Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Midis ylberit dhe arbëreshes Rina


Botuar në gazetën “Illyria”, Nju Jork, më 15 dhjetor 2009.

(Pas një vizite në Arbëri, shkrimi i parë i një cikli me tre reportazhe që do të botohen në “Illyria” gjatë muajit dhjetor)

Nuk është hera e parë që marrim rrugën për në Arbëri, në ato vise të Italisë së Jugut, të cilat për një arsye që del mbi të gjitha rregullat e emërtimit të territoreve, thirret kështu thjesht prej një ndjenje të fortë malli bashkëkombësish, pra që gjallon midis nesh, shqiptarëve të përkëtej detit, në gadishullin Ballkan, dhe atyre andej, të vendosur pesë shekuj më parë në gadishullin Apenin. Kështu, Arbëri, quheshin trojet autoktone shqiptare pesëqind vite shkuar dhe arbër të gjithë paraardhësit tanë. Me gjuhën e vendeve të tjera, veçanërisht ato me rrënjë latine, këto hapësira thirreshin Albania dhe banorët albanë. Në të shqiptuarin e helenëve, në jug të gadishullit tonë, arbërit quheshin arvanitas, në atë kroate, në veri të tij, arbanas. Ata të shumtë që kapërcyen detrat Adriatik dhe Jon, edhe pse fonetika e gjuhës italiane shqiptimin e fjalës origjinale të të mërguarve, pra tingëllimin “arbër”, nuk e kishte shumë komod dhe zyrtarisht prirej ta formulonte në “alban”, u shtrëngua ta ruante në formën që deshi dhe nguli kembë diaspora e re e krishterë. Kjo ndodhi kështu sepse të porsaardhurit nuk bënë asnjë lëshim në formën se si quheshin, siç nuk bënë edhe për asnjë tjetër që e cilësonin shumë të rëndësishme për të ruajtur identitetin e tyre etnik. Deklaruan që në fillim se qenë arbër dhe në Itali ashtu u mbeti për qindra vite të tërë, deri sot.
Dihet që me emrin e sotëm “Shqipëri” dhe “shqiptar” historikisht jemi thirrur më pas. Pesë shekuj të shkuara ky qe një emërtim i dytë, i cili dublonte të parin, por që për një mister akoma të paqartësuar deri në fund dhe në mënyrë bindëse, sa më shumë vite vraponin, u bë titullimi ynë i parë. Prej një ngazëllimi sa më shumë mes njëri-tjetrit i mëshonim emrit të ri, ndoshta të përkëdhelur nga një hamendje se fjala Shqipëri e shqiptar vinte nga “shqiponjë“ dhe se ne, jo pak vetëmburrës nga natyra, qemë banorë të “vendit të shqiponjave”, shtymë drejt mjegullës së mospërdorimit fjalët e bukura autoktone Arbëri dhe arbër. Këtë gjë nuk e bëri bota. Ajo edhe tani na thërret e regjistron në dokumente e libra, në harta e celuloidë filmash, në edicione lajmesh nëpër radio e televizione, vetëm Albania dhe albanes.
Të munduar nga ndjenja e dyzimit, pra që jemi shqiptarë por paraardhësit tanë që emigruan në Itali quhen me emrin origjinal e të qëmotshëm, me frymën mbajtur pezull nga emocioni hyjmë në ato territore, ku pas një gjysmë ore që kemi lënë pas qytetin e madh port të Tarantos, tabelat anë autostradës që shkon drejt jugut, në të majtë e në të djathtë, regjistrojnë emrat e fshatrave dhe qytezave arbëreshe. Quhen San Costandino Albanese, San Paolo Albanese, Civita, Falconara Albanese, Firmo, Frascineto, Lungro, Plataci, San Basile, San Benedeto Ullano, Santa Sofia d’Epiro, San Cosmo Albanese, San Demetrio Corone, Machia Albanese, San Giorgio Albanese, San Caterina Albanese, Spezzano Albanese, Vaccarizzo Albanese...
Në atë 27 nëntor 2009 në autostradë kalojmë disa syresh prej tyre, pa u ndalur. Për të hyrë në Arbëri ka shumë porta, por kësaj here kemi zgjedhur njërën, ndoshta më sugjestionuesen, atë që të çon në Frashinjetë dhe Çivita. (Shënojmë për lexuesin se që prej këtij çasti në të tre reportazhet emrat e vendbanimeve arbëreshe do t’i përdorim vetëm në të folmen e bashkëkombësve tanë, jo në atë italiane).
Ora po i afrohet mesditës dhe siç me kohë televizionet vendase kanë paralajmëruar moti në jug do të ketë herë pas here shfrime shiu. Shkulma e tij e parë na zë pikërisht kur po i ngjitemi të përpjetës, atij mali ku në shpatullat dhe thellimat shkëmbore i rrinë si në foleza dy qytezat arbërore. Prej brylit të rrugës tej në horizont, në lartësi, me shpatullat e shtëpive të bardha pothuaj çikur me qiellin, mund të shihet Çivita. Praninë e afërt të saj e paraqesin edhe dy tabela-reklamash buzë rrugës, ku edhe menjëherë e ndalim makinën. Në to udhëtari ftohet në një restorant-piceri si edhe hotelin “Foleja e shqiponjave”. Nisim të bëjmë fotografitë e para të takimit me Arbërinë. Kujdesemi që në objektiv të pamjeve, të cilat fiksojmë, të hyjë Çivita. Nga silueta ajo të jep përherë ndjesinë e një Kruje.
Shiu papritur qetohet dhe na lë të shmallemi me pejsazhin. Çivita dhe Frashinjeta janë afër detit Jon, por atje ku kemi ndalur ai ende nuk shihet. E pengojnë shpinat e disa kodrave. Duhet të ngjitemi më lart që e kaltëra e tij më në fund të feksë.
Nuk duhet të vonohemi dhe hipim në makinë. Ndërsa motori i saj u vu në lëvizje ngjau një çudi. Mbi kurorën e kodrave në të majtë, prej andej ku duhej të gjendej deti Jon, u shfaq një ylber. Dukej i dridhshëm, i brishtë, i prishëm nga çasti në çast. Dhe në të vërtëte mbajti jo më pak se njëzetë sekonda, por arrita me një frymë t’i bëj pesë pamje. Tashmë isha i ngazëllyer. Ai ylber mbi Arbëri qe një shenjë e mirë. Dukej sikur me atë shirit të shumëngjyrshëm donte të na bashkonte ne shqiptarët me bashkëkombësit tanë të vjetër. Kur thonë se po ta kapërcesh një ylber të jesh vajzë bëhesh djalë përse ato çaste të mos na ngrohte dëshira që duke e kaluar brezin e ndritshëm që na u shfaq tamam para portave të Arbërisë, nga shqiptarë do të bëheshim arbëreshë.
Në të dy qytezat Frashinjetë dhe Çivita kemi shumë takime pune, të paktën pesë dhe të gjitha duhen kryer brenda asaj mbasditeje dhe mbrëmjeje. Do të shkohet në Bibliotekën “Bellusci” dhe ideatorit e njëkohësisht pronarit të saj, studiuesit Papàs Antonio Bellushi, për kontributin e shquar albanologjik do t’i jepet një letër përgëzuese nga Nënkryeministri i Shqipërisë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Muzeut Etnografik të Frashinjetës do t’i dhurohen tre ikona të krishtera ortodokse shqiptare, një mesazh tjetër përgëzimi nga funksionari i lartë i Tiranës në Çivita do t’i dorëzohet redaksisë së revistës “Katyndi Ynë”, e cila në janar 2010 mbush dyzetë vite jetë të vyer...
Por autori i këtyre radhëve ka intimisht edhe një dëshirë tjetër, një si grishje dhe trazim që e mban fshehur, por nuk e tulat dot. Do të takojë Rinën. Rina është e motra e Papàs Antonios, prej disa vitesh e ve dhe që banon bashkë me të vëllanë, edhe ky për shkak të profesionit të priftit ortodoks, i pamartuar. Me Rinën dhe Papàsin kemi njëmbëdhjetë vite që takohemi dhe shihemi, flasim në telefon dhe shkëmbejmë ndonjë mesazh. Kur në 1998 hyra për herë të parë në shtëpinë e Bellushëve vëlla e motër, Antonio më magjepsi menjëherë me frymën kombëtariste që kishte. Më pas do të studjoja shumë libra të arbëreshëve e do të kuptoja se bashkëkombësit tanë qenë dy herë rilindas, se ata jo vetëm patën mbështetur Rilindjen Shqiptare, por u kishin dhënë jetë edhe Rilindjes së tyre, asaj Arbëreshe.
Shumë gjëra këtej janë dhe nuk janë si në anët tona. Pa atë shtresën viskoze të pesëqind viteve osmane gjithçka në historinë e sjelljen e tyre është si vetë e folura që kanë, gjuhë tërësisht muzikale, plot tofjalësha të butë edhe kur i duhet të shprehë një zëmërim. Ka shumë vetpërmbajtje, mjaft delikatesë, shumë figurshmëri poetike. Sa shumë perëndimorë kemi qenë!
Kur hymë në Frashinjetë rrugica për në Bibliotekën “Bellusci”, e cila në një pjesë të ndërtesës është edhe banesë e vëlla dhe motrës Antonio e Rina, na bën një surprizë. Papàs ka dalë në mes të saj i veshur me rrobat e priftit të lartë të Kishës Bizantine Lindore, të asaj që ne e thërresim Kisha e Krishterë Ortodokse. Sipër siluetës së tij, në parmakët e një ballkoni që sheh dhe var kangjellat dhe vazot e luleve mbi rrugë, është nderur i madh një flamur i kuq me në mes shqiponjën e zezë. Nën erën gufuese të asaj maje mali ai fërkon palët e mëndafshta pothuaj gati mbi supet e Antonio Bellushit. Arbëreshi i njohur, një nga kombëtaristët më të mëdhenj që ka Arbëria, por pse jo edhe Shqipëria e të gjithë shqiptarët, duket sikur atë flamur e mban në duar, tamam si në pamjet që në kujtesën tonë vijnë prej çetave të Rilindjes.
Rina rri pak më mbrapa të vëllait, saktësisht tek pragu i derës. U afrohemi dhe në një përqafim të gjatë e të gëzuar i nderim duart njëri-tjetrit. Pak çaste dhe tashmë unë e di çfarë do të ndodhë. I njoh mirë që të dy. Në fillim dëgjohet zëri i bukur i Rinës, ku çdo tingull është pjesë e thirrmë e shpirtit. Ajo nis të këndojë. Është himni ynë kombëtar. Ai, i cili që në vargun e parë thotë “Rreth flamurit të përbashkuar, me një dëshirë e një qëllim”. Menjëherë pas Rinës, më zërin e fortë burrëror, pason Papàs Antonio. Është një duet që të drithëron. Duke kënduar ndoshta me mijra herë zërat e tyre janë harmonizuar gjer në përsosmëri. Ose ndoshta motër e vëlla që nga fëmijëria e tyre ashtu i kanë patur tingujt e shpirtrave. Në shtëpinë e Bellushëve, edhe pse prindërit e Antonio e Rinës qenë blegtorë e fetarë të thjeshtë, e folura dhe e kënduara arbërisht ishte rregull shumë i rreptë. Në kujtimet e Papàs mund të gjesh edhe një hollësi. Kur qe fëmijë po të fliste ndonjë fjalë italisht, në rast se herën e parë të “gabimit” kishte marë një qortim, herën e dytë e priste hakërrimi i pëllëmbës. I jati nuk e përdorte shuplakën për asnjë lloj ndëshkimi, madje edhe ku fëmijët kishin bërë ndonjë faj të rëndë, por nuk e falte harrimin e gjuhës arbërore. Këtu qe i ashpër, pothuaj i vrazhdë. Ai nuk e donte harrimin e gjuhës sepse e dinte që bashkë me të binin të shkërmoqura dhe bëheshin pluhur e hi të tëra zakonet e mëmëdheut të tyre, të gjitha këngët. Shuheshin njëra pas tjetrës vallet, fjalët e urta, emrat e zogjve, frutet e pemëve, ritet e lindjes dhe të vdekjes, si punohej me pendën e drurit, çfarë fjale të ëmbël duhej të zgjidhje për t’ia shprehur ngrohmën e zemrës vajzës që doje.
Para se të merrja vesh çfarë rregulli të rreptë kishte në Frashinjetë dija vetëm një ngjarje të ndodhur në një qytezë të madhe të arbëreshëve, jo në Kalabri, por në Siçili, në Piana degli Albanesi (Hora e arbëreshëve). Këtu një mbledhës i foklorit, tek kalonte në një rrugë buzë një shtëpie, kishte dëgjuar se si e jëma nuk i jepte ujë fëmijës së saj të mitur në rast se nuk e shqiptonte mirë në arbërisht togfjalëshin “Dua ujë!” Studjuesi i tronditur e kishte ndjerë vogëlushin të qante me dënesë e të lutej për të shuar etjen.
Kur u futëm në studion e Papàs Antonio Bellushit, atje ku ndodhen tryeza e punës, televizori, kompjuteri dhe disa nga shumë librat e shkruar prej tij, zëri i magjepës i Rinës nis një këngë tjetër. Është “himni” i arbëresheve, “Moj e bukura Morè”, ato vargje që thonë “Moj e bukura Morè/Si të lash e më s’të pash/ Si të lash, si të lash...”.
.................
Shtëpia e dy Bellushëve nuk është vetëm biblioteka, por gjithçka tjetër. Është pothuaj një muze, ka dhoma të tëra plot objekte që nga kostumet arbëreshe e deri tek enë e sende të jeteses së përditshme. Aty nuk mungojnë dokumente dhe harta. Madje edhe një kthinë e vogël ku ndodhen dy tezgjahe dore të Rinës, është pjesë e këtij muzeu të madh. Ndërsa ajo punon përditë në vegjë këndon me dhjetra këngë. Në shpirtin e zërin e saj Rina ruan një thesar të tërë të krijimtarisë gojore të arbëreshëve.
Në sallën e madhe të bibliotekës ndodhen me mijra libra, të gjitha revistat e zgjimit dhe të realizimit tonë kombëtar, që prej “Drita” nga Shqipëria, “Albanezul” nga Rumania, “Flamuri i Arbërit” nga Italia (koleksion që nis që prej botimit të parë më 1883). Këtu janë të gjithë numrat e revistave “Zgjimi” dhe “Katundi Ynë”. Kanë një vend të veçantë, të lidhura me shumë kujdes, gazetat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Dielli” dhe “Illyria”
“Kjo bibliotekë është tata e mama ime”, shqipton Papas Antonio me zërin e tij të qëndisur me një ton karakteristik këndues, pak nga ndikimi i kulturës së retorikës rilindase dhe me siguri pjesërisht edhe prej ushtrimit të ritit të krishterë të meshës në kishën e Frashinjetës “S.S. Maria Assunta”. “Këtu vijnë studjues, vijnë nxënës nga shkollat. Dera është e hapët, kushdo vjen e lavdëron të zot. Jemi si në një zemër, këtu jemi vëllezër, është besa që na lidh shpirtin. Këtu kemi bashkë Shqipërinë me arbëreshët, ata nga gjaku ynë që ndodhen në Rumani, në Greqi, në Turqi, në Amerikë”.
Papritur ngrihet zëri melodioz i Rinës. Vargjet e këngës thonë “Skënderbegu vjen nga qielli”, “vjen bashkë me ne”, “se na jemi gjak i shprishur”. Pastaj vargjet thërresin “Mos na harroni, na jepni dorën, o vëllezër!”, “se ne kemi vitën tonë (jetën)”, “Skënderbegun na kujtojmë” dhe sërish “se na jemi gjak shprishur”, “mos na harroni, na jepni dorën, o vëllezër!” Tani këndonte dhe Antonio. Kur vargjet dhe tingujt shkuan gjer fundit të dy Bellushët duartrokitën. Pastaj në një gojë thirrën “Mirseadhët!”
Pas një grime të vetimtë hutimi më në fund thirrëm edhe ne “Mirse ju gjetëm!” Tashmë, ashtu siç me kumtin e shfaqjes së tij na paratha ylberi i brishtë në faqet e kodrinave mbi detin Jon, qemë zhndërruar në arbëreshë. Është një magji që ngjan vetëm në ato anë dhe ua urojmë të gjithë shqiptarëve t’u ndodhë kur të marrin vendimin e madh e të shkojnë në ato qyteza, tek ata bashkëkombës të dëshiruar nga një mall, të cilin siç nuk ua kanë shuar dot pesëqind vite, nuk do t’ua fikin dot kurrë as pesëdhjetë mijë të tillë.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com