arti i rrëfimit të zonjës Lane dhe ca më shumë tek dashuria e madhe që ajo shprehte për shqiptarët? Sidoqoftë për një gjë Doriana Molla ishte shumë e bindur: po ta përkthente ai botim i vitit 1923 do të kishte patjetër të njëjtin efekt edhe mbi bashkëkombasit e saj në vitet dymijë. Arsyetoi thjesht: Emocionet e rralla që provoi vetë pse të mos i gëzonin edhe të gjithë shqiptarët.
Kështu vendosi ta përkthente librin “Peaks of Shala”. Adriani, kur ja tha vendimin që kishte marë, sa nuk fluturoi nga gëzimi. I pohoi se në të vërtetë fshehtas-fshehtas, kur ja rekomandoi ta lexonte, kishte patur pikërisht këtë dëshirë.
Përkthimi nisi në vitin 2005 dhe në dhjetor 2007 Doriana Molla me bashkëshortin e saj e prezantoi në Tiranë. Për këtë ngjarje shumë nga të përditshmet e kryeqytetit shqiptar nuk u kursyen në hapësirat që i vunë në dispozicion.

ooo

Bashkë me Adrianin e saj u rishfaq në Tiranë pothuaj një vit më pas, në fillim të tetorit 2008. Çfarë surprize atdhetare kishte ajo tani?
Po sillte kompozitorin e njohur amerikan Alvin Singleton.
Si edhe në rastin kur për të përkthyer në shqip e botuar në Tiranë librin e Rose Wilder Lane gjithçka e patën përballuar me shpenzimet e familjes së tyre të re si edhe me ndihmën organizuese të familjes së saj prindërore në Tiranë, veçanërisht të të jatit, inxhinierit Selim Molla, edhe projekti i ri qe nismë tërësisht private.
Në fillim të shkrimit e dëshiruam një krahasim mes amerikanes në Shqipëri Lane dhe shqiptares në Amerikë Molla për të dëshmuar tiparet e tyre të afërta. Rose Wilder Lane në vitet 1921-22 nuk pati ardhur në Shqipëri, pak çaste në Tiranë dhe kohën më të madhe në bjeshkët e veriut, me fonde të siguruara prej sponsorëve të ndryshëm. As qe e dërguar e shtetit apo e ndonjë sekti fetar, gazete apo shërbimi të nëndheshëm. Pati ardhur me dëshirën dhe të ardhurat e veta. Aspak për të kaluar disa ditë apo dy-tre muaj, një udhëtim apo dy, por për t’i bërë një shërbim të madh në dekada e shekuj të ardhshëm njohjes së një populli që sapo kishte dalë prej një robërie të gjatë. Kjo mbështetje ato çaste për pavarësinë e Shqipërisë, donte të thoshte marrje në mbrojtje, ndihmë për të forcuar shtetin e ri të sulmuar egërsisht nga dy fqinjë të pangopur, mbajtje gjallë e shpresës së një populli të tërë për të ardhmen.
Këtë pasion qytetar të bukur, lufta për lirinë e një populli të vuajtur, Lane e shkruajti në libër me frazën shpirtmadhe: “Nëse nuk sheh Shqipërinë humb një nga rastet e rralla në jetë. Në gji të atyre maleve, atje lart, ka qytete parahistorike, legjenda të vjetra, këngë, zakone, për të cilat nuk di askush…”.
Duke e sjellë në Tiranë kompozitorin Singleton bashkëkombasja jonë Doriana Molla kreu të njëjtën gjë. Në një farë mënyre gjesti i saj i mënçur donte të thoshte “Nëse nuk e sheh Shqipërinë e sotme të dalë nga një diktaturë e rëndë se me sa vitalitet dhe shpresë lufton t’i bashkohet qytetërimit të zhvilluar perëndimor humb një nga rastet e rralla në jetë”.
Me misionin për të sjellë në Tiranë një nga kompozitorët më të njohur amerikanë të muzikës klasike Doriana nuk kreu po ashtu veprimin rutinor “Shihni sa e madhe, e ditur, e zhvilluar dhe e bukur është Amerika!” Këtë gjë në Shqipëri tashmë e di i madh e i vogël, siç gjithkush është i qartë se përtej oqeanit ka patur përkrahje në dy momentet më kyçe dhe më jetike të historisë sonë moderne: Në zgjedhjen e të ardhmes nëpërmjet modelit të zhvillimit të demokracive perëndimore si edhe në vitin 1999 për zgjidhjen e çështjes kombëtare.
Ajo që Doriana Molla dhe bashkshorti i saj i pakursyer për çdo vlerë shqiptare donte të mbartëte në Tiranë nuk qe vetëm sjellja këtu e një emri e përvojë të shquar artistike botërore, por të bënte që një personalitet me ndikim të madh në vendin e vet dhe jashtë tij të mund ta njihte nga afër Shqipërinë e popullin e saj. Dhe pas kësaj, duke i dashur me gjithë shpirt, kumtin e bukur ta përhapte kudo. Kur sot thuhet se na duhet të luftojmë për imazhin tonë pozitiv nuk kanë parasysh reklamën tregëtare të një malli, por fatin e të ardhmen e një populli të tërë. Imazhi i keq është më dekurajuesi, i miri më forcëdhënësi.
Ky ishte thelbi i aksionit kulturor që vajza vetëm njëzetë e shtatë vjeçe kreu bashkë me Adrianin dhe familjen e saj në Tiranë në pesë ditë të muajit tetor 2008, aq sa Alvin Sigleton dhe bashkëshortja e tij Lisa qëndruan në Tiranë.
Kompozitori i njohur i lindur në Nju Jork, përfunduar studimet e larta aty e specializuar në Akademinë Santa Cecilia në Romë, ka krijuar vepra që janë luajtur jo vetëm në orkestrat sinfonike të Detroit-it dhe Atlanta-s, por edhe në Festivalin Veror në Vjenë, në Festivalin e Vjeshtës në Graz, në Filarmoninë e Roterdamit, në Paris, në Londër, në Romë.
Bashkëshortja e tij Liza punon në Departamentin Amerikan të Shtetit.

ooo

Kur e pyetëm se cilin model kishte frymëzues në jetë Doriana Molla u përgjegj menjëherë: Dora D’Istria. Por për ta kuptuar atë më gjërë shfletuam diçka që ajo pati shkruar e botuar në gazetën “Ilyria” të shqiptarëve të Nju Jorkut. Aty shprehej “Unë jetoj në vendin e mundësive dhe mundësitë më jepen çdo ditë për të krijuar vetveten. Nuk jam e vetme nga brezi im. Madje shumica e shoqeve dhe shokëve janë këtu me mua. Ne të gjithë shkojmë universiteteve dhe dalim me mesatare nga më të lartat. Ne jemi pjesë e gjeneratës XY, por nuk jemi një brez i humbur. Ne jemi të rinjtë e të rejat e Shqipërisë që flasim katër-pesë gjuhë, punojmë më shumë se pesë ditë të javës, vishemi hip në Fifth Avenue, kemi njohuri për më shumë se një fushë të jetës dhe rritemi me prindërit në telefon....Dostoevsky, Kadare, Inva Mula, Picasso, Nietzsche, Frank Lloyd, Stephen Hawking, Newton janë të gjithë figura letërsie, arti, shkence që na japin kënaqësi në biseda në kafet e rrugëve të Parisit, auditoret e New Yorkut apo zyrave në Tokyo. Ne jetojmë vetëm po nuk jemi të vetëm...”.
Pas kësaj “credo”-je të ndritur jete është e tepërt të themi se Doriana ka mbaruar studimet e larta në Hunter College University në degën e Arteve Letrare dhe në Frëngjisht, se vazhdon vitin e dytë të studimeve për master në çështje të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik dhe të ndikimit të tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare, se në radion lokale “Ateda” ka propoganduar personalitete kombëtare apo se tani bën pjesë në stafin e “Schott Music Co” etj etj. Nuk ka pak të tillë nga bashkëkombasit tanë të rinj, kaq intensivisht e modernisht të arsimuar. E veçanta, e shkëlqyeshmja dhe inteligjentja e gjestit të Doriana Mollës është se ka kuptuar që edhe patriotizmi kërkon shprehje dhe gjetje moderne. Koha e stilit foklorik në disa rrethe e nivele të caktuara mund të jetë ende i dobishëm, por jo për gjeneratën e re të viteve dymijë. Ata janë elitarë dhe si miq të Shqipërisë kërkojnë e gjejnë nëpër botë emra e modele elitarë.
Kompozitorin Alvin Sigleton Doriana e njohu nëpërmjet kompanisë ku punon si menaxhere muzike dhe e kontratave. Kur e pyeti me kujdes nëse kishte dëgjuar ndonjë gjë për atdheun e saj, Shqipërinë, amerikani ngriti supet si i zënë në faj. Jo, nuk dinte asgjë. Pastaj bëri një gjest sikur të deshte të thoshte se do të bënte patjetër diçka për të marrë disa të dhëna. Të gjitha ato fjalë Singleton i shqiptoi sidoqoftë me një mirësi. Më pas Doriana Molla do të shihte se si kompozitori i njohur amerikan, duke qënë njeri shumë komunikues dhe i sinqertë, kishte dhënë pa bujë një premtim.
Alvin Singleton udhëtonte vazhdimisht nëpër vende të ndryshme të botës dhe një ditë, sërish me takt, Doriana i tha nëse kishte dëshirë të bënte të njëjtën gjë edhe në vendin e saj. Tjetri përgjigjen e dha të futur në një shprehje të mirësjellshme: Pse jo? Megjithatë ajo e dinte se ai qe me kaq shumë famë dhe me aq kërkesa të pafund për prani të tij në shtete mjaft të mëdhenj, të zhvilluar dhe me traditë botërore të muzikës klasike sa që e la ta riçelte bisedën e porsanisur në një rast tjetër. Ndërkohë vendimin e pati marë dhe këtë gjë ja tha edhe Adrianit. Shpenzimet jo të vogla të këtij projekti, siç ndodhte rëndom edhe në rastet e tjera, nuk i përballonte kompania e tyre e promovimit të vlerave muzikore, por sponsorë të ndryshëm që kërkonin e gjenin. Adriani që bënte një bisnes modest, e nxiti të mos ndalej. Do ta bënte ai sponsorin.
Kështu pak nga pak Alvin Singleton iu shpreh Doriana Mollës se vërtet nuk e dinte ku binte saktësisht në hartë Shqipëria, por megjithatë nuk i kishte thënë një të fshehtë. Katër dekada më parë, kur qe i ri e specializohej për muzikë klasike në Vjenë, i etur për të kuptuar nëse në vendet e mbyllura ish-komuniste kultivohej edhe muzikë klasike, nëpërmjet një radioje kalonte herë pas here treguesin e stacioneve nga një valë në tjetrën. Pikërisht në një kërkim të tillë kërshërie pati dëgjuar një folëse që me zërin disi teatror e deklarativ, por mjaft karakteristik e të tingëllueshëm, pati shqiptuar në gjuhën gjermane fjalët “Ju flet Radio Tirana”. Fjala Tirana e kishte mahnitur me tingëllimin e saj muzikor.
Pastaj pati pritur të dëgjonte muzikë klasike, por nuk kishte mundur. Stacioni transmentonte disa këngë e marshe me brenda fjalën revolucion. Kështu kishte hequr dorë dhe me kaq mbresat e para i patën përfunduar si kujtime të largëta. Koha mund t’ia fshinte përfundimisht, por ja që ja kishte zgjuar shqiptarja njujorkeze Doriana.
Ajo më në fund ja tha drejtpërsëdrejti propozimin: A mund të vinte në Shqipëri për të dhënë një koncert të krijimeve të tij? Singleton për të vendosur kërkoi një informacion për kompozitorët vendas dhe orkestrat sinfonike që ekzistonin e çfarë luanin. Doriana Molla vuri në lëvizje në Tiranë babanë e saj të palodhur dhe bashkë me të në mobilizim e gjithë familja, nga e jëma mësuese letërsie, i vëllai me talent dizajner dhe e motra që mes të tjerash pati kryer edhe një kurs veror studimesh në Vjenë. Në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve drejtori për kulturën Shaqir Rexhevelaj u gëzua dhe nisi të falenderojë. Pastaj i premtoi bashkëpunimin e të gjithë ndihmën e mundshme. Më pas u kryen takimet me dirigjentin e orkestrës së Radio-Televizionit Oleg Arapi, me emrin e njohur Zhani Ciko të orkestrës së Teatrit të Operas dhe Baletit. Shumë shpejt u bënë gati të gjitha të dhënat e nevojshme.
Ndërkohë në Nju Jork Doriana ja pati treguar projektin e saj edhe presidentit e nënpresidentit të kompanisë “Schott Music Co”. Ata i premtuan mbështetjen, madje njëherazi për suksesin e misionit u treguan edhe entuziastë. Për ta vajtja e Alvin Singleton në Shqipëri ishte diçka origjinale, jashtë të zakonshmes, me siguri e mbushur plot surpriza edhe për vetë biografinë e kompanisë.

ooo

Kur u nisën për në Tiranë Lisa, bashkëshortja e Alvin Singleton, i tha të shoqit se do të qe shumë e lumtur të mësonte nga ky udhëtim diçka për jetën e heroit kombëtar të Shqiptarëve, Skënderbeun.
Nga aeroporti i Rinasit familja Molla e sistemoi çiftin e miqve të veçantë në Hotel Tirana. Singleton kudo ku shkon për koncerte pëlqen të bujtë në hotele të rrjetit të kompanisë Sheraton, por kësaj radhe e prishi rregullin e vet të ngurtë për tre arsye të thjeshta: Prej njëmbëdhjetë kateve të të parit, duke qënë i vendosur edhe në mes të kryeqytetit, shihte shumë mirë pothuaj të gjithë metropolin e madh të shqiptarëve; se hoteli kishte emrin Tirana dhe kështu ruhej përfundimisht në kujtesë ai fill i lënë këputur në rininë e tij studentore të Vjenës; se për kënaqësi të Lisës nga dritarja mund të shihje sheshin me emrin Gjergj Kastrioti si edhe monumentin në krye të tij.
Koncerti ku orkestra e Radio-Televizionit shqiptar luajti tre krijime të Singleton (“String quartet No 1”, “Einee ide ist stuck stoff”, “Somehow we can”) u bë në mbrëmjen e 17 tetorit në sallën e hapët “Ferdinand Deda”, në oborin e brendshëm të Radio Tiranës. Qielli i mbushur me tufa yjesh, loja mjeshtërore e orkestrantëve, folësja e koncertit si e bërë prej lënde kristali, notat e gëzueshme të fjalëve falenderuese të Dorina Mollës, mrekullimi që lexohej në mirënjohjen që Singleton shprehu, e bënë atë mbrëmje të paharrueshme të denjë për t’u fiksuar në kronikën më të bukur të historisë së Shqipërisë moderne.
Në ditët e tjera Alvin Singleton shkoi të vizitonte amfiteatrin antik të Durrësit, më të madhin në Ballkan. E shoqëroi edhe kompozitori Aleksandër Lalo. Ndryshe nga mjaft turistë gjermanë që ato çast patën hyrë për ta vizituar shitësja e biletave me emrin Dallëndyshe e ftoi Singleton dhe bashkëshorten e tij ta shihte amfiteatrin gratis. Aty mes turistëve gjermanë ai takoi edhe një që i pati parë një koncert në Vjenë e që nisi t’ja lavdërojë talentin, por kompozitorit amerikan atë ditë ia kishte mikluar sedrën më shumë gjesti i respektit i shprehur nga shqiptarja e thjeshtë tek hyrja e amfiteatrit.
Bashkë me Lisën shkuan edhe në Krujë, në muzeun Gjergj Kastriot Skënderbeu. Aty bënë mjaft foto, sidomos kur shkruan përshtypjet. Por e papritura ndodhi ndërsa po delnin nga Muzeu Etnografik. Menjëherë i rrethuan një tufë fëmijësh të shendetshëm, të bukur dhe të gëzuar, të cilët në anglisht nisën t’i përshendetnin e t’i pyetnin nga vinin, si i quanin, a u pëlqente Kruja e tyre. Edhe sikur të organizohej posaçërisht ky takim rastësor nuk mund të mblidhje dot aq shumë fëmijë me pamje pëllumbash. Singleton e Lisa nuk kishin më kembë të largoheshin.
Kjo ndjenjë i shoqëroi edhe kur në Rinas i hipën avionit. Këtë mbresë ia shprehën Dorianës edhe pas kthimit në Nju Jork.
Ishte e drejta e saj që këtë çast t’i thoshte vetes: Ja dole Dori!


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com