Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“Gjysma e harruar e Skënderbeut”.


Vijim fragmentesh
Faqet 117-119 të librit

Osmanët e përgjakën popullin rebel shqiptar dhe dihet se nuk patën asnjë mëshirë për të pas rënies së kryeqendrës së rezistencës, Krujës.
Nuk e kursyen hakmarrjen as kur vunë në dorë kështjellat e tjera më të vogla, ato që nuk ishin dorëzuar. Dëshmohet që turqit me majën apo tehun e shpatës a të thikës kanë marrë jetën e mijrave të pafajshëm. Ka ndodhur që edhe i kanë sharruar mes për mes.
Një genocid i tillë në vitet e mbytjes me të gjitha mjetet të rezistencës skënderbegase zihet pak në gojë. Ose kur përmendet nuk shoqërohet me fjalën e vërtetë të përcaktimit të asaj që ka ndodhur.
Shfarrosja e çdo fryme e shenje qëndrese të kryer nga Gjergj Kastrioti e princërit e tjerë shqiptarë me të në krye, në Shqipëri është kryer nëpërmjet një genocidi të vërtetë.
Kjo masakër kundër një etnie u krye jo aq për të tmerruar shqiptarët, se sa për t’i futur frikën Evropës. Ishte hakmarrje ndaj saj.
Të gjithë ata që u vunë nën thikë u konsideruan dhe ishin vërtetë evropianë. Asnjëherë në historinë e saj Shqipëria nuk ka qënë tërësisht kaq shumë Evropë se sa kur osmanët e masakruan.
Çdo jetë është e shtrenjtë. Secila jetë e dhënë në mbrojtje të vendit të vet nga pushtimi turk në çdo kënd të Ballkanit blatuar, është po ashtu e shenjtë. Megjithatë shqiptarëve të kapur pas mbytjes së rezistencës, osmanët ua morrën jetën sepse ishin kombi më i afërt me Perëndimin, ishin mbrojtësit e adhuruesit e tij.
Ua prenë kokat apo trupat mes për mes sepse Skënderbeu dhe mbështetësit e tij për Portën e Lartë quheshin zyrtarisht ushtarët e bindur të Evropës.
Kur A.B. dhe H.F. mbrojnë idetë e tyre se Gjergj Kastrioti, duke gabuar vetëdijshëm në zgjedhjen strategjike të Evropës së krishterë dhe jo të Perandorisë Osmane, i shkaktoi një masakrim të vërtetë popullit të tij, lënë përshtypjen se ky nuk ishte krimi i pushtuesve, por i atij që u mbrojt.
Skënderbeu vërtet udhëhoqi një rezistencë të paepur, por gjakun e të vetëve e kurseu me sa mundi. Këtë e bëri jo vetëm nëpërmjet talentit të tij të veçantë ushtarak apo nëpërmjet stilit të luftës mbrojtëse, por edhe me anë të tolerancës së thellë ndaj gabimeve. Fajtorët mes bashkëpunëtorëve apo ushtarëve të tij më shumë se i dënonte i falte.
Është më shumë se përmbysje e një të vërtete të akuzosh ata që vetmbrohen dhe jo agresorët.
Logjika të tilla të revoltojnë edhe pse e di që njerës si A.B. dhe H.F. janë pak dhe të izoluar.
Ndërkohë ndjen zemëratë edhe pse e di që janë e do të mbeten të pafat në revizionizmin e tyre negativ pikërisht sepse kanë pëlqyer një qëndrim mjaft radikal.
Janë automatikisht të vetdëmtuar. Kjo u ndodh sepse nuk arrijnë dot të kuptojnë, që duke e kritikuar një pjesë të veprës së Gjergj Kastriotit, mund të ruajnë e vlerësojnë pjesën tjetër, pozitiven. Për fatin e tyre të trishtë ata e negativizojnë atë tërësisht.
Mirëpo bashkëkombas që besojnë në mjaft vlera të mëdha të Skënderbeut dhe ia çmojnë frymën proevropiane, por që e qortojnë ndërkohë për tejkalim të së drejtës në shkallën e lartë të sakrifikimit që i imponoi popullit të vet në mbrojtje të Evropës, nuk janë të paktë.
Në këtë kuptim të skajshmit A.B. dhe H.F. detyrohen të jenë vetmitarë.
Qortuesit joradikalë nuk mohojnë çmimin që shqiptarët duhej të paguanin në emër të lirisë së tyre. Ata janë dakort po ashtu edhe për një “pagesë gjaku” që bashkëkombasve u duhej për të mbrojtur Evropën dhe Krishtërimin. E dinë se qëndresa e Skënderbeut dhe e Lidhjes së Lezhës nuk mund të zhvillohej e veçuar. Ajo ishte përbërëse e luftës së Evropës për t’u mbrojtur nga pushtimi osman.
Qortuesit jo të paktë jo për sakrificën e nevojshme, por për tejkalim të saj e ushqejnë forcën e mospajtimit të tyre me Gjergj Kastriotin në përmasën e tepruar të shërbimit ndaj kontinentit dhe sidomos përkundrejt disa shteteve të fuqishme të tij. Ata mendojnë se ishte patjetër e nevojshme një aleancë me Selinë e Shenjtë, por kjo nuk i dha kurrë princit shqiptar, kryekomandant të Lidhjes së Lezhës, ndihmat e mjaftueshme financiare e ushtarake. Mund të ishte edhe çështje subjektive e Papëve të ndryshëm, sepse Skënderbeu bashkëpunoi me katër prej tyre.
Qortuesit joradikalë e kuptojnë fare mirë sa e ndërlikuar ishte të realizoje bashkëveprim me Republikën e Venetikut dhe t’i zije besë politikës së saj pragmatiste, por gjithsesi gjykojnë se Skënderbeu e teproi në veprat e lëshimeve që i kreu.
Kritikuesit respektues të Gjergj Kastriotit janë fare të qartë për nevojën e një veprimi të përbashkët të Lidhjes së Lezhës me Mbretërinë e Napolit, por ndihen të zhgënjyer për shkuarjen e tij tepër larg në plotësim të interesave të saj hegjemoniste në Ballkan.
Ata po ashtu mund të të thonë se në disa përcaktime në Evropë atë kohë Skënderbeut i thuhej edhe “mbrojtës ekstrem”, ndërsa kontributi mund të ishte i nderuar në mbarë kontinentin edhe pa atë tregues të një veprimi pozitiv të çuar gjer në skaj.
Doemos këta qortuesë jo të paktë nuk e konsiderojnë heroin e tyre si një servil të Evropës dhe të fuqive të mëdha të kohës, ca më pak t’i vënë emrin e një shërbëtori apo agjenti të tyre. Ata e pranojnë si heroin më të madh kombëtar. Megjithatë nuk i druhen kritikës se në çmimin e gjakut që Gjergj Kastrioti i vuri popullit të vet në qëllimin e tij të lartë, ka patur vend për kursim më të madh.
Kur në Vitin e Skënderbeut një gazetare e të përdishmes “Shekulli” i mori një intervistë drejtorit të Bibliotekës së Provincës së Leçes, Alessandro Laporta, ky mes të tjerash u shpreh “...ka shumë për të zbuluar....të shohim se kush fshihej pas Skënderbeut, Franca, Spanja, Venecia… Kush e drejtonte Skënderbeun, për të lëvizur në një mënyrë të atillë”.
Kur në vetë Evropën dyshojnë në përmasën e shtyrjes së Gjergj Kastriotit në favor të tejkaluar të interesave të kontinentit e në dëm të atyre të popullit të tij, natyrisht ata shqiptarë që bëjnë të njëjtën gjë kanë të drejtë morale shumë më tepër.


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com