Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Zbukuroni pemën e Vitit të Ri!


Botuar në gazetën “Shqip” më 11 dhjetor 2009

Shtatë dhjetor 2009. Në autobusin urban të mbushur gjer sa për të marrë frymë lirisht shtyhen xhamat e dritareve dhe një dorë tjetër udhëtari tërheq me forcë në tavan një kapak që brenda të vërshojë ajri, në ndenjësen e fundit një djalë rreth të dymbëdhjetave dremit shumë i lodhur. Është biond, me flokë të gjatë e të hijshëm, trup elegant e tipare që nëpër kontinent do të tundonin çdo menaxher të paradave të modës mashkullore. Djali duket qartazi që është njëri prej ardhësve në Tiranë nga veriu, një njeri i vërtetë bjeshke. Herë pas here koka e bukur i bie mbi prehër dhe më në fund gjen një copë rehatie pak minutëshe duke u shembur djathtas mbi bërrylin e një burri. Ky nuk bëri asnjë shenjë se ndihej i bezdisur. Që prej atij çasti nuk lëvizi më që të mos trazonte dremitjen e të riut. Tek këmbët djaloshi kishte lëshuar një kuti të vogël të kartontë me në buzë të saj nderur një duzinë stilolapsash dhe brenda çakmakë e ndonjë cikërrimë tjetër. Në Tiranë të gjithë i njohin këta çunakë që shesin kudo pakogjërat e tyre, janë një shtresë e tërë fëmijësh, mbase disa qindra, pothuaj të gjithë nga veriu i Shqipërisë. Me atë punë të mundimshme mbajnë me ushqimin minimal, pra bukë e një copë të imtë djathi, deri një familje të tërë.
Djali biond dhe i bukur në dremitjen e tillë të thellë një çast e lëshon sërish kokën mbi prehrin e vet dhe nga shpejtësia e rënies ajo duket sikur i këputet. Tek e sheh të vjen për të qarë. Ora e asaj dite të shtatë dhjetorit ende nuk kishte shkuar tetë, por derisa dymbëdhjetë vjeçarit i vinte pa pushim gjumë me siguri që për të shitur ndonjë çakmak halli e kishte zgjuar shumë pa zbardhur dita, pa ja dalë dot as të lante sytë. Gjendja e tij, ai mundim që përjetonte, i mbajti të tronditur të gjithë udhëtarët që ato çaste u ndodhën aty, afër tij. Nuk të bie rasti përherë të shohësh tek njerëzit e thjeshtë, pra tek ata të shumtë që në vend të makinave personale zgjedhin çdo mëngjes autobusat urbanë, të dëshmojnë sa shpirtdhimbsur janë. Disa gra e kishin vështrimin aq të turbulluar nga pikëllimi sa prej tronditjes nuk dinin çfarë të bënin, flitnin si të nemitura. Një nënë fare e re, siç marrim vesh më vonë nëpunëse në një ministri, i futi djalit në xhepin e bluzës cipëhollë një kartëmonedhë dhe mori nga kutia e kartonët një paketë të vogël leukoplasti. E pagoi me pesëfishin e çmimit.
Shqiptarët janë një popull ku defekti është aq i zhurmshëm dhe dënglaxhi sa nuk të lë të dallosh virtytin. Kështu na ndodh të kemi për veten jo një vlerësim real ose të ngutemi duke përhapur nëpër rrugë e në eter një imazh të përhimët, të paformë, as bardhë dhe as zi, në shumicën e rasteve të njëllojtë si të disa viteve më parë. Mirëpo harrojmë se ne po ndryshojmë me shpejtësi, mbase më shpejt se rrugët apo shtëpitë tona, dyqanet apo diskotekat. Rikthimi në kujtesë i të gjithë ditëve dhe muajve që dy dekada më parë përgatitën dhe realizuan pluralizmin tonë politik dhe të tregut vërtetojnë pikërisht këtë gjë: i pari i ndryshuar i madh ka qenë e mbetet shqiptari. Është ky njeri i thjeshtë që po prin përparimin, jo buldozerët apo ekskavatorët, veturat e shumta që na lëshojnë nëpër hundë një erë të keqe karburanti të papastër. Shqiptari i thjeshtë po aq sa elita e tij nuk është bërë tashmë vetëm mbartës i demokracisë, por edhe garantues i saj, mbrojtës me vetëdije. Ai po bëhet shpirtërisht përherë e më shumë qytetar i Evropës. Imazhi i tij, falë vlerës që po e dëshmon personalisht, veçanërisht jashtë vendit, është në përmirësim të shpejtë në të gjithë botën. Shqiptari nuk po bëhet vetëm më shumë punëtor, më i lirë dhe më i pavarur, më autonom për fatin dhe jetën e tij, por edhe më i ndjeshëm shpirtërisht, më fisnik, shumë më i humanizuar se disa dekada apo vite më parë. Ai ndërkohë është edhe më kërkues ndaj një të jetuari më të mirë. Përballë halleve që normalisht i krijon jeta ai ka nevojë në të njëjtën kohë të gjejë sa më shumë hapësira gëzimi, pas një dite të lodhshme më tepër mundësi për t’u shplodhur. Ja përse në vendet e zhvilluara shoqëria e veçanërisht ajo që konsiderohet gjëja publike, me në krye përfaqësuesit e saj më të spikatur, bën kujdes të madh t’i mbajë njerëzit në sa më shumë gjendje dhe hare njerëzore, të mos e tensionojë dhe rraskapitë veç në momente të jashtëzakonshme dhe për interesa mjaft të mëdha e të ngutshme kombëtare, të mos e tromaksë me konfliktualitet të lartë, me shtrëngime të forta e të menjëhershme, qofshin këto edhe mobilizime qytetare apo partiake.
Elita publike, ajo që ka fituar të drejtën e ushtrimit të pushtetit mbi shoqërinë, e ka për detyrë që në misionin e saj udhëheqës të sillet me bashkëkombësin e nënshtetasin me shumë dashuri, butësi e ngrohtësi. Prej këtej, pra nga nevoja për ta mbajtur një shoqëri në parametra humanizimi të përhershëm dha sa më të thellë, qytetërimi perëndimor ka krijuar e vendosur disa rregulla publikë që e kufizojnë të drejtën e gjithkujt, edhe të personit me meritat më të mëdha, për të shkarkuar mbi opinionin publik, tek njerëzit, shumë ndotje të luftës konkuruese për pushtet politik, mediatik apo shtetëror. Po ashtu janë vendosur limite edhe në përmasën e autoritetit profesional për të zbrazur mbi jetën e të tjerëve kotësi të jetës intime të Vip-ave të artit apo të gjithfarë thashethemexhinjve, manipuluesve të lajmeve dhe ngjarjeve, hajdutëve e gënjeshtarëve të pacipë, shpërdoruesve të kronikave të zeza.
Tek ne dhe mbi ne, shqiptarët, vijon të ketë një tepri të hedhjes së gjithfarë tensionimi dhe akoma pak kujdes që në impiantet partiake, mediatike apo të strukturave të tjera publike, të kryhet më parë “përpunimi” i këtyre mbetjeve helmuese, pastrimi, lehtësimi prej tyre. Një shoqëri vërtet nuk mund të jetojë si në një inkubator apo serë, por gjithsesi as në një llagëm. Fundin e këtij nëntori e kaluam me tre festa dhe dhjetorin po ashtu e nisëm me një tjetër, të merituar, datën tetë. Të tjera do të vijojnë deri sa të afrohen Krishtlindjet dhe festa e madhe e Vitit të Ri 2010. Në dhjetë ditë kapërcyem katër festa, por a nuk e vutë re se në ajrin e atmosferën e tyre kishte shumë nervozizëm, përplasje ideologjike, refuzim të njëri-tjetrit, mungesë të marrëveshjes e të dialogut, pasion e tundim për t’u përplasur. Në rast se me këtë frymë e mënyrë të festuari do të përjetojmë ngjarjet e tjera të gëzuara që na presin atëherë mjerë ne! Do të na hidhërohet çdo minutë e ditës, trishtohet çdo tryezë dhe kur të na trokasë në imagjinatë çasti magjik i ardhjes, me thesin simbolik të dhuratave mbi sup, i Plakut të Vitit të Ri, do të na mbesë në fyt kafshita e bukës.
Po shkojmë drejt 2010-tës. Ky do të jetë viti heqjes së vizave hyrëse për në vendet e Bashkimit Evropian, një ngjarje që do të ndodhë patjetër, sepse tashmë shumë vende dhe elita të Perëndimit njohin shqiptarin e thjeshtë, i besojnë shumë ndryshimit të tij, nuk e lënë pa ja vlerësuar, bashkë me klasën politike dhe elitat e tjera, meritën e madhe që ka në këtë arritje.
Disa vite më parë ndodhte që nëpër dyqane, fasada pallatesh të mëdha e pragje shtëpish të kishte më pak zbukurime për Vitin e Ri dhe shumë shpërthime kapsollash. Këto qenë një tmerr i vërtetë. Tani ky zakon i paqytetëruar i disa fëmijëve dhe i prindërve të tyre që i tolerojnë, është në zvogëlim. Është mpakur sepse janë shtuar kudo ujëvarat e dritave dhe pemët e Vitit të Ri. Ndërsa në 3 dhjetor në Tiranë vijonte të mosndjerit e festës së madhe popullore të fundvitit, në shtatë e tetë dhjetor, si të mbinin nga qielli, nëpër një hare të madhe, pse jo edhe si në një “protestë” të heshtur për tensionin e tepruar politik, u njëqindfishuan qelqet e zbukuruara të vitrinave dhe hollet e magazinave e hoteleve. Pritet që sa më shpejt edhe Bashkia e Tiranës në lulishten e sheshit “Skënderbeu” të ngrejë, siç do vit e ka bërë të ëndërrt, pemën e saj me drita të shumëngjyrta dhe të rrethuar nga silueta kaprojsh.
Asgjë nuk e ndalon ballafaqimin politik dhe pengon rezultatin e tij, por gjithçka e kryer prej gjithkujt që mund të ndikojë në jetën tonë, i bën ato më të pranueshme.
Një kat mbi apartamentin tim, fqinja që është një studente e porsadiplomuar, tashmë vari mbi ballkon një shatërvan të tërë me dritëza që nëpër natë, gjer në të gdhirë, feksin pa pushim. Një çast të mbrëmjes së 8 dhjetorit edhe shoqja ime e jetës më vuri mbi tryezën e punës një rruzull të bukur shumëngjyrësh, të sapo blerë, një nga ato që vendosen nëpër degët e gjelbra të pemës së Vitit të Ri.


Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com