|
Fragmente të reja nga libri “Gjysma e harruar e Skënderbeut”
Gjer në mars të këtij viti, para se të paraqesim disa pjesë nga libri im i ri “Bie dhe nuk rrëzohet”, duke marrë shkas edhe nga rrahja e mendimeve për të vërtetën historike rreth Gjergj Kastriot Skënderbeut, po publikojmë disa fragmente nga libri “Gjysma e harruar e Skënderbeut”, botuar në maj 2008.
Ylli Polovina
(Nga faqet 88-93)
Kur e krijuam për ta vendosur nëpër piedestalet e shesheve, pra kur formuam imazhin “zyrtar” apo “kombëtar” të Gjergj Kastriotit, a u kujdesëm shumë që pamja e tij të ishte sa më afër reales?
Sa mundet një popull të ndërhyjë tek e vërteta dhe sa të drejta mund t’i lejojë dëshirës së tij, edhe kur ajo është e pa të keq e tërësisht fisnike?
Doemos shqiptarët nuk mund të vepronin ndryshe nga kombe të tjerë, të cilët heronjtë e tyre më të rëndësishëm historikë e panë të udhës t’i ruajnë nëpërmjet mitizimit. Shndërrimi në mit ka qënë e në mos akoma pjesërisht mbetet si mënyra më e mirë për t’i ruajtur sa më gjatë në shekuj. Koha është një armike e madhe e kujtesës, ia heq asaj çdo gjë të tepërt. E kryen këtë vepër pastrimi të pamëshirshme në çdo orë, çdo ditë, muaj e vit. Mund të ketë emra individësh dhe bëma të tyre, ngjarje të tëra dhe epoka, të cilat kapen me thonj e dhembë të qëndrojnë përherë ose sa me gjatë në kujtesën e një populli, por koha nuk bën asnjë lëshim e asnjë favor për askënd.
Ajo nuk kishte si bënte një privilegj të tillë edhe për Skënderbeun.
Ndërgjegja popullore këtë e di, prandaj veproi sa më shpejt për ta mitizuar. Mitizimi nuk është gjë tjetër veç i krahasueshëm figurativisht me balsamimin që u kanë bërë egjiptianët e lashtë perandorëve të tyre para se t’i mbyllnin në sarkofag dhe futnin brenda piramidave të larta.
Kjo mënyrë ruajtjeje doemos që përfshinte në teknikën e saj edhe theksimin e disa tipareve të njeriut, i cili përgatitej nga populli i vet për të mbetur në historinë e tij. Po ashtu ky proçes kishte në rregullat e veta edhe zbutjen e deri heqjen apo zhdukjen pa asnjë gjurmë të atyre karakteristikave, të cilat gjykoheshin se nuk kishin asnjë vlerë për t’u vënë më në dukje.
Miti punon për të ardhmen, jo të tashmen.
Ky proçes mitizimi i Gjergj Kastriotit ka nisur që në çastin kur ai ka përjetuar vitet e fundit të jetës, por patjetër nisi të marrë formë të plotë pas vdekjes. Pesëqind vite sundim osman sigurisht e kanë mbajtur aktiv këtë lloj proçesi “balsamimi” të Skënderbeut, por gjithsesi mumifikimi i tij kryesor, ngrirja, fiksimi i pamjes, është kryer në vitet e dekadat e para të pasvdekjes. Më pas Gjergj Kastrioti-mit është vënë në mauzoleun e kujtesës kombëtare dhe ka qëndruar atje. Ndërhyrjet e mëvonshme kanë qënë të pakta, pa prishur atë që ishte përfunduar me kohë. Ato ishin më shumë se koregjime, përpjekje e riparime teknike për ta bërë sa më pak të dëmtueshme siluetën e tij.
Duke larguar, për të qënë më të shpenguar në analizë, të gjitha ato sajime të mitit për forcë fizike sa për dhjetë burra, se ndërsa e jëma, Vojsava, ishte shtatzanë me të, pa në ëndërr një dragua që kokën e zgjaste gjer në Stamboll dhe bishti i arrinte deri në gjirin e Venedikut apo se një shkëmb i stërmadh me vëllim në disa qindra metra kub në afërsi të qytezës minatore të Pishkashit na qenkej thundra e kalit të Skënderbeut, gjithçka tjetër ka lëndë për të arsyetuar rreth teknikës së mitizimit që i është bërë.
Duke vëzhguar këtë mënyrë dhe rezultatin e saj, pra të Gjergj Kastriotit që na ka mbetur deri sot, mund të hedhim dritë sadopak mbi autorin, “mjeshtrin”, popullin tonë. Kjo na ndihmon të dallojmë jo vetëm nivelin e talentit të tij, por edhe idetë që ka patur e ka për kryeheroin e vet. Po ashtu çfarë konceptesh ruan për vetë epokën ku Skënderbeu veproi, për Evropën apo vendet fqinj, për të ardhmen apo të shkuarën, për veten dhe brezat që do t’i vijnë, për të mirën dhe të keqen, për mëmëdhetarin apo atë që tradhëton atdheun e vet, për jetën e familjen, për atë që është e bukur dhe e shëmtuar e kështu me radhë.
Miti është përmendorja më e madhe që shqiptarët kanë ngritur për Gjergj Kastriot Skënderbeun. Të gjitha të tjerat, ato që duken nëpër sheshet në trojet etnike, në kontinent apo gjithkund më tej, janë të heqshme, të rishikueshme e shumë të mundshme për t’u përmirësuar a ndryshuar.
Nuk ndodh kjo aq lehtë me përmendoren e ngritur në vetë kujtesën kombëtare.
Gjithçka që merr formë në bronz apo gur e mermer është kryer sipas këtij përfytyrimi e modeli të madh virtual. Në rast se duhet të rishikohet portreti që deri tani për Skënderbeun kemi gdhendur në lëndë të dukshme, më së pari na duhet ta bëjmë këtë gjë në pamjen e tij imagjinare, në atë që kemi të gjithë bashkë në kokë.
Pikërisht këtu, në kokë e në zemër, ne deri tani kemi pamjen e një njeriu që nuk është shumë afër të vërtetës.
Në rast se e kemi për detyrë e për mision kombëtar që tashmë, ndërsa po luftojmë të përmbushim standartet e integrimit në Bashkimin Evropian, ta bëjmë Gjergj Kastriotin të rihyshëm në kontinentin e vet, atëhere puna më e parë nis nga më e thjeshta.
Kjo do të thotë se na takon të tregohemi aq të vullnetshëm sa ta rikthejmë pamjen fizike të Skënderbeut sa më afër portretit të tij real.
Sipas një modeli përfytyrimi të përhapur mes historianëve ”Skënderbeu kishte shtat të lartë, ishte tërë muskuj dhe me krahë të fuqishëm, me hundë të bukur të spikatur dhe pak kërrute (kurrizore)...”.
Është provuar se ka qënë pak a shumë kështu.
Gjergj Kastrioti ishte shtatlartë dhe kjo i dëshmohet edhe nëpërmjet përmasës së një cohe të veshjes së tij zyrtare (ceremoniale), e cila porositej dhe i vinte nga Republika e Venedikut. Po ashtu detyrimisht ka qënë muskulor, sepse ishte një ushtarak profesionist. Skënderbeu nuk vinte nga shkolla të politikës apo të ushtrimit në punët e administratës. Të tilla në epokën e tij as që merreshin me mend e jo më të ekzistonin. Ai ishte përgatitur, siç pjesa dërmuese e oficerëve turq, në shkollat ushtarake, një prej të cilave ishte edhe ajo Ic-ogllanëve në Edrene. Në historinë e Perandorisë Osmane dihet që kjo shkollë, një Akademi e vërtetë, ishte fidanishtja e të gjithë klasës udhëheqëse të saj. Atëhere jo vetëm komandanti i njësive luftarake, por edhe drejtuesit e vilajeteve apo të ndarjeve të tjera administrative, deri edhe kryeministri, vinin përgjithësisht nga kjo shkollë.
Atëhere më parë se të ishte kohë e mendjes, ishte edhe e muskujve.
Gara, konkurenca, rivaliteti, ngjitja në pushtet, ruajtja apo marrja e tij, kryhej edhe nëpëmjet përgatitjes dhe aftësisë fizike.
Por shkollën e Ic-ogllanëve e përfundonin edhe nga ata me shtat jo të lartë. Nga kronikat osmane si edhe vetë historianët e perandorisë, madje nga ata që ishin të mobilizuar kundër tij, për Gjergj Kastriotin dëshmohet si për një ushtarak shumë pak të përballueshëm në duel. Kjo nuk mund të arrihej pa një trup të fortë e të lartë. Skënderbeu ishte një luftëtar me të dhëna e përmasa modele. Ekzistenca e krahut të tij shumë të fuqishëm gjithashtu nuk mund kurrsesi të kundërshtohet. Konfirmohet nga dhjetra e dhjetra burime.
Mirëpo kur shkojmë pas arsyetimit se mitizimi, pra ruajtja popullore e Gjergj Kastriotit në kujtesën shekullore të shqiptarëve, e ka larguar pamjen fizike të tij nga e vërteta, nuk kemi patur parasysh se shtrembërimi apo “manipulimi” i ka ndodhur në elementët e mësipërm.
Nuk e dimë çfarë do të ndodhte me paraardhësit tanë që kryen “balsamimin” e Skënderbeut, në rast se ai do të kishte qënë një shtatvogël. Vallë a do të përpunohej aq fort imazhi i tij sa të dukej për pasardhësit njeri i gjatë? Kur ka qënë fjala për Ballaban Pashën, shqiptarin që ishte armiku më i madh i Gjergj Kastriotit, populli ynë me kujtesën e tij nuk ja fsheh, por ja vë në dukje trupin e shkurtër. Kjo mund të thotë se ai në kulturën e vet dimensionin e shtatit nuk e fuste në tiparet që patjetër duhej të përpunoheshin. Siç edhe mund të dëshmojë për një qëndrim shumë të qartë: që përmasat e shtatit kishin shumë rëndësi për t’u përcjellë brezave të ardhshëm dhe historisë vetë kuptimin e dëshiruar të një imazhi.
Po të ishte truplartë cilësohej estetikisht i bukur, po të ndodhte e kundërta quhej i shëmtuar apo zemërkeq. Në të gjithë krijimtarinë popullore kjo mënyrë interpretimi në parim është pothuaj kategorike. Në folklor tiparet fizike lidhen drejtpërsëdrejti me ato shpirtërore. Sipas logjikës së saj, doemos edhe primitive, nuk mund të ishte njeri i mirë një i shkurtër dhe nuk mund të quhej zemërlig një me fytyrë të bukur.
Teknikat e mitizimit të Skënderbeut nga shqiptarët janë pak a shumë po ato që përdor çdo popull. Përgjithësisht të thjeshta, të qarta e menjëherë të dallueshme nga kushdo, veçanërisht prej shtresave të pakultivuara. Për fat Gjergj Kastrioti ka qënë shtatlartë dhe kështu nuk ka mbartur më vete tundimin për idealizimin fizik, pra për zbukurimin e tij trupor. Po të ndodhte kjo do të pasonte një akuzë për mashtrim. Në mënyrë të vetëdijshme apo edhe për shkak të vetëm një dëshire të mirë, silueta e Gjergj Kastriotit është transmentuar deri në ditët tona si e një burri të gjatë mjaftueshëm për të patur hijeshi autoriteti.
Veç kronikat dokumentare këtë gjë e konfirmuan besueshëm vetëm disa dekada më parë. Rëndësi ka që populli, duke e mitizuar në masën e vet Skënderbeun, nuk ka gënjyer.
Ndërkohë përse na duhet të përjashtojmë hipotezën se edhe po të ishte me trup modest kjo gjë gjatë proçesit të ruajtjes do të hynte në një nga karakteristikat që do të minimizohej e në mos fshihej? Një dukuri e tillë ka ndodhur me kujtesat kombëtare të shumë popujve jo vetëm në Ballkan, ku mitet janë më të dendur e më shumë të ngarkuar me pasion historik.
Nuk e dimë po ashtu se në çfarë përmasash do të vepronte idealizim-mitizimi i Gjergj Kastriotit po qe se ai do të ishte vërtet shtatlartë, muskuloz dhe me krahë të fuqishëm, por fytyrën nuk do ta kishte aspak simpatike. Madje fare natyrshëm ai tiparet mund t’i kishte edhe të shëmtuara ose të paktën të vrazhda.
Mirëpo jo vetëm gojëdhëna popullore, por edhe e gjithë letërsia e krijuar për të në Evropë, nuk ka asnjë dyshim se ai ka qënë një burrë i hijshëm. Ka edhe historianë, siç vumë në dukje diku më lart, që edhe hundën me kurriz ia përcaktojnë të pashme.
Ka qënë apo jo i bukur Skënderbeu, ishte thjesht simpatik dhe me tipare fare normale, nuk ka për t’u marrë vesh kurrë. Kjo më së pari sepse nuk ekzistojnë dokumenta për ta provuar. Kur ambasadorë të huaj e kanë parë atë në Romë në dhjetor 1466, tek vinte për të kërkuar ndihmë te Papa, shënuan në raportet e tyre se ishte i moshuar dhe me pamje imponuese. Në fytyrë u kishte bërë përshtypje hijeshia e mjekrës së gjatë e të bardhë.
Atë kohë sipas disa burimeve Gjergj Kastrioti 61 vjeçar dhe flokët i kishte të prerë shkurt.
Kjo vizitë e qëndrim tremujor në qendrën e Krishtërimit ka ndihmuar që ai më në fund të fiksohet të paktën në një portret. Atëhere nuk kishte aparate fotografikë nga ata që sot me blicet e tyre u hedhin shkëlqime drite shtetarëve apo protagonistëve të mëdhenj. Përdorej peneli i piktorit.
Odise Paskali në librin e tij “Gjurmë jete” të botuar në vitin 1986 pranon se në krijimin e tij skulturor të Skënderbeut është mbështetur shumë te vizatimi që ndodhet në librin e Marin Barletit “Historia e jetës dhe e veprës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, Princi i Epirit”. Ai shkruan se “Këtu spikatin disa të dhëna që ruhen, sado të ndryshuara, në pjesën më të madhe të portreteve të mëvonshëm, siç janë paraqitja në profilin e djathtë, prerja gjysmë bust, forma e qylafit, e hundës, e mustaqeve, e mjekrës, e pjesëve të veshjes. Nuk është e mundur të dokumentohe deri ku i përgjigjen këto të dhëna origjinalit, mbasi nuk njihet ndonjë portret i punuar më të gjallë të heroit, por mund të konstatohet se dy karakteristika: ajo e trupit të madh dhe e ashtit të fortë, janë të dhëna të sigurta për fizikun e Gjergj Kastriotit, të dhëna që përkojnë si me dëshmitë e historisë, ashtu edhe me ato të legjendës”.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|