Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

ĒFARĖ FSHIHET PAS MUNGESĖS SĖ FOTOS PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912?
AMERIKĖ, PSE TĖ DUAN KAQ SHUMĖ SHQIPTARĖT
FLAMURI QĖ U NGRIT NĖ VLORĖ DHE KASTRIOTI I PESTĖ, ALEANDRO
22 NĖNTOR 1944, QYTETI I TIVARIT: ARRATISJA E BALLIT KOMBĖTAR NĖPĖR NJĖ DET TĖ MINUAR
PASARDHĖSIT NĖ ITALI TĖ SKĖNDERBEUT NĖ KRYE TĖ MBROJTJES SĖ PAVARĖSISĖ SĖ PORSASHPALLUR
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Vlora, Vlora!


Botuar në gazetën “Shqip” më 4 shtator 2009

Duhet të kalosh buzë Jonit për të kuptuar më mirë se si turizmi dhe zhvillimi i tij sa më i shpejtë janë për Shqipërinë e të gjithë shqiptarët edhe ekonomi, edhe politikë, edhe diplomaci, edhe eurointegrim, edhe gjeostrategji. Kjo jo sepse nuk është po kaq e barasvlershme e njëjta ndjesi kur gjendesh pranë brigjeve të Adriatikut, në buzë të liqenit të Ohrit apo në bjeshkët mbi ujërat e Valbonës. Një qytet i madh historik si Shkodra, ura e madhe e lidhjeve tona të pandërprera me Perëndimin, për shkak të drejtimeve që po marrin boshtet kryesore të rrugëve ballkanike, rrezikon të mbesë mënjanë. Ndërkohë në zhvillimin e madh të ardhshëm po humbëm Shkodrën kryeqendër do ta ndjejmë dhimbjen në mot të moteve.
Por le të kthehemi përkohësisht tek bregu i Jonit, të paktën prej aty ku ai nis shumë joshës për turizmin: qyteti i Vlorës. Madje më saktësisht nga Tuneli i Ujit të Ftohtë e më tej. Gjersa takon kufirin e Greqisë ky breg është një perlë për të gjithë ata që në stinët e ngrohta të vitit duan të pushojnë. Plazhet e “thërrmuara”, për shkak të natyrës shkëmbore të brigjeve, të ndara si oaze prej njeri-tjetrit, të japin një shplodhje të vërtetë. Uji i pastër i detit, përreth dhe shumë afër relievi kodrinor e shpesh herë edhe thellësisht malor, e bëjnë këtë plazh mjaft stimulues për rigjenerimin e energjive. Një vend ka nevojë edhe për vendpushime të mëdha, masive e të potershme, plot klube apo diskoteka, sië kemi bregun e Durrësit. Këtu prej privatëve është investuar shumë, ndërkohë po ndërhyn edhe shteti. Metropoli i madh shqiptar i Tiranës e ka plazhin më të afërt dhe merr frymë me “mushkritë“ e këtij bregu. I favorizuar nga rrethana të tilla plazhi i Durrësit është “dënuar” të zhvillohet, por duke guxuar më shumë që t’i japë fund kaosit të tij, kulturës së betontë dhe një uji deti, që prej shumicës njerëzore plluskuese mbi të, do ta ketë përherë problem të ruajë parametrat normalë të pastërtisë. Sepse tani për tani ne jemi ata që jemi, të aftë ta hedhim mbeturinën në një kosh dhe po aq të zotë ta lëshojmë në rërë, ta derdhim ujin e hollë atje ku e ka vendin dhe po aq lehtësisht të hyjmë në det tamam për atë punë. Duke e shndërruar në politikë zhvillimi mbizgjerimin e kapacitetit të këtij bregu gjer në qindra e qindra mijë pushuesë vjetorë do të thotë që hë për hë deti në atë breg të ndryshojë çehren e ujit.
Plazhi i Durrësit tashmë kërkon vetëpërmbajtje, investime me kthim të drejtimit të tyre nga sasia në cilësi. Ndryshe është me bregun e Jonit. Duke patur disa privilegje natyrore për cilësinë e tij të mirë ai ka nevojë ende për zgjerim kapacitetesh.
Brenda ligjeve dhe rregullave të rrepta urbane katet apo dhomat shtesë në shtëpitë private të banorëve të këtij bregu, atje ku është e mundur dhe e favorshme për shtimin e aftësisë turistike, nuk duhen kuptuar si një ide që lind e duhet të vdesë patjetër brenda ditës. Nuk është fjala se duke qenë dakord me zgjerimin e kapaciteteve pushuese në bregun tonë jonian nuk bëjmë gjë tjetër veç i japim një shtysë agroturizmit, këtij turizmi të njohur në vendet e zhvilluara, ku mjediset e pushimit janë pranë shtëpisë private të pronarit dhe atje, duke mos munguar as pemët me fruta apo kopshti i mbjellë me zarzavate, kënga e gjelit në mëngjes dhe një degë mëni që shkund kokrrat, gjithçka është origjinale e mbresëlënëse.
Zgjerimi i kapaciteteve pushuese në bregun e Jonit nuk ka vetëm vlerë pushuese dhe rigjeneruese fizikisht për shqiptarët, por edhe mjaft rëndësi kombëtare. I vendosur shumë afër dy shteteve fqinj, Italisë dhe Greqisë, vende me struktura shumë aktive dhe moderne të turizmit, njëkohësisht edhe anëtarë me emër të Bashkimit Evropian, bregu ynë jonian shumë shpejt mund të bëhet shkëmbyes e konkurrues me ta. Tradita e thellë dhe e gjatë e emigracionit të banorëve vendas e bën më të kapërcyeshëm distancën që na ndan prej standardeve të larta të Perëndimit. Bregu jonian i vendosur shumë afër tyre, vetëm disa dhjetëra kilometra apo milje detare, do të bëjë që turisti nga i gjithë bota, pushues i madh në dy vendet fqinj, për një drekë a ditë, për një mbrëmje apo tur të shkurtër, do të kthehet masivisht në brigjet tona. Që prej këtij çasti nis favori ynë, jo thjesht vetëm në të ardhura monetare. As në ato të mendësisë dhe kulturës qytetare. Do të vijnë edhe favore politike, pse jo edhe gjeostrategjike në siguri të sovranitetit tonë. Të investosh në Himarë për një rrugë apo ujësjellës, në kushtet e agresivitetit të disa shovenëve akoma të paketuar, do të thotë ta mbrosh atë.
Bregu jonian ka një rezervë të madhe: ai mund të investojë për imazhin tonë, të vetë Shqipërisë. Prej këtyre anëve turistët e huaj do të përhapin nëpër botë pamjen e një vendi që nuk ka asgjë të ndryshme nga Evropa dhe qytetërimi i saj.
Në këtë trekëndësh kufijsh mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë nëpër shekuj janë pleksur e kacafytur interesa kundër nesh dhe në rezistencë me to hapësira e bregut jonian, gjeneratë pas gjenerate, ka mëkëmbur dhe formuar një mburojë të fortë dhe të paepur të identitetit kombëtar. Ky është një breg luftëtarësh të mëdhenj dhe po aq njerëzish të penës. Me një temperament mjaft karakteristik, vitalë e të shkathët, të lidhur fort me dëshirën për jetë dhe përparim e shumë të pasionuar pas protagonizmit pozitiv, shqiptarët e Jonit nuk ka gjë që nuk e arrijnë dot. Ata mund t’i bëjnë tokat e tyre një “Eldorado”.
Në të gjithë këtë gjerdan plazhesh me qyteza si Himara, Saranda, Dhërmiu, Borshi apo Orikumi e Radhima një “portë“ është: Vlora. Të duhet të hysh e të kalosh nëpër të në rast se do të shkosh të pushosh gjatë bregut jonian. Vlora ka Otranton, “kyçin” e Adriatikut, por në duart saj shtrëngon edhe “çelësin” e Jonit shqiptar. Investime në rrugët që të çojnë drejt saj po kryhen, por në të vërtetë deri sa të kapërcesh Tunelin e Ujit të Ftohtë të plas buza. Sheh se si gjenden aq shumë afër antiimazhi me vetë imazhin. Natyrisht Shqipëria në rindërtim ka njëherësh mjaft përparësi, ndonjëherë para turizmit edhe nevoja urgjente, megjithatë në qytetin e Vlorës, brenda, të paktën, qeveritë mund të japin disa fonde më shumë.
Duhet të gjendesh për ca ditë në bregun jonian për të kuptuar se të gjithë ne, bashkë me vendin tonë, po ndryshojmë me shpejtësi. Edhe Vlora është një qytet që ka ndryshuar shumë. Ajo i ka dhënë fund skafizmit, periudhës dikur më të përfolur e më njollosëse për ne në mediat e huaja. Vlora ka lënë pas, për ta kujtuar sa më pak, atë që ndodhi në vitin 1997. Ky qytet ka kapërcyer përpara e madje nga hovi mund të na lerë pas. Vlonjatët kanë kuptuar se tani politika moderne janë zhvillimi ekonomik. Tre vite më parë në verë, në faqet e maleve mbi det, kishte me dhjetëra zjarre. U dënuan tre apo katër flakëvënës dhe më pas asnjë korije apo degë ulliri nuk u dogj më.
Kur ka zhvillim bëhen bashkë shumë interesa për të ruajtur qetësinë e brendshme dhe maturinë kombëtare.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com