Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“Ndarje me të shkuarën”


Fragment, faqet 25-40 të librit

Një makinë me përpara pranë shoferit një polic dhe në sediljen e prapme Shahun të shtrënguar mes dy të tjerëve doli me ngut nga aeroporti i Bolonjës dhe bëri drejt qendrës së qytetit. Nëpër rrugë njerëzit dalëngadalë po rralloheshin dhe gjallëri kishte vetëm pranë ndonjë picerie të madhe. Megjithatë nëpër rrugët e vetmuara ndihej një atmosferë festive. Ato ishin të mbushura me dritë. Ndriçimi vinte jo vetëm nga vitrinat e zbukuruara me motive që dukeshin si grimca të stilizuara bore, por edhe nga kordonët me dritëza të nderura mbi to. Katër herë rresht lexoi fjalët “Buon Natale!”. Ishte shumë e vështirë të vinte në lëvizje kuriozitetin për të kuptuar se për çfarë feste po bëhej gati Italia, por ndërsa e hodhi tej këtë tundim dhe e la veten nën tronditjen e asaj që po i ndodhte, enigma iu zgjidh vetëtimthi. Ato ishin Krishtlindjet.
Vendi ku i patën vënë prangat ishte në pragfeste, në më të madhen që ata kishin si popull i krishterë.
Pas disa sekondash ia behu edhe mendimi se drejt kryqëzimit të padrejtë nuk po shkonte hebreu Jezu Krishti, por ai, shqiptari me besim mysliman, Shahu.
Ndërkaq udhëtimi në atë makinë vazhdonte i heshtur. Në sfond të rrugëve dhe vitrinave të mbushura me dritë, fytyrat e policëve qenë gjithë kohën të zymta.
Një çast Shahu ndjeu t’i gjarpëronte nëpër mendje ngasja se mund t’ia dilte të arratisej. Kjo ide iu ngacmua kur pa dashje, ndërsa përpiqej t’i qëndronte afër me trup, polici në krahun e djathtë e goditi me dorezën e pistoletës të vendosur në këllëf.
Që prej atij momenti, ndërsa makina akoma nxitonte nëpër rrugët në boshatisje, Shahut grupi i policëve shoqërues iu duk fare amator. Në vitet tetëdhjetë, edhe pse posaçërisht nuk u mor kurrë me vetëstërvitje konkrete, nga inspektimet që pati bërë here pas here në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, sektor që si zëvendësministër e mbulonte, akoma mbante mend veprimet për të çoroditur shoqëruesit dhe pastaj ikur.
Shumë prej skemave nisnin me rrëmbimin prej rrethuesve të një arme mbajtur shkujdesshëm dhe përdorimin e saj për likuidimin fizik të tyre. Me pistoletë ai ishte një qitës i shkëlqyer. Mjaftonte vetëm ta mbante me dy duar.
Ajo cekje e papritur në brinjë e kujtoi se pikërisht nga marrja me forcë e dredhi e asaj arme brezi mund ta fillonte gjestin e arratisjes. Mirëpo shumë shpejt e kuptoi se e gjitha ajo që i spërdridhej nëpër fantazi nuk qe gjë tjetër veç një mënyrë se si nënndërgjegjja e tij po shkarkonte zemërimin ndaj prangosjes së padrejtë.
Nëpër natë ndërtesa e kuesturës, edhe pse mbi asfaltin e rrugës që të çonte drejt saj binte një shi i butë dritash të lbyrta, u shfaq me pamjen e një siluete të rëndë e të mistertë. Në një nga dhomat e saj, duke i kryer veprimet me një rregull të ftohtë dhe të pazemër, i morën një për një shenjat e gishtërinjve të dorës së majtë, pastaj të të gjithë pëllëmbës. Metodikisht, si t’i kryenin veprimet disa makina dhe jo njerëz, i morën po ashtu shenjat e gishtërinjve të dorës së djathtë dhe një çast më vonë atë të pëllëmbës.
E zhgërryen në bojë të zezë. Shahut i vinte të ulërinte. Ndjente shumë turp.
Grupi që kryente shpërfillshëm të gjithë ritualin e regjistrimit të të porsa arrestuarit kreu po aq ftohtë e saktësisht vendosjen në duart e tij, për ta mbajtur një çast para gjoksit të një pllake me numër. Pastaj i bënë fotografimin. I kishin lëshuar mbi fytyrë drita të forta e megjithatë aparati çuditërisht e vetëndezi blicin. Nga drita verbuese që u sul mbi të përjetoi përvëlim në të gjithë trupin, gjer në majë të gishtave. Ndjeu se edhe u skuq. Aparati e kërciti hjekësin e shkrepjes si krismë arme edhe kur e fotografoi përballë, në profilin e majtë, më pas edhe në atë të djathtë.
Pasi ia kryen të gjitha formalitetet e regjistrimit e rifutën po aq ftohtësisht e shpërfillshëm në një makinë tjetër. Nuk kishin shkurtuar asnjë nga eskorta e mëparshme e rojeve.
Kur mbërriti në burgun e Bolonjës ora në dorën e njërit prej policëve me një dridhje të fosfortë shënonte dhjetë e natës.
Para portës së madhe me dru e nëpër të, gërshetuar edhe me hekur të rëndë, makina u ndal vetëm një çast. U duk sikur mbajti frymën. Silueta e rëndë e portës shpërndante përreth shumë ndjenjë shtypëse. Ajo rrinte pa lëvizur sikur të donte në fillim të tulatte, mposhtte dhe nënshtronte njeriun që do të gëlltiste brenda birucave. Vetëm pas kësaj pauze ajo nisi të hapte fare ngadalë të dy kanatat.
Shahut iu bë sikur po hapej para tij një gojë e madhe, e zezë, e padhëmbë. Ngjante me gojën e një bishe të çuditshme, prehistorike, të një dinozauri nga ata që i kishte parë vetëm në filma të fantazuar.
Hapja e avashtë e asaj dere të madhe i kujtoi një thënie të italianëve, se, kur ata të futin në burg, të parën punë që bëjnë është flakja e çelësit të qelisë në det.
Më në fund goja e padhëmbë e portës u çel e tëra dhe motori i makinës, para se të lëvizte rrotat e të hynte në brendësi të një oborri të madh, bëri një dridhje. Kur hovi përpara e më në fund frenoi, përveç një makine që dritat i mbante të ndezura e megjithatë asnjë njeri nuk kishte në kabinë, të gjitha të tjerat të rreshtuara në oborr dukeshin si në të vëna përkohësisht në dremitje.
Shahut sheshi i brendshëm i burgut të Bolonjës iu duk si pjesë e një shpelle, në fund të zgafellës së të cilës nga çast në çast pritej të shfaqej Polifemi, përbindëshi me një sy në ballë.
E nxorën nga makina po aq shpërfillshëm si më parë. Tani nuk ishte më njeri, por një send. Qe një numër.
Për të dytën herë i kaloi nëpër mendje gjesti i fantazuar se si do të kryente veprimet e çoroditjes së eskortës, rrëmbimin e pistoletës nga brezi i policit më të shkujdesur, drejtimin e armës drejt trupit të tjetrit...Shahu e zboi menjëherë trillin që po i dërgonte sërish zemërimi dhe imagjinata e dalë jashtë kontrollit.
E futën në një korridor dhe aty e lanë në një paradhomë. Ikën pa thënë as natën e mirë. Ndërsa largoheshin, këpucët nisën t’u kërcitnin. Apo ndoshta ato ishin ndjerë po njëlloj edhe kur hynë në mesoren e burgut, por Shahu nuk e pati ato çaste mendjen. Ndoshta kësaj radhe e kishte ndjerë atë kërcëllitje hapash për shkak të heshtjes së thellë dhe ndjenjës së braktisjes në duart e gardianëve.
Këta ishin dy dhe e panë nga koka në këmbë. Pastaj folën me zë të ulët diçka që Shahu nga pazotërimi i mirë i gjuhës nuk e kuptoi mirë, apo sepse tashmë nuk donte më të dëgjonte e të kuptonte. Të gjitha portat prapa tij ishin mbyllur me shula e çelësa të rëndë dhe për të nuk kishte asnjë mundësi rikthimi në jetën e zakonshme.
Dy gardianët e vunë në mes, por jo shtrënguar. Po e përcillnin në brendësi të burgut. Përreth dëgjohej ndonjë kollë, fjalë të thëna si në jerm, përplasje sendesh të metalta.
Ishte në një botë të huaj. Më saktë në një nënbotë. Gjendej aty i vetëm, i pambrojtur, i lënë fillikat. I nëpërkëmbur. Ishte thjesht e vetëm një i huaj, një shqiptar.
Dhe për herë të parë në jetën e tij i erdhi keq që bënte pjesë në një popull të vogël e ishte qytetar i një shteti të pafuqishëm. Papritmas iu rikthye dallga shkulmëzuese e zemërimit, e cila, gjithë atë gjysmëdite me fat të përmbysur, nuk donte t’i largohej. Inati i brendshëm i tha se nuk do të kishin guxuar ta trajtonin aspak ashtu, as në aeroport, as në kuesturë, as aty, po të ishte qytetar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Madje nuk do t’u kishte shkuar pranguesve të tij në mendje ajo sjellje po të ishte edhe anglez, francez, gjerman, spanjoll...Në një rast të tillë, më parë se të reagonte avokati apo familja, do të hynte në veprim shteti.
Tek ecte mes dy gardianëve porta të hekurta që u hapën dhe u mbyllën para tij ishin disa. Nuk orientohej dot ku po e çonin, në cilin krah apo kat të burgut. U përpoq të fiksonte diçka dhe më në fund, kur u gjend para derës së një qelie, pati përshtypjen se me gjithë hipje-zbritjet që i bënë, ndoshta për çdo të burgosur të ri një dinakëri e zakonshme gardianësh që të humbte vetorientimin, ndodhej në katin e dytë.
Një nga policët duke kërcëllitur çelësat çeli derën e qelisë dhe Shahu hyri brenda. Nuk pati asnjë çast hepimi. Pas shpinës së tij dera e hekurt u mbyll pa bërë zhurmë. Shumë pak u ndje edhe rrotullimi i çelësave në bravën e saj.
Tanimë heshtja përreth tij u bë e thellë. Menjëherë i erdhi në kokë fjala “izolim”. Kur qe në Ministrinë e Punëve të Brendshme e dëgjonte shpesh këtë emërtim. Policinë dhe burgjet atë kohë i mbulonte një zëvendësministër tjetër, më i ri se ai, oficer karriere. Kishte një emër ilir. Hynte në rrethin e miqve të tij.
Mbante mend se atë kohë, në vitet tetëdhjetë, dekada e fundit e diktaturës, për ata që jetonin jashtë mureve të qelive fjala izolim ishte zgjedhur për të krijuar një përshtypje më të zbutur të regjimit të ashpër të burgimit. Më shumë se të thoshin “e kemi burgosur”, pëlqenin thënien “e kemi izoluar”. Ndërkohë në gjuhën e atyre që gjendeshin në burgje termi “izolim” kishte marrë me kohë një kuptim tjetër, në të kundërt të zbutjes. Parashikonte një sjellje më të ashpër ndëshkimi. Për ta dënuar me një vuajtje shtesë, një i burgosur hiqej nga qelia ku ndodhej me të tjerë dhe izolohej për një afat të caktuar në një birucë të veçantë, me kushte shumë të këqija.
Pikërisht këtë pamje të fundit ia solli kujtesa tanimë që ndodhej në atë qeli të burgut të Bolonjës, një dhomë me një krevat tek dhe një tjetër të tipit marinar, me dy shtretër njëri mbi tjetrin. Ky ishte i tëri bosh. Te krevati tek ishte shtrirë e flinte një person. Kokën e kishte të mbuluar me batanije.
Shahu mori frymë thellë. Emocionet po i fashiteshin me shpejtësi. Në tetë orë jeta e tij ishte përmbysur dhe i duhej patjetër të mësohej me gjendjen e re. Po të mos ambientohej, do të ishte shumë keq për të. Ashtu nuk do të gjente kohë e forcë për të dalë prej andej.
Mori frymë edhe njëherë tjetër. Kësaj radhe iu duk se ajri që i hyri në çdo pore të mushkërive, ia ftohu mendjen, duke ia rikthyer aftësinë për të arsyetuar me shpejtësi. Truri i tij ishte një makinë llogaritëse. Kështu i kishte thënë dikush njëzetë vite të shkuara, kur e njohën mirë se si manovronte në aleancat kohëshkurtëra e shumë të rrëshqitshme të grupit drejtues të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Apo kur u jepte zgjidhje fare të thjeshta problemeve më të ndërlikuara. Ia kishin quajtur trurin makinë llogaritëse, sepse atëhere ajo ishte pajisja më e sofistikuar që, në Tiranën e veçuar nga bota, njihnin.
Iu avit njeriut që po flinte dhe e tundi lehtësisht nga këmbët. Ky uli nga koka batanijen, hapi sytë përgjysmë dhe, me një italishte të çalë e gjuhë të ntrashur, tha diçka që më në fund Shahu arriti ta kuptonte. E kishin burgosur për drogë. Pastaj tjetri e hodhi mbi krye sërish batanijen e leshtë.
Nuk do ta shqetësonte më. Le të flinte. Dukej njeri paqësor edhe pse ato çaste iu krijua përshtypja se ndoshta kishte përtypur edhe pak drogë.
U ul ngadalë në shtratin e tij, te krevati marinar. Qelia ishte me sistem ngrohës. Për disa minuta ndenji ashtu, i shtrirë, por i pambuluar. Tani i duhej të rrinte me veten e tij. Ajo që i pati ndodhur ishte një hata. Sa të analizonte me qetësi të gjithë ngjarjen, nuk mund e nuk duhej t’i lëshohej gjumit.
Nëpër natë nga pjesët e tjera të burgut dëgjoheshin herë pas here të gërhitura apo diku edhe britma e një skizofreni, por këto tashmë nuk e shqetësonin. Para se të gdhihej dita, e cila sigurisht do të sillte të papritura të tjera, duhej të ftillonte intrigën përse i kishte ndodhur ashtu. Patjetër ta bënte që atë natë, ndryshe të nesërmen do të gjendej më i mbërthyer nga fijet e saj.
Kishte rënë në një grackë dhe nga ky interpretim nuk duhej të hiqte dorë. Ai nuk pati ardhur rastësisht në pikën doganore italiane. E kishin dërguar atje. Duhej ta zbulonte të vërtetën vetëm duke ecur vendosmërisht në këtë shteg. Prangosja e tij qe një punë e organizuar. Niste në Tiranë dhe pastaj në Napoli apo pati ndodhur e anasjellta, fije të saj të çonin apo jo gjer në Romë, të gjitha mbeteshin enigma për t’u zbardhur. Për thurësit e saj rëndësi kishte pikërisht ai, ish-zëvendësministër i Brendshëm i qeverisë komuniste dhe më pas pronar i shoqërisë së tregtimit të duhanit “BalTrans”.
Tani që kishte shfletuar superdosjen e akuzës dhe pati bërë një krahasim të shpejtë me shkrimin e botuar në “Espresso” ishte i qartë për objektivin e vërtetë të asaj që i kishte ndodhur. Synohej politikisht rrënimi i kryeministrit të Shqipërisë.
Në këtë mes ai ishte dëshmia, prova.
Artikulli dëshironte ta bënte vendin e tij burimin e mafies në rajon. Pikërisht për këtë akuzë ai sërish qe prova.
Shkrimi donte të argumentonte se Italisë të këqijat i vinin nga Shqipëria dhe, për ta provuar këtë gjë, dëshmia mbetej përsëri ai.
Kishte rënë në syrin e një cikloni politik. E kishte shmangur një fat të tillë gjatë gjithë diktaturës, kohë kur furtunat politike pasonin njëra-tjetrën, pa lënë kurrë të binte qetësi. E kishte pësuar kur kishte një duzinë vitesh që pati hequr dorë nga të qëndruarit afër saj.
Ishte treguar shumë i shkujdesur dhe pa intuitë. Artikulli i dalë në “Espresso” e shqetësoi vetëm kur u botua në shtypin e Tiranës. Po të mos kishte ndodhur një gjë e tillë, ai kurrë nuk kishte për ta marrë vesh se ia kishin cituar emrin në një revistë të dëgjuar italiane dhe për pasojë nuk do t’i binte ndërmend që agjentë italianë, të dërguar posaçërisht në Tiranë, e mbanin nën përgjim dhe e fotografonin. Në katër vite rresht pati bërë gjumin e madh, kishte përshfaqur njeriun e shërbimeve inteligjente që i kishte humbur fatalisht të gjitha llojet e reflekseve për vetëmbrojtje apo sulm. Ishte bjerrë nga instinktet e mbijetimit, qe squllur dhe, më në fund, në grackë pati rënë si një guhak.
Për sa kohë zgjati kjo ngjarje, të gjithë në Shqipëri e kuptuan se ajo që kishte hedhur në letër e përjavshmja italiane shtysën e pati në një grindje të gjatë që në Tiranë po ndodhte në shumicën e majtë në qeveri, një përplasje mes dy kryeministrave rozë të saj, atij që aktualisht ishte dhe pararendësit të tij.
Pikërisht ky zhvillim, fjalënaja, që, më shumë se në redaksinë e “Espresso”, lënda eksplozive e artikullit ishte përgatitur në Tiranë, e tulati tek Shahu këmbënguljen e hetimit të mëtejshëm. As kur efekti mediatik i shkrimit vepronte, por edhe kur më në fund u shua, atij nuk i ndodhi asgjë. Asnjë prokuror apo gjykatë shqiptare nuk e mori shkrimin si bazë për t’i formuluar ndonjë akuzë. Asnjë gazetë nuk e ndoqi më tej frymën e artikullit, as objektivin e tij. Asnjë përfaqësues i opozitës së djathtë nuk ia ricitoi emrin, ndërsa në të vërtetë artikulli u përdor vetëm në propagandën kundër kryeministrit. Po ashtu edhe pse priste që pasojat e shkrimit të “Espresso” të vepronin te vajza dhe i biri, të dy në vende pune delikate të strukturave të shtetit, nuk ngjau asgjë.
E gjithë kjo e bindi Shahun se “Padrinoja i Shqipërisë” ishte një prej atyre artikujve të shtypit të huaj që, duke patur fare pak të vërteta dhe ca më pak se aq fakte konkretë, qe pothuaj i pabesueshëm për opinionin publik vendas. Shkrimi konsiderohej agresiv e dashakeqës ndaj imazhit të Shqipërisë e ndërkohë, ndryshe nga herët e tjera, kur funksionarët e lartë i kishin anashkaluar akuzat pa kundërvepruar juridikisht, kësaj radhe i akuzuari i drejtpërdrejtë, vetë kryeministri i vendit, pati bërë sfidën: kishte hedhur në gjyq për shpifje redaksinë e të përjavshmes.
Të gjitha këto e vunë në qetësi Shahun dhe e bindën se e tërë ajo ngjarje për të dhe familjen e tij ishte e parrezikshme. Ajo e meritonte të harrohej, dhe ashtu u përpoq të bënte.
Mirëpo kur pa në dosjen e tij të akuzës, se kishte patur një urdhër arresti të lëshuar disa muaj para se artikulli i “Espresso” të delte, e kuptoi që kryeministri shqiptar kishte bërë një lëvizje të guximshme e të fortë. Akuzës i qe përgjigjur me akuzë. Patjetër nga ky qëndrim në redaksinë e revistës me profil politik afër mjediseve të majta italiane qenë zëmëruar shumë dhe tashmë hamendësonte se menjëherë duhej të kishte funksionuar e hedhur në veprim ndonjë lidhje a strukturë e padukshme. Kryeministri ishte treguar kokëfortë, por ata që e synonin rrënimin e tij ndiheshin më të fortë. Do t’i përgjigjeshin me një lëvizje akoma më të furishme, do të shtinin në dorë provën kryesore që kishin, Shahun. Këtë, nëpërmjet një loje të njerëzve të tyre të specializuar, mund ta sillnin deri te sporteli i një pike kufitare italiane dhe aty do t’i vinin prangat.
Kështu edhe kishin bërë.
Kjo donte të thoshte se ai e kishte larg derën e daljes nga burgu. Qe prangosur pikërisht sepse do të përdorej për të çmobilizuar e shpërbërë denoncimin e kryeministrit shqiptar. Do të rrinte në qeli të paktën po aq kohë sa do të zhvillohej përleshja mes atyre që e patën denoncuar publikisht si “Padrino” dhe vetë të akuzuarit. Fati i Shahut do të ecte paralelisht me procesin gjyqësor të njeriut të fortë të Tiranës. Po të humbte ky, do të kishte një fund të hidhur edhe ai. Po të fitonte kryeministri shqiptar, duhej të priste po aq lehtësim të fatit të tij sa edhe ndonjë rëndim të papritur. Në një rast të tillë hakmarrja e të mundurve do të kërkonte shpagim duke rënë në hallkën më të dobët të të gjithë ngjarjes, tek ai.
Ndjeu që tëmthat i rrahën fort. Hodhi mbi trup batanijen. U ndje menjëherë më ngrohtë dhe më intim.
Tashmë iu duk sikur në vija të përgjithshme e zbardhi misterin e asaj që i pati ndodhur dhe këtë natë nuk duhej të shkonte më tej. Kishte përpara ditë shumë të vështira, prandaj edhe nevojë për qetësim. Tani duhej patjetër të flinte. Gjumin, për fat, e kishte si me sustë. Mjaftonte ta shtypte. Dhe ashtu bëri, sapo vuri kokën në jastëk në një pozicion të caktuar.
Kur gjumi po e mundte, i fshiku ndër mend ai dyshim, të cilin kishte dashur ta zbardhte që atë natë: Mos kishin rol në atë operacion kundër tij kundërshtarë të njërit nga shefat e zbulimit ushtarak italian të fundviteve tetëdhjetë, me të cilin si zëvendësministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë komuniste pati bashkëpunuar për disa çështje, atë kohë shumë delikate?
“Fli! - ia ktheu vetes nëpër dremitje e sipër - do të kesh kohë për ta zbardhur edhe këtë enigmë”.
Por, megjithatë, gjumi nuk e zuri. Historia e njohjes dhe e bashkëpunimit me njeriun e rëndësishëm të zbulimit italian nuk mund t’i hiqej aq lehtë nga mendja përderisa nuk po i largohej edhe dyshimi se atë kohë kolegu i tij i qe dukur njeri afër amerikanëve.
Tani po provonte dyshimin se rivalë të zyrave të inteligjencës në Lindje, posaçërisht ruse, patën nisur t’i merrnin hak për ato që ai kishte kryer në favor të projekteve gjeostrategjikë të SHBA-së në rajone të ndryshme të botës dhe mes tyre edhe në Ballkan.
Lajmet për mikun e tij i kishte ndjekur në Tiranë. Me sa mbante mend, qe afërsisht po ajo kohë kur pati dalë për të artikulli i “Espresso”. Lajmet e RAI-t njoftuan se njeriu me autoritet i zbulimit italian akuzohej për një vepër bashkëpunuese në vrasjen e paramenduar të një gazetareje të redaksisë së lajmeve të kanalit të tretë të televizionit publik italian. Sipas asaj që thuhej, ajo kishte qenë dëshmitare në Somali e një trafiku ndërkombëtar të mbeturinave helmuese, të kryer nën kujdesin e mbrojtjen edhe të shërbimeve të fshehta të disa vendeve perëndimore. Pikërisht për këtë, sipas fjalënajës dhe një superdëshmitari, një njeriu të shërbimit të fshehtë të quajtur G. S., ishte eliminuar fizikisht. Madje thuhej se ky dëshmitar i posaçëm kishte dëgjuar edhe këtë frazë të shqiptuar nga njeriu i rëndësishëm i zbulimit italian: “Nuk duhet të shqetësohesh, sepse e kemi sistemuar atë gazetare të mallkuar komuniste”.
Kur pati dëgjuar për herë të parë lajmin për kolegun e një bashkëpunimi të fshehtë italo-shqiptar të pesëmbëdhjetë viteve të shkuara, ngjarjet kishin filluar të rridhnin në favor të tij. Ky e kishte hedhur në gjyq të quajturin superdëshmitar, duke e akuzuar për deklarata të gënjeshtërta.
Për zhvillime të mëpasshme Shahu nuk dinte më asgjë.
Gjithçka i ishte rikujtuar tani, sepse po i bëhej përherë e më i fortë shqetësimi se ajo që po i ndodhte nuk ishte vetëm pjesë e një konflikti politik mes të majtës në vendin e tij, por edhe bashkë me këtë një përplasje mes qarqeve partiake italiane që në këtë vend ndiheshin afër amerikanëve dhe atyre më të lidhur me rusët.
Mos kishte rënë pa dashje në mes të një dyluftimi për interesa gjeostrategjike në rajon?
“Fli”! - e urdhëroi sërish veten. I qe ringjallur vesi i keq i dyshimit gjer në ekstrem.
Me një shpejtësi të pazakontë dëboi nga koka të gjitha mendimet që kishte. E spastroi trurin, zhduku mbi të çdo bërbëlitje fjale.
Dhe e zuri gjumi sikur të kishte rënë në një pus të thellë.
Kur u zgjua qe zbardhur. E para gjë që i zunë sytë ishte kutia e një televizori. Iu duk lajm i mirë. Natën nuk e kishte vënë re. Të paktën mërzinë mund ta kalonte duke ndjekur ndonjë ndeshje sporti e lajmet.
Ktheu kokën nga i burgosuri për drogë. Ai ende flinte me kokën mbuluar me batanije. Në lukth të stomakut, si t’i kishin futur nëpër natë një gur të madh, Shahu ndjeu një peshë të rëndë.
Po atë çast ndjeu që biruca binte një erë ajri shumë të keq. Mori frymë me kujdes, me pak hapje të flegrave, thjesht sa për të kontrolluar nëse ai kutërbim vinte nga mos qarkullimi i frymëve të të dyve gjatë natës apo sepse sifoni i WC-së ishte i ndotur. Nuk kuptoi asgjë, përveç asaj që sapo kishte ndjerë, qe i rrethuar nga ajër i qelbët.
Në të vërtetë qelia ishte e pa mbajtur mirë. E pati vënë re sapo hapi sytë. Disa orë më parë, kur e futën aty nëpër natë, nuk kishte mundur ta dallonte. “Do të marr ndonjë infeksion - tha me vete - do sëmurem e do të bëhem i padëshiruar edhe për shtëpinë”.
Megjithatë pas pak i tha vetes se nuk ishte kohë për këto ankthe. Nuk ndodhej në hotel, por në burg. Qe dita e parë e një fati që nuk e dinte as ai vetë ku do t’i gremisej.


Herë duke mbyllur sytë e herë duke mbajtur frymën i kishte kryer vetëshërbimet higjienike të mëngjesit kur papritur, në trurin që i punonte pa pushim për të kuptuar misteret e arrestimit, një fjalë e potershme e klithëse, si të qe një shpend i egër, iu ul pingul mbi kokë.
Forma e saj tingullore ishte “Rrëmbim”.
Befas Shahut gjithçka iu duk shumë më e qartë. Fjala kod, fjala kyç, ajo që hapte dyert e misterit kishte zbritur nga qielli si nga një mendje hyjnore. Për të tashmë çdo gjë ishte e kthjellët: e kishin rrëmbyer.
Rasti i tij ishte saktësisht një rrëmbim personi.
Nëse këtë i kishte bërë shteti italian, do ta kishte punën pisk. Në rast se e kishin kuturisur segmente të devijuara të tij, do ta pësonte më shumë. Ata që bëjnë pjesë në struktura të shtetit, por punojnë jashtë kontrollit të tij, janë shumë herë më të rrezikshëm.
Shpresa e vetme e shpëtimit ishte që këtë rrëmbim personi ta kishin realizuar individë me ambicie personale apo me frymëzime të caktuara ideologjike. Arrivistë postesh e lakmues dekoratash në Itali nuk mungonin. Për dekada me radhë ultra radikalë ideologjikisht të majtë apo të djathtë po ashtu ishin të pranishëm. Shahu pati dëgjuar që kishte edhe prej atyre që nga mjediset e të djathtës politike të moderuar thirreshin “gjykatësit e kuq”. Sipas lajmeve që herë pas here në Tiranë pati dëgjuar, këta quheshin të tillë sepse nëpërmjet ushtrimit të profesionit të tyre me status të pavarur juridik realizonin edhe aksione politike të njëanshme. “Gjykatësit e kuq” goditnin penalisht nëpërmjet pranisë së provave, por jo rrallë edhe në mungesë bindëse të tyre rivalët e të djathtës.
Tanimë si zogj shtegtarë të një stine të largët po i riktheheshin në kujtesë të gjitha thashethemet e kryeqytetit shqiptar. Në vendin e tij fjalënajat ishin shpesh më të rëndësishme ose të paktën më të përfillura se të vërtetat. Konkurronin e sfidonin të gjitha burimet zyrtare.
Njëra prej tyre thoshte se kryeministri socialist shqiptar nuk admirohej shumë nga e majta italiane. Fjalënaja shënonte për një hatërmbetje të vijuar të ish-eurokomunistëve italianë. Sipas saj, Fatos Nano i kishte shpërfillur në mënyrë të hapët pikërisht në çastin kur, nga një formacion stalinist, komunistët shqiptarë ishin kthyer në eurosocialistë. Për të legjitimuar këtë akt të tyre e për t’u pranuar më shpejt nga opinioni ndërkombëtar si të rinovuar patën krijuar lidhje vetëm me socialistët e Betino Kraksit, madje duke i dhënë këtij simbolikisht edhe teserën me numrin dy të partisë së re.
Ndërkohë dihej që ish-komunistët e socialistët italianë patën kaluar mes njeri-tjetrit dekada të tëra mërie.
Këtë problem politik të dëgjuar në Tiranë si thashetheme dhe të cilës kurrë nuk i kushtoi as kërshëri dhe as vëmendje tani i duhej ta llogariste si një faktor me ndikim në ato që po i ndodhnin. Për Shahun do të mjaftonte që çështja e tij të ishte nisur nga një apo disa hetues me bindje ish-komuniste, pra që donin t’i jepnin një mësim ndëshkues kryeministrit socialist, për të kuptuar se gjendej në një vorbull të vërtetë mllefi politik, i cili mund ta lironte nga qerthulli i tij i shtrëngimit shumë më vonë se prej logjikës së ligjit.


Gjithë paraditen e asaj të shtune dhjetori Shahu priti ta thërritnin për ndonjë sqarim, por nuk ndodhi asgjë përveç dy ngjarjeve rutinë. E nxorën në ajrim dhe në orën 13.00 i sollën drekën.
Ishte një ushqim i keq. Nuk e zuri me dorë.
Një orë më pas tek dera u shfaq një gardian dhe shqiptoi me një zë të pangjyrë “Shahu, urgjent!”
Ky e pa me habi. Deri ato çaste e kishte pritur me ankth e dëshirë këtë gjest, kurse tani mbeti i pagojë, krejtësisht i hutuar. “Siç duket po të më lirojnë”, e gazmoi një mendim i hareshëm.
“Kush më kërkon”? - e pyeti gardianin, fytyra e të cilit megjithatë nuk tregonte asnjë shenjë se ajo thirrje ishte për mirë apo për keq.
“Të kërkon komandanti” - u përgjigj ky sërish pa lëvizur asnjë milimetër të lëkurës shumë të shtrirë të fytyrës.
Pas dhjetë minutash me hipje e zbritje nëpër shkallë, më në fund e futën në një paradhomë. Pastaj menjëherë në një zyrë të madhe plot dritë dhe ajër të pastër.
Njeriu që duhej të qe komandanti i burgut po qëndronte para tavolinës së tij të punës, në një shenjë që po e bënte enkas për ta pritur me respekt të porsaardhurin.
“Zoti ministër, na falni”!- tha menjëherë.
Pastaj vazhdoi: “Na falni për trajtimin që iu bëmë mbrëmë! Nuk iu takon juve, të paktën këtu ku jam unë, të flini me një ordiner. Për këtë ju thirra, t’ju kërkoj të falur”.
Shahu rrinte i shtangur.
“Me çështjen tuaj shtypi sot është marrë shumë” - vijoi i pari i burgut të Bolonjës, dhe ndërkohë me dorën e nderur i tregoi ndenjësen e rehatshme të një kolltuku në këndin e djathtë të zyrës.
Shahu u ul, por ende nuk kishte gjetur fuqi të çelte gojën. Mbi syprinën e tavolinës së punës së drejtorit të burgut binin në sy një tufë gazetash. Ndoshta nga që kapi vështrimin e shpejtë të shqiptarit, komandanti e mori grumbullin e të përditshmeve dhe kur u ul pranë ia zgjati miqësisht.
“Nuk shkruhet aq në mënyrë pozitive” - sqaroi.
Shahu pasi i tha vetëm “Faleminderit!” i shfletoi ato me shpejtësi. Qenë gazeta të Bolonjës, të rajonit të Toskanës dhe një nacionale. Dy prej tyre arrestimin e tij e njoftonin që në faqen e parë. Titujt thoshin se ishte arrestuar krahu i djathtë i kryeministrit Fatos Nano, i cili nga vetë kolegë të partisë në Tiranë ishte cilësuar si padrinoja e Shqipërisë. Në disa nëntituj për të flitej si për një ministër shqiptar që ishte kreu i mafies së kontrabandës së duhanit dhe bënte trafik të madh në Itali. Për aq sa kuptoi, gjithçka qe paraqitur sipas skemës së artikullit të “Espresso”.
U bë gati të nervozohej, por befas ndjeu brenda vetes lehtësim. Ishte një ndjenjë e pakuptimtë e, megjithatë, ajo e përfshiu të tërin. Mendoi se edhe absurdja qe e nevojshme për njeriun. Kësaj radhe po provonte lehtësim vetëm e vetëm sepse prej artikujve akuzues nuk cilësohej mafioz i drogës, i trafikut të armëve, i prostitucionit apo i të gjithave bashkë, por vetëm kontrabandues i duhanit.
Kur ngriti sytë nga faqet e gazetave ndeshi vështrimin kurioz, por edhe dashamirës të drejtorit të burgut. Ky e pyeti nëse dëshironte një kafe. Shahu iu përgjigj me një “po”.
Kafet erdhën dhe menjëherë aroma mbushi tej për tej zyrën. Ishte çast dehës. “Një kafe në burg”! - pëshpëriti i habitur me vete dhe filloi ta rrufiste ngadalë e butësisht.
Më pas drejtori i zgjati një cigare dhe të dy nisën të tymosnin ngadalë. Italiani përpiqej ta mbushte kohën me gjeste duke e ditur që shqiptari nuk e njihte mirë gjuhën e tij.
“Do t’ju çoj në një pavijon ku do të ndiheni qetë” - i tha pas pak.
“Faleminderit”!
“Po nuk ju pëlqeu dhoma më thoni”!
Nuk kishte përdorur fjalën qeli. Ndoshta edhe nuk e përdornin fare. Në atdheun e Shahut nga më i madhi i burgut e deri tek gardiani më i thjeshtë fjala shqiptohej troç dhe në formën më të ashpër, birucë.
“Do t’u vijë rregullisht avokati dhe ndiqni menjëherë procesin e mbrojtjes. Ndërkohë shumë shpejt do t’u nisim për në Napoli, atje edhe ku është bërë akuza dhe në të cilin vend do t’u hetojnë deri në daljen në gjyq.
Drejtori e shmangu fjalën “burg”.
“Na lajmëruan se do të vijnë t’u marrin - vijoi. Mbase kjo ndodh në fund të javës, edhe pse, të them të drejtën, këtë gjë nuk e besoj shumë. Kemi Krishtlindjet dhe festa ka kohë që, për ne, italianët, ka nisur. Pastaj është Viti i Ri.
Drejtori heshti. Mendimin e kishte lënë përgjysmë. Me sa dukej donte të thoshte se ata të prokurorisë së Napolit mund ta merrnin vetëm në janar.
Shahu e priti vazhdimin e asaj që nuk kishte mbaruar oficeri italian, por ky nuk shqiptoi më tej asnjë fjalë. Këtë punën e Krishtlindjeve si festë, që i bënte italianët t’i linin për më pas punët, për herë të parë po e dëgjonte. Kishte vite që edhe në Shqipërinë e pasdiktaturës kjo festë ndihej. Me zbukurimet karakteristike të Krishtlindjeve patën nisur edhe reklamat e disa dyqaneve tregtare në mes të Tiranës, bare të veçantë, sfondi i ndonjë sheshi, katet e sipërme të dy pallateve të xhamta në qendër, një diskotekë e dëgjuar. Veç vetë për këtë ndryshim kishte qenë pothuaj indiferent. Familja e tij vinte nga besimi mysliman i sektit bektashi.
Pa një çast me kërshëri nëse edhe drejtori i burgut pati vënë në zyrën e tij ndonjë simbol të festës së Krishtlindjeve. Iu duk se në krye të tavolinës së punës rrinte busti i vogël i një kleriku fetar. Ndoshta ishte Papa Vojtila, mbase edhe ndonjë i shenjtë nga të shpallurit prej Vatikanit. Mund të qe edhe ndonjë prift lokal, kujtim i vendlindjes së tij.
Fjalët e funksionarit më të lartë zyrtar të burgut të Bolonjës e kishin trazuar. Deri ato çaste kafen e kishte pirë me shumë lezetim, pati shijuar edhe cigaren, por ndihej i tronditur që makina e shtetit italian megjithatë nuk bënte mbrapsht. Ingranazhet e saj e kishin futur mes dhëmbëve. Jo vetëm nuk e lironin për t’u rikthyer në Shqipëri, por do ta nisnin për në Napoli..
I tha faleminderit dhe u ngrit. Në ndarje drejtori i burgut sërish e quajti “zoti ministër” dhe ia përsëriti atë që ia kishte premtuar, nëse edhe në ato pavijone e dhomë nuk do të ndihej rehat, ta rilajmëronte menjëherë.
Pas dhjetë minutave të tjera e futën në një sektor të qetë të burgut dhe kur më në fund hapën derën e qelisë ajo ishte rrënjësisht ndryshe nga ku pati kaluar natën. Dukej mjaft e pastër, plot hapësirë dhe ajër. Qe me dy krevate tekë. Njëri prej tyre ishte pa dyshek. Edhe aparati televiziv ishte i një marke më të mirë dhe me ekran më të madh. Kjo do të thoshte se ajo dhomë përdorej enkas vetëm për të burgosur të cilët gjykoheshin se duheshin trajtuar në kushte shumë të mira dhe pa patur bezdinë apo edhe rrezikun e një bashkëvuajtësi tjetër.
Sendet e teshat ia sollën pas një gjysmë ore. Në mbrëmje i erdhi edhe darka. Ushqimi iu duk pak më i mirë dhe hëngri.
Pas asaj ngrënieje, si për ta shijuar rehatinë e dhomës, Shahu e lëshoi trupin lirisht mbi shtroja. Ra butësisht si të shtrihej mbi një lëndinë. Tani do të provonte të binte në kujtime të ëmbla. Ishte e diel dhe vetëm pas disa orësh mbushej afati i rreptë dyditor, i cili detyronte prangvënësit të verifikoheshin nga një gjykatë nëse patën vepruar në përputhje me ligjin apo e kishin shkelur atë.


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com