Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Viti 1944, ai që përçau dy Boçarë


Botuar në revistën “Shqip”, qershor 2009

E mbushëm një dekadë që njihemi dhe që kemi biseduar gjatë për çdo gjë të mundshme, veçanërisht për diasporën shqiptare të pasluftës në Itali. Megjithatë ai është sërish tërheqës kur i rikujton apo i rithotë. Megjithëse i ke dëgjuar disa herë sërish nuk të mërzit. Ndihesh mirë jo vetëm se me këtë përsëritje të saktë të jetëve të individëve dhe të kronikave të ngjarjeve rikonfimon që me rrëfimet e tij nuk të ka manipuluar asnjëherë, por edhe sepse dëshmon se i ka dashur ata për të cilët të ka folur. Madje për ta nuk flet, por të duket sikur u thur vargje. Shumica e tyre qenë në mospajtim të përhershëm me regjimin realkomunist të Tiranës, por jo pak ishin të emigruar vetëm për shkaqe të thjeshta ekonomike.
Tashmë të gjithë të njohurit e tij nuk jetojnë më. Në Romë dhe në qytetet e tjera italiane kanë lënë pas fëmijët e tyre, shumë edhe nipërit e mbesat. Këta të fundit jo gjithnjë janë aq të vetëdijshëm sa të kuptojnë se gjyshërit e tyre kishin me vete jo vetëm një emër, një të shkuar të dhimbshme në mërgim, por edhe një pjesë të historisë së atdheut të tyre. Nuk mundet kurrë historia e Shqipërisë të quhet e plotë pa bashkuar copëzat e jetëve që ata kaluan larg tij.
Ndoshta ja përse mes të tjerash fati ka lënë të gjallë njërin prej tyre, superdëshmitarin. Duket sikur ligjet e kohës e kanë bërë posaçërisht këtë gjë që të mund t’u përcillte brezave të ardhshëm të shqiptarëve mesazhin se ata refugjatë të ikur nga atdheu i tyre për arsye politike dhe që mëmëdheu, për shkak të një diktature të instaluar aty, nuk mundi dot kurrë t’i rishihte, nuk duhet të harrohen kurrë. Ndihem kaq i bindur pas kësaj ideje sa përherë më është dukur se pikërisht për të realizuar këtë mision të mbijetuarit të madh të tyre në Romë ata dhjetëra që nuk jetojnë më i kanë dhënë nga pak prej viteve të tyre.
Më bëhet të besoj se të paktën për këtë arsye bashkëkombasi me të cilin njihem prej më tepër se një dekade është plot nëntëdhjetë e tre vjeç. Këtë ma thotë mënjanë, pothuaj afër veshit, që të mos e dëgjojë kush. As muret e dhomës ku jemi vetëm ne të dy.
Në të vërtetë pas mbi kaq shumë kohë miqësie nuk ka lënë ndonjë gjë pa e thënë, pra nuk ka ruajtur ndonjë sekret. Veç atë të moshës e ka gjykuar të tillë: top sekret. Të më falë që po ja bëj publike të nëntëdhjetë e tre vitet, sepse për hir të misionit që i kanë dhënë ata që tashmë nuk jetojnë më, ai të paktën do të shkojë deri tek njëqindtat.
Ky njeri i pazakonshëm quhet Ismail Boçari.

ooo

Sapo dëgjon këtë mbiemër vetvetiu të vijnë ndër mend Boçarët e famshëm, shqiptarët që kanë hyrë në historinë e luftës për çlirim të popullit grek dhe të krijimit të shtetit të tyre modern. Më i shquari, Marko Boçari, e ka varrin e vet në Panteonin e Greqisë. Dhe Ismaili vjen prej kësaj dere të madhe dhe prej kësaj historie të shquar.
Marko ka qenë pasardhës i Gjon Boçarit, para gjashtë shekujve ndërtues i kalasë së Tragjasit të Vlorës. Asaj tashmë i kanë mbetur vetëm rrënojat, por cili njeh sadopak kronikën e vjetër të këtyre viseve e di se ajo nuk ishte një kështjellë e rëndomtë, por një nyje kyç në luftën e shqiptarëve për t’u mbrojtur nga pushtimet e huaja.
Pinjolli më i dëgjuar i këtij fisi është Esheref Dano Gjonboçari, i ati i Ismailit dhe i tre djemve të tjerë, mes të cilëve edhe i Njaziut, i cili do të përfaqësojë edhe personazhin e dytë të këtij shkrimi. Historia e këtyre dy vëllezërve Boçari dhe rrugët e ndryshme që ata morën në jetë, do të përbëjë kësaj radhe ajo që duam t’i tregojmë lexuesit.
Ishte viti 1944 që i ndau. Ai qe një vit prerjeje në mes për shumicën e shqiptarëve. Ishte një ndarje po aq e rendë sa edhe ajo e vitit 1913, kur trojet tona u përthyen dhe u prenë përgjysëm. Sikur të mos mjaftonte kjo kasaphanë e madhe territoresh, jetësh dhe pasurish shpirtërore dhe ekonomike, në fund të vitit 1944 në Shqipëri u vendos e quajtura diktatura e proletariatit. Kjo vuri në lëvizje një krijesë mostër: luftën e klasave. Si edhe në rastin e prerjes së parë të vitit 1913, përgjysmimi i dytë erdhi më së shumti nga po i njëjta prapashpinë: nga hapësira sllave. Nuk kishte të bënte me popujt e tyre, të cilët si të gjithë popujt në këtë glob mbeten miq të njëri-tjetrit, por nga klikat e më të pushtetshmëve të tyre, prej asaj klike që duan të sundojnë të tjerët. Pasi në fillim të shekullit na prenë mes për mes trojet dhe bashkëkombasit, riprenë sërish në 1944. Tani mes njëri-tjetrit. U shpallën dhjetra mijra armiq e tradhëtarë. Gjysma e nënshtetasve të Shqipërisë u shpall e besuar, gjysma tjetër si e pabesë. Kështu brenda disa dekadash u zvogëluam dhe u tkurrëm në vetëm një të katërtën pjesë të fuqisë e begatisë tonë.
Që në ditën e parë të Shqipërisë së çliruar nga pushtimi i huaj fashist u duk qartë se Ismaili dhe Njaziu, edhe pse të dy të lidhur me luftën çlirimtare, nuk do të mendonin njëlloj për jetën e sistemin politik që po vendosej në vendin e tyre. Po largoheshin nga njëri-tjetri, ishte gjithsecili në kërkim të jetës së tij dhe të mënyrës se si ajo duhej të qe.
Ismaili dhe Njaziu nuk ishin pinjoj të rëndomtë të një familjeje po aq të zakonshme. Gjon Boçari me kështjellë të fortë lirie dhe pas tij Marko si një nga flamurmbajtësit e revolucionit grek në traditën e tyre nuk qenë të vetmet. Në fillim të shekullit të shkuar, kur nisi jetën e vet i ati, Esherefi, familja kishte vite që ndodhej e vendosur në qytetin e Vlorës. Pasi braktisi shkollën turke ai iu vu fshehurish mësimit të gjuhës shqipe dhe shumë shpejt u bë njëri prej atyre bashkëkombasve me shpirt rilindas që transportoi nga jashtë dhe shpërndau nëpër shumë familje abetaren e parë. Qe bir i një familjeje në gjendje shumë të mirë ekonomike, një lloj beu atë kohë. Zotëronte 220 hektarë tokë, prej të cilave më shumë se gjysmën e kishte në bregdet si edhe i disa mijërave rrënjë ullinj. Qenë të pasur Boçarët dhe të fuqishëm në ndikimin e tyre politik. Për të paktën njëzetë breza forcën e pasurinë e tyre ia kishin kushtuar shqiptarisë, ndërsa mund të bënin një jetë tjetër, atë të qëndrimit në interesat e tyre të vogla.
I martuar në vitin 1905 Esherefi e vijoi fisin e shquar të Boçarëve me tetë djem dhe një vajzë. I pari nga djemtë u quajt Njazi, i dyti Ismail, i treti Skënder, i katërti Mithat, i pesti Muhedin, i gjashti Gjon, i shtati Agim dhe i teti Agron. Vajza e vetme mori emrin e gjyshes Hava. Edhe Ismaili kishte hedhur mbi vete emrin e gjyshit.
Ndërsa në prag të 28 nëntorit 1912 orë pas ore e gjithë Vlora dhe delegatët që po vinin nga qytetet e tjera bëheshin gati të ngrinin flamurin kuq e zi komisioni i festës e ngarkoi Esheref Dano Gjonboçarin të priste luftëtarin e madh nga Kosova, Isa Boletinin. Më vonë, pas vdekjes së Ismail Qemalit, ai do të merrte në mbrojtje një nga djemtë e tij dhe po ashtu do të jepte dëshminë e një prove tjetër atdhedashurie: do të ndihmonte për pritjen dhe sistemimin e bashkëkombasve çamë të dëbuar me përdhunë nga trojet amtare në Greqi.
Në jetën e tyre Boçarët nuk kanë asnjë vit pa kryer një vepër për atdheun. Kështu bënë edhe me luftën çlirimtare. Në të gjitha dallgët e jetës dhe të të papriturave për vendin e tyre nuk u ndanë kurrë mes njëri-tjetrit prej asnjë tundimi ideologjik.
Kjo për herë të parë ndodhi pas vitit 1944, madje diçka më parë se ky të mbyllej. Ngjau me dy djemtë e mëdhenj.
Nëntëdhjetë e tre vjeçari Ismail i do me shpirt të gjithë vëllezërit e vet dhe në dhomën e tij në një pallat të lartë buzë rrugës Viktor Emanueli në qendër të Romës, i ka të gjithë në fotografi. Krenohet me të tërë, sidomos me një cilësi të tyre: janë me shkollë të lartë e të ditur, ndonjë me emër të mirë jo vetëm në Tiranë, por edhe në Kanada.
E megjithatë vëllanë e madh, Njaziun, Ismaili e ka adhurim. E pohon vazhdimisht se ai “ishte kokë”, një ekonomist i shquar, një Boçar që në një fat tjetër të Shqipërisë do të bënte po aq vrullshëm sa karrierën e një shkencëtari po aq edhe të një politikani.
Ah, vetëm sikur të mos qe viti 1944!

ooo

Të dy u bashkuan me luftën çlirimtare dhe shpëtimin sa më të shpejtë të vendit nga pushtimi fashist. Vlora kishte një traditë të vjetër të rezistencës kundër ushtrive italiane, siç po ashtu ruante edhe një miqësi të palëkundur me popullin e thjeshtë të përtej bregut. Që në muajt e parë Njaziu dhe Ismaili u lidhën me komunistët, duke i gjykuar më të vendosurit në betejën e re për liri. Përjetuan edhe episode lufte të përbashkët me armë.
Diferencimi mes tyre ndodhi pa u vonuar. Ismaili nuk u tregua entuziast nga radikalizimi i ngjarjeve të të quajturit spastrim deviacionist në Vlorë, ku kontrollin e krahut komunist e morën stalinistët dhe të moderuarit u cilësuan fraksionistë, madje disa u vranë deri edhe me pabesi. Më pas do të krijohej Fronti Nacionalçlirimtar dhe atje Ismail Boçari do të ndihej më afër përderisa thuhej se idetë politike nuk kufizonin asnjë. Kur lufta do të mbaronte Njaziu, mik i madh i Nako Spiros dhe bashkëpunëtor i parë i tij, qe plotësisht nën bindjen komuniste radikale. Ismaili, për ca kohë në kryeqytet deri edhe drejtor i ndërmarrjes së drurit “Misto Mame”, do të bëhej një njeri që i rrinte larg rreshtimit në partinë e vetme në pushtet. Nuk u anëtarësua në të. Shumë shpejt do të shkonte në Bullgari në një shkollë të lartë mjekësore dhe pas një kthimi të shkurtër prej andej, do të bënte zgjedhjen përfundimtare: largimin nga Shqipëria. Nuk qe varfëria e vendit që e dëshpëronte, sepse me punë edhe ai mund të bëhej si gjithë të tjerët, por ashpërsimi i regjimit dhe sidomos i mënyrës së jetesës. Ismail Boçari është prej natyre njeri i lirë dhe që e do ta shijojë jetën. Për të nuk kishte asnjë kuptim një sistem shoqëror si ai stalinist shqiptar, ku çdo gjë shtrëngohej nën rregulla të ngurta dhe asketike dhe ku jeta e individit ishte e gjitha e nënshtruar ndaj kolektivitetit.
Kështu bëri arratisjen e butë: me një justifikim për të takuar një të njohur të zemrës shkoi në Jugosllavi. U vendos në qytetin e bukur kroat Pola, ku edhe sot nuk gjen pak shqiptarë. Shumë shpejt aty nisi punën në një farmaci, profesion që do ta ushtrojë më pas gjatë gjithë jetës së vet. Në Pola pa se komunizmi mund të ishte një sistem shoqëror shumë më i butë se në vendin e tij.
Kur u bind se gjente një vend edhe më të mirë dhe me jetë shumë më e çlirët priti rastin e duhur dhe bëri kërkesën për një vizë hyrëse në Itali. Qe viti 1956 kur nisi sfidën e qëndrimit në Romë. Në fillim ende i papunë, duke e kaluar kohën nëpër kafet ku mblidheshin shqiptarët e emigruar. Shumë nga këta qenë të ndarë në grupe, parti e blloqe politike të ndryshme.
Me të gjetur punë si farmacist Ismail Boçari veshi këmishë të bardhë dhe vuri kravatë. Tashmë nuk kishte më aq kohë për kafet e gjata e të mbushura dërdëng me teza ideologjike. I kushtroi zakoni i tij i kahershëm: mosangazhimi partiak.
Ndërkohë në Tiranë vëllai i tij i madh, njeri i ditur dhe me gradë shkencore docenti, i sigurt se e ardhmja më e mirë e njerëzve kalonte nga idetë e marksizëm-leninizmit dhe prej të quajturës diktaturë proletariati, kishte hartuar e botuar një libër shumë të rëndësishëm për regjimin: “Shtetëzimi i mjeteve të prodhimit në RPSH”, dhjetor 1944-shkurt 1947”. Qe një botim prej 205 faqesh, ku 73 fletët e para ishin histori e Shqipërisë dhe e gjendjes së saj ekonomike nëpër shekuj. Tema që kishte marrë përsipër Njazi Boçari niste në kapitullin e dytë, të titulluar “Kontrolli shtetëror”. Aty tregohej hollësisht se si pushteti i ri nisi me shpejtësi të rrufeshme likuidimin e themelit ekonomik të shoqërisë së mëparshme, të cilësuar kapitaliste. Kjo kryhej qartësisht që “t’i krijojë diktaturës së proletariatit bazën ekonomike pa të cilën nuk mund të mbahet pushteti politik dhe të vendoseshin marrëdhëniet e reja shoqërore dhe të kryhej transformimi mëtejshëm i vendit”.
I gjithë operacioni përdhunues dhe që historia e vlerësoi nga më shkatërrimtarët zgjati vetëm dy vite. Më 28 tetor 1946 doli dekreti i fundit për shtetëzimin e industrisë së mëparshme. Në fund të vitit 1946 i quajturi prodhimi socialist zinte 84.1 përqind të prodhimit të përgjithshëm. Në shkurt 1947 me një dispozitë ligjore të nxjerrë nga Kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar postet komanduese kishin rënë tërësisht në duart e shtetit. Këto qenë 211 qendra prodhimi industrial: miniera, fabrika, stabilimente, uzina, shtypshkronja, frigoriferë. Në gazetën “Bashkimi” të 2 korrikut 1947 ministri Nako Spiro shkruante “Me mbylljen e proçesit të shtetëzimit të industrisë fillon faza e zhvillimit të ekonomisë së planifikuar. Mbas kësaj ekonomia kombëtare do të drejtohet “në bazë të planit të vetëm shtetëror”.
Gjithçka e mënxyrshme pati nisur me kufizimin e pronës kapitaliste, ku pronarët ose administratorët u kthyen në vetëm këshilltarë pa shpërblim. Pastaj shpërtheu si epidemi procesi i likuidimit, çka donte të thoshte konfiskim dhe shtetëzim. E gjithë marrëzia u krye në emër të të quajturës klasë punëtore. Ndërkohë që në të gjithë sistemin e industrisë së kohës ajo përbëhej nga vetëm 1519 vetë.
Për fat (të keq) as Nako Spiro dhe as Njazi Boçari nuk ishin proletarë. I pari ishte në Durrës i biri i pronarit të fabrikës më të madhe të duhanit në Shqipëri, Stamles, i dyti bir i një pronari të madh tokash.
Kur pas rënies së diktaturës Njaziu kapërceu për herë të parë kufirin e shkoi të takojë të vëllanë në Romë, përveç mallit të madh të takimit, ishte edhe pendimi. “Ismail”, i tha një çast, “Të të them një fjalë?” Dhe pa pritur të vëllanë vijoi t’i shqiptonte brengën e madhe që kishte të ndryrë në shpirt: “Morëm më qafë një popull të tërë”. “Perëndia u faltë!”, qe përgjigjur Ismaili dhe pastaj kishte shtuar se nuk duhej ta kishin bërë atë heqje barbare prone nga të zotërit e vërtetë, sepse në fund të fundit ai dhe Nakua ishin djem të asaj klase. “Morëm më qafë një popull të tërë”, pati përsëritur me dhimbje Njazi Boçari dhe kësaj radhe i vëllai ia kishte lehtësuar dëshpërimin, duke i thënë se ai, Ismaili, qe shumë më pak i mençur se ata, se në shkollë nuk kishte qenë me nota të shkëlqyera si i vëllai, por një nxënës fare mesatar. Që të orientohej drejt botës së lirë të shoqërisë së hapur dhe ekonomisë së tregut e kishte ndihmuar vetëm natyra pragmatiste që kishte.
Ato ditë të dy vëllezërit e ndarë nga viti fatal 1944 ja kishin kaluar aq fort të malluar për njëri-tjetrin sa më shumë rrinin të përqafuar.
Herën tjetër Njaziu mbërriti në Romë me ankthin e një sëmundjeje në mushkri. Në Shqipëri nuk po ja gjenin dot as shkakun dhe as mjekimin për ta ndalur. Ismaili bëri gjithçka që ta vizitonte në mjekët më të mirë të Italisë. Për afro një gjysmë shekulli pjesëtar i dekoruar nga Urdhri Italian i Farmacistëve atij nuk i mungonin miqtë e shumtë. Por lajmi që morën ishte i keq. Bëhej fjalë për një tumor.
Megjithatë Njaziu qe njeri i hekurt dhe nuk e dha veten. I bëri të gjitha mjekimet për ta mundur vdekjen, por ajo doli më e fortë. Pas ca kohe ndërroi jetë, duke i bërë të gjithë të dashurit e tij të përloteshin. Në dënesë ra edhe Ismaili. Pas këtij çasti herë pas here për të vëllanë i dalin bashkë me një psherëtimë edhe fjalët “Njaziu ishte një gjeni!”
Kjo për çdo njeri që e dëgjon do të thotë se ideologjia staliniste ishte rrënim për gjithçka, për të pasurit e për të varfërit, për të rëndomtit dhe të talentuarit, për familjet e thjeshta dhe ato të mëdha.
Pas gjashtë shekujsh qëndrimi të bashkuar e mosndarjeje ajo përçau për disa dekada edhe Boçarët e famshëm.


Ylli Polovina













Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com