Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Identiteti ynë dhe karta e tij


Botuar në gazetën “Shqip”, më 25 janar 2009


I futur në radhën e bashkëkombasve që aplikonin për të marë kartën e identitetit, duke qënë se ajo ishte e gjatë dhe të duhej fort durim, mendova se mund të mos e lija atë kohë të më ikte kot. Nuk është se radha shqiptare është radhë dhe kaq. Ajo është festival i tërë, galeri personazhesh, spektakël i rrallë. Më lehtë se kudo në radhë ne mund t’i rrëfejmë apo vetzbulojmë tiparet i identitetit tonë në çdo orë të ditës e të natës, në çfarëdo vendi dhe kohe, sepse jemi një popull shprehës, flasim me kembë e me duar, pa fshehur dhe pa mbajtur ndonjë gjë për vete. Kemi edhe talentin tjetër: flasim me zë të lartë. Aq gjëmimtar e kemi zërin dhe aq bëmës të mëdhenj jemi saqë edhe një bisedë vesh më vesh një tjetër mund të na e ndjejë disa metra larg.
Kështu për t’i njohur nisa të shkëmbej ndonjë mendim me ata që rrinin në radhë, madje për ca kohë më kapi fantazia e agjitatorit të shtetit dhe u fola për atë ngjarje të bukur që po përjetonim. Në të vërtetë pajisjen më në fund me një kartë identiteti të pasdiktaturës, pra të pluralizmit e quaj gëzim dhe ditë të veçantë. Kështu që me të marë kuponin shkova tek zyra e gjëndjes civile. Nuk më duhej me aq ngut, sepse për zgjedhjet kam pasaportën, por shkova për të kryer detyrimin e një qytetari. Nuk dua të kujtoj këtu Vladimir Majakovskin, i cili ka një tufë të madhe me vargje për pasaportën sovjetike, sepse do të keqkuptohem për ndonjë simpati të perënduar për kohë të lënë pas shpine. E citoj atë poet dramatik që përfundoi në përplasje me sistemin të cilit i gëzonte pasaportën për të thënë se karta jonë e identitetit është në lartësinë e një ngjarjeje për t’u spikatur. Me këtë kartë me të cilën po pajisemi ne kemi shenjën e vendit tonë me shoqëri të hapur e që kërkon të hyjë sa më shpejt në përmasat e standarteve të Bashkimit Evropian. Do të qe naive të thuaje se ajo e meritonte një varg poezie, por jo të gjithë e dinë se ajo që po ndodh nuk është një pjesë rutine e jetës sonë të përditshme. Që të hyjmë në BE për shumë gjëra jemi akoma prapa, por ajo kartë identiteti është shumë më përpara. Eshtë njëlloj, madje më e përparuar nga ato që ende kanë italianët, grekët, francezët apo spanjollët. Pra kjo kartë simbolikisht është më e përparuar se ne. Do ta ndjejnë këtë gjë më të parët bashkëkombasit tanë emigrantë, kur do t’u duhet t’ia tregojnë një polici të huaj apo një punëdhënësi. Mes nesh që jetojmë në Shqipëri, për fat të keq, më tepër është përhapur ideja se janë karta që duhen për zgjedhjet.
Nga një orë e gjysëm radhë në një koridor ku të merrej fryma dhe të avitej të fiktit kuptova se të gjithë ata që të reshtuar qenë qytetarë të mirë. Pothuaj nuk kishin ndonjë urgjencë. Një ditë më parë edhe administrata shtetërore i kishte hequr të gjitha kufijtë e shtrengimit për t’i nxitur të shkonin për aplikim. Pra fare lehtë mund të vinin aty kur të qenë në pritje dy apo tre vetë. Pra edhe pas një gjysmë viti.
Kjo më bëri të mendoj se që të afrojmë identitetin tonë real me ato karta identiteti na duhet të jemi syçelët për një problem që mund me të vërtetë të na shfaqet. Siç thonë, por edhe të gjithë ne të tillë njohim, kemi një turmë të madhe bashkëkombasish që siç zënë truall të të tjerëve e ngrejnë shtëpi ku të mundin, nuk kanë sahate elektrikë dhe e vënë tiganin për vezë të skuqura në furnella me tel të trashë sa gishti, që në oborret e tyre mbajnë lopë dhe i nxjerrin pasditeve të kullosin deri edhe në anë të bulevardit të buzë Lanës, këta nuk janë të pajisur as me pasaporta. Kështu që ata do të veprojnë e sillen po njëlloj tani që shumica po rrinë në radhë të pajisen me kartat e identitetit.
Mirëpo në 28 qershor edhe këta që nuk kanë në strehët e tyre asnjë shenjë se kujt shteti i përkasin, cilit qytet e cilës lagjeje, kujt rruge dhe derën e shtëpisë e kanë pa numër, do të duhet të votojnë. Sepse nuk është e thënë aspak që janë prej abstenuesve të politikës. Këta të fundit vijnë nga radhët e kultura qytetare. Këta nuk votojnë se duhet të shprehin një qëndrim, por jo se nuk kanë pasaporta. Janë bashkëkombasit pa asnjë shenjë të shkruar identiteti, pra ata që ende nuk janë shkëputur plotësisht nga jeta në natyrë, afër pyllit e lumit, që kokën mund ta kenë më të pasionuar për të brohoritur për parti dhe nuk është e thënë kurrë të jenë vetëm të një krahu. Ata nuk kanë pluralizmin e të kuptuarit se jetojnë në një shtet, por të thekjes pas mitingut mund ta kenë në përmasa më të larta se ajo pjesë e madhe qytetare që di ta përmbajë e ta shprehë sipas rregullave. Këta të urtë që këto ditë po rrinë në radhët e gjata duan më parë kartën e identitetit e pastaj votën.
Këta pa shenja identifikimi shtetèror kësaj radhe është rasti më i duhur, por edhe më jetiku, të nxiten e të shtrëngohen të shkojnë për të aplikuar kartat moderne të identitetit. Me doemos. Eshtë një kauzë bipartizan, çështje kombëtare. I gjejnë specialistët e politikës apo administrimit publik se si do t’i çojnë këto grupe pa shenja të shkruara nacionale deri tek radha ku po rrinë qytetarët.
Rër identitetin tonë dhe ngjarjen e bukur të marrjes së kësaj dëshmie proevropiane nuk do të qe e merituar që kjo masë bashkëkombasish të mbeten për zgjedhjet e ardhshme një “plumb dum-dum”. Ato nuk duhet të na i vrasin kush, as ne vetë, shtetasit e Shqipërisë.

Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com