Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Pingpong me Skënderbeun


Botuar në gazetën “Shqip” në datat 25-26 shkurt 2009

Ashtu si gjuha shkon tek dhemballa e sëmurë ndodhi që debati i çelur tre muaj më parë nga libri “Skënderbeu” i Olivier Jens Schmitt të mbërrijë qartësisht në vetë (me sa duket) objektivin e tij: bashkë me çmitizimin e premtuar të Gjergj Kastriotit dhe të gjurmëlënies së tij në histori të nxitej edhe demontimi i të quajturit nacionalizëm shqiptar. Tashmë i është dhënë trup i plotë, i janë vënë kembë dhe kokë, kësaj çështjeje. Nuk është meraku i këtij shkrimi nëse me librin e tij mjaft interesant, të mbushur me seriozitet historiani, por pa fund edhe me diversione nga më të sofistikuarat, i palodhuri Shmitt donte të delte këtu ku kanë vënë foltoren e tyre çmontuesit e nacionalizmit, sepse në këtë gjë ka akoma edhe ca kohë të nevojshme për mirëbesim dhe etikë.
E nxjerrim në pah këtë karakteristikë të ngjarjes sepse në fillim i mëshohej çmistifikimit të Skënderbeut dhe të lihej përshtypja e parë se me kaq mbaronte misioni i botimit të atij libri. Ndërkaq ndodhi që më pas ky raport i gjërave u përmbys. Më saktë ai u rrotullua rreth vetes si të qe një barkalec që ishte bërë thumb me raki koçimareje dhe nga me shpinën lart e mbështeti kurrizin poshtë dhe zbardhi sytë drejt qiellit.
Pikërisht se besojmë që punët kanë shkuar gjer këtu ose sepse dukuria e pamjes së vërtetë të demitizimit të heroit kombëtar të shqiptarëve u paraqit më në fund e plotë, shpresojmë që si edhe shumë kolegë të tjerë dhe në mungesë të trishtueshme të pranisë në debat të elitës sonë të historianëve apo profesionistëve të tjerë të studimeve shqiptare (albanologjike), të shprehim në mirëkuptim disa mendime.

ooo

Për nevojën e çmitizimit të pandërprerë të jetës të një shoqërie, vendi dhe shteti, nuk kemi përse të mos bjemë dakort të gjithë, të paktën parimisht. Me mite nëpër kembë, të vjetra apo të reja, të krijuara nga historia apo politika, jeta kulturore apo trusnia mediatike, nga niveli akoma i paarrirë i qytetërimit tonë, nga diktatura apo monarkia, nga besimi katolik apo ai ortodoks e mysliman, prej rilindasve apo gjatë periudhës së pushtimit osman, prej kohëve ilirike apo duke qënë krijesa të viteve dymijë, shoqëria bashkëkohëse shqiptare nuk do të jetë plotësisht e lirë. Miti ta robëron mendjen, edhe pse ç’është e vërteta, zemrën ta ndez.
Kështu ndodh edhe me nacionalizmin, deri tani frymëzuesin më të madh të shpirtrave njerëzorë. Në rastet kur ky shndërrohet ca më tej, bëhet ideologji, atëhere sa më tepër përparon në një shoqëri aq më shumë i bren asaj hapësira jetike. Miti dhe liria mes tyre kanë patur, kanë aktualisht e do të kenë gjithnjë raporte mjaft problematike, jo rrallë të papajtueshme. Megjithatë edhe jo të prera e të ndara në bardhë e zi, në të kundërta totalisht të njëra-tjetrës. Është një raport delikat, shumë i brishtë për këdo që aty hyn për t’i prerë gjërat me mendësi totalitariste.
Gjithsesi debati për identitetin shqiptar, i gjallëruar dukshëm dy-tre vite më parë dhe ky më i voni, për Gjergj Kastriotin dhe nacionalizmin, nga çdo anë që vijnë, prej kujtdo emri apo kombësie personi, me çfarëdo toni apo argumentimi shqiptohen a mbrohen, qofshin të sinqerta dhe konstruktive apo dinake dhe shkatërruese, të bëra për vetëm protagonizëm publik, për thjesht imponim të një teze apo edhe qëllimisht në emër të një doktrine jo miqësore me shqiptarët, të kryera nga një djalë i ri apo prej një tjetri “me mjekër”, duhen quajtur të mirseardhura, në mos edhe fat. Nuk kemi përse jemi qibarë të kërkojmë që çdo vëzhgues i huaj të na mburrë dhe çdo bashkëkombas të na duket idhull vetëm e vetëm sepse shqipton fraza patriotike. Na u frymëzua apo më keq, na u provokua një debat, në të mirën tonë është ta përballim. Kjo do të thotë të hyjmë e të marrim pjesë në të dhe të mos bëjmë bizantinin sikur nuk kemi parë e dëgjuar gjë.
Nuk ishte mirë po ashtu që në zemër të Evropës, në Vjenë, në një debat për librin e Olivier Jens Schmitt policia vendase të detyrohej t’u bënte kontroll të imtë fizik të gjithë bashkëkombasve tanë pjesëmarrës se mos futeshin ilegalisht në sallë mjete të forta që mund të kërcënonin jetën e autorit. Shqiptarët dhe asnjë çështje jetike e tyre nuk ka nevojë për fokloristë të atdhedashurisë. Nuk e lyp këtë gjë ca më shumë në një libër historik me afro gjashtëqind faqe, të cilin mund ta kuptosh mirë jo thjesht duke e lexuar rresht më rresht, por duke ditur më parë përmbajtjen e shumë dokumentave e botimeve të bëra rreth Gjergj Kastriotit, pjesën dërmuese të interpretimeve të kryera, minimumin e hollësive mbi zhvillimet historike të kohës së veprimit të tij në Shqipëri, Ballkan, Perandorinë Osmane, Mbretërinë e Napolit, Vatikanin, Republikën e Venedikut e më tej. Në rast se leximin apo edhe rileximin e librit të Schmitt e bën pa qënë i pajisur me dijen e nevojshme historike nuk do të kesh imunitet të mbrohesh nga sugjestionimi prej stilit të tij të rrëfimit, loja i kombinuar me faktet dhe pseudofaktet. Gjithashtu nuk do të mundësh dot t’i përvetësosh e t’i shndërrosh brenda vetes në kulturë të ndërgjegjshme shumë të vërteta që në atë botim rilevohen për herë të parë.
Për fat të keq edhe ata përdorues të librit të Olivier Jens Shmitt si një platformë për çmitizimin final të Skënderbeut dhe të nacionalizmit shqiptar, kanë manifestuar deri tani të njëjtin defekt: pothuaj nuk dinë gjë të rëndësishme nga i gjithë korpusi i madh i studimeve, botimeve, dokumentave si edhe vetë dinamikës shekullore e ca më tepër në njëqind e pesëdhjetë vitet e fundit të interpretimeve mbi këtë variant teme.
Prej kësaj ka rrjedhur jo pak konfuzion dhe janë shkaktuar disa keqkuptime.
I pari ka të bëjë me momentin kur është rinxitur ky aksion i dyfishtë: demitizim i Gjergj Kastriotit dhe i atij që çmistifikuesit e quajnë nacionalizëm shqiptar. Dihet që disa gjëra, të vërteta qofshin a të gënjeshtërta, apo ca ashtu e pak kështu, kanë efekt optimal kur thuhen në kohën dhe me mënyrën e duhur. Sepse nuk ka ndodhur vetëm njëherë që një e vërtetë e thënë në kohën e mënyrën e papërshtatshme ka rezultuar të refuzohet dhe e kundërta një mashtrim i vënë në lëvizje në momentin më të favorshëm të pranohet symbyllazi. Vetë Rilindja Kombëtare, për të marë një shembëll, i mbart me vete të dy këto kahje.
Aktualisht viti i parë i pavarësimit të Kosovës, një proçes mobilizimi i gjithanshëm i shteteve, kombeve, elitave dhe personaliteteve të shquar botërorë që janë pro saj dhe atyre që nuk janë dakort, ka krijuar një klimë konfrontimi me të gjitha mjetet e mundshme, sigurisht duke përjashtuar luftën me armë. Kjo atmosferë në Shqipëri nuk ndihet, por edhe në Kosovë jo më shumë. Beteja zjen jashtë kufijve tanë dhe e interceptojnë ata që jetojnë andej. Kush e ka ndjekur sadopak këtë zhvillim dhe vazhdon të jetë në korent të kësaj përplasjeje nga më të mëdhatë e dhjetëvjeçarëve të fundit, e di shumë mirë si “koincidojnë” valët e tyre.
Dekada e ndërlikuar që çoi në pavarësimin e Kosovës, por edhe liri më të plota për bashkëkombasit tanë në republikat e tjera fqinje të ish-Jugosllavisë, pra zgjidhja pothuaj përfundimtare e asaj që është quajtur e pranuar si “çështja shqiptare”, ka mobilizuar në eurokontinent veçanërisht shumë kundërshtarë të këtij zhvillimi. Jo më kot me argument rrugën Durrës-Kukës-Prishtinë-Merdare ka rigjallërim të tezës se po krijohet Shqipëria e Madhe. I gjithë ky spektakël përtej kufijve tanë nuk mbetet si një sallë pa asnjë spektator. Ka që hyjnë e duartrokasin. Sidomos kur thuhet se “Kosova e pavarur rrezikon të ushqejë nacionalizmin shqiptar”, se “Kosova është shembulli si nacionalizmi u bë shtet”, se “Kosova mbetet vrima e zezë e Ballkanit, një udhëkryq i dhunës dhe i ilegalitetit nën flamurin e nacionalizmit shqiptar” apo “Origjina e nacionalizmit shqiptar-Lindja e një kombi me shumicë muslimane në Ballkan”. Tashmë muajt e fundit ka patur televizione të rëndësishme të huaja që kanë transmentuar deri edhe emisione seriale për të paralajmëruar opinionin publik ndërkombëtar se Kosova po bëhet baza më e madhe e shpërndarjes së drogës në Evropë, vetë “Kolumbia” e saj. Madje këtë na e përsëriti edhe shkrimtari antimafioz italian Roberto Saviano.
Nuk duken të fashitura edhe tezat e mëparshme, ato sipas të cilës Kosova është edhe koka e diversionit fondamentalist islamik në eurokontinent. Një vit më parë paralajmërohej i gjithë globi se modeli kosovar i bërjes shtet do të përbënte një precedent destabilizimi për të gjitha kontinentet dhe flakëndezje e Luftës së Katërt Botërore.
Është kjo atmosferë që ka bërë dhjetë vitet e fundit të funksionojnë veçanërisht në Evropë disa qarqe intelektuale, të cilat bëjnë takime, konferenca e botojnë libra në dobi të një misioni të drejtë: atij të çmobilizimit të nacionalizmit mes popujve të Ballkanit, nacionalizëm që u duk se ishte edhe një nga burimet e konfliktit të përgjakshëm në shpërbërje të Federatës Jugosllave. Nuk gabohet aspak kur mes këtyre intelektualëve thuhet se “nacionalizmi është një sëmundje ballkanike”, edhe pse nga virusi i tij jo vetëm bëhen viktima në lindje të kontinentit apo në gadishullin tonë, por deri edhe në zemër të Perëndimit, në Spanjë apo Irlandën e Veriut.
Problemi është këtu: në këto qarqe njerëzish të ditur ku anëtarë nuk janë vetëm vendas, por edhe përkrahës nga popuj të tjerë, thuhet se nacionalizmi më kanosës të paktën tani për tani është ai shqiptar. Për pasojë gjykojnë me vend që në këtë drejtim të përqendrojnë më shumë kohë, njerëz dhe teknologji ndikimi për ta çmobilizuar atë dhe dobësuar.
Këtë sfond zhvillimesh nuk e sforcuam për ta paraqitur medoemos si të jetë vetë prapavija e aksionit aktual demitizues të Skënderbeut dhe nacionalizmit shqiptar, sepse përveç përdhunës do të ishte një provokacion. Do të tingëllonte po ashtu si një përdorim politik i një debati të lirë dhe ca më keq: një “teori konspiracioni” e stilit më banal. Me këtë krahasim thjesht duam të tërheqim vëmendjen në çështjen nëse është gjetur koha dhe përmasa e duhur për këtë ndërhyrje dhe në rast siç me të drejtë mund të thuhet se edhe në mos qoftë momenti më i favorshëm kjo nuk na kushtëzon aspak, atëhere a po kryhet në mënyrën më të mirë?
Që nacionalizmi shqiptar nuk është më i rrezikshmi në gadishull nuk e vlen të të harrxhosh asnjë minutë më shumë dhe asnjë rresht më tepër. Ajo që tërheq debat është nëse ka apo jo një nacionalizëm shqiptar dhe në qoftë e vërtetë që ai ekziston çfarë pamjeje ka.
Këtu nga sipërmarësit për ta çmitizuar nis të përdoret konfuzioni apo kryhet edhe keqkuptimi i dytë.
Në qendër të kontinentit, patjetër edhe në ato rrethe intelektuale të huaja që janë mobilizuar në luftën për të shuar zjarrmitë nacionaliste ballkanase, për shkak të nivelit të lartë të dijeve mbi këtë temë dhe të vetë vlerës kuptimore që në Evropë ky term ka, janë të qartë se nacionalizmi nuk është veç ajo dukuri, të cilin dijetari Eric Hobsbawn e ka formuluar “Historianët për nacionalizmat janë si kultivuesit e lulëkuqeve në Pakistan për përdoruesit e heroinës. Furnizojnë me lendën e parë”.
Mirëpo në Shqipëri kjo fjalë nuk ka akoma patjetër këtë kuptim të konsoliduar e të prerë qartë. Gjatë luftës antifashiste me termin “nacionalistë” thirreshin shumë bashkëkombas që u bashkuan me lëvizjen e quajtur Balli Kombëtar, grupim i madh që nuk u pëlqeu komunistëve jugoslllavë sepse kërkonin atë që pas gjashtëdhjetë vitesh koha i dha të drejtë dhe e bëri realitet: shkëputjen e Kosovës nga Serbia. Kjo ishte edhe një nga arsyet themelore përse ata nuk u bashkuan dot me rivalët politikë qoftë edhe për vetëm luftën kundër pushtuesit. Bashkëkombasit komunistë i panë në krah me të dërguarit jugosllavë, rrëmbyesit e trojeve. Këta mijra nacionalistë nuk do ta pranonin jo vetëm atëhere, por edhe sot se shqiponjën në ballë dhe këtë emërtim nuk e kishin veç vetëm shprehje të atdhedashurisë. Por edhe rivalët e tyre që luftuan me armë pushtuesit dhe e çliruan vendin, duke e dhënë të dukshme atë kohë provën e tyre të atdhedashurisë, ende e shohin me paqartësi nëse regjimi që u vu më pas, i njohur tashmë si shumë i gabuar, qe mirëfilli nacional-komunist. Ai e përdori nacionalizmin si pelerinë, por nuk mungojnë provat e forta se për çështjen shqiptare punoi fare pak, shpesh edhe heshti.
Do të qe shumë mirë që në kushtet e traditës dhe historisë sonë konkrete të bëhej e qartë se në rastin shqiptar me termin përgjithësues “nacionalist” nuk mund të futen në një kategori të kritikueshme të gjithë, por të paktën të bëhet një kategorizim i tyre në ultranacionalistë, nacionalistë dhe kombëtaristë.
Mund të thuhet qetësisht se Shqipëria, por edhe Kosova e kudo ku etnia jonë jeton e punon si shumicë, nuk ka aq ultranacionalistë siç gjen me bollëk jo vetëm në Serbi. Disa emra që lëvizin nëpër internet apo në periferinë e largët të politikës shqiptare nuk kanë asnjë ndikim. Shqiptarët i rrinë larg ultranacionalizmit, kësaj murtaje. As në Tiranë dhe as në Prishtinë nuk gjendet qoftë edhe një parti politike e vogël që të ketë një platformë të tillë. Nuk gjen as edhe me mision nacionalist në kuptimin e qartë që në Perëndim i jepet kësaj fjale. Kur Lidhja Demokratike e Kosovës me Rugovën në krye kreu aksionin pacifist të shpalljes së Kosovës republikë dhe më pas UÇK rrëmbeu e para armët për ta realizuar nuk kishte gjithashtu asnjë pikë të programit si ultra apo thjesht nacionalist. Qe tërësisht program kombëtarist, sepse kryente një zgjidhje të natyrshme të një gjymtimi etnik të kryer pa të drejtë në vitin 1913. Kësaj kauze të tyre i dhanë të drejtë qëndrat më të mëdha bashkëkohëse të demokracisë, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Po ku janë nacionalistët në Shqipëri? Gjenden në parlament? Në median iks? Në këtë apo atë kabinet qeveritar? Tek ky apo ai kryeministër apo ministër? Tek ky apo ai shkrimtar a njeri i dijes? Tek njëri apo tjetri besim fetar? Tek Akademia apo ndonjë prej instituteve të saj? Tek Qendra e Studimeve Albanologjike apo tek një apo dhjetë shtëpi botuese? Autori i këtij shkrimi njeh persona të veçantë me mendësi të tillë, por që të gjithë kanë çelsat e kashtës në duar. Edhe kur vite më parë u gjallëruan nuk u doli mirë, ndonjë edhe u prangua. Në ato institucione apo individë që kanë pushtet real nuk identifikojmë si të tillë asnjë. Qofshin me fat të tjerët, nëse zbulojnë!
Ka një hollësi që duhet thënë. Ata të rretheve të huaja intelektuale të angazhuar për çmitizimin e nacionalizmit shqiptar përsërisin herë pas here si përfaqësues e frymëzues dy emra: shkrimtarin Ismail Kadare dhe politikanin Sali Berisha. Deklaratat dhe sjellja e tyre publike është në sy të të gjithëve dhe autori nuk merr përsipër më tepër se të pohojë që i pari është një kombëtarist i njohur, shkrimtar që i ka paraqitur shqiptarët në botë pa as më të voglin mllef ndaj fqinjëve. Po ashtu është një nga proballkanasit më të vendosur. Të dytit nga rivalët politikë nuk i është kursyer së thëni e kundërta e saj që formulohet në ato qarqet çmitizuese. Ndërkaq qeveria e tij bashkë me koridorin rrugor të lidhjes mes dy shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës, realizon oferta dhe nisma të vazhdueshme bashkëpunimi me të gjithë popujt e Ballkanit, përfshi edhe serbët. Ku tjetër përveç se në klasën politike shqiptare nuk janë deri edhe ekzaltuar teza të një gadishulli me statusin e Shengenit ballkanik?
Pa asnjë shenjë të ultranacionalizmit, pa dukshëm me nacionalizëm në sensin negativ, shqiptarët dhe asnjëri prej dy shteteve të tyre nuk përbëjnë në gadishull ndonjë rrezik. Zyrat më të rëndësishme të politikës botërore e vlerësojnë si vend e popull me rol konstruktiv në Ballkan.
Duke qënë se nuk ka një nacionalizëm negativ të nivelit kërcënues emergjent për pasojë edhe nuk ka asnjë urgjencë për ta shpallur luftën e posaçme kundër tij. Kjo nuk përjashton asnjë të drejtë të gjithkujt për të grishur një debat kombëtar për nacionalizmin shqiptar, por vështirë të ndezë, pra ai nuk do të ndikojë. Nuk do të funksionojë jo se bashkëkombasve ua janë errur sytë nga ky mëkat, por nuk shohin dhe as ndjejnë se mbajnë mbi trup ndonjë njollë të tillë.
Prandaj mendojmë se është një alarm i rremë.
Mbetet i tillë edhe sikur demitizuesit e nacionalizmit shqiptar të lënë një çast mënjanë rolin në të të rilindasve dhe t’i qepen atij të komunistëve, duke qënë se kjo të jep sot edhe ca mbështetje politike. Komunizmi shqiptar në atë përmasë e formë karakteristike që kishte, me maskimin nacionalist që i bëri regjimit të tij, vërtet ka lënë pasoja. Historia, të paktën për shkak të profesionit të saj shumë të specializuar, është një nga foletë ku akoma ai virus është ngjitur fort dhe duhet shumë punë për ta pastruar plotësisht, por në jetën e përditshme nuk ka asnjë emergjencë. Ndonjë shfaqje e tyre edhe duhet lejuar brenda lirisë dhe rregullave demokratike. Sepse nacionalizmi në Ballkan ndodhet si një një kompleks enësh komunikuese. Mund të mobilizohesh në Shqipëri apo Kroaci e Serbi ta minimizosh atë, me debate, shkrime e çfarë të duash, por mjafton që tek fqinji të ngrihet një shkulmë nacionaliste dhe e gjithë puna të shkrehet. Do të ndodhë kundërveprimi i njëllojtë nga pala tjetër.
Duke e vendosur si bërthamë akoma agresive të nacionalizmit shqiptar variantin e tij nacional-komunist nuk thuhet e saktë e vërteta. Kjo e fundit është një dukuri në pikiadë, të paktën sepse shqiptari është bërë një pragmatist të cilit nuk ia gjen shokun. Thua këtu, pra që jemi bërë qerratenj të tillë, e kanë merakun po ata demitizues të nacionalizmës sonë kur japin edhe një alarm të dytë. Sipas tyre mes nesh nacional-komunizmi po zëvendësohet me nacional-evropianizmin.
Kur mbërritën punët deri këtu me të drejtë mund të ngresh ca zërin e të thuash “Po ku je, o ditë e lumtur!” Do të qe shdukja më inteligjente që do t’i bënim trashëgimisë së hidhur të së kaluarës, sepse edhe në qoftë se kjo mendësi vetëm do të transferohej, në kushtet e nesërme të bashkëjetesës me vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian ajo mbeturinë do të bëhej më lehtë copë e çikë.
Mirëpo në të vërtetë komunizmi ishte ideologjia më larg traditës së shqiptarëve, më e papajtueshmja me të, më pak e rinovueshmja dhe akoma më pak e rikthyeshmja. “Ideologjia” (po e vendosim në thonjëza) europeiste është shekullare mes nesh, e natyrshme.
Shpresojmë që disa rreziqe të tilla të mos shpiken vetëm e vetëm që të krijohen përreth nesh psikoza dhe më pas të ngulitet vetëdija se problemet e mësipërme me të vërtetë i kemi në përmasat e shqetësimeve kombëtare numër një.
Në rast se tema për një urgjencë të çmitizimit të nacionalizmit shqiptar mbahet e ndezur për vetëm protagonizëm publik apo thjesht intelektual është një çështje e justifikuar.
Ndoshta nuk tregohet më kot ai episodi për atë kandidatin për deputet i cili në një fshat premtoi se po ta votonin do të ndërtonte edhe një urë. Kur i thanë se aty nuk kishin asnjë lumë, kandidati për deputet nuk u mendua shumë dhe bëri kryepremtimin tjetër, atë kozmik “Do t’ua sjellim edhe lumin”.

ooo

Për sa kohë “Skënderbeu” i Olivier Jens Schmitt u duk se shërbeu për të çmitizuar Gjergj Kastriotin gjithçka ngjante e natyrshme. Libri i historianit zviceran, një nga përpjekjet më të fundit dhe më profesionalet për ta bërë më real dhe më afër të vërtetës të përzgjedhurin nga të gjithë shqiptarët si kryeheroin kombëtar, e përmbajtur në këto objektiva, do të ndikonte më fort në reformimin tonë dhe do të pranohej më lehtë. Ka ca zeher brenda, megjithatë pa rrezik për jetën. Do të debatonim, binim ose jo dakort, e megjithatë askush nga palët e kundërta nuk mund të thoshte se problemi nuk ekziston. Monumenti i Skënderbeut është bojatisur shumë herë dhe mbi supet e tij ka mjaft smërç nga e shkuara. Mbi të, në vend që më në fund të pushojë, akoma bie edhe zmog i kohëve moderne.
Si ndodhi që edhe kësaj rradhe debati të mos përqëndrohej vetëm në atë që është më thelbësorja, heqja e kësaj shtrese të neveritshme stërboje, por mori të përpjetën mbetet një çudi. Të paktën duket si e tillë gjer në momentin kur nga rrethi i intelektualëve çmitizues u shkrua se Gjergj Kastrioti përfaqëson figurën kryesore të nacionalizmit shqiptar. Që prej këtij çasti shpërtheu shpallja e platformës, sipas të cilës demitizimi i Skënderbeut dhe ai i nacionalizmit shqiptar janë pjesë të njëra tjetrës, një variant siamez ku dy palë kokave dhe kembëve u jep jetë vetëm një zemër. Dhe duke qënë se një zemër nuk mund të ndahet nuk ka asnjë shpresë që Gjergj Kastrioti dhe nacionalizmi shqiptar të veçohen sadopak. Kjo pak a shumë donte të thoshte se miti i njërit ushqente tjetrin dhe se po ashtu demitizimi duhej bërë njëkohshëm.
Kështu të lidhur pazgjidhshmërisht të dy ja kalonin të keqen njëri-tjetrit, sepse edhe në rastin më të mirë kur Skënderbeu mund të konsiderohet “flori djalë”, nuk është aspak i tillë “siamezi”. Me nacionalizëm kuptohet një ves i keq, rrënues të paktën i Ballkanit.
Atëhere përse ishte u bë ky barazitim? Mos që në fillim libri “Skënderbeu” kishte këtë qëllim dhe objektiv të dytë? Nuk rezulton dukshëm ndonjë ngulëkembje e autorit. Të paktën ai të lë përshtypjen se personalisht kësaj gjëje hë për hë I është shmangur. Megjithatë e bënë të tjerë më pas, mbështetësit e tij që këtu, në përkrahjen totale të tij, kanë vënë monopol. Këta bashkëkombas ndonjëherë shkruajnë sikur Shqipëria nuk ka njerëz të arsyeshëm për të kuptuar dhe marrë me respekt nga Schmitt atë që u duket mbushëmendëse dhe vërtet e re, të provuar tërësisht nga dokumentat dhe, duke qënë se i kanë sytë në ballë, të refuzojnë atë për të cilën akoma nuk binden. Për fat të keq u teprua shumë prej disa demitizuesve të Skënderbeut për ta bërë të paditur gjindjen shqiptare, si nëntëdhjetë përqind të paaftë të ndajë mitin nga historia. Këta e hapën më shumë nga sa është hendekun e moskuptimit të natyrshëm dhe të kuptueshëm mes të resë që paraqiste Olivier Jens Schmitt dhe rutinës së ngulitur nga boja e hedhur mbi Gjergj Kastriotin. Çuditërisht kishin një gëzim të madh t’i shihnin në anë të kundërta shqiptarët dhe studjuesin e huaj, por gjithsesi mik.


ooo

Por të gjitha këto nuk kanë rëndësi, sepse kjo që ndodhi ndodhi. Problemi është t’u shpëtojmë sa të mundemi keqkuptimeve të tjera.
Njëri prej këtyre, i treti në radhën e shkrimit tonë, ka të bëjë me çështjen nëse Skënderbeu paraqet apo jo përfaqësuesin kryesor të nacionalizmit shqiptar ose të paktën është njëri prej tyre.
Kur Gjergj Kastrioti jetoi dhe veproi nuk kishte kombe dhe vetndërgjegjësime të tilla si ndjenjat e platformat nacionale. Kombet janë dukuri e dy shekujve më parë dhe prej formësimit të tyre dhe shteteve modernë mori jetë nacionalizmi. Kështu shqiptarët edhe sikur të mos qenë të pushtuar prej shekujsh nga osmanët për të shpallur mëvetësinë do të bënin si e gjithë bota. Lëvizjen e tyre nacionale do të formatonin si Evropa dhe popujt fqinjë, përherë secili sipas veçansive të veta.
Për shumë arsye ky proçes tek ne shqiptarët është pak më i vonë, por gjithsesi në parim është përdorur e njëjta teknologji. Në këtë patjetër ka hyrë edhe marifeti i krijimit të miteve. Këtë kohë në Itali Garibaldit, të quajturit nga arbëreshët si “Skënderbeut italian”, i cili nuk ishte protagonist i shekullit të pesëmbëdhjetë, por bashkëkohës, pra vetë rilindas, i rrëfeheshin çudira sikur që gjashtë vjeç kishte shpëtuar nga vdekja një të rritur, se kur qe adoleshent këtë forcë magjike e pati treguar me një familje, më pas duke shpëtuar një barkë plot me njerëz dhe pa shkuar njëzetë e pesë vjeç një fëmijë që po mbytej në lumë. Atëhere ishte kohë mitesh. Popujt qenë përfshirë në zjarrminë e çlirimit nga pushtuesit e huaj apo nga monarkitë totalitare.
Skënderbeu për të kaluar në këtë proçes përpunimi sipas rilindasve plotësonte disa standarte reale, pra të vërteta, të panevojshme për t’u mitizuar. Ai ishte i adhuruar nga Evropa dhe qe mbajtur i gjallë në kujtesën e saj për plot katër shekuj. Kjo karakteristikë për imazhin e tij ishte si një dhuratë nga Zoti dhe nuk e kishte kush nga popujt fqinjë. Dukej sikur historia po u rikthente shqiptarëve gjithë atë mundim të madh që i dhanë shpirtit dhe trupit duke i rezistuar fuqisë më të madhe ushtarake të kohës. I rikthyer nga Evropa, shumë më fin dhe i qytetëruar, gjeneral e po ashtu princ me veshje shumë të denja, njeri i shpatës po aq sa edhe diplomat e filozof, deri edhe kavalier i adhuruar nga zonjushkat franceze, ai kishte lëndë plot për t’iu përshtatur kushteve të reja politike në vendlindje.
Rilindasit patën parasysh se për ta fituar mëvetësinë duhej bërë patjetër bashkimi i shqiptarëve prandaj edhe nuk u muarën me tregimin e rrëfenjave se jo të gjithë kapedanët e tjerë iu bindën dorës së hekurt centralizuese të Gjergj Kastriotit, se Dukagjini karakterashpër e luftoi për vite me radhë dhe i kulturuari Muzaka vari buzët për çështje të pronave. Ata synonin të bënin një shtet unik prandaj edhe himnizuan Lidhjen e Lezhës dhe separatizmave të feudalëve nuk u dhanë vend. Mos duhej të bënin të kundërtën? Që të delnin shtet më vete nuk kishin rrugë tjetër veç të shkëputeshin nga Turqia e asaj kohe, për rrjedhojë logjike ky vend mbetej armiku kryesor. Ja përse nuk u interesonte të zhbironin tek legjenda se gjoja sulltani i helmoi të gjithë vëllezërit e Skënderbeut, gjë që nuk ishte aspak e vërtetë. Për rilindasit djallëzimi i Portës së Lartë qe politikisht shumë i nevojshëm prandaj edhe nxinë çdo gjë që ishte turke, duke ia faturuar asaj jo vetëm të gjithë prapambetjen tonë historike, por edhe çdo të metë që kishim. Popujt e tjerë si bullgarët, serbët, rumunët apo grekët këtë gjë e patën kryer me një pamëshirësi shumë më të madhe. Fjala e urtë “Ku shkel kemba e turkut nuk mbi bar”, e pëlqyer gjatë Rilindjes edhe nga veprimtarët e saj, ka emigruar në viset tona prej andej. Por përpjekja për të fituar pavarësinë për një popull dhe elitën e tij udhëheqëse është tërësisht luftë politike dhe përdor mjetet e saj. Nuk bëhet sot, në politikën moderne, më pak. Rivalët e vizatuan njëherë Toni Blerin me në fytyrë maskën e një banditi.
Ndërkohë serbët që po ua kanosnin lirinë tamam kur u qenë zgjuar shpresat rilindasit nuk kishin përse t’i përkëdhelnin, prandaj në operacionin e lehtë të imazhit që i bënë Skënderbeut i prenë çdo lidhje që ai realisht në epokën e tij kishte patur me sllavët. Por kjo e fundit qe fare pak, e shumta që gjyshi nga e jëma mund të ishte një bullgaro-maqedonas. Nga ndonjë çmitizues i Gjergj Kastriotit kaq shumë herë përsëritet ky mëkat i vogël, sa të vjen t’i thuash se vërtet këtë hollësi e ka treguar Marin Barleti, por nuk ka pak historianë që sjellin dokumenta se gjaku i Vojsavës rridhte prej një familjeje shqiptaro-maqedonase dhe se këtë gjë për ta zgjidhur duhet t’ua lëmë profesionistëve. Në raport me akademikët serbë asnjë manipulim tjetër nuk i është bërë jetës dhe veprës së Skënderbeut, ndërsa këta në formatimin e imazhit të betejës historike të Fushës Kosovës në qershor 1389 kanë bërë më shumë se një krim: kanë fshirë çdo gjurmë të pranisë e kontributit të shqiptarëve në këtë përballje të madhe me osmanët. Ishin të paktën dy prijës me trupat e tyre ushtarake dhe njëri prej tyre dha jetën.
Duke e përpunuar figurën e Gjergj Kastriotit për nevojat sublime të çlirimit rilindasit e përshkruan atë edhe si guximtar. Nuk hiperbolizuan asgjë, nuk kryen asnjë falsifikim. Të gjitha dokumentat e zbuluara edhe më pas e provojnë se qe trim. E bënë gjithashtu ushtarak mjaft të zotë, por koha dhe dokumentat sërish vërtetuan se qe më tepër se një gjeneral i famshëm. Ndërkohë thuhet se ja kanë fshehur dy-tre beteja të humbura. Megjithatë jo vetëm rilindasit, por edhe ata që i pasuan, nuk iu vodhën kurrë të vërtetës se ai pësoi katastrofë në Berat. Kjo e fundit është humbje e vërtetë, e thellë, me defekte serioze në drejtimin e saj sado të përflitet për praninë e rëndë të një tradhëtie. Në mbi njëzetë beteja të kryera humbja në vetëm dy, tre apo e shumta katër të tjera hyn në ligjësitë e luftës. Madje bilanci mund të ishte natyrshëm edhe gjysëm për gjysëm. Serbët dhe mitologjia e tyre patriotike kanë interpretuar me të gjitha nderimet e një fitoreje humbjen e tyre të madhe në Fushë Kosovë. Pse e bënë këtë? Për disa arsye jo të sinqerta, por edhe për një vlerë të madhe. Duan që të mos harrohet nga kujtesa e kontinentit dhe e botës se ata luftuan me të gjithë forcën e trupit e të shpirtit për identitetin dhe fenë e tyre, ç’ka është shumë e vërtetë. Madje ngulin kembë se në këtë betejë të përgjakshme dëshmuan identitetin e tyre evropian. Doemos nuk qe në dorën e tyre përse u mundën. Në fushëbetejë nuk bënë asnjë gabim. Fitoi forca më e madhe ushtarake dhe ekonomike, osmanët. Kjo nuk është logjikë pa largpamje. Dritëshkurtër është të dalë një njeri apo dhjetë e të na bërtasin të kundërtën, sipas të cilës Gjergj Kastrioti luftoi për njëzetë e pesë vjet dhe më në fund çfarë fitoi. Sipas tyre u mund, trojet e çliruara prej tij u ripushtuan. Pra, ngulin kembë me një zell shumë dyshues, Skënderbeu humbi Shqipërinë dhe pronat e tij, përhumbi jashtë kufijve edhe mijra shqiptarë dhe familjen e tij. Ndonjë çmitizues bën metaforë më të thekur, shkruan se lufta e tij e zuri nën vete atë dhe Shqipërinë. Por rilindasit kur sipas programit të tyre politik e përgatitën Gjergj Kastriotin për t’ja paraqitur popullit të tyre si shembullin dhe frymëzuesin e luftës për çlirim kishin parasysh të parin shpirtin e rezistencës e të qëndresës e jo numërimin një për një të betejave. E thirrën në skenë Skënderbeun për t’i ringritur në kembë shqiptarët, tashmë në një betejë të madhe të dytë, finale. Rilindasit ishin njerës të letrave, shkrimtarë e deri klerikë fetarë, por edhe mjaft njerës të veprimit, politikanë të mirëfilltë. Aq shumë e kishin “stofin” e këtij zanati sa që për herë të parë dhe të fundit në historinë tonë botuan një libër të plotë programi si do ta bënin shtetin shqiptar (Sami Frashëri “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhet”). Ata i kushtruan popullit për betejën e re me shpresë në fitoren përfundimtare. Mund të ndodhte që edhe kjo rezistencë pas disa vitesh të shtypej nga perandoria, por kjo do të qe gjithsesi një humbje kalimtare. Kushtrimi do të ringjallej sërish dhe një ditë Shqipëria do të shpallej në mëvetësi. Mirëpo falë shumë rrethanave historike dhe shpirtit liridashës të bashkëkombasve tanë rilindasit prinë dhe realizuan shtetin e parë shqiptar. E bënë këtë me frymëzues e mobilizues shembullin e Skënderbeut. Atëhere përse gjithë kjo shamatë se Gjergji ishte humbës dhe rënues i fatit të vendit të tij? Ai nuk ishte më gjallë, por beteja e tij e madhe, pra beteja e shqiptarëve, nuk mbaroi me vdekjen e tij, as pas një dekade kur kështjella e Krujës ra, por në 28 nëntor 1912. I dështuar ai do qe nëse shembulli i tij nuk do t’i nxirrte bashkëkombasit pasardhës në fitore. Sepse ishte i tillë rilindasit këtij ngadhënjimtari që edhe pasi humbte një betejë pas disa muajsh triumfonte në një të madhe, i morën simbolet e tij: flamurin dhe ditëçlirimin e Krujës. Aq shpirtfitimtar është Skënderbeu sa me simbolet e tij dhe shembullin që dha mbi pesë njëqindvjeçarë më parë, më pas si simbol në fillim të shekullit të shkuar, në verë të vitit 1999 shqiptarët rifituan trojet e tyre të Kosovës dhe më 17 shkurt ne të gjithë festuam vitin e parë të shtetit të dytë shqiptar. E ku e ka humbësin Gjergj Kastriot Skënderbeu?
Ja përse rilindasit nuk krijuan plotësisht një mit të Gjergj Kastriotit, por një të vërtetë me disa ritushime të vogla. Ata shpallën një figurë politike reale. Ishte populli që në imagjinatën e tij, në krijimtarinë foklorike, ku edhe gjurma e kalit ishte sa një shkemb pesëqind metra katrorë, e mitizoi Skënderbeun. Kështu bëjnë të gjithë popujt. Nuk është marifet manipulimi, por teknikë thjeshtëzimi. Që të bëhet një mesazh sa më shpejt i përvetësueshëm.
Paralel me politikën dhe foklorin eci edhe krijimtaria artistike si edhe historianët. Në këto dy fusha të mendimit njerëzor në përshkrimin e imazhit të Skënderbeut u përdorën përzjerje mjetesh të ndryshme, madje edhe elementë të fortë të mitit. Çmitizuesit kanë të drejtë kur thonë se në këtë thellimë nuk duhej të binte historia. Ajo duhet të jetë gjakftohtë, shkencërisht skrupuloze, përherë duke e nxjerrë me shkelma çdo tundim për mitizim. Në rast se nën ndikimin e periudhave me trysni të rëndë ideologjike diku e ka shkelur këtë rregull profesional duhet të tregojë sot më shumë pasion për t’i vënë gjërat në vend. Çmitizuesit e jetës dhe të gjurmës historike të Gjergj Kastriotit kanë të drejtë, madje shumë, kur ngrejnë zërin se bojatisjet e heroit tonë kombëtar nuk duhet të shkojnë gjer tek bankat e shkollave, tek librat e nxënësve dhe studentëve, të të gjithë gjeneratave të reja. Mbrojtësit e përtacisë për të mos ndërhyrë sa më shpejt në këtë drejtim nuk duhet të sugjestionohen nga teoritë se në këtë apo atë moshë fëmijëve shqiptarë nuk mund t’u thuhet kjo apo ajo gjë, humbje ushtarake e Skënderbeut apo probleme dhe kontradikta me princërit e tjerë lokalë. Një përshkallëzim pedagogjik është i nevojshëm patjetër, por jo për ta penguar, por për ta përcjellë këtë informacion. Një dhjetëvjeçar sot manovron në internet si një xhind dhe të kemi besim se truri i tyre ka aq kapacitet, aftësia e tyre interpretuese dhe seleksionuese aq forcë sa dhjetë vite më parë nuk i kishin as njëzetëvjeçarët.
Miti të largohet kudo ku shpërndahet dija. Atje ku duhet edhe emocioni e fantazia miti është në shtëpinë e vet. Nuk mund t’i thuhet shkrimtarit Sabri Godo se në librin e tij “Skënderbeu” ka kontribuar në forcimin e prirjes mitizuese të Gjergj Kastriotit. Ai e ka njerëzuar heroin tonë kombëtar, ia ka xhveshur që atë kohë pancirin ideologjik, ndërsa reparte të tëra skulptorësh ia bënin qafën si të një demi dhe tiparet e fytyrës si qe roje kufitare e realizmit socialist. Miti apo shtresëzimet e tij shkatërrohen nga dija, por në krijimtarinë artistike ato treten sadopak nga njerëzimi i figurës. Sepse po ta kenë shumë të madh këtë merak për Godon le ta qortojnë miqësisht edhe Ben Blushin se duke përdorur humanizimin e figurës historike e vizatoi Skënderbeun të shkurtër, kur dihet historikisht që Gjergj Kastrioti qe shtatlartë. Mirëpo gjithsecili është në lirinë e vet dhe mirëdashja për heroin tonë kombëtar është e padyshimtë tek të dy autorët dhe librat.
Skënderbeu tek ne, shqiptarët, ka më pak zmog miti se në shumë figura të tjera hostorike të popujve fqinjë. Ka akoma figura me ngarkesa të ndryshme mitike edhe të një shekulli më parë (përshembëll Ismail Qemali) apo edhe të dyzetë viteve të shkuara ku për qëllime diabolike politike ka ndodhur të falsifikohen disa mite personash si liberalë, kur në të vërtetë qenë njerës të mençur, por me ide staliniste. Pra në thelb vetëm liberalë politikë jo.
Megjithëse në të ardhmen na duhet të jemi më shumë çmitizuesë, pse të mos e pohojmë që nuk e kemi të rëndë e problematike këtë ngarkesë negative. Kujtoj lexuesin se nuk qe shqiptar ai që diçka më tepër se një muaj më parë në një nga sheshet kryesore të Tiranës e projektoi Gjergj Kastriot Skënderbeun si personazhi i shumënjohur i Batmanit. “Kokëkrisuri” ultramitizuez ishte nga anët e Olivier Jens Schmitt-it.

ooo

Me Gjergj Kastriotin nuk kemi mirëfilli një mit. Ca më pak kemi tek ai një përfaqësues kryesor të nacionalizmit shqiptar. Akoma edhe më pak të dyja bashkë, siç është montuar akuza si mit nacionalist.
Në të vërtetë duke qënë se kjo tezë, nëpër dekada disa herë e rieksportuar, është formuluar jashtë kufijve të vendit tonë, na bren meraku i pa të keq se keqkuptimi ka ngjarë prej një përkthimi jo korekt ose të bërë shpejt e shpejt. Në ato qarqet intelektuale bashkëkohore ku ka nisur sëfundi qortimi i rëndë, mbase formulimin e njohur nga e gjithë bota se Gjergj Kastriot Skënderbeu është heroi kombëtar (nacional) i shqiptarëve do ta kenë kuptuar si heroin nacionalist të shqiptarëve. Mund të thuhet se janë vetëm nja tre apo katër shkronja më tepër, asgjë për t’u shqetësuar. Ndërkohë në ato qarqe të sipërcituara e dinë shumë mirë se ndokush mes shqiptarëve mudn të mos e bëjë qartë dallimin tinzar, por në botën e viset e tyre, ca më tepër në elita, nacionalizmi është ves i mbrapësht dhe mëkatar i madh.
Në të vërtetë nuk besojmë se fajtori është përkthimi. Është një provokim i qëllimshëm konfuzioni, keqkuptimi.
Duke qënë kombëtaristë nuk kemi përse pranojmë diversionin e fjalës akuzuese nacionalist. Jo vetëm këto ditë që përvjetori i parë i shtetit të pavarur të Kosovës ka cingrisur nervat e disave përtej, por as nesër.
Skënderbeu nuk është mit, por edhe në qoftë pjesërisht a plotësisht i tillë, ai vetëm model i keq fryme nacionalizmi nuk është. I ka të gjitha standartet e shqiptarit bashkëpunues me fqinjët, ndryshe po ata nuk do ta kishin quajtur edhe si hero ballkanik. Ai është mbrojtës i vlerave të Evropës dhe mik i madh i saj. Nuk i gjen Gjergj Kastriotit as edhe ndonjë mëri fetare për këtë apo atë besim. Ishte familje ortodokse, u kthye në besimin e krishterë katolik dhe mbajti gjithë jetën edhe emrin e dytë musliman: Beu Iskander. As Evropa nuk u shqetësua për këtë gjë, por as ne shqiptarët. Në kohën e vet Skënderbeu ishte shumë antiturk, po të tillë e vunë në krye të lëvizjes së tyre çlirimtare edhe rilindasit, por gjithçka më pas u mbyll me një “fund të lumtur”, veç aspak të stisur. Ne Gjergj Kastriotin e kemi kryeheroin tonë e megjithatë me popullin e republikën e turqve kemi një miqësi aq fort të madhe sa le të na kenë zili.
Figura e Skënderbeut është e hapët për të gjithë popujt. Dhe e quajnë banale kur thjesht për metoforë thuhet se ka qënë një gjeneral i NATO-s apo pararendës i eurointegrimit tonë. Në këto rradhë të fundit të këtij shkrimi, jo për të bërë një sfidë të re, po e shkruajmë se ai ka qënë një shengenist i Ballkanit.
Miti i Skënderbeut dhe gjoja nacionalizmi shqiptar si kërcënues i stabilitetit rajonal, të montuara bashkë si dy herë gënjeshtra, na shtrenguan, më shumë se dëshira për pjesëmarrje në një debat, të shpreheshim. Madje kapërxyem edhe ndonjë “rradhë”, sepse shqiptarët kanë mendje që mezi presim t’i dëgjojmë të gjithë e ta na çlirojnë nga mitet por edhe çmitizuesit agresivë.
Të paraqitësh para botës apo bashkëkombasve të tij një Gjergj Kastrioti si mit të nacionalizmit shqiptar do të thotë se na duhet të ndjejmë siklet e në mos turp nga flamuri ynë. Sepse kemi marë të tijin. Po ashtu nga 28 Nëntori, sepse pavarësia u shpall në atë nderim, ditëçlirimin e Krujës. Pastaj na duhet të shohim me dyshim stemat në krye të shkresave zyrtare, emblemën e vënë në ballë të parlamentit, bustin në sallën e pritjeve të Presidentit, atë në zyrën e Kryeministrit, simbolet e shtetit e të Skënderbeut në të gjitha dekoratat dhe diplomat. Na duhet t’i shkulim nga pasaportat apo kartat e identitetit. Pastaj t’i heqim nga këngët, nga filmat, faqet e librave. Ta shkulim nga zemrat.
Kjo është tepër, shumë tepër. Në mënyrë të padurueshme e tepërt.


Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com