Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Të luash me dy miliard dollarë gjermanë


Botuar në gazetën “Shqip” më 11 nëntor 2009

Çështja se në gjysmën e dytë të viteve tetëdhjetë të shekullit të shkuar Shqipëria për shkak të regjimit komunist ka humbur shansin e ndihmës ekonomike prej dy miliard dollarësh nga atëherë Gjermania Federale, tashmë ka nisur të bëhet më tepër se një kuriozitet. Është bërë ndopak edhe shkëmbim replikash në sfond të përballjes së brendshme politike, por mbi të gjitha po jep të gjitha shenjat e një vetmundimi psikologjik. Gjithçka nga kjo ngjarje, e cila ka pothuaj dy dekada që thirret vazhdimisht në memorien e opinionit tonë publik, përshkruhet si një gjë tepër e thjeshtë. Ajo vizatohet si një shans tjetër i humbur i shqiptarëve. Pra gjermanët na iu futën me këmbëngulje paratë në xhep dhe ne në vend që t’i merrnim, i kthyem mbrapsht. Këto ditë, kur me nderim kujtohet dhe me optimizëm interpretohet rënia e Murit të Berlinit, ka nisur të qarkullojë më dukshëm edhe shifra e fatit të humbur. Nuk janë pak për kohën, fundvitet tetëdhjetë. Është një shifër e përralltë edhe për sot: dy miliard dollarë.
Kështu në psikologjinë tonë kolektive mund të ndodhë që kjo ngjarje të ngulitet fort duke lënë përfundimisht gjurmën e një lotarie të humbur.
Asgjë të keqe nuk ka në përpjekjen për ta ravijëzuar gjestin e kancelarit bavarez Franc Juzef Shtraus, përpjekjen e tij personale për t’i hapur marrëdhëniet e vendit të tij me Shqipërinë. Qe një opinion i përgjithshëm gjermano-perëndimor që për interesa gjeostrategjike në rajon qeveria dhe klasa e tyre politike të “ngrohte” sa më shumë raportet me Tiranën zyrtare. Këtë prirje të Berlinit Perëndimor e dinin fare mirë edhe këtu, në zyrat e larta të partisë së vetme në pushtet. Pas prishjes së ngutur dhe shumë të paqartë me Kinën Shqipëria ekonomikisht ishte në faliment të plotë, në një krizë shumë të thellë e mjaft të frikshme për qeverisësit e kohës. Kujt prej nesh i bie ndër mend e di që populli në disa nga ushqimet kryesore (që prej qumështit, mishit, vajgurit, kafes...) jetonte me një regjim të rreptë triskëtimi. Në rrethana të tilla vetëvrasjeje të sigurt politike Enver Hoxha doemos do të bënte të gjitha përpjekjet për një “çarje rrethimi”. Aq e rrënuar ishte situata sa që u disafishua kontrabanda shtetërore. Deri tani janë të dokumentuara bollshëm të gjitha përpjekjet e regjimit për të gjetur ndihmësin e ri ekonomik, të katërtin pas Jugosllavisë, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës. Këtë status nuk mund ta kishte, për shembull Beogradi, edhe pse në marrëdhëniet tregtare të Tiranës zyrtare zinte vendin e parë. Aleati i ri ekonomik duhej të qe sa më tepër i qëndrueshëm dhe sa më shumë dashamirës i shqiptarëve. Kështu këtë kohë vështrimi vetvetiu shkoi drejt Italisë, shtet i cili zotëronte statusin e vendit të dytë në masën e shkëmbimeve tregtare dhe kosto shumë të favorshme. Qe fare afër. Se si vijoi ky projekt është një histori e gjatë, por me futjen dhe qëndrimin pesëvjeçar në ambasadë të familjes Popa, 1985-1989, ato u përfshinë në një ngrirje të gjatë. Ajo që ndodhi nuk qe aspak e rastësishme dhe kishte për synim pikërisht prishjen që në fillesë të këtij plani vetshpëtimi të Tiranës zyrtare. Këtë kohë përfoljet e disa diplomatëve të huaj bënin të ditur edhe për plane apo edhe përpjekje të regjimit me Indinë.
Ishte periudha e këtij vetizolimi pa gjetur dot rrugëdalje kur u përvijua projekti i bashkëpunimit me aleatin e ri të mundshëm: Gjermaninë Federale. Me sa është bërë publike apo mund të gjesh në dokumentet e hapura deri tani nuk ka siguri në përgjigje të pyetjes se qe e para Tirana që e dha shenjën e afrimit apo pala gjermane. Ka të ngjarë që inkurajues i aleancës së pritshme të jetë e mbetet Shtraus, protagonizmi i tij i theksuar politik (garonte me Vili Brandin për të arritur postin e parë të kancelarit të Gjermanisë Federale), si edhe pasioni për turizëm.
Këtë kohë Enver Hoxhës në shtëpi i është bërë një pyetje intime nga vetë njëri prej djemve të tij përse qe zgjedhur si ndihmësi i ri ekonomik Gjermania Federale dhe jo Franca. Kujtojmë që familja Hoxha, nisur nga e kaluara dhe lidhjet shpirtërore të vetë Enverit, qe shumë e lidhur me këtë popull dhe shtet. Diktatori pyetjes së të birit i është përgjigjur me arsyetimin se ai nuk mund të zgjidhte në statusin e ndihmësit të madh ekonomik Francën për arsyen e thjeshtë se atë kohë ky vend e kishte shumë të theksuar lidhjen e fortë tradicionale me serbët dhe për rrjedhojë edhe me Federatën Jugosllave.
Ja përse hyri në skenë Gjermania Federale, duke i dhënë pesë-gjashtë viteve të fundit të diktaturës shqiptare jo vetëm një risi politike e më pas një debat të pashuar, por mbi të gjitha një histori të gjatë “rozë“, ku pluskojnë herë pas here supervalixhja me dy miliard dollarë.
Që kjo histori të mos shndërrohet në një legjendë urbane apo simotër e tregimeve me çeqe që bien nga qielli, duhet thënë se i ka ardhur koha të zhvishet nga romantizimi. Ne shqiptarët dolëm nga komunizmi më të varfër se sa kur hymë në të, prandaj edhe u ndamë shpejt prej tij, por ndikimin nga ëndrrat, deri edhe nga ato të para me syhapur, akoma e kemi. Sigurisht nuk e kemi defektin në atë masë të lartë si në vitin 1991, kur pritëm Sekretarin Amerikan të Shtetit, Xhejms Bejker. Atëherë nga ndodhi që përveç simpatisë së pashuar për popullin dhe shtetin e tij me mijërat e bashkëkombësve të ekzaltuar në zemër të Tiranës kishin ndër sy edhe dëshirën mos shteti i madh dhe i pasur kishte të tepërta disa pirgje me bankënota të gjelbra dollarësh për të na i hedhur drejt e në pëqi.
Gjermania Federale dhe Shqipëria deri në dhjetor të vitit 1990, kur mori rrugë të sigurt shembja e diktaturës, nuk kishin për t’ia dalë dot të bashkoheshin në asnjë aleancë. As Tirana zyrtare, në fillim me Enver Hoxhën dhe më pas me Ramiz Alinë, nuk kishte ndërmend të plotësonte kushtet më të thjeshta për t’i bërë reale rrethanat e funksionimit më minimal të këtij bashkëpunimi strategjik. Historitë e rrëfyera nga njerëz afër diktatorit se ai, po të qe gjallë, do ta kishte hapur vendin në këtë aleancë të re (përrallismi shkon gjer aq larg sa prej tyre ngulet këmbë se Hoxha do ta hapte plotësisht Shqipërinë drejt Perëndimit) janë më e pakta naive. Ai kurrë nuk do të çelej drejt Perëndimit. Kjo për arsyen e thjeshtë se hapja e vërtetë drejt tij do të thoshte çelje drejt demokracisë dhe rregullave të saj, gjë që do të thoshte po ashtu humbje e pushtetit të tij personal, madje patjetër edhe burgosje e dënim i rëndë. As ndjekësi i tij, edhe pse shumë më i butë, Alia, i cili e ndoqi më tej çështjen e nxehtë të aleancës së mundshme gjermano-shqiptare, nuk kishte ndërmend ta vinte në jetë. Madje, siç kemi dëgjuar, ai e konsideron të realizuar ciklin e bisedimeve dhe të marrëveshjes me Franc Juzef Shtrausin.
Ca më pak, në rrethana të tilla, që i njihnin fare mirë, do ta bënin këtë pakt të ngushtë ata që qeverisnin Gjermaninë Federale. Jo vetëm qeveria, parlamenti dhe klasa politike qendrore, por as drejtuesi i vetëm landit të Bavarisë nuk kishte ndërmend t’i jepte oksigjen atij regjimi shumë të ashpër, çfarëdo të qenë nevojat urgjente gjeostrategjike të tij. Regjimi i Tiranës duhej të shembej dhe jo t’i afrohej aleancë apo ca më shumë t’i derdheshin në thes, thotë edhe në formë mallrash a investimesh, dy miliard dollarë, shifër që në të vërtetë studiuesit tanë të kësaj ngjarjeje e kanë dëshmuar që, në shkëmbim të dëmshpërblimit të pasojave të luftës, nga partia e vetme në pushtet ka qenë një shifër e manipuluar dhe e zmadhuar qëllimshëm.
Që në Berlinin Perëndimor dhe në të gjithë botën demokratike qe vendosur të mos i jepej jo dora, por as gishti stalinizmit shqiptar, e provuan ngjarjet e mëpasshme. Në rrëzimin e tij, në përgatitjen e gjendjes së përmbysjes, me kulmim hyrjen masive në ambasada, por edhe më pas, gjermanët kanë luajtur një rol të dorës së parë.
Ja përse këtë histori me ëndrrën e dy miliard dollarëve që nuk i përfituam dot, nuk mund të vazhdojmë ta rrëfejmë si një shans të humbur. Ky shans nuk ka ekzistuar kurrë. Për ne kjo vetëdije është më e mira, sidomos këto ditë kur e gjithë bota, përfshi edhe shqiptarët, festuan rënien e Murit të Berlinit. Po të gjykojmë kështu do ta kemi më me vend shqiptimin e fjalëve mirënjohëse. Pra që të themi “Faleminderit Gjermani që ia prishe diktaturës shansin e zgjatjes së mbijetimit!”


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com