Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

”Ndarje me të shkuarën”


Fragment nga faqet 82-89

Nata e parë kishte qenë e rëndë si plumb. Provonte për herë të parë
burg. E kishte shkuar disa herë nëpër mend që kjo gjë mund t’i ngjante
sapo në qeverisje erdhën antikomunistët, por më pas vitet kishin kaluar
njëri pas tjetrit dhe gjithçka i qe dukur si një merak i tepërt.
Tani kishte ndodhur. Mirëpo ky që sapo pati nisur nuk qe një
burgim i zakonshëm.
Atë ditë të parë nuk e kishte tutur as mbyllja në birucë, as supa
me bisht miu. Madje të qe ordiner, do ta kalonte atë natë me gjumë të
thellë. Mirëpo ishte një i burgosur politik, dhe kjo do të thoshte se qe
fare i pambrojtur.
E dinte fare mirë që politika për nevojat e saj të ditës të sajonte të
pabërën. Po të kishte nevojë të godiste një rival apo një të zgjedhur për
t’u ndëshkuar, ajo u shmangej edhe ligjeve.
I futur në burg fati i tij do të vendosej prej saj. Nëse politikës
në pushtet, mes të gjithë hierarkëve të lartë të regjimit, pa bërë asnjë
diferencim, i duhej edhe ai, kjo do të shkonte gjer në fund.
Sa shumë manipulime procesesh kishte parë të ngjanin në
diktaturë!
Një nuk do ta harronte, ishte nga më djallëzorët.
I arrestuari thirrej Labi. Qe vetëm njëzetë e tre vjeç, me profesion
mësues. Vinte prej një familjeje të djathtë dhe të papajtueshme me
komunizmin, por që me pushtetin e ri të pasluftës i ati shpalli një
kompromis, paanësinë. Pra i deklaronte se nuk qe dakord me parimet
e reja ideologjike dhe me sistemin politik që po ndërtonte, por nuk do
ta luftonte. Në këmbim kërkonte ta linin të ishte qytetar i lirë. Me këtë
kuptonte se, ndërsa shtetit do t’ia paguante të gjitha taksat, ky nuk
duhej ta burgoste sepse mendonte ndryshe.
Dhjetë vitet e para nuk e kishin trazuar. As kur kaloi viti
gjashtëdhjetë dhe hynë në një krizë ekonomike, sepse u prishën me
sovjetikët e të gjithë kampin socialist. Ndërsa lufta e klasave mori një
shkulm të ri, kundërveprimi ndodhi në mes të dekadës. I burgosën të
birin. Pastaj e vranë në një pritë.
Labi ishte bërë njëlloj si i ati, një i djathtë me shumë ndikim,
kundërshtar kokëfortë. Në shkollën ku jepte mësim, në një qytet të
vogël jo shumë larg kufirit, por ku kishte bazën edhe njësia më e madhe
ushtarake e Sigurimit të Shtetit, Brigada e Ndjekjes për Jugun, të gjitha
nxënëset e adhuronin. Më shumë nga të gjitha e kishin idhull vajzat e
kolonelëve, siç edhe thirreshin oficerët e lartë të brigadës speciale.
Por ndryshe nga i ati, i cili mendimin e papajtueshëm me
komunizmin e ruante për vete dhe nuk u gjet kurrë ta kishte shprehur, i
biri qe kokëkrisur dhe në ambiente shokësh e thoshte. Përdorte talljen.
E niste me Marksin dhe mbaronte me Stalinin dhe Enver Hoxhën.
Pasi e arrestuan, për t’ia shkatërruar forcën politike të ndikimit,
gjëja e parë që u mendua ishte përbaltja dhe njollosja e shpirtit të tij
të kundërshtimit politik. Ishte një zanat, që, po të porosiste Partia,
Sigurimi dhe hetuesia e bënin me kohë dhe kishin fituar përvojë të
madhe. Mjaft kundërshtarë të bindur të komunizmit i kishte nxjerrë
në gjyqe duke i akuzuar vetëm për pederasti. Të tjerë, për dhunim
femrash. Jo pak, sepse gjoja patën vjedhur një kilogram djathë apo
rrëmbyer dy-tri bagëti.
Labit falsifikimin ia sajuan akoma më të sofistikuar, gjoja bashkë
me një djalë xhaxhai kishin përdhunuar një kushërirë.
Shkulja nga këto kujtime dhe rikthimi i të gjithë qenies së tij në
mbrëmjen e Krishtlindjeve të 24 dhjetorit 2003 iu duk mjaft i vështirë.
Ngjashmëria mes dy burgimeve, edhe pse për arsye e motive të
ndryshme, ishte e tillë që ata gjallonin njëri-tjetrin. Qenë si dy enë
komunikuese.
Pa shkuar ora njëzetë, në pauzën e zakonshme, të cilën atë
mbrëmje e zgjeruan gjer në një gjysmë ore, Shahu u përqafua me Sa i
Mirin, bashkëkombësin shijakës dhe Shunë. Njëzetë e njëvjeçari trup
imtë nga Tirana iu hodh në krahë i pafjalë dhe ndenji ashtu disa çaste.
Ndërkohë para se dyert e qelive të mbylleshin, Sa i Miri i solli
një pjatë me makarona të bëra me pançetë, një lloj kimaje me copëra
mishi. Ishte recetë italiane gatimi.
Në orën nëntë, kur e nisi darkën, bëri urimet për gruan e fëmijët
e tij, për dy mbesat e vogla dhe gjithë të dashurit e tjerë që kishte,
kujtoi shokët, pamjet e çlirëta nga ballkoni, mëngjeset me cicërimat e
bilbilave nga një kafaz te fqinji, rënien e ngadalshme të mbrëmjes.
Gjer afër mesnatës piu ngadalë një litër verë të kuqe dhe hëngri
aq ushqim sa nuk u ndje rëndë. Ëmbëlsirën e Shusë e shijoi ngadalë,
por pa e tepruar në masë.
Urimet një për një për të vetët i përsëriti në orën njëzetë e katër.
Siç shihej nga televizori, në Romë Papa Vojtila kishte nisur ceremoninë
e martirizimit dhe pastaj të ringjalljes hyjnore të Jezu Krishtit.
Kur dita e re e 25 dhjetorit pati bërë dhjetë minutat e para Shahu,
mbështeti kokën mbi jastëk dhe falë dhuntisë që e kishte të trashëguar
kush e di prej cilit stërgjysh paraardhës, gjumi e zuri menjëherë.
E enjtja ishte po njëlloj, festë, madje me drekë të bollshme. E
premtja po ashtu, pjesë e zgjatur e saj. E shtuna, sërish festë.
Tashmë të shndërruara në rutinë, ceremoni tejet e zgjatur,
Krishtlindjet u bënë një ngjarje që po i sillte trishtim. Ai nuk kishte
ardhur aty, në tokën e italianëve, për të pirë verë në një qeli të mbyllur
dhe ndërkohë pa mundur dot të shkëmbente një fjalë në telefon me
të vetët. Në Shqipërinë e tij të ashpër, dhe ku pjata e parë e supës i
rrokullisi para syve llokmën e pistë të një miu të mbytur, edhe pse
konsiderohej nga njerëzit e rinj të ardhur në pushtet si ndër përgjegjësit
kryesorë të diktaturës, ia lejuan familjen ta takonte menjëherë sapo
mbushi dyjavëshin e parë të burgimit. Madje ky rregull, ndërsa u
lejohej të sillnin edhe ushqim, nuk iu prish asnjëherë.
Duhej patjetër t’i kërkonte avokatit të bënte kërkesë që t’i lejohej
të fliste në telefon me të vetët. Nuk kishin përse ia pengonin më.
Biseda do të bëhej me një aparat telefonik të burgut, pra nën vëzhgim
e regjistrim dhe sigurisht nuk do të guxonte të shkëmbente me ta të
dhëna që mund ta komprometonin procesin e hetimit. Thjesht do të
fliste që ta besonin se ishte gjallë.
Nuk kishte ardhur akoma mesdita kur në pushimin e shkurtër të
hapjes së qelive Sa i Miri i tha se atë ditë mbushte 30 vite jetë. Shahu
i hodhi duart në qafë. Kur dyert u mbyllën mbushi menjëherë një gotë
të plasmastë me verë të kuqe dhe e piu. Pastaj u ul menjëherë dhe për
bashkëkombësin e tij shkroi një letër.
Pas pak me të në pëllëmbën e dorës nxitoi për tek sporteli. Pasi atje
futi krahun e majtë e shtriu sa mundi që Sa i Miri të mund ta dallonte.
Reagimi i tij ishte i rrufeshëm, si të kishte qenë jo brenda në qeli, por
tek dera e saj. Prej sportelit të vet edhe ai e tundi fort krahun.
Sa i Miri erdhi për ta marrë letrën pas pesë minutash. Ia kishte
bërë magjinë gardianit të turnit.
Kur dora e tij u tund sërish në drejtim të Shahut, ky akoma nuk
qe larguar nga sporteli i vet. Iu përgjigj me shkundjen e gëzuar të
pëllëmbës së hapur.
Të dielën formuloi disa herë një kërkesë për të fituar të drejtën
të fliste në telefon me shtëpinë dhe të hënën ia dorëzoi avokatit sapo
ky erdhi. I këmbënguli se duhej të luftonte më shumë për të gjetur
mundësinë, në mos për lirim, për të fituar kushtet e një arresti shtëpie.
Karbone ra dakord menjëherë, duke i premtuar se atë kërkesë
tashmë e pati shkruar dhe me ndonjë plotësim do ta niste menjëherë
sapo të rikthehej në zyrën e tij. Ai i solli të fala nga shtëpia dhe i tha se
ndërkohë, me gjithë atmosferën e festës në Itali, me Tiranën pati folur
në telefon përditë.
Shahu u përpoq të dukej sikur këto fjalë nuk i bënë përshtypje.
Avokati i tij kishte folur përditë(!) Këtë gjë nuk e besonte. Me siguri të
tijtë kishin filluar t’i dërgonin paratë e pagesës së punës që po kryente,
dhe ai, ndoshta për të rritur sadopak atë shumë, tashmë po e zmadhonte
veprën e tij mbrojtëse. Kurse në të vërtetë Shahu nuk ishte aspak i
kënaqur. Madje duhej të vepronte sa më shpejt për ta shmangur apo të
paktën lënë në statusin e avokatit të dytë.
Para se të ndaheshin ia tha Karbones, se për ta përballuar shpejt e
në kohë çështjen do të duheshin patjetër dy avokatë. Tjetri ra dakord
pa asnjë hezitim.
Ndërsa hapi derën e dhomës së takimeve për të ikur, Shahut i
sëmboi në gjoks keqardhja se mos me dyshimin për të po i binte në
qafë. Këtë vuajtje e pati deri sa hyri në qeli. Kur u gjet brenda mureve
të saj i kërkoi avokatit të ri në heshtje ndjesë për atë vendim që po
merrte, por do ta largonte. Me shumë kujdes, patjetër, pa e fyer.
Nuk mund të vepronte ndryshe kur ishte prangosur për llogari të një
lufte të kombinuar mjeshtërisht kundër kryeministrit të Shqipërisë.
Nuk gjente prehje nga parandjenja se ndaj tij kishte një harrim të
qëllimtë. Sapo i kishte kapërcyer të dhjetë ditët i ndryrë në atë burg të
Bolonjës dhe asnjë nga shteti shqiptar nuk qe ndjerë.
Të paktën asnjë lëvizje e tij nuk kishte mbërritur deri tek ai.
E hëna kaloi si një ditë e zbrazët, por që i ngjante më shumë një
humnere. Lëvizi gjithë kohën nëpër dhomë dhe u ul nga pak vetëm kur
i ndjente këmbët të lodhura. Në mbrëmje ishte krejtësisht i rraskapitur,
por shpirtërisht më i lehtësuar se të kishte provuar ta kapërcente atë 29
dhjetor me bërrylat mbështetur mbi tavolinë.
E marta gdhiu ditëbosh. Këtë parandjenjë pati që në mëngjes.
Pastaj iu kthye në ditë ankthi. Një letër e shkurtër e mbërritur nga
Sa i Miri thoshte se pas pak minutash do të nisej për në Milano. Të
nesërmen atje do të kishte seancën gjyqësore të Kasacionit.
Gjithë pasditen u lut që miku i tij të kishte të paktën një ulje të
masës së dënimit.
E mërkura, 31 dhjetor, nuk i solli në shpirt veç trishtim. Me rastin
e Vitit të Ri sërish komanda kishte ushqim të preferuar dhe po ashtu
mund të blinin në dyqanin e burgut nga një ambalazh të kartontë me
dyqind gramë verë.
Në orën tetë të mbrëmjes Sa i miri akoma nuk kishte mbërritur
nga Milano. Erdhi kur akrepat i qenë afruar shifrës nëntë. Për shkak
se nëpër qeli prej televizioneve të hapur fort dhe zërave të lartë e të
shpenguar bëhej zhurmë, nuk e dëgjoi kur u hap porta e pavijonit të
tyre. Pas pak ndjeu në korridor hapat e Sa i Mirit. I la një letër te
sporteli, por nuk nxori asnjë zë.
E hapi menjëherë. Gjykata e Kasacionit ia kishte mbajtur dënimin
në masën e njëmbëdhjetë viteve.
U ul menjëherë t’i përgjigjej. Si mund t’i jepte zemër një njeriu
që ndëshkimin e rëndë e pati marrë në mes të Vitit të Ri, festës së
gëzueshme në të gjithë botën? Dora i dukej sikur po i bëhej e dylltë dhe
pak nga pak t’i shkrihej. Nuk kishte më asnjë forcë të lëvizte gishtat,
qoftë edhe për të shtrënguar stilolapsin.
U çua dhe filloi të baresë nëpër dhomë. Atë që donte t’i thoshte
Sa i Miri e shkoi me mend disa herë dhe po aq herë e ripërsëriti. Kur
ndjeu se tashmë gishtat mund t’i lëvizte, u ul dhe shkroi: “Me shumë
keqardhje mësova nga Ju, i dashur mik, dënimin prej 11 vjetësh të
dhënë nga gjykata e Milanos, këto gjykata me njerëz pa gjak, pa
ndjenjë humanitare...”. Më pas nëpër reshta treti e bashkoi fjalët nëpër
të cilat i thoshte se kishte patur përgjithësisht jetë të mirë, por jo pak
edhe peripeci të ndryshme, veç atë mbrëmje ndihej si i goditur nga një
prej fatkeqësive më të mëdha. Nuk gjente dot fjalët e duhura për t’i
dhënë kurajë, ndërsa ai, bashkëkombësi i tij, edhe pse pati qenë vetë
nën hallin e madh të gjyqit të pritshëm, kishte gjetur aq shumë forcë
shpirtërore për t’i dhënë shpresë.
Pastaj doli te sporteli dhe tundi fort krahun. Dora e madhe dhe
muskuloze e Sa i Mirit iu përgjigj menjëherë. Gishtat e pëllëmbës së
tij lëvizën në një mënyrë të tillë që të linin të kuptoje se do të vinte sa
më shpejt ta merrte letrën.
Shahu në pritje u ul në buzë të shtratit. Ai nuk mund të ishte vit i
ri për të. Qe mot shumë i vjetër.
Tri ditët e para të janarit, sipas lajmeve televizive, ishin të ftohta.
Shahu pati ndjesinë se edhe me plot diell të qenë nuk mund t’i
shijonte. Mardhte shpirtërisht. Kalonte njëra pas tjetrës kriza malli për
të shoqen, për dy mbesat me emra hyjnorë, për vajzën me emrin e
mbretëreshës së famshme ilire, për djalin që në trup të emrit mbante
tingëllimin e fjalës “i artë”.
Avokati nuk po i vinte, dhe kjo ia shtonte ndjenjën e hidhët të
atyre ditëve. Më në fund i ra në dorë një shkresë në italisht. Ia solli
gardiani. Nuk mundi t’i kuptonte dot të gjitha fjalët e saj dhe ia dërgoi
Sa i Mirit.
Ky ia ktheu të përkthyer menjëherë.
“Për njoftimin tuaj, datë 30.12.2003, ju kërkojmë me mirësjellje
t’i komunikoni klientit tonë, Shahu, që është bërë kërkesa te gjykatësi
për hetimet e Napolit për të folur në telefon me familjarët e vet. Po
ashtu është prezantuar kërkesa për lirim apo masë alternative nga kjo
e izolimit në burg...”.
Karbone, me sa duket, kishte lëvizur.
Më 4 janar ky e njoftonte se kishte nisur bashkëpunimin me atë
që e quajti profesorin e tij, një italian, i cili studion kryesore e kishte
në jug të vendit, në qytetin e Kozencës, por degë të saj nuk i mungonin
jo vetëm në Bolonja, por edhe në Romë e Milano. Jepte edhe leksione
në disa universitete. Emër-mbiemri i tij niste me një njëjtën germë: M.
Tingëllimi i tyre Shahut iu duk i ëmbël. Veçanërisht mbiemri Mana.
Pikërisht ky nga ana e vet i dërgonte një letër të shkurtër, ku e
vinte në dijeni se më 9 janar do të kishte një seancë gjyqësore dhe me
siguri atje do t’i hiqnin masën e arrestit, si më e pakta.
Më pesë janar, Shahu ishte ende në një gëzim që e bënte si me
krahë.
Më datën 9, para se të niste seanca gjyqësore, u njoh me avokatin
e ri. Qe njeri me një dritë të mirë në sy. Ia shtrëngoi dorën gëzueshëm.
Prej vështrimit të italianit të porsa prezantuar i depërtoi në të gjithë
qenien ndjenja se ai ishte një njeri me besim të madh në vetvete. “Ky
ka për ta përballuar luftën”, tha me vete.
Seanca gjyqësore iu duk fare e shkurtër dhe model rutine. U kthye
në dhomë me pezm. Njoftimi i mos nxjerrjes nga masa e arrestit i erdhi
pa u mbyllur orët e para të pasdites.
Zhgënjimi iu përzje me aq shumë zemërim, sa Shahu ndjeu
dhimbje në të dy tëmthat. U vërtit kështu, si i zënë në çark, deri sa
mori vendimin e parë. I kërkoi gardianit t’i bënte një telegram urgjent
të dy avokatëve të tij. Ai nuk e pengoi dhe Shahu formuloi menjëherë
tekstin. U tha se duhej patjetër t’i ritakonte sa më shpejt për të marrë
shpjegim rreth gjendjes së re të krijuar.
Kur tek sporteli i erdhi ushqimi i darkës, e ktheu mbrapsht.
Duke qenë se nuk donte të shkonte drejt natës me të gjithë atë
helm në gjoks, për t’i shpëtuar atij mundimi u përkul mbi një letër të
bardhë e nisi t’u shkruante të vetëve disa radhë.
E nisi me fjalët për mbesat: “Dy yjet e gjyshit”. Pastaj vendosi
emrin e të shoqes, të vajzës, të djalit, të dhëndrit, të nuses. “Tani që po
ju shkruaj, jam në tension sepse sapo më njoftuan që gjykata përsëri
nuk më liroi nga arresti... Nuk besoj t’u mërzitë kjo letër...Më jepni
kurajë vetëm po të mos mërziteni nga ky lajm...Më japin kurajë edhe
shqiptarët këtu. Më krijojnë ngrohtësi”.
Shahu e ndërpreu një çast të shkruarit. Ai arrestim nuk e kishte
mundur, as thyer, megjithatë e pati bërë në ndjenja të brishtë si një
fëmijë.
Kur e kuptoi se kishte disa minuta, që, i gjendur mes imazheve të
të vetëve, nuk po shkruante më, e rifilloi letrën menjëherë. U kërkoi të
merrnin pranë Doganës së Durrësit të gjitha dokumentet e tranzitimit
të duhanit për vitet 2001-2002 dhe 2002-2003. Po ashtu iu lut të vetëve
të kërkonin në Prokurorinë e Përgjithshme të Shqipërisë dëshmi të
shkruar se gjithë kohën kishte punuar në bazë të ligjeve të vendit, pa i
shkelur kurrë ato.
Kur vendosi ta mbyllë atë letër, nuk bëri asnjë pauzë për të gjetur
fjalët më të përshtatshme. I gurgulluan vetë: “Ju përqafoj me shumë
mall e dashuri”!


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com