Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

ĒFARĖ FSHIHET PAS MUNGESĖS SĖ FOTOS PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912?
AMERIKĖ, PSE TĖ DUAN KAQ SHUMĖ SHQIPTARĖT
FLAMURI QĖ U NGRIT NĖ VLORĖ DHE KASTRIOTI I PESTĖ, ALEANDRO
22 NĖNTOR 1944, QYTETI I TIVARIT: ARRATISJA E BALLIT KOMBĖTAR NĖPĖR NJĖ DET TĖ MINUAR
PASARDHĖSIT NĖ ITALI TĖ SKĖNDERBEUT NĖ KRYE TĖ MBROJTJES SĖ PAVARĖSISĖ SĖ PORSASHPALLUR
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Një histori me Kinë dhe me pambuk


Botuar në gazetën “Illyria”, Nju Jork, 30 tetor 2009

Për t’i dhënë spikatje 60-vjetorit të lidhjes së marrëdhënieve diplomatike me Kinën në Tiranë në 30 tetor 2009 ky vend i madh dërgoi Zëvendëskryeministrin e vet. Për jo vetëm kinezët, ku simbolika e gjesteve është mënyra kryesore e të shprehurit dhe e të mbajturit qëndrim, por edhe për shqiptarët pas një veprimi të tillë gjithçka është e qartë. Kina e çmon veçanërisht shumë miqësinë me ne. Madje për ta bërë më të plotë këtë domethënie vëmë në dukje se ky shtet me mbi një miliard banorë që nga çasti i parë i lidhjeve diplomatike me Shqipërinë është përpjekur të jetë koherent në opinionin e tij. Kjo do të thotë se është edhe i qëndrueshëm në strategjinë e vet. Në rrethana të tilla Tirana zyrtare nuk mund veç të përcaktojë dhe zbatojë një kurs raportesh me të në përputhje me këtë të vërtetë e gatishmëri dashamirëse të Pekinit, si edhe me të gjithë skemën e marrëdhënieve të saj ndërkombëtare, ku përparësia e plotë dhe ekskluzive mbeten vendet e demokracisë perëndimore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Mirëpo këtë gjë nuk e kuptonte Enver Hoxha, edhe pse 60 vite më parë ishte edhe kontributi i tij në lidhjen zyrtare me Pekinin. Në atë raport atëherë kishin epërsi kriteret ideologjike, pra bënin miqësi shtetërore dy vende me sistem shoqëror komunist, por gjithsesi ngjarja e lidhjeve diplomatike qe e një rëndësie të madhe. Kur ndodhi drama e prishjes së këtyre marrëdhënieve, pra e zbehjes gjer në mos ekzistencë, sërish luajti rol dogma ideologjike. Në Pekin kishte ardhur për vizitë presidenti amerikan Riçard Nikson dhe kjo qe e mjaftueshme për Hoxhën të ndërpriste lidhjet diplomatike. Diktatori e kishte humbur me kohë mbështetjen e vendit demokratik të amerikanëve, por humbi njëherësh edhe atë të Kinës.
Veç Pekini komunist shihte më larg se kryekomunisti i Tiranës. Nuk i këputi të gjitha lidhjet, ruajti e mbajti më të nevojshmet. Kështu mes shkretëtirës së ftohjes, në prag të verës 1983, në kryeqytetin shqiptar mbërriti një delegacion kinez. Që më parë kishin rënë dakord të bisedonin për të rinisur marrëdhëniet ekonomike mbi bazën e interesit të ndërsjelltë. Pekinit i duhej krom, sepse me eksportin e tij nga vendi ynë kishin ndërtuar atëherë industrinë e shkrirjes së çelikut. U duheshin 37 mijë ton nga ky mineral, çfarë në kursin monetar të kohës donte të thoshte 3.600.000 dollarë. Duke qenë se dogma që qeveriste Tiranën ishte ndërtuar mbi rregullin se për të ruajtur “pavarësinë“ nga vendet “imperialiste” apo ato “revizioniste” do të blihej mall po kaq atëherë u kërkua që me po atë shumë dollarësh të merrej në Kinë pambuk. Ishte koha kur regjimi kishte rënë në kolaps të plotë ekonomik dhe pasi kishte mbaruar fazën e zhvillimit të quajtur “mbështetje pjesërisht në forcat tona”, pati hyrë në “tërësisht me forcat tona”. Kështu Shqipëria duhej ose të prodhonte gjithçka ose të blinte gjithçka. Ndërkohë nuk mund të bënte as të parën dhe as të dytën, veç të rrokullisej poshtë.
Në këtë periudhë të rëndë marrëzie ideologjike, por edhe absurditeti të pashëmbëllt ekonomik, u vendos që për blerje në shumën 3 milion e 600 mijë dollarë në Kinë të shkonte një delegacion jo vetëm për pambuk, por edhe plehra kimike, disa prodhime farmaceutike (sidomos antibiotikë), pse jo edhe për pjesë ndërrimi për armatimin e ushtrisë. Qenë bllokuar shumë tanke, veçanërisht nuk ishin më të përdorshëm jo pak avionë luftarakë “Mig”.
Kështu mes pesë vetëve të delegacionit të nisur nga Tirana në 27 nëntor 1983 qe edhe një pilot. Sigurisht nuk mungonte edhe ai që do të bënte blerjen kryesore: 2000 ton pambuk për industrinë tekstile në prag të falimentit. Ky i dërguar vinte nga Ministria e Tregtisë me Jashtë dhe qe një emër mitik në fushën e sportit: Agim Fagu.
Nga Rinasi delegacioni u ndal në Bukuresht. I duhej të priste radhën e avionit që prej aty do të fluturonte drejt Pekinit. Në ardhje të tij qenë tre ditë shumë të ftohta, temperatura të pazakonshme edhe për vetë Rumaninë. Në atë dimër të parakohshëm termometri kapërcente hovshëm nga minus dhjetë në minus njëzetë. Si pasojë jo vetëm e sistemit autarkik të komunizmit, por edhe të dogmës së ruajtjes së pavarësisë duke shlyer sforcueshëm borxhin e madh të jashtëm shumë miliardësh, vendi qe në varfëri e krizë të plotë. Në restorantin e hotelit nuk kishte asgjë për të ngrënë. “Vështirë në treg, nëpër qytet, të siguroje edhe ndonjë konservë”, dëshmon Agim Fagu. Sistemi i ngrohjes nuk punonte dhe në shtrat dërgata nga Shqipëria futej me gjithë rroba, ndonjëherë pa hequr as pallton e madhe. Tirana që nga Bukureshti, edhe pse nën dhembët e krizës ekonomike, dukej si të qe një mrekulli e tokës.
Në mbrëmjen e dytë morën pjesë në ambasadë në festat e Nëntorit, 28 dhe 29, ku nëpër atë akullimë kishin ardhur edhe mjaft bashkëkombës të diasporës. Edhe aty nuk kishte ngrohje, por ë ardhurit nga Tirana u ndjenë shpirtërisht mirë. Në 30 nëntor ngritja e avionit nga aeroporti i Bukureshtit qe shpëtimi nga një tmerr i pafund. Sa më shumë orë shkonin aq më tepër dërgata e të pestëve ndjeu se si ngadalë po u rritej në trup temperatura. Madje nga mos bërja e banjës në hotelin e Bukureshtit lëkura nisi t’u kruhej. Stacioni i ndalimit ndërmjetës qe Pakistani, aeroporti i Islamabadit. Prej andej për në Pekin duheshin edhe katër-pesë orë të tjera fluturim, kësaj radhe edhe mbi male shumë të lartë, mbi Himalaje. E megjithatë në bark të avionit qe ngrohtë. Delegacioni shqiptar, përfshi edhe vetë pilotin e sprovuar për tensione psikologjike, nisi të përgjumej. Në atë endje të gjatë nëpër ajër Agim Fagu tregon se ai dhe kolegët e tij gjetën poltrona më të gjerë në bordin gjysmë bosh dhe u përpoqën të përballnin heroikisht kruajtjet e trupit dhe torturën për gjumë. Përjetuan një kllapi të gjatë. U dukej se ai udhëtim ishte i pa fund, se kurrë në Kinë nuk do të mbërrinin ndonjëherë dhe se çdo stjuardesë e sjellshme që u vinte për shërbim komod i bezdiste.
Në Pekin, gjatë udhëtimit nga aeroporti për në ambasadë, panë se Kina nuk qe më ajo e para. E vunë re këtë gjë sidomos pasi u sistemuan në dhomat e zbrazura të përfaqësisë së tyre diplomatike, ku si pasojë e ftohjes së marrëdhënieve shumica e personelit qe kthyer me kohë në Tiranë. Tek dolën në rrugë dhe pastaj shkuan tek zonat e mëdha tregtare panë se askush nga kinezët nuk kthente më kokën nga ata. Nuk qenë fare kuriozë për këta evropianë. Më parë, nga që Kina kishte vënë në jetë dogmën ideologjike të mos hapjes ndaj të huajve, disa ardhës të rrallë në Pekin thëthinin sytë kureshtarë e të etur të vendasve. Mirëpo tashmë, në atë dhjetor 1983, rrugët qenë mbushur plot me të huaj. Deng me mall qenë edhe dyqanet. Gjithçka gumëzhinte. Bollëku ushqimor dukej gjithkund. Kinezët blinin pa pushim dhe pa bërë ndonjë pauzë të veçantë po ashtu gëlltitnin gatime të shumta. Kishte hyrë edhe fastfood-i amerikan. Me sa dukej vizita e presidentit Nikson kishte lënë pas ndikimin e vet, të paktën në ekonomi.
Por kinezët vraponin edhe për të punuar. Vendi kishte përftuar një ritëm të ri, shumë të gjallë. “Kjo ngjante në jetën e përditshme”, tregon Fagu, “sepse kur hyje në zyra ndeshje pothuaj të njëjtën administratë. Qe vazhdimisht e matur, e kujdesshme të të jepje po aq sa edhe ti. Korrektesa e pritjes së delegacionit shqiptar ishte e jashtëzakonshme”.
Më në fund katër nga anëtarët e ardhur nga Tirana zyrtare u kthyen pa mbushur dy javët e para, përfshi edhe pilotin. Ky i fundit nuk siguroi dot asnjë pjesë ndërrimi për ushtrinë. Pothuaj duarbosh dolën edhe kolegët e tij. I pesti i tyre, Agim Fagu, qëndroi një muaj dhe tre ditë. E realizoi të gjithë kontratën. Me të mund të mbahej edhe ca kohë industria e tekstilit, madje shkëmbimi për këtë mall vijoi edhe më pas.
Megjithatë ishte vetëm pambuk. Atë kohë në Shqipëri kjo fjalë kishte marrë një theks dhe kuptim të veçantë. E shoqëruar edhe me një fjalë tjetër donte të thoshte se ata që rrinin në krye duhej të iknin sa më parë.

Ylli Polovina








Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com