|
“Ndarje me të shkuarën”
Fragment, faqet 57-65 të librit
U përpoq të flinte i përkundur nga ajo ndjenjë. Ndaj të gdhirë iu shfaq në ëndërr e shoqja. I kishte vënë kokën në sup, si atëherë kur ranë në dashuri. Nëpër ëndërr ai parandjeu se nuk ishte mbështetje koke, por një varje e saj, një kapje me duar që të mos e linte t’i ikte.
Pastaj ndjeu se ajo po ngashërente. U zgjua menjëherë dhe u ngrit përgjysmë mbi shtrat. I gjithë trupi i shkundej nga rrahjet e forta të zemrës. Dukej sikur donte të çante gjoksin e të dilte.
Hodhi sytë nga dritarja. Nuk mund e nuk donte të flinte më. Përtej qelqit të xhamave të kryqëzuara nga vijat e errëta të shufrave të hekurta dukej qartë që dita ende nuk kishte zbardhur plotësisht. Nuk po e linte nata.
Priti sa goditjet e zemrës t’i qetësoheshin, t’i riktheheshin e mbylleshin brenda kafazit të kraharorit. Mori frymë disa herë thellë. E kishte mësuar këtë mënyrë për ta fashitur ritmin e zemrës vetëm vitet e fundit. Kur ajo vuante, kishte nevojë për sa më shumë oksigjen.
Pikërisht atë çast, kur ndjeu se në thellësi të kraharorit ra qetësi e plotë, një fjalë papritmas e goditi në kokë si një gur, e premte.
Nuk e kishte dashur kurrë këtë ditë, që prej fëmijërisë. Nga ditët e javës i pëlqente e hëna. Me të fillonte java dhe një shpresë e re, pse jo edhe një fat. I krijonte qetësim e diela, një si prehje shpirti. Nuk e shqetësonte e marta, një bestytni shumë herë terse për bashkëkombësit e tij. E quante të mbarë të mërkurën, të dobishme të enjten. Porse të premten jo. Nuk e kishte gjetur kurrë përse i ishte krijuar ajo alergji për atë ditë të zakonshme dhe të pafajshme të javës. Në fillim pati kujtuar se ajo shije e hidhur prej saj i vinte nga historia kombëtare. Pushtimi fashist italian shqiptarëve u kishte nisur një të premte, 7 prill 1939. Pati qenë një ngjarje traumatizuese, e cila kishte ndërprerë e bllokuar rrjedhën normale të jetës së tyre. Ishin një popull e një shtet-mbretëri në hallin e tyre. I kishin sulmuar pa asnjë shkak e pa asnjë arsye. Prej tronditjes, folklori popullor menjëherë pushtimin e huaj e pati regjistruar në vargje si “e premtja e zezë”.
Në atë opinion të vagëllt dhe të paqartë, përse e kishte atë paragjykim për të premten, e gjeti ajo ngjarje që nuk do ta harronte kurrë. Nuk e kishin arrestuar në një të premte vetëm autoritetet policore italiane, por edhe qeveria antikomuniste e pasrënies së diktaturës.
Ishte 4 janar 1996.
Atëherë, sapo i ndodhi prangosja, Shahu e kuptoi se ajo ditë qe zgjedhur tinëzisht. Të premte mbyllej java e punës dhe niste pushimi dyditor i administratës shtetërore, i gjykatave dhe i avokative, i organizatave të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe i zyrave të funksionarëve të larë, i përfaqësive të huaja diplomatike dhe media për lexuesit e telespektatorët hapte faqe e kronika zbavitëse.
Deri të hënën, kur jeta zyrtare riniste dhe bashkë me të edhe makina e shtetit dhe e shoqërisë, kalonin plot dy ditë. Aq mjaftonin për ta lodhur të arrestuarin, për ta ndryrë në shurdhëri e dëshpërim, zhytur në pashpresë se drama e tij do të merrej vesh shpejt për opinionin publik dhe ligjin. Në raste të tilla çdo orë e humbur në terr informativ e shtynte ngjarjen përherë e më shumë drejt harresës kolektive.
Atëherë, më 4 janar 1996, Shahu e kuptonte përse një zëvendësministër i Punëve të Brendshme i regjimit komunist mund të arrestohej në ditën e zbrazët të së premtes. Ai konsiderohej një person shumë i padëshiruar e në mos armik i qeverisë antikomuniste. Për të mund të quhej i justifikuar ai kurth. Mund të gjykohej si një padrejtësi e vogël që i bëhej një personi me pushtet të lartë në një sistem politik që pati krijuar mijëra padrejtësi të mëdha.
Po përse qe kryer në një të premte edhe prangosja e tij në tokën italiane?!...
Patjetër në atë veprim ishte llogaritur efekti i vakumit të fundjavës, si këtej ashtu edhe përtej detit. Mbase në përcaktimin e ditës së takimit që grupi i tyre nga Tirana do të kryente, nuk ishin qëllimkëqij kolegët e Bolonjës. Fundjavat janë natyrshëm më funksionale për veprimtari të tilla. Megjithatë, dikush nga pas, prej gjysmë errësirës, i kishte shtyrë ngjarjet në një mënyrë të tillë që Shahu të gjendej para policisë kufitare italiane dhe dosjes së akuzës në një të premte.
Ishte një provë tjetër që ajo prangosje nuk ishte pasojë e një rastësie, por e një aksioni grackë.
Po i rikthehej me shpejtësi mosbesimi. Nuk do të delte shpejt nga ajo që e pati pllakosur. Po i lëkundej bindja se drejtësia italiane do të funksiononte me energji dhe shpejt për gjykimin e pafajësisë së tij. Dyshimi se autorët e kishin me kryeministrin, shumë herë e interpretuar se do të qe një rrethanë lehtësuese, befas iu rikthye në të kundërt. Vërtet shefi i qeverisë shqiptare do të bënte gjithçka ta shkëpuste prestigjin e tij nga ato që kishte shkruar publikisht revista italiane dhe kjo mbrojtje do të ndikonte në lehtësimin e Shahut, por kishte një problem. Kryeministri ato çaste mund të mos ishte i interesuar për të bërë diçka për të. Po të protestonte publikisht apo edhe tërthorazi të mobilizonte struktura të shtetit për ta marrë në mbrojtje, do të ndodhte që kundërshtarët e tij politikë në Shqipëri si edhe media e lidhur me ta, pse jo edhe ata që nuk e donin në Itali bashkë me gazetat e tyre, mund të brofnin e ta tregonin me gisht: Ja prova që ai është përzierë me ish-zëvendësministrin e Punëve të Brendshme të regjimit komunist dhe se partia e tij jo vetëm nuk ishte shkëputur nga e kaluara, por edhe mbështetej e financohej nga njerëzit e diktaturës.
Autorët e artikullit në “Espresso” kishin qenë mjaft inteligjentë kur e patën montuar emrin e tij me Partinë Socialiste.
Një arsyetim i thjeshtë po ia shtynte atë mëngjes mendimet drejt bindjes se kryeministri i vendit të tij ato çaste ishte më shumë se kurrë i interesuar të heshtte.
Madje mbase edhe të kujdesej që edhe të tjerët të mos bënin asnjë zhurmë rreth asaj që i pati ndodhur. Për atmosferën politike që zotëronte Tiranën, një socialist nuk mund të bënte gomën e shpëtimit për një komunist.
Pra do ta linin Shahun në fatin e vet.
U ngrit dhe nisi të baresë nëpër dhomë. E kishte të rëndë gjendjen pikërisht sepse çdo orë e më shumë e provonte se në fatin e tij kishte futur duart politika. Ajo do ta lëshonte vetëm kur beteja e saj në Tiranë të merrte një rrugëzgjidhje, fitoren e njërës palë.
Apo të paktën, në këtë qoshe të verbër ku e kishin përplasur ngjarjet, mos kishte qenë me fat që pati dalë ai artikull?
Shahu ndali hapat. Iu duk sikur kishte bërë një zbulim tjetër rreth enigmës së asaj që po i ndodhte. Kur ishte publikuar shkrimi i parë në “Unità” dhe më pas tjetri në “Espresso” kishte disa muaj që pati dalë urdhri për arrestimin e tij. Me siguri ai nuk kthehej mbrapsht kurrë. Patjetër do të vepronte, në një mënyrë ose në tjetrën. Do t’i ndodhte njëlloj prangosja në rast se ata dy artikuj nuk do të ishin botuar kurrë. Madje, në ato rrethana, ngjarja do të kishte qenë akoma më e rëndë. Do të kishte qenë shtypëse për fatin e tij jo vetëm se arrestimi do ta gjente fare të papërgatitur, por edhe sepse më pas, në kalvarin e qelive, do të kishte shumë më pak arsye e motivim për t’u vetëmbrojtur. Shkrimi në revistën italiane, ku kishte bërë edhe më shumë bujë, po të dinte ai të tregohej i zhdërvjellët, mund të mos ishte kobi, por fati i tij. Atje ishte zbuluar i lakuriqtë projekti politik kundër një qeverisësi të lartë të vendit të tij, ishte bërë e dukshme e gjithë prapaskena. Më mirë se nëpërmjet atij shkrimi ai nuk mund të gjente dëshmi tjetër për padrejtësinë që po i bënin.
Ndjeu gëzim. Më mirë që i pati ndodhur ashtu, arrestim pas atij artikulli.
Sa i Miri e gjeti pikërisht kur dallga e madhe e zymtisë po i binte. Ai u shfaq te sporteli dhe i tha: “Zoti ministër, më 24 dhjetor do të festojmë Krishtlindjet. Do të kënaqemi”!
Shahu rrudhi ballin. Nuk po kuptonte gjë. Ishte akoma në gjendjen e mëparshme shpirtërore.
“Në fundjavë italianët kanë festën më të madhe të vitit, Krishtlindjet - shqiptoi bashkëkombësi duke ndarë me ngazëllim fjalët nga njëra-tjetra si të trokiste gotat në një dolli.
Megjithatë ish-zëvendësministri dukej akoma i hutuar.
“Mos jeni mysliman”? - e pyeti Sa i Miri.
Shahu donte t’ia pohonte, por një çast nuk i kërkoi fjalët e përgjigjes.
“Po, jam i sektit bektashi” - shqiptoi pas një pauze.
“Aha! - brofi Sa i Miri - qenke mysliman liberal. Domethënë Krishtlindjet do t’i festojmë.
Shahu i kapi të dyja pëllëmbët e duarve që tjetri me kohë ia kishte zgjatur.
“Mos me këtë - pyeti Shahu - do të më thuash se për të paktën edhe këtë javë nuk dal dot që këtej?
Sa i miri qeshi hovshëm.
“Po ndodhi të të nxjerrin, është gëzim njëmijë herë më i madh se Krishtlindjet - tha hareshëm - Rëndësi ka që, po të jesh këtu, ta kalojmë sa më mirë.
Shahu i përkëdheli shpinën e njërës pëllëmbë.
“Ti vetë mysliman apo i krishterë je”? - e pyeti.
“Mysliman - u përgjigj Sa i Miri - besoj tek Allahu i Madh”.
“Kurse unë shkoj te dervishët, madje kam miq disa rufainj. Shkoj në ritet e tyre”.
Shahu ndihej i lehtësuar. Shpirti i ngjante me një qiell ku retë me shi po shpërndaheshin. Mendoi një çast se deri sa të shpëtonte nga burgu ku kishte rënë kështu do t’i ndodhte, shi me potere dhe pastaj pak çaste me diell, sërish shi e sërish një copë kaltërsi.
I tillë do të qe, përherë i dyzuar. Me shpresë e pashpresë. Nën dëshpërim e gëzim të beftë. Trupin do t’ia mbante burgu, shpirtin do të bënte gjithçka ta ruante të lirë.
“Më shkruaj një copë letër si të ka ndodhur dhe do ta marr në mbrëmje - tha Sa i Miri dhe për një fraksion të sekondës hapësira e sportelit u boshatis. Dukej korridori i zbrazët dhe qelia përballë, atje ku duhej të ishte shqiptari tjetër.
Kur bëri të largohej, nga qelia përballë Shahu pa ta përshëndeste me dorë një djalë. I foli shqip. Ia ktheu tundjen e gëzuar të dorës edhe ai.
Bëri sërish të rikthehej në brendësi të qelisë kur te sporteli përballë dalloi një fytyrë tjetër. Ishte kinezi Shu.
Po i shtoheshin miqtë.
Më pas, kur e lajmëruan se kishte radhën për ajrisje dhe e nxorën në korridor, pas shpinës Shahu ndjeu të ishte një njeri. Para se të kthehej për ta verifikuar nëse parandjenja e tij i thoshte të vërtetën, një dorë e imtë e kapi lehtas nga bërryli.
Ktheu njëherësh të tërë trupin. Para tij rrinte një djalë fare i ri, me në fytyrë tipare të buta vajze.
“Jam shqiptar” - tha tjetri dhe iu hodh në qafë.
Shahu e shtrëngoi fort në krahë dhe, ndërsa e mbështeti faqen e tij tek e bashkëkombësit trupvogël, mezi mbyti ngashërimin. Tjetri nuk iu shkëput nga krahët për një kohë të gjatë. Ndoshta nxirrte mallin e të atit apo të ndonjë gjyshi. Kush e di prej sa kohësh nuk kishte parë asnjërin prej tyre.
Kur u ndanë pa t’i avitej ngadalë një gardian dhe u bë gati të duronte qortimin e tij, por nuk ndodhi asgjë. Italiani bëri sikur nuk pa. Ndoshta i kishte lejuar vetë atë thyerje të rregullores.
Në orët e para të pasdites Sa i Miri u duk sërish. E lajmëroi se shijaksi, pra shqiptari që kishte përballë, pati gatuar një ëmbëlsisë posaçërisht për të. Me urimin që të delte sa më shpejt. Ishte kek. Bashkëkombësi, siç tha Sa i Miri, ishte mjeshtër gatimesh.
Copa e madhe e kekut i erdhi pas pesë minutash. Aroma qe dehëse, binte erë kanellë. Mbushur brenda me rrush të thatë. Këputi me dorë një copë dhe nisi ta hajë me qejf.
Nga përballë po e ndiqte, prej të çarës së ngushtë të sportelit, shijaksi. Buzët vesh më vesh nga kënaqja i kishte edhe kinezi Shu.
Pasdite bëri letrën e shkurtër për Sa i Mirin, ku i shpjegonte përse e akuzonin dhe se gjithçka që i pati ndodhur ishte për arsye politike.
Në orën 19.40 nga fjalët që dëgjoi nëpër korridor Shahu kuptoi se për ndonjë nevojë deri në orën njëzetë ishin të lirë të dilnin nga qelitë e tyre. Këtë çast te sporteli iu shfaq Sa i Miri dhe i mori letrën.
Kur pa që gardiani, si të gjithëve edhe atij, ia hapi derën e dhomës atëherë vendosi të shkonte në dush. Banjën e bëri shpejt e shpejt. Nga era e fortë e sapunit të lëngët apo nga temperatura e nxehtë e ujit gati iu mor fryma.
Në orën 20.00 të gjitha dyert e qelive u mbyllën automatikisht.
Natën Shahu e kaloi mes ëndërrimeve. E la veten t’i bëhej sikur ishte në sallonin e shtëpisë në Tiranë, në atë hapësirë ku nëpërmjet dy ballkoneve shihte nga sheshi përreth të cilit gjendej godina e Parlamentit, Akademia e Shkencave, shumëkatëshi i xhamtë i firmës së prodhimit të kompjuterëve “Infosoft”, selia qendrore e partisë antikomuniste dhe në brinjë përmendorja e njohur në Tiranë me emrin “Partizani i Panjohur”.
Në mëngjes e lajmëruan se i kishte ardhur avokati.
Karbone i solli sërish mesazhet nga Tirana: duhej të mbahej i qetë se ndaj tij nuk mund të vepronte dhe ndikonte asnjë akuzë përderisa nuk kishte kryer shkelje ligjore. Të njëjtën gjë i përsëriti edhe vetë avokati.
“Çdo orë që shkon është në dëm të këtyre” - tha Karbone, dhe më pas u mëshoi fort fjalëve: “Ata nuk kanë të drejtë”.
Duke u ndarë Shahu e uroi për Krishtlindjen. Tjetri u gjet i befasuar dhe i hodhi miqësisht dorën në shpatull.
Kur nga dhoma e takimit u kthye në qeli, në sportelet e tyre prisnin kuriozë fytyrat e tre bashkëkombësve dhe e buzëqeshura e Shusë.
Krishtlindjet nisnin të nesërmen në mbrëmje, e enjte, 24 dhjetor. Në mesnatë Papa do të kryente në Koloseun e Romës Via Crucis, udhëtimin e Krishtit drejt kryqëzimit, dhe bashkë me vdekjen e tij do të përkujtohej ringjallja. Të premten italianët kishin pushim dhe festën e kalonin me një drekë të bollshme. Pastaj qenë dy ditët e fundjavës.
I mbështjellë nga vështrimet e bashkëkombësve të tij, Shahu i përshëndeti lehtë me dorë dhe priti gardianin t’i tringëllinte çelësat duke hapur qelinë e tij.
Kur u ul në skaj të shtratit e kuptoi se takimi me avokatin nuk e kishte gëzuar fare. Nuk i kishte dhënë asnjë fije forcë. Përsëritja e të të njëjtave shprehje për t’i dhënë kurajë gjithnjë e më shumë i ngjante atyre që ngushëllojnë familjarët e një të porsavdekuri me fjalët e çuditshme, pse jo edhe budalle, “të rroni vetë!”
Kur erdhi koha të merrte racionin e drekës dhe shpërndarësi i ushqimit të largohej nëpër korridor drejt qelive të tjera, te sporteli u zgjat shumë shpejt pëllëmba e madhe e Sa i Mirit dhe i la një letër. Pastaj iku, pa shqiptuar asnjë fjalë. Me sa dukej përreth lëvizte ndonjë gardian që nuk e donte.
Pasi e shpalosi, dyfaqëshi i shkëputur nga një fletore thoshte “23 dhjetor, ora 12.23...Me sa marr me mend je pak i mërzitur dhe më vjen keq për këtë. E kuptoj gjendjen tënde në këto momente, por nuk duhet lëshuar asnjëherë vetja, sepse taktika këtu është t’u bëhet qejfi t’i shohin njerëzit poshtë e të dërmuar. Ne s’i kemi as për fis dhe as për zakon këto gjëra....Shoh që më tepër je mërzitur se nuk po vjen njeri, por duhet të kesh parasysh se këtu kështu është. Je mësuar mbase në Shqipëri që vijnë dy-tre herë në ditë prokuroria, por këtu vijnë një herë, të pyesin e pastaj puna ngelet te avokati që kërkon pse e për çfarë mbahesh këtu. Pastaj unë besoj se puna jashtë vazhdon dhe avokati duhet të vijë shpejt të të informojë. Ti duhet të mos mendosh gjëra kot, që s’i zgjidh dot, sepse jeni i mbyllur. Unë jam i bindur e jo të të bëj qejfin e ngrije moralin që puna jote do të zgjidhet shumë shpejt, sepse me përmbledhjen që më shpjegove këta nuk kanë përse ngulmojnë kot. Ndërkohë avokati bashkë me ju keni të drejtë të kërkoni “ballafaqim”. Këta në Itali si frazë i thonë “incidente probatorio”. Fiksoje këtë! Është tip ballafaqimi me prokurorin që ngre akuzën dhe personat me të cilët të kanë lidhur ty kur ti në Shqipëri ke vepruar sipas rregullave të tregtisë e me dokumentacion të rregullt. Këto llafosi me avokatin! Ishallah po vjen prapë këto ditë e të thotë habere të mira! Po mbasi të dëgjosh ç’të thonë e mendojnë, thuaju të gjejnë zgjidhje tjetër e jo të rrish në burg, për më tepër për pikëpamje politike. Duhet marrë parasysh se këto ditë janë festat dhe këta atje e kanë mendjen. Pra mos u mërzit sa të kalojë kjo javë se pastaj fillon puna e mirë nga jashtë. Do Allahu i madh në janar zgjidhet çdo gjë e po të dalësh do gëzohem si për veten time. Dhe unë po besoj se në Kasacion po më lëshojnë se kanë abuzuar tepër me mua, por s’kemi kohë t’i shpjegoj...Do Zoti na ndihmon dhe të vemi në vendin tonë, sepse, vallahi, vendi i huaj vendi huaj ngel”.
Kur e mbaroi letrën, Shahu e palosi me kujdes, por pastaj e rihapi dhe nisi ta lexonte sërish. Duhej të bisedonte me avokatin të gjitha ato që i shkruante Sa i Miri. Po përse vallë njeriu i Numizmës nuk ia kishte bërë të ditura të gjitha rrugëdaljet dhe pati mbetur vetëm tek alternativa se do ta lironin menjëherë? “Është shumë i ri dhe mbase i angazhuar me çështje juridike firmash të biznesit se me fate njerëzish”, e justifikoi. Po të vazhdonte kështu duhej të mos vonohej ta ndërronte. I duhej një avokat me ritëm tjetër pune dhe mjaft agresiv.
E ripalosi letrën e Sa i Mirit dhe e futi thellë poshtë jastëkut. Pastaj ndërroi mendje dhe e fshehu nën dyshek. Nuk do të ishte mirë që prej ndonjë kontrolli t’ia gjenin. Do të humbte të vetmen mundësi për të shkëmbyer informacion në ato ditë izolimi të plotë.
Tani i duhej të lante ndërresat e tij të brendshme. I kishte përdorur ato që pati me vete kur u nis nga Tirana. Në sifonin e banjës, atje ku dilej jashtë, ishte bashkëngjitur edhe një si pjesë plastike. Vendosej mbi të dhe përdorej si legen portativ. Aty mund të laje ndërresat, por edhe këmishët e bluzat, gjithçka që duhej pastruar. Në lavanterinë e burgut laheshin vetëm çarçafët.
Shahu mori njëherë frymë dhe iu vu punës. Përveç çorapeve, nuk i kishte rënë rasti asnjëherë në jetë të lante ndërresat e brendshme. Ajo i qe dukur përherë puna më e vështirë dhe më brishta, dhunti që, sipas tij, e kishin vetëm duart delikate të femrave.
Pothuaj nuk e ndjeu që dikush i kishte lënë te sporteli një revistë me ngjyra. E pa vonë, kur tashmë ishte shtrirë për pak çaste mbi shtrat. U ngrit dhe e mori. Titullohej “Rivista Christiana”. Ishte botim i Selisë së Shenjtë.
Me siguri të burgosurve u shpërndahej gratis edhe për t’iu gjendur afër në atmosferën e festës së Krishtlindjes.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|