Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Kur imazhin e vendit ta bën polici


Botuar në revistën “Shqip” në prill 2009

Imazhi i një populli nuk varet prej vetëm atij, edhe pse mbetet themelori. Do të mjaftonte në kufi, në qendër të kontinentit apo në mes të globit një tjetër që shumë më i fuqishëm ekonomikisht ose të paktën më i organizuar që të mund të ta ndërtonte pamjen sipas dëshirës së mirë apo të keqe të tij, paragjykimit etnik apo interesave gjeostrategjike, nevojave të çastit apo synimeve të largëta.
Historinë e botës, si edhe imazhin e popujve, e bëjnë më të fuqishmit. Në këtë përballje shqiptarët shumë herë kanë qenë të humbur, siç edhe në disa raste nuk kanë ditur të dalin të fituar. Nuk kanë munguar, edhe pse shumë të rralla, edhe përfitimet.
Mbi imazhin vendos edhe sistemi politik që një popull zgjedh apo i imponojnë. Gjatë shekullit të shkuar për një dekadë e gjysmë emrin e shqiptarit nëpër botë e përcillnin valët e Radio Moskës. Për një dhjetëvjeçar të mëpasshëm emisionet e Radio-Tiranës i shpërndanin deri në ShBA, Kanada dhe Australi antenat e mëdha në Cërrik të një stacioni maocedunist kinez. Për gati një gjysmë shekulli stalinizëm ishte kjo ideologji që i vuri markën e saj të deformuar pamjes së shqiptarëve.
Mundësia reale për të ndërtuar e përhapur një imazh sa më afër normalitetit u dha kur ra diktatura. Mirëpo ato çaste qemë të varfër dhe të etur për t’u mëkëmbur sa më shpejt ekonomikisht. Kishim për të zgjidhur qindra halle të mëdha e të vogla që patëm trashëguar. Ringritja jonë e madhe do të niste që nga plotësimi me rrobat e trupit, me ushqimet e përditshme, pajisja me një aparat televiziv, më pas patjetër me një shtëpi. Cili ja delte edhe të mund të blinte një makinë.
Kështu vetëm më pas i erdhi radha që shqiptarët të kujtoheshim për atë që në të vërtetë ishte dhe mbetej kryesori: imazhi i tyre personal dhe mbi të gjitha i vetë vendit.
Disi e trishtueshme që nuk ndodhi e kundërta, pra që në fillim të kujdeseshim për imazhin tonë dhe paralelisht me të edhe të mëkëmbjes ekonomike. Mirëpo ky është huqi ynë i zakonshëm. E ngremë një pallat banimi pa bërë rrugën për atje.
Tani të gjithë e kanë kuptuar se imazhi është pjesë e zhvillimit, madje një nga motorët e tij. Ai ka vlerë të pazëvendësueshme jo vetëm për raportet ndërkombëtare apo plotësimin e standardeve të hyrjes në Bashkimin Evropian, për nivelin e integrimit të bashkëkombësve tanë nëpër botë, por edhe në fund të fundit për turizmin. Në kushtet e Shqipërisë përditë e më shumë ai po bëhet industria jetike, madje më e madhja e nxjerrjes së të ardhurave për zhvillim.
Kështu tashmë që prej broshurave të thjeshta me letër e deri tek websitet në internet gjen përherë e më shumë vëmendje për të paraqitur një imazh që jo vetëm nuk i shqetëson dhe i mban larg të huajt, por që i fton të vijnë. Kështu kuraja jonë që të investojmë për imazhin është rritur deri edhe në prezantim të tij në media globale shumë të fuqishme, siç janë stacionet televizive CNN dhe Euronews.
Kur punët mbërritën deri këtu doemos që përveç të mirës avitet edhe një rrezik i shumë i madh. Një fill fare i hollë e ndan një pamje të vërtetë nga ajo e gënjeshtërt. Kjo do të thotë se promovimi i imazhit kombëtar të shqiptarëve nëpër botë kërkon përgjegjësi të madhe dhe frymë realizmi, përmasë të vërtete. Me të nuk mund të luash si marifetçi, ndryshe gjithçka të kthehet kundër.

ooo

Por përse ndodhi që për të kuptuar sadopak se çfarë në Shqipëri po bëhet për imazhin në këtë shkrim iu drejtuam vetëm rolit të policit?
Kjo ngjau sigurisht jo sepse tek ne imazhi përpunohet nga Ministria e Brendshme apo për ta patur atë korrekt na rri me shkop gome në dorë policia. Si të gjithë ne, qytetarët e këtij vendi, që me sjelljen tonë paraqesim këtë imazh, të njëjtën gjë kryen edhe një punonjës i Policisë së Shtetit.
Jo vetëm në popullin tonë, por kudo nëpër botë polici shihet si pasqyra e shtetit të tij. Kur shumë nga bashkëkombësit tanë të hyrë në korrik 1990 në disa nga ambasadat e huaja në Tiranë fituan të drejtën të emigronin në Perëndim ndër mbresat e para më të pashlyeshme ishin jo vetëm rrugët e gjëra dhe makinat e shumta, bollëku i dyqaneve apo pastërtia, por edhe mënyra shumë e edukuar e sjelljes së policisë vendase. Shumëve u ka mbetur në kujtesë deri edhe uniformat e hijshme të mbanin.
Për të gjithë është e qartë që për imazhin më shumë ndikon një ekip futbolli në një ndeshje jashtë vendit apo edhe një ansambël muzikor e një këngëtar, një libër i një shkrimtari të njohur apo edhe një bashkësi emigrantësh se sa dhjetëra përpjekje të tilla që mund të bëhen brenda vendit. Sepse ka një imazh që shqiptarëve u krijohet përtej kufijve të tyre si edhe një tjetër që formohet brenda territorit të shtetit.
Krijimi i imazhit është vepra më kolektive që mund të krijohet nga njeriu dhe njëkohësisht më individualja. E realizojnë me përpjekje e mund të gjithë, madje duke punuar ditë e natë dhe si të jetë një endje pëlhure si e Penelopës mjafton vetëm një person që ta shthurë. Veçanërisht vitet 1997-1999 kanë qenë të mbushur me këtë mundim gati prej Sizifi.
Mes imazhit që shqiptarët krijojnë në vendet ku kanë emigruar dhe ku ende ai ende nuk është rehabilituar në gjendjen e vet normale (italianët edhe pas njëqind vitesh emigrim ende e kanë këtë problem), brenda Shqipërisë mund të bëhet më shumë për rimëkëmbjen e tij. Patjetër bashkëkombësit tanë jashtë vendit e vuajnë më shumë një imazh të dëmtuar nga atdheu i tyre se sa ne brenda vendit një imazh jo të mirë të shkaktuar nga ata. Prej këtej lind detyrimi i madh për vete dhe për njerëzit tanë nëpër botë që të përkujdesemi posaçërisht për pamjen e shoqërisë dhe sidomos të shtetit tonë.
Ja përse mes dhjetëra e dhjetëra faktorëve përkeqësues por edhe ndihmues në këtë formatim të imazhit tonë zgjodhëm punonjësin e Policisë së Shtetit. I huaji, turisti, gazetari apo i punësuari në vendin tonë, ka shumë pika takimi me të. Duke filluar nga portet detare dhe ato ajrore, në të gjitha pikat doganore të hyrjes nga toka, më parë se të gjendet afër një qytetari shqiptar ardhësi ndodhet para njeriut tonë me uniformë.
Kryekomisari Eneo Gjergjani, i cili punon si shef sektori në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe e Migracionit në Tiranë, zyrë që mbulon edhe aeroportin e Rinasit, dëshmon se në një vit në këtë portë të madhe të hyrjes (dhe të njohjes së parë me Shqipërinë) çdo vit kalojnë 1.2 milionë pasagjerë. Të huajt këtu përbëjnë afërsisht një të katërtën. Duke qenë se në vitet 2004-2005 Eneo ka punuar edhe si komandant i pikës doganore të Kakavijës tregon po ashtu se gjatë një sezoni nëpër atë portë hyrje-daljeje kalonin njëqind e pesëdhjetë mijë njerëz, shumica dërmuese shqiptarë, por një pjesë edhe grekë e udhëtarë që vijnë nga Turqia apo Lindja e Afërt.
Eneo Gjergjani është befasues kur të thotë se në qytetet e Tiranës dhe të Elbasanit, territor që mbulon drejtoria e tyre rajonale, gjenden në shtetin shqiptar me leje të rregullt qëndrimi afro katër mijë të huaj, shumica nga vendet e Bashkimit Evropian. Në të gjithë vendin janë dyfish, thotë ai, pra tetë mijë. Në këtë shifër nuk përfshihen të huajt e shumtë, të cilët duke qenë qytetarë të BE-së, pra të zonës Shengen, sipas ligjeve që kjo hapësirë e lirë ka mund të qëndrojnë në territorin shqiptar të pajisur vetëm me pasaportën e tyre pa marrë leje qëndrimi nga tre deri gjashtë muaj.
Duke ndjekur fillin e mendimit të këtij kryekomisari kupton përse ndërtesa e drejtorisë së tyre në një nga rrugët qendrore të Tiranës, atë “Mine Peza”, është një tregues se si duhet të jetë imazhi i shërbimit të Policisë së Shtetit. Çdo i huaj që vjen atje për të nisur procedurat e marrjes së lejes së qëndrimit dhe më në fund për ta siguruar këtë të drejtë, ndihet sikur të jetë në një vend shumë të zhvilluar. Asgjë nuk i mungon atij nga mjedisi si edhe shërbimi prej një zyre analoge në zemër të Evropës, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo kudo ku qytetërimi është i lartë.
Sigurisht ai model shërbimi i Policisë së Shtetit në atë drejtori rajonale për kufirin dhe migrimin ka ardhur natyrshëm dhe jo si veshje maske. Këtë gjë do të mundohemi ta shpjegojmë më pas, për aq sa mundemi. Do ta bëjmë edhe me qëllimin të veçojmë punën e mirë që bëhet atje nga ajo pjesë tjetër ku Policia e Shtetit ende gjendet mbrapa mundësive të saj. Nuk mund për shembull të ledhatohet gjendja e imazhit në një pjesë të Policisë Rrugore, ku lodhja e madhe që kanë dhe që duhet nderuar, nuk shoqërohet përherë me kulturën e duhur të sjelljes ndaj drejtuesve të mjeteve dhe sidomos kalimtarëve. Ende rrallë gjen punonjës të këtij profili të cilët të zotërojnë një aftësi komunikuese të standardeve që tashmë shoqëria shqiptare i ka. Po ashtu ata gjenden akoma larg përballjes së tundimit për mitmarrje. Disa prej tyre të vendosur në udhëkryqet kryesore të Tiranës, shpesh në një dublim fare të panevojshëm të semaforëve, i shkelin të parët rregullat e qarkullimit duke urdhëruar lëvizjen e mjeteve në të kundërt të shenjave që japin semaforët. Por nuk do të mjaftonte vetëm kjo. Ata nuk kanë as kujdesin me të vogël ndaj kalimtarëve. Pothuaj as ua hedhin sytë. Vështrimi i tyre kap vetëm mjetet dhe kur e pyetëm një ditë njërin syresh përse një grumbull me kalimtarë në një udhëkryq të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa semafori ishte ende me të gjelbër, e futi dhe e la të rrezikuar në mes të dy kolonave të makinave, tha se ai përgjigjej vetëm për trafikun e makinave. Një sjellje e tillë jashtë të gjitha standardeve tona e jo më të qytetërimit perëndimor vazhdon ende pa u ndalur dhe korrigjuar nga asnjë epror i tyre. Në pjesën më të madhe të udhëkryqeve të Tiranës, qytetit ky ndodhet numri më i madh i të huajve, në vend që të përmirësohet kultura e respektimit të shenjave të semaforit, polici i qarkullimit rrugor urdhëron lëvizjen e mjeteve kur kalimtarët gjenden në rrugë dhe jeta e secilit prej tyre në dhjetëra e dhjetëra raste nuk gjendet e rrezikuar nga makinat, por nga vetë polici. Çdo reagim që mund të bësh, sado sjellshëm të jetë formuluar, pritet pasivisht me indiferencë e jo rrallë edhe me fodullëk.
Me shpresë të shpëtojmë një ditë nga një cilësi e tillë shërbimi rikthehemi tek mjedisi dhe niveli i punës në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit të Tiranës. Për fat të mirë ajo nuk vjen prej një kulture të veçuar të Policisë së Shtetit dhe kjo gjithsesi të gëzon. Sipas normave të reja që janë vendosur në rekrutimin e punonjësve të saj përveç përzgjedhjes me kritere të mira arsimore dhe fizike, të gjithë punonjësit e tij do të kalojnë një kurs kualifikimi gjashtëmujor. Lënda e parë që do të bëhet është etika, pra mënyra e të sjellurës. Kultura e komunikimit do të zërë gjysmën e programit përgatitor e në mos më tepër.
Ja përse nuk është një ishull i izoluar kultura e lartë e shërbimit në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Tiranë, por e rritjes së vetëdijes për një imazh sa më të mirë kombëtar.

ooo

Megjithatë ka edhe një meritë personale. Është ajo e dy drejtuesve të asaj drejtorie. Në atë mishërim kulture kanë tretur në një të tërë aftësinë profesionale dhe qytetare drejtori i saj Saimir Boshnjaku, një nga oficerët e karrierës më të specializuar jashtë shtetit për Kufirin si edhe kryekomisari Eneo Gjergjani.
Mjedisi është i tillë që të rrëmben të tërin. Atje nuk ka mangët asgjë. Pikërisht në faktin që nuk i mungon asgjë gjendet edhe thelbi. Bën pjesë në dituri të kuptosh se për çfarë ka nevojë një shërbim i përsosur. I huaji që hyn në godinën elegante dykatëshe do të gjejë menjëherë një punonjëse të hijshme policie, e cila me një ton të butë të shpjegon gjithçka. Në rast se informacionin i huaji do ta kërkojë edhe me mënyra të tjera do të gjejë menjëherë fletëpalosjet në gjuhë të huaj, disa prej tyre edhe bashkëpunim me ndonjë bankë. Në rast se ka nge edhe më shumë se kaq shumë shpejt nëpërmjet një dvd-video të prodhuar me televizionin Vision+ do ta marrë akoma më të plotë me pamje të gjalla informacionin. Më pas i huaji prej një rulete merr numrin dhe në një prej poltronat pushues pret t’i vijë radha. Ajo i shfaqet në një numër elektronik mbi njërin prej dy sporteleve....
Do të ishte e tepërt të tirrnim rrëfimin e të gjithë ecurisë së procedurës. Rëndësi ka të dëshmojmë se në atë mjedis shërbimi modern nuk mungon edhe një kuti e xhamtë me të gjitha ilaçet më të nevojshme për një ndihme urgjence, vazot e luleve që të shoqërojnë në çdo hap në të dy katet, nëpër korridor dhe në të gjitha mjediset e zyrave, qetësi e madhe kudo dhe në sfond herë pas herë, me një tingull të butë melodi shqiptare nga cikli “100 këngët e shekullit”. Në katin e dytë, mes të tjerash gjendet edhe një sallë shumë moderne takimesh e mbledhjesh, seminaresh e ballafaqimesh profesionale, ku në dy ekrane të mëdhenj televizorësh bëhet e shfaqshme çfarë secili referues ka në kompjuterin e tij të lëvizshëm. Mbi një ekran tjetër portativ me beze një aparat projektues mund të bëjë të dukshme para të gjithëve çdo të dhënë që është e nevojshme të publikohet nëpërmjet asaj mënyre. Deri edhe podiumi folës është i xhamtë, krejtësisht i tejdukshëm, shkëlqyes pothuaj si një kristal. Është një sallë krejtësisht teknologjike.
Dhe ajo që në atë mjedis të duket më befasuese ka të bëjë me të drejtën e ankimimit. Në të gjitha fletëpalosjet informuese gjendet e vendosur dukshëm oferta “Ankesa SHKB”. Aty shënohet një numër telefoni që kryen edhe punën e faksit si edhe një adresë e-mail-i: Shkb@mrp.gov.al.
Këtë kulturë të drejte për t’u ankimuar e gjen edhe në website-n e Ministrisë së Brendshme, siç edhe atje ndesh në numra telefonikë apo postë online ku mund të denoncosh, veçanërisht me përparësi trafikun e qenieve njerëzore.
Kjo është një përmasë shumë e qytetëruar e komunikimit me njerëzit.

ooo

Polici i Shtetit ka një rol të madh e ndikim shumë herë më gjurmëlënës se edhe disa autoritete të njohura publike. Ndryshe nga shumë prej nesh ai ka me njerëzit një takueshmëri shumë të lartë. Po ashtu edhe dukshmëri. Punonjësi i Policisë për orë të tëra është në rrugë, sepse atje e ka punën më të madhe. Shihet nga sytë e të gjithëve.
Pra ai, edhe pse në hierarkinë e Shtetit apo të vlerave ka një pozicion modest, mbetet një person me peshë të madhe publike. Këtë mund ta kuptosh edhe nga një rrëfim i shpejtë që Eneo Gjergjani të bën nga përvoja e tij dyvjeçare si komandant i pikës doganore të Kakavijës. Stafi i ri dhe i përzgjedhur mbi kritere profesionale, hijshmëria fizike e tyre si edhe eleganca e uniformës, mësimi prej tij i gjuhës greke për të rritur efektshmërinë e komunikimit me kolegët helenë bëri të ndihet jo vetëm mik dhe bashkëpunues me drejtuesin e policisë së Janinës, Thanasis Paleopanos, por edhe me vetë gjeneralin Dimitris Galikas, drejtor i saj për të gjithë rajonin. Miqësia e fryma e dashurisë mes dy popujve është edhe frutë e një imazhi të qytetëruar. Ndikon në të edhe shërbimi diplomatik shqiptar. Jo pak edhe Konsulli i Përgjithshëm shqiptar në Janinë, Eshref Shehu.
Në të vërtetë përkundrejt ndonjë përfytyrimi disi të trazuar që ndihet në mendjet e shumë bashkëkombësve, por edhe jo të pak grekëve, miqësia në atë nyje të madhe e portë kufiri prej shumë vitesh është aq e fortë dhe e sinqertë sa njëra palë prej koleges quhet shqiptardashëse dhe tjetra grekdashëse.
Mjafton vetëm kaq për të kuptuar se liberalizimi i vizave është një ngjarje e festë shumë e afërt, ndoshta punë muajsh. Eneo Gjergjani për këtë ka një besim të pathyeshëm nga çdo dyshim që mund t’i hedhësh. Thotë se shumë shpejt të dy popujt do të kalojnë pa zënë radhë në sportele, por hipur në mjetet e tyre do të kalojnë vijën simbolike të kufirit thjesht duke përshëndetur me dorë policin e hijshëm shqiptar apo helen.
Imazhi ka forcë titanike. Mjafton të jetë mbartës i sjelljes së qytetëruar, i një karte apo pasaporte biometrike dhe një zëmre të hapur për miqësi.



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com