|
Duke pritur 28, por edhe 29 Nëntorin
Botuar në gazetën Shqip më 24 nëntor 2009
Në prag të këtij 28 Nëntori 2009, pasi kemi hyrë me të drejta të plota në NATO, ndërsa deri në heqjen përfundimtare të vizave hyrëse për në vendet e Bashkimit Evropian numërohen muajt e fundit dhe prej limitit të vitit 2020 në një pjesë të elitës politike të vendeve të Perëndimit po gjen përhapje dhe përkrahje propozimi që Shqipëria të mund të hyjë në BE në motin 2014, dëshironim të kujtonim e përshëndetnim njëri-tjetrin me besimin se sot më shumë se kurrë atdheu është i të gjithëve. Po kalojmë orë sublime të fatit të tij, me qindra vite të pritura. Pikërisht këto momente nuk është aspak e arsyeshme, absolutisht e dobishme të shpikim e shpifim tradhtarë, bashkëkombës që i shërbejnë të huajve, të quajturve armiq tradicionalë të shqiptarëve. Për fat të keq kjo përbaltje e madhe, disi e përmbajtur për këtej kufirit dhe që vazhdon të jetë e pa frenuar në disa troje kombëtare matanë kufirit tonë shtetëror, nuk jep shenja reshtjeje. Përse të mos e pushojmë përderisa kështu nuk i shërbejmë vetes?
Tejkalimin e të drejtës për këto akuza e gjen edhe tek ndonjë shkrimtar, por më shumë ajo intrigon mes protagonistëve të politikës, thua ajo nuk ka mjete të tjera më të efektshme djallëzimi të rivalit. Nuk jemi as popull dhe as shoqëri e pastruar nga shpirtshiturit, por këta janë pak. Shumë pak kanë qenë përherë, në çdo kohë. I kemi shumuar vet me dritëshkurtësinë tonë. Kur në anët tona vegjetoi diktatura e pas Luftës së Dytë Botërore tradhtarët e shpallur qenë me dhjetëra mijëra, mbase edhe dy, tre apo katërqind mijë. Mirëpo në historinë e një populli nuk mund të ekzistojë asnjë politikan, asnjë regjim dhe asnjë qeverisje me autoritetin ta zhveshë shqiptarin nga e drejta dhe pasioni i lindur i atdhedashurisë. Pikërisht se e drejta e përkatësisë kombëtare dhe e devotshmërisë ndaj vendit nuk përcaktohet dot as nga politika dhe as nga çfarëdo lloj ideologjie, as prej rrethanës se cila parti apo bashkim i tyre është përkohësisht në qeverisje, na jep një rast për ta rivështruar 29 Nëntorin, një festë që deri tani është lidhur me ngjarjen e çlirimit të Shqipërisë.
Para pluralizmit kësaj dite ia kishin tepruar meritat, shpesh fanfarat për të binin duke lënë si të dorës së dytë Ditën e Flamurit. Këto vitet e fundit, ndërsa shoqëria shqiptare nuk është në fillesat e saj të jetës së lirë dhe po merr përherë e më shumë standardet e zhvillimit evropian, po ngutet të shndërrohet deri në një rregull i funksionimit institucional përpjekja për ta zbehur këtë datë gjer në nënvlerësim. Në pamje të parë dukuria të lë të kuptosh se ftohja apo mëdyshja për 29 Nëntorin ka të bëjë me saktësinë e datës së vërtetë të çlirimit të Shqipërisë. Me një fjalë duket sikur ndikon një pezëm ndaj kësaj date, e akuzuar se ka qenë një kombinacion ideologjik me ditëçlirimin e Jugosllavisë. Pra qortuesit e saj lënë të nënkuptojnë se e kanë me datën, por jo me Ditën e Çlirimit. Mund të jetë edhe kështu, por paqartësia çdo vit e më tepër në vend të zvogëlohet, po rritet. Tani ajo që është mjegull sidoqoftë e depërtueshme nesër mund të bëhet mur i pakalueshëm. Në ndodhtë kjo e fundit do të kemi, edhe pse shumë në miniaturë dhe në një shoqëri të hapët, një përsëritje e padrejtësi të dhimbshme të asaj që u ndodhi të persekutuarve të ndërgjegjes gjatë gjithë gjysmëshekullit stalinist.
Për Ditën e Çlirimit dhe rëndësinë e saj nuk mund të ketë dyshim dhe lëkundje, po ashtu as për vlerën e saj të madhe kombëtare. Ajo nuk mund të bëhet e fajshme se solli në Shqipëri diktaturën. Një interpretim i tillë është antihistorik, madje në disa raste tërësisht bëhet për arsye ideologjike. Ata që u rreshtuan në radhët partizane, pra në formacionet e inkurajuara dhe të drejtuara nga komunistët, nuk kishin asnjë lidhje me këtë dogmë. Nuk e njihnin, jo më të qenë doktrinuar prej saj. Procesi i komunistizimit masiv i një pjesë të pjesëmarrësve në to, pra i partizanëve, nisi të kryhej në fund të viteve dyzetë, sidomos kur PKSh doli nga gjendja e ilegalitetit, 1947. Duke ua besuar këtë luftë çlirimtare pikërisht këtyre partizanëve të komunistizuar shumë e shumë vite pasi ajo u krye bihet në gabimin e madh të keqkuptimit sikur kjo rezistencë është e gjitha e drejta dhe monopol i tyre. Pjesës tjetër të popullit, pra atyre që ishin jo komunistë apo nuk u zunë besë lidhjeve me botën sllave dhe doktrinën e Stalinit, u paska mbetur si rrënjë dhe identitet vetëm ajo e partizanëve të bardhë, ballistëve, kontribut për çlirimin nga pushtimi shumë modest, në disa raste për gabime taktike dhe jo mosdashurie ndaj vendit, edhe i kompromentuar.
Gjer në Ditën e Çlirimit ata që luftuan në radhët e partizanëve të kuq ishin të çliruar nga çdo lloj ideologjie, qenë thjesht patriotë, pra kombëtaristë. Për ta dëshmuar këtë mjafton të kthehesh pas nëpër dekada, të shfletosh kujtime të regjistruara në ato vite dhe jo pas procesit të doktrinimit, dokumente të kohës, libra të të huajve të pranishëm në ngjarjet para fundnëntorit 1944. Kjo rezistencë që kulmoi në 29 nëntor me një territor shqiptar tërësisht të çliruar nga pushtuesit ishte një revolucion i madh jo vetëm për çlirim kombëtar, por edhe për liri sociale. Shqipëria e vonuar dhe gjysmë feudale, e cila deri atëherë nuk e kishte kryer dot shndërrimin e saj borgjez e demokratik, në fillim të viteve dyzetë kishte bulëzuar dëshirë dhe ëndrra ta kryente atë bashkë me luftën për çlirim. Në vitet e monarkisë u formësua një klasë e emancipuar intelektuale si edhe kapitalistët e parë. Kaq mjaftonin për ti dhënë shtysën një transformimi evolucionar të shoqërisë shqiptare. Po të mos ndodhte Lufta e Dytë Botërore dhe pushtimi, për pasojë edhe shfrimi i madh i kundërshtisë me armë, kjo mund të ngjante në vitet dyzetë ose e shumta në fillim të viteve pesëdhjetë. Që në Shqipëri ekzistonte fara e një shndërrimi progresiv borgjez dhe demokratik e kuptuan vetëtimshëm stalinistët në krye të partisë së tyre të hekurt në organizim dhe me ndjenjë të lartë vetëmohimi dhe sakrifikimi për triumfin e ideologjisë që kishin. Kështu ata e përdorën luftën çlirimtare dhe njëkohësisht e shpërdorën. Sipas porosisë së qartë të marrë nga Moska e atëhershme duke e shndërruar dhelpërisht nga një revolucion demokratik popullor për çlirim kombëtar dhe drejtësi sociale në një revolucion bolshevik ata e vranë të porsalindur projektin e madh të shqiptarëve për një vend me kufij të hapur, liri shprehjeje dhe organizimi, me ekonomi të lirë tregu si në vendet europerëndimore.
Aq e fortë qe prirja popullore për një Shqipëri të tillë sa që në fundtetor 1944 në qytetin e Beratit qeveria që u krijua u quajt Demokratike dhe po aty u shpall publikisht edhe respektimi i të gjitha të drejtave të njeriut. Të gjitha këto fjalë të bukura janë shkruar në kartë të bardhë. Kështu një muaj më pas, në 29 nëntor, edhe pse mashtrimi i madh kishte dhënë ndonjë shenjë, në vështrimin e atyre që parakaluan në mes të Tiranës para Enver Hoxhës dhe bashkëpunëtorëve të tij me siguri nuk ishte ajo Shqipëri e disa muajve apo viteve më pas, aspak ajo që u shemb pas një gjysmëshekulli.
Dita e Çlirimit duhet të shpëtojë nga keqkuptimi dhe moskuptimi i saj. Ajo nuk ka asnjë faj dhe asnjë përgjegjësi për çfarë ndodhi më pas. Në 28, 29 apo 30 nëntor 1944 Shqipëria ishte ende e gatshme që në rrethana të tjera ndërkombëtare, pra të një Jalte me të tjera vendime, ku në copën e letrës që Stalini i zgjati Çërçillit të qe shkruar Shqipëria 100 për qind amerikanëve apo anglezëve, pra Perëndimit, e ardhmja jonë do të merrte kahje tjetër. Gjer ato çaste as PKSh dhe as Enver Hoxha nuk përbënin ndonjë fatalitet.
Dita e Çlirimit nga pushtimi i dy diktaturave fashiste është një pasuri e madhe kombëtare, e të gjithëve. Në fund të fundit mënyra se si do të sillemi me të ka të bëjë me aftësinë tonë për të kuptuar në kohë kur dhe ku e kemi shansin historik, cilësi që, çështë e vërteta, e kemi për traditë shumë problematike.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|