Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

NJË SURPRIZË QË FSHIHET NË JAVOREN VJENEZE “DAS INTERESSANTE BLATT” NË NUMRIN E SAJ TË 28 NËNTORIT 1912
FESTAT 28-29 NËNTORIT 1945 DHE LOJA E ENVER HOXHËS ME FJALËN DEMOKRACI Pjesa e dytë
FESTAT 28-29 NËNTORIT 1945 DHE LOJA E ENVER HOXHËS ME FJALËN DEMOKRACI Pjesa e parë
LAJMI I SAJUAR MBI NGRITJEN E FLAMURIT DHE SHPALLJEN E PAVARËSISË NË DURRËS
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISË ITALIANE ME MBIEMRIN ÇIFTELIA (Pjesa 2)
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Shqiptarët në NATO, kjo ngjarje e paharruar


Botuar në revistën “Shqip”, janar 2008

Për një pragmatizëm të natyrshëm shqiptarët do ta ndjejnë hyrjen e vendit të tyre në Bashkimin Evropian vetëm kur në daljen prej kufirit e njëkohësisht hyrjen në një shtet tjetër të BE-së asnjë doganier nuk do t’u kërkojë të kenë viza. Doemos që pas këtij çasti do të ndjejnë vështirësi të kuptojnë se ky kalim i lirë kufijsh është vetëm fillimi i mjaft detyrimeve që do të duhet të përmbushin për të merituar qëndrimin e vazhdueshëm në këtë familje të madhe të vendeve demokratike.
Prej të njëjtës rutinë, të interpretuarit të sipërfaqshëm, jo pak bashkëkombas nuk e kanë ndjerë dhe as kuptuar mirë që këto muajt e fundit të këtij viti, 2008-ës, na ka ndodhur të kryejmë një gjest historik: Jemi bërë aleatë efektivë të NATO-s.
Kur bie fjala për anëtarësimin në Aleancën Atllantike një arsyetim me frymë të zakonshme nuk e përfshin dot të gjithë hapësirën reale të ngjarjes. Shumica mendojnë se kjo ka të bëjë me ushtrinë e ushtarakët, sa trupa e sa tanke ke, sa gryka topash e sa raketa, sa avionë gjuajtës e sa helikopterë lufte. Duke qënë se ushtria shqiptare ka bërë shumë përmirësime në programet e saj stërvitore, në organizimin luftarak dhe dijet shkencore, në përmasat e kontributit me njësi paqeruajtëse në zonat më të nxehta të globit, por nuk ka asnjë avion modern luftarak, asnjë tank me teknologjinë e kohës, asnjë luftanije dhe raketë të prodhimit të fundit, atëhere shumica jonë ngjarjes së marrjes së ftesës për në NATO nuk i ka dhënë dot ndonjë rëndësi të veçantë. Në politikën e brendshme e quan më shumë një temë propogande, kurse në raportet me jashtë një lloj lëshimi që na është bërë. Me një fjalë sipas tyre, duke menduar se më shumë se jemi të merituar për nevoja gjeostrategjike na kanë bërë partnerë të Aleancës Atllantike me ndonjë urdhër, ndodhia nuk meriton ndonjë vëmendje të posaçme.
Kështu një nga ngjarjet më të veçanta në historinë moderne të shqiptarëve në të kuptuarin popullor ka rënë pothuaj në një boshllëk.
Kjo edhe mund të justifikohet, por po ashtu nuk mund të lejohet të kalojë nën pluhurin e rëndomësisë. Kush ka gjashtë apo shtatë dekada jete dhe ka parë se si për pesëmbëdhjetë vite Shqipëria ka qënë anëtare e një aleance tjetër të madhe ushtarake, Traktatit të Varshavës, ngjarjen e gjykon pak a shumë sipas këtij modeli. Të ishe atëhere pjesë e atij bashkimi do të thoshte të kishe në Gjirin e Vlorës një bazë të madhe ushtarako-detare me grykat e silurave të drejtuara kundër Perëndimit. Tani sipas kësaj shëmbulltyre duhej që edhe në Shqipëri të kishte një apo disa baza të mëdha e të vogla ushtarake të Aleancës Atllantike. Duke qënë se të tilla nuk ka shumica e gjashtë apo shtatëdekadëshve vetëm ngre supet dhe e sugjestionon veten me mendimin se gjithçka që ka ndodhur, ka qënë thjesht një formalitet i gëzuar.
Cili prej shqiptarëve ka jetë vetëm në dy-tre dhjetëvjeçarët e fundit, megjithë aftësinë për ta kuptuar shumë më mirë kohën ku jeton, sërish marrja e ftesës për të hyrë në NATO i duket një ceremoni e bukur, mbase edhe një fiction.
Nuk ndodh për herë të parë e nuk u ka ngjarë vetëm shqiptarëve që të kenë bërë një çast histori e të mos e kenë ndjerë. Shpesh gjykohet se për të pasur këtë vetndjerje duhen ngjarje të forta, turbullira sociale apo gjithçka tjetër e zhurrmshme.
Mirëpo KEMI HYRË NË NATO DHE NË HISTORI.
Agim Fagu, një prej diplomatëve që në Ministrinë e Punëve të Jashtme mbulon proçesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën Atllantike dhe Plator Kalakula, një tjetër koleg i tij që për pothuaj një dekadë të tërë ka punuar në Bruksel në misionin tonë pranë saj, të bindin qetësisht se mes nesh ka ndodhur një ngjarje e madhe. I zgjodhëm të dy interpretuesit nga masa e depolitizuar e nëpunësve të administratës sonë jo sepse nuk kemi respekt për vetë emrat e politikanëve. Ata kanë meritën e tyre të pamohueshme. E bëmë këtë për të qënë sa më të drejtpërdrejtë me lexuesin e të gjithë ideve dhe simpative partiake.

Një Bukuresht tjetër

Me përmbysjen e diktaturës në Shqipëri, edhe në të gjithë vendet e eurolindjes dikur anëtare të Traktatit të Varshavës e të bllokut komunist, simbolet e vjetra ranë përdhe të diskretituara. Tani gjërat kanë marë një kuptim të ri. Për propogandën e regjimit të para vitit 1990 Bukureshti ishte qyteti ku historia jonë na u bë duke demaskuar “revizionistët” dhe pas kësaj duke u shtyrë përherë e më shumë në mendësinë e praktikën bolshevike staliniste dhe në vetizolim total. Pothuaj katër dekada më pas në historinë e popullit tonë Bukureshti u shfaq sërish, por me një imazh tjetër: Ishte kryeqyteti ku më 3 prill 2008 Shqipëria mori statusin e të ftuarës për të hyrë në NATO. Qe bashkë me Kroacinë.
Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë të tregojnë se në prag të Bukureshtit raportet e mëparshme me Aleancën Atllantike patën bërë një kërcim të madh. Prej shumë vitesh dëshirues për t’u anëtarësuar dhe tashmë kandidat i shpallur zyrtarisht, vend që ishte “nxënës” para “pedagogut” NATO, dy-tre javë para mbledhjes, në selinë e kësaj të fundit në Bruksel nisi të ndihet një atmosferë tjetër. Gjuha e komunikimit, e cila deri ato çaste pati qënë kërkuese për të zbatuar çdo standart të përgatitjes për t’u anëtarësuar, u bë menjëherë partnere, e njëllojtë si me çdo anëtar tjetër të Aleancës. U shua distanca e mëparshme e “marrjes në provim”. Kjo donte të thoshte se tashmë në selinë e NATO-s qe pjekur mendimi se Shqipëria më në fund ishte gati.
Për njerëzit e ngarkuar nga shteti ynë me këtë proçes integrimi atmosfera e re përshkruhet si shumë sugjestionuese, mjaft e befasishme. Brenda pak ditëve qenë fikur opinionet e dikurshme se “Shqipëria ka ende mjaft punë” dhe se dita e marrjes së ftesës mund të shtyhej dashamirësisht edhe ca kohë. Tashmë theksohej se viti 2008 me të gjithë muajt e tij kishte qënë me të vërtetë një frymë e jashtzakonshme mobilizimi politik dhe diplomatik i Tiranës.
Në prag të mbledhjes së Bukureshtit gëzimi i anëtarëve të vjetër të Aleancës Atllantike, madje edhe i vetë themeluesve të saj, përshkruhet nga përjetuesit e saj shqiptarë si krejt i çelët. Të rrëfejnë përshtypjen se ato çaste inkurajimi u dukej se Shqipëria e kishte marë ftesën pa e marë ende formalisht dhe qe bërë anëtare pa qënë akoma e tillë.
Këtë frymë të paharrueshme, përvojë shumë e rrallë, gati-gati lumturisht hutuese, e cilësojnë si “pedagogji të integrimit”. Ndërkohë ajo po ashtu është edhe kulturë të mirëfilltë demokratike. Specialistët tanë tekniko-politikë nuk e harrojnë dot se si po ata kolegë që deri para pak çastesh luftonin të bëheshe “nxënës” i mirë i anëtarësimit, sapo u bindën që ishe i tillë të heqin nga “bangat e shkollës” dhe të ulin të barabartë në tavolinën e rrumbullakët ku merren vendimet e përbashkëta.
“Menjëherë e kupton”, të thonë ata, “se këtë ditë nuk e ke pritur me padurim vetëm ti, por edhe e gjithë Aleanca dhe anëtarët e saj”.
Ndërkaq ditën kur delegacioni i lartë shqiptar, me në krye Presidentin dhe Kryeministrin, u gjend në Bukuresht para Pallatit të Kongreseve, selisë ku do të mbahej mbledhja e shënuar, gjithçka e provuar më parë prej nëpunësve specialistë dukej shumë më e qartë dhe mbresëlënëse edhe për ta. Ajo bëhej më e fortë brenda sallës së madhe të takimit. “Atje nuk të humbte përshendetja asnjëherë”, të thonë njerëzit e delegacionit, “Nuk rreshtnin përshendetjet, urimet “Bravo!”, “Jemi të gëzuar”, “Ju lumtë!” Inkurajimet vinin nga të gjitha drejtimet”. Ata rrëfejnë se edhe rumunët, vendi organizator, qenë shumë entuziastë që marrja e ftesës së Shqipërisë dhe Kroacisë për t’u anëtarësuar në NATO po u ndodhte në kryeqytetin e tyre.
Por ngarendja prej gëzimit dhe solemnitetit të sinqertë nuk do të mbaronte me mbylljen e mbledhjes së Bukureshtit. Do të ngjante edhe më paharrueshëm. Fryma inkurajuese do të bëhej më e madhe pas saj. Në Bukuresht përfaqësuesve të Shqipërisë iu tha se tani që patën marë ftesën Aleanca do t’u vinte disa standarte të tjera, më të shpejta, por jo më të lehta. Raundet e takimeve tani do të bëheshin dy herë më pak dhe se ndërsa kjo do të ndodhte në mbledhjet e punës të vetë Aleancës, parlamentet e shteteve anëtare të saj me shpejtësinë më të madhe të mundur do të ratifikonin statusin e ri të Shqipërisë. Asnjë minutë nuk duhej e nuk do të humbiste. Qenë të gjithë të bindur se nuk kishte më asnjë pengesë, por punë për të gjithë që të bënin të mundur anëtarësimin e plotë.
Kështu rruga qe krejtësisht e hapur. Më 9 korrik u bë në Bruksel nënshkrimi i Protokollit të Pranimit të Shqipërisë në NATO. Sipas një kalendari të Aleancës takimi tjetër ministerial, i zakonshmi por edhe më i larti, ai i Ministrave të Jashtëm, do të mbahej në 2 dhjetor 2008. Në vijim të procedurave të natyrshme në prill 2009 në Strasburg dhe në Kehl do të zhvilloheshin dy mbledhjet për pranimin përfundimtar. Kështu pranvera e ardhshme do ta zinte Shqipërinë anëtare me status të plotë të NATO-s.
Siç qe parashikuar në 2 dhjetor 2008 u mbajt takimi i radhës dhe tani që kapërxeu festa e Vitit të Ri priten dy raundet finale. Ndërkohë mjaft parlamente të vendeve anëtare të Aleancës kanë ratifikuar Protokollin e Pranimit.
Por në të njëjtën kohë ka ndodhur diçka e veçantë, jo e zakonshme, e cila mund të quhet edhe si shenjë fati për Shqipërinë. Po ua tregojmë më poshtë.

Aleancë politike para se të jetë ushtarake

Për ta kuptuar sa më mirë ngjarjen fatthënëse informojmë se NATO është një bashkim politiko-ushtarak. Pra nuk është kurrë vetëm ushtarak. Mes të tjerash këtë e dëshmon edhe fakti se forumi më i lartë i saj nuk përfaqësohet nga ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare, por nga ata të Jashtëm. Aleanca i ka vënë vetes objektiva politikë siç janë ato të mbrojtjes së paqes dhe sigurisë, mbi të gjitha edhe të sistemit të shoqërive demokratike. Ne shqiptarët këtë cilësi të NATO-s e dimë mjaft mirë, sepse në vitin 1999 ajo ndërhyri për të shpëtuar bashkëkombasit tanë të Kosovës nga revanshi i një genocidi të madh kundër tyre. Jo pak vëzhgues ndërkombëtarë këtë aksion e emërtuan si të kryer edhe për qëllime tërësisht humanitare.
Aleanca Atllantike nuk është kurrsesi si dikur Traktati i Varshavës, madje mes të dyve nuk gjen dot asnjë kend krahasimi. Në bashkimin ushtarak të regjimeve komuniste njëri komandonte dhe të tjerët duhej vetëm të zbatonin. Në krye u qëndronte një ideologji totalitare e sektare, u imponoheshin vendime të partive e të kryetarëve të tyre të gjithfuqishëm. Fotoja e saj e imazhit nuk ishte gjë tjetër veç ministra mbrojtjeje të ngjeshur nga koka në kembë me uniforma ushtarake. Qe vërtet një aleancë militareske.
Pamje të tilla nuk i sheh në NATO. Secili prej nesh, të paktën edhe nëpërmjet ekraneve televizive, e ka të dëshmuar këtë gjë. Aleanca Atllantike ndërhyrjen ushtarake e ka vetëm njërin prej mjeteve të saj në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë. Madje ai është i fundit. NATO përdor në fillim mjetet politike dhe diplomatike. Vetëm kur ato konsumohen dhe nuk ka asnjë rrugë tjetër nis vënia në veprim e rrugëzgjidhjes ushtarake. Por edhe kjo kryhet për ta shuar një konflikt e jo për ta ndezur. Në të gjitha rrethanat ndërhyrja e mjeteve të forta dhe të rrezikshme për njeriun, siç janë armët, realizohet duke patur parasysh që humbja e jetëve apo e objekteve civile të jetë sa më e vogël, po të jetë e mundur edhe zero.
Që në vitin 1949, kur u ngrit, Aleanca Atllantike ka qënë e tillë: Bashkim demokratik për të mbrojtur demokracinë. Specialistët e Shërbimit të Jashtëm Shqiptar Fagu e Kalakula, me vite të tëra eksperience teknike në këtë mjedis, ngulin kembë se NATO mund të konsiderohet deri edhe organizma me jetën e brendshme më demokratike në botë. Këtë cilësi ata e argumentojnë edhe me një aftësi të jashtzakonshme të saj: përshtatshmërinë me kohën. Aleanca nuk jep asnjëherë shenja mbetjeje në vend apo ngurosjeje. Ajo adaptohet gjatë viteve. Para se të ndërhynte në ish-Jugosllavi jo pak nga ata që nuk dëshironin të prekej statusi arrogant i diktatorit Millosheviç përhapën fjalë se NATO gjendej në krizën e falimentimit dhe të përfundimit të ekzistencës së saj. Në prag të dhjetëvjetorit të këtij çasti Aleanca Atllantike jo vetëm është më e fortë dhe më jetëgjatë se më parë, por zgjerimi i saj me partnerë dhe objektiva sigurie ka kapërxyer kufijtë e eurokontinentit.
NATO në funksionin e saj politik punon non stop. Takimet në nivelin e ambasadorëve të vendeve anëtare, forum i cili quhet Këshilli i Atllantikut Verior, mbahen çdo javë, saktësisht ditën e mërkurë. Kështu ndodhi që menjëherë pas 9 korrikut, pra të mërkurën e parë vijuese, në mbledhjen e radhës mori pjesë për herë të parë edhe ambasadori shqiptar. NATO kishte filluar ta konsideronte Shqipërinë si anëtare të barabartë të saj. Për të mbërritur kjo mrekulli kishte ndihmuar një moment i rastësishëm: ngjarjet në Gjeorgji. Ishte konflikti në hapësirën e Osetisë Jugore që ajo, e cila përafërsisht parashikohej të ngjante në dy dhjetor, mori jetë katër muaj përpara.
Mbledhja ishte urgjente. Misioni shqiptar pranë Aleancës në Bruksel e njoftoi Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe kjo qeverinë në 16 gusht 2008. U nis menjëherë puna përgatitore për të bërë gati lendën e deklaratës së përbashkët, i cili do të qe edhe dokumenti kryesor i takimit. Mbledhja qe aq urgjente dhe e paparashikuar saqë nuk gjeje dot bileta që i gjithë stafi i vogël i Tiranës të mund të udhëtonte me të njëjtin avion. Më 18 gusht ministri Lulzim Basha i shoqëruar nga këshilltari i tij u nis drejt Brukselit nëpërmjet linjës ajrore të Lufthansës, kurse pjesa tjetër tekniko-politiko e stafit në fillim me një avion të Malev-it dhe prej Budapestit me një tjetër aeroplan në Mynih e më pas në Bruksel. Më 19 gusht në orën 8.30 të mëngjezit grupet përkatëse të çdo vendi anëtar, patën kryer dy-tre raundet e para të punës, duke arritur ta përafronin projektdeklaratën në një skelet të përbashkët. Megjithatë mes palëve ende kishte mospërputhje, sidomos në disa nuanca opinionesh.
Mbledhja e Ministrave të Jashtëm nisi në orën dhjetë të paradites. Pasi kumtoi objektin e rendit të ditës të asaj mbledhjeje të jashtzakonshme fjalët e para të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hop Shefer, qenë emocionuese: “Ju kujtoj se sot kemi në gjirin tonë dy të ftuarit e rinj, Shqipërinë dhe Kroacinë. U urojmë atyre suksese!”
Në atë mbledhje lanë gjurmë të hijshme maturie edhe ajo çfarë në thelb shqiptoi ministri shqiptar Lulzim Basha. Përafërsisht ai e filloi fjalën e vet me logjikën se “sigurisht ne nuk do ta dëshironim që dita parë e pjesëmarrjes tonë të parë në këtë forum të lartë të Aleancës të ishte për një ngjarje të tillë, por kjo është ajo për të cilën kemi nënshkruar, kemi marë përsipër dhe nuk tërhiqemi”.
Në orën katërmbëdhjetë, ndërsa stafet tekniko-politike në një sallë përkundruall asaj ku qenë mbledhur ministrat e Jashtëm, nën këshillimin e këtyre të fundit, fazë pas faze përafronin qëndrimet e anëtarëve të NATO-s, deklarata e përbashkët kishte marë formën unike. Në një konferencë shtypi ajo iu bë publike gjithë botës. Mes të tjerash në të thuhej se përshëndetej marrëveshja e nënshkruar nga Gjeorgjia dhe Rusia, të cilat nëpërmjet përpjekjeve diplomatike të BE-së, OSBE-së dhe SHBA-ve kishin mundur t’i jepnin fund veprimeve luftarake për të arritur në një zgjidhje politike të konfliktit.
Ndërkohë sfondi i atij konflikti të ashpër kishte edhe një emër tjetër ministri të Jashtëm shqiptar. Qe Kastriot Islami, i dërguar posaçërisht në rajon nga Këshilli i Evropës.
NATO të hap dyert jo patjetër kur ke trupa e mjete ushtarake numerikisht të larta, por kur dëshmon se je i dëshiruar dhe i aftë të bësh demokraci në vendin tend dhe në botë. Këto duken fjalë të mëdha, por ajo që ndodhi në fundverë të 2008 nuk mund të quhet ndryshe.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com