Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Që Viti i Ri të mos jetë më i vjetër


Botuar në gazetën “Shqip” më 30 dhjetor 2008

Po ta vështrosh këto ditë jo vetëm Tiranën, por të gjithë vendin, sidomos rrugët, ndërtesat e institucionet publike, ato janë të mbushura me drita vezulluese. Nuk është vepruar keq, sepse edhe prej imazhit të tyre deri tek njerëzit transmentohet ndjenja e një jete të pritshme më të mirë. Në rastin shqiptar ai nuk është një sajim iluzioni lumturues në kapërcyell të dy viteve. Shqipëria po ecën përpara dhe e ka akoma dëshirën të ndryshojë.
E theksojmë këtë, pra vullnetin e vetë Shqipërisë për të ndryshuar, sepse po nuk e pati ajo, pra e gjithë shoqëria jonë, nuk ka klasë politike që këtë prirje të mund ta frymëzojë e udhëheqë. Po ashtu në këto vite dymijë në rast se kjo shoqëri ka dëshirë e vullnet ta ndryshojë jetën e saj nuk ka grup politik të mund t’ja shpërdorë e frenojë.
Megjithatë ndërsa po hyjmë në një vit të ri që së largmi duket interesant kemi përshtypjen se po mbartim me vete, po tërheqim nga pas, edhe një problem: shenjat e para të dobësimit të forcës sonë për të ndryshuar me ritëm të shpejtë. Kushdo ka të drejtën të mos e besojë se është pikërisht kështu, një pjesë mund edhe ta keqkuptojë. Janë në të drejtën e tyre edhe ata që nuk e gjejnë të argumentuar. Njëmijë herë janë të justifikuar edhe të gjithë bashkëkombasit, të cilët mendojnë se tek ne shenjat e dobësimit të ritmit të ndryshimit vijnë si pasojë e drejtpërdrejtë e fillimit të krizës ekonomike globale. Porse kur dëshirojmë të tërheqim vëmendjen për këtë dukuri (Qoftë e gabuar!), nuk e kemi fjalën për një tendencë të ndërgjegjshme të shoqërisë shqiptare, një vendim që ajo e ka marë kundër vetvetes. Shqiptarët janë një popull i rrallë për vitalitetin e energjive të tyre si edhe optimizmin për jetën. Po ashtu mes nesh ka grupe të tëra që përpiqen ta ndjekin përparimin teknologjik botëror, veçanërisht mënyrën moderne të jetesës. Ndërkohë ne nuk kemi qënë asnjëherë popull që e refuzojmë zhvillimin apo ca më pak që i kundërvihemi atij.
Problemi ynë është tjetër gjë: Ne nuk e kuptojmë zhvillimin në të gjithë tërësinë e tij, si frut të ëmbël që vjen bashkë me punën me ritëm shumë të lartë. Ne zhvillimin e duam më shumë jo si krijuesë e prodhuesë të tij, por si konsumatorë. Nuk është ky aq fort ves ballkanas, siç duket me vështrimin e parë. Është defekti ynë kombëtar kryesor. Nuk mund ta dallosh atë në çdo kohë. Ai ka momentin e vet të eklipsit. Në 1992, 1994, 1998, 2002, 2007 nuk dukej, sepse qenë kohë ndryshimesh të hovshme.
Që prej më shumë se një viti kur kalojmë pranë Urës së Tabakëve, njërës nga objektet historike të kryeqytetit, shohim se si pas përfundimit të projektit të restaurimit dalngadalë atë e mbytën barërat dhe uji i ndenjur. Kështu ajo urë pothuaj u rikthye në gjendjen e mëparshme. Më parë në autobuzat urbanë, një sipërmarrje mikse privato-bashkiake, në të gjitha rastet fatorinot të jepnin biletë. Tani gjysma nuk e bëjnë më këtë gjë. Në kulturën qytetare na rikthyen të paktën pesë vite mbrapsht. Pasi blen një mall përveç komplekseve të mëdha tregëtare asnjë dyqan tjetër nuk të jep ndonjë faturë pagese. Janë bërë të paktën tre përpjekje shtetërore për ta vënë rregullin. Si të qe një llastik gjendja brenda vetëm pak ditëve u rikthye në pikën e fillimit. Një pjesë jo e vogël e policëve rrugorë të vendosur në udhëkryqet e kryeqytetit për vetëm situata emergjente, tamam kur nuk ka asnjë problem me trafikun janë të parët që nuk respektojnë semaforin. Kështu njerëzit të cilët përpiqen të udhëhiqen nga zakonet moderne urbane gjenden të rrezikuar orë e çast tek kembët e makinave. Vite të shkuara u tha se këta policë të profilizuar për qarkullimin qenë ngarkuar të edukonin qytetarët si këta të respektonin semaforët. Kështu u bë edhe një rikthim tjetër mbrapsht. Shërbimi shëndetësor publik po vijon pa ja frenuar dot kush rënimin e misionit të tij humanitar dhe me korrupsionin e pandalur mund ta tërheqë e mbajë vendin për një kohë tepër të gjatë në një krizë të madhe morale. Arsimi po zgjerohet, por po vonon shumë të prodhojë cilësi. Masa e rinisë vegjetative, asaj që mbush me qindra bare e klube, nuk ka gjasa të zvogëlohet. Vazhdon të jetë një turmë e madhe dhe vesin e saj ta konsolidojë. Ndërkohë në sektorë të ndryshëm, përfshi edhe jetën kulturore apo mediatike, po ngurtëzohen kastat. Vjen një kohë dhe ato shndërrohen jo në çliruese, por në bllokuese të zhvillimit.
Një gjendje e tillë (Sërish themi “Qoftë e gabuar!”) e ngarkuar në tejmasë me protagonizëm egoist individësh të veçantë, po ashtu e ndërlidhur me situata të caktuara në të cilën ndodhet zgjidhja përfundimtare e çështjes shqiptare, e dëshmon prirjen e ngadalësimit të ritmit të ndryshimit edhe me një fakt të tretë: janë gjetur dhe po përdoren hapësira të mëdha diversioni ndaj simboleve kryesore kombëtare.
E gjitha kjo ndodh sepse ne shqiptarët, nga më i riu e deri tek më i moshuari, raportin problematik me ritmin e kemi pasojë të marëdhënieve që ndërtojmë me vetë kohën. Në viset tona ora përherë ka ecur shumë më ngadalë jo vetëm nga ajo e popujve të Perëndimit, por edhe prej asaj të shumë fqinjëve. Për të justifikuar këtë mbetje prapa kemi shpikur e mëkuar mite nga më të “patriotiket”. Kemi bërë gjithçka për t’ja mbushur mendjen vetes dhe pastaj çdo gjeneratë brezit pasardhës se shkrimi i vonë në gjuhën amtare, mungesa e universiteteve deri në mes të shekullit të shkuar, mosekzistenca e rrugëve moderne apo e porteve detare, e aeroporteve apo vijave hekurudhore, dalja shumë e vonë e romanit apo edhe e ditëshpalljes së pavarësisë kombëtare, niveli akoma rudimentar i shkencës apo mungesa e shkollave filozofike kanë ardhur jo prej nesh, por të gjitha nga pushtimet e sabotimet e të huajve.
Mekanizmi ynë i ritmit të ngadalësuar nuk na vjen i provokuar, por krejt natyrshëm, vetvetishëm, sidomos pas entuziazmit të parë. Na ndodh që me zhvillim më së pari kuptojmë mirëqënien e shtëpisë sonë. Pasi përmbushim kërkesat tona vetiake më të rëndësishme ndihemi të realizuar. Në këtë çast ne thjeshtojmë dhe ulim kërkesat, i shmangemi garës së madhe për të zhvilluar vendin. Kjo ndodh edhe sepse shoqëria jonë shqiptare ka cilësi shumë të dobëta të kohezionit, nuk ka vetinë të veprojë kompakte. Ajo nuk gjen tek vetja aq frymë të lirë kolektive sa të prodhojë hope të mëdha. Shqiptarët janë shoqëri e individëve të fortë, por kurrë e një shoqërie të fortë.
Këtu nis cikli ynë i dy hapave përpara dhe pastaj i vetëm një çapi të ndrojtur.
Gjer tani, të mbetur prapa prej bllokuesit më të madh të ndryshimit që shoqëria e shteti shqiptar pati kaluar ndonjëherë, regjimi komunist, për tetëmbëdhjetë vite me radhë bëmë gjithçka të rikthenim atë na kishte munguar. Kemi shkëlqyer vit pas viti, megjithë problemet që na kanë shkaktuar dhe i kemi krijuar njëri-tjetrit. Pas këtij hovi të madh ka nisur të ndihet lodhja. Në të vërtetë mbase është faza e shndrimit prej ndryshimeve sasiore në ato cilësore dhe psikologjikisht nuk është aspak punë e lehtë për çdo popull.
Viti 2009 përkon, për fat të keq, për thjesht një rastësi, me fillimin e krizës botërore, madje thonë edhe me mpikun e saj. Kjo do të thotë se në rastin shqiptar të dy, lodhja jonë ciklike dhe kriza globale, do të ndihmojnë njëra-tjetrën për të na sjellë ngadalësim më të madh.
E megjithatë viti 2009 përkon edhe me dy ngjarje të mëdha, të cilat mund të shërbejnë për ta kapërxyer gjendjen. E para është Rruga e Kombit, e cila do të sjellë një ndryshim të pazakonshëm në shumë parametra pozitivë të zhvillimit ekonomik e deri tek ato brendaetnikë. E dyta janë zgjedhjet politike. Po të koordinohen mund të shndërrohen në dy motorra të fuqishëm të daljes nga ky moment joshjeje pas hapit të ngadalësuar.
Viti 2009 është prova jonë e madhe: ajo e kompaktësimit të një shoqërie që kërkon vetë të zhvillohet dhe elitën e nxjerr në krye jo që kjo ta shtyjë, por që ta prijë.


Ylli Polovina







Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com