Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Mirëkuptim për të treguar një ngjarje të vitit 1988


Botuar në gazetën “Shqip”, më 20 dhjetor 2009

Siç është jeta e një vendi, një vijimësi, ashtu ndodh edhe me fatin e njeriut. Janë një e tërë, jo copëra të këputura. Nuk mund ta gjykosh një njeri vetëm nga një grimcë muaji apo edhe tërësi dekade, siç një duhmë po shfryn këto ditë, por nga e gjithë jeta e tij. Si mund ta vlerësosh Shqipërinë realisht duke kujtuar, për shembull, vetëm vitin 1920, kur nuk kishim rrugë automobilistike, asnjë metër shine hekurudhore, asnjë fabrikë, as edhe një filial universiteti. Para dy-tre javësh puna na e solli të gjendeshim në fshatin Roshnik të Beratit dhe në shkollën e tij gjetëm një klasë të pajisur me mbi njëzetë kompjuter dhe internet që vinte prej një burimi satelitor. Inspektori përkatës i Drejtorisë Arsimore, një mësues matematike që njihet për pasionin e saktësisë, na shpjegoi se në gjashtëdhjetë shkolla, të mesme por edhe jo pak tetëvjeçare, nga qendra e qytetit deri në fshatrat më të largët, qenë të pajisura gjithsecila me nga një klasë me kompjuter e lidhje interneti. Në ditët e sotme që të jemi një vend plotësisht modern sa gjëra ende na kanë mbetur pa u bërë, por kjo që pamë do të thotë një shoqëri me standarde shumë të përparuara edhe për kohën e sotme. Sa pak e dinë këtë gjë, sa shumë pavëmendje gjendet mes nesh për ta bërë të dukshme këtë shpresë zhvillimi, këtë hop. Fryma e pa pushuar elektorale e konkurrimit politik, me nga pas shumë (oh, sa tepër janë!) ndjekës të saj deri edhe në fushën e historisë, nuk na japin kohën e mjaftueshme për të reflektuar jo vetëm në të metat apo të këqijat tona, por edhe në vlerat e të mirat, kurdo që të jenë krijuar. Mentaliteti i mohimit po na kthehet në ves, po përhapet si lëtyrë kudo, po mbulon me zgjyrë këdo që i del përpara. Diktatura realkomuniste siç dihet peshoi e dhunoi shumë mbi çfarë kishte pozitive periudha e qeverimit nga Ahmet Zogu. E akuzuara e madhe u bë edhe ajo vetë më pas, madje e tillë do të mbetet edhe në të ardhmen, historikisht. Megjithatë pikërisht që për shumë rrethana dramatike për një gjysmë shekulli shqiptarët nuk mundën dot të përjetonin e jepnin më shumë mbrothësi për veten e vendin e tyre, në prag të vitit 2010, pra plot dy dekada kur jemi ndarë nga e shkuara, është më e dobishme të mos rrëmbehemi nga tundimi propagandistik për ta tejnxirë më të zezën.
Për të pasur një lloj imuniteti nga fryma totale e mohimit duhet të rikujtojmë mençurinë e Dritëro Agollit kur në fillim të viteve nëntëdhjetë shqiptoi një nga urtësitë më të mëdha të kohës së vështirë e të ndërlikuar të tranzicionit. Ai tha se të gjithë protagonistët e krijimit të një Shqipërie të hapët pluraliste kishin dalë nga mitra e përgjakur e diktaturës.
Për ta mbyllur këtë thirrje morale (janë bezdisëse kur teprohen), lexuesi do të na lejojë të tregojmë një histori nga mijëra e mijëra që gjithkush prej nesh di apo ka mësuar nga të tjerë. Ngjarja ka ndodhur në vjeshtë të vitit 1988, kur qe akoma si rend kushtetues e quajtura diktaturë e proletariatit dhe ka për protagonistë tre nga ata që në vitet nëntëdhjetë e deri tani dëshmuan shërbime të palëkundura dhe të vyera për demokracinë.

ooo

Përfaqësia diplomatike shqiptare në Beograd për disa vite me radhë kishte bërë përpjekje për të kryer një vizitë zyrtare në Prishtinë, por nuk ja kishte dalë dot. U duk si shenjë e mirë ajo që ndodhi në 6 shtator 1988, kur ndërsa ambasadori Kujtim Hysenaj u prit nga kryetari i Kuvendit të Serbisë Boris Joviç atmosfera e takimit qe e ngrohtë. Njeriu i lartë i shtetit më të fortë të Jugosllavisë kishte qenë ambasador në Romë në vitet 1978-79 dhe gjatë bisedës e përdori këtë fakt të karrierës së tij për t’i dëshmuar kolegut të Tiranës sa më shumë afri.
Pas kësaj ngjarjeje nuk vonoi të reagonte Protokolli i Shtetit i Republikës Federative. Njoftoi se dha lejen zyrtare për vizitën e diplomatëve shqiptarë. Ajo do të kryhej në datat 26-27 shtator. Kjo do të thoshte jo dy net, por dy ditë, pra diçka më tepër se njëzetë e katër orë. Po ashtu vizita do të realizohej vetëm në Prishtinë, me takime në katër institucione dhe pa të drejtën për t’u kontaktuar me të tjerë, njerëz të thjeshtë të ishin apo edhe akademikë e profesorë.
Kur në mëngjesin e vonë të 26 shtatorit ambasadori Kujtim Hysenaj dhe bashkëshortja e tij Mimoza, këshilltari Leonidha Mërtiri dhe një koleg tjetër u nisën nga selia e përfaqësisë në rrugën e njohur beogradase Knjaz Millosha, pas makinës së tyre, siç ishte rregull i përhershëm, ndezi motorët edhe një veturë me brenda civilë jugosllavë. Në pesë-gjashtë orët e udhëtimit drejt Kosovës makina shoqëruese nuk iu nda. Diplomatët shqiptarë qenë mësuar me të. Njerëzit brenda saj në të vërtetë asnjëherë nuk i provokonin, ata vetëm i ndiqnin pas, në qytete të ndryshme gjithnjë duke ndërruar jo vetëm makinat por edhe personat. Nuk ishte hera e parë që bashkëpunëtorët e ambasadorit patën hyrë në Kosovë jo për të kryer takime pune, por thjesht në kalim, pa u ndalur, për të shkuar menjëherë drejt kufirit shqiptar, Kukësit. Këto udhëtime qenë një nga mënyrat që diplomatët përdornin jo vetëm për t’u dorëzuar kolegëve të tyre të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të ardhur enkas nga Tirana, ndonjë material të rezervuar por edhe thjesht për të shkuar e kaluar pushimet e vitit pranë familjeve të tyre.
Kur në orët e pasdites së vonë të 26 shtatorit 1988 makina e ambasadës hyri në kufirin e Kosovës i gjithë emocioni që kishin pasur prej ditësh diplomatëve shqiptarë iu mblodh në fyt si një gulç ngashërimi. Kalimtarët buzë rrugëve apo edhe ata të hipur në vetura e çdo mjet tjetër udhëtues nisën t’i përshëndetnin me mall e gëzim të dukshëm.
Kur hynë në Prishtinë nata qe e thellë. I mbushur me drita qyteti iu duk i ngrohtë, si një shtëpi e bërë gati për miqtë, duke hapur odën e madhe.
Në rrugën drejt hotelit vunë re se sytë e bashkëkombësve buzë trotuareve pasi u gëzoheshin me tundje duarsh pamjeve të tyre pas xhamave të veturës, i ngulitnin vështrimet tek flamuri i vogël shqiptar i vënë në krye të makinës. Para hotelit, ku do të kalonin atë natë, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë, priste Kahremani, shefi i Protokollit i Presidencës së Kosovës. Ora qe afër njëzetë e dy dhe pasi kryen formalitetet e regjistrimit, i thanë natën e mirë pritësve. Pastaj u ngjitën në katin e tretë, ku kishin dhomat. Kujtim Hysenaj dhe Leonidha Mërtiri kur në korridor panë që ishin vetëm dhe nuk i shihte kush me një veprim spontan dhe të kryer njëkohshëm iu hodhën në krah njëri-tjetrit. Ndenjën ashtu për një kohë të gjatë, duke ndjerë se të dyve trupi u dridhej. Qenë emocionet e mallit për Kosovën, një torturë që në Beograd vazhdimisht i mundonte. Kësaj radhe kishin fatin ta shihnin, ta vizitonin zyrtarisht dhe ta preknin “me dorë“.
Në mëngjes u nisën për në Presidencë. Kësaj radhe, duke qenë se qe ditë, njerëzit që i përshëndetnin dhe i ngulnin vështrimin me adhurim flamurit të vogël në krye të makinës u shumëfishuan. Bashkëkombësit të cilët tundnin duart që nga makinat e tyre po ashtu, u shtuan. Në Presidencën e Kosovës i priti Remzi Kolgeci. Kujtim Hysenaj që në fillim i kishte dhuruar një shishe konjaku “Skënderbeu” dhe tjetri, edhe pse pati thënë se nuk pinte asnjë lloj pijeje, e kishte kthyer gotën e parë, të dytën dhe po bëhej gati për të tretën. Ndërkohë kishte hapur derën dhe zgjatur kokën Kahremani, duke u kujtuar se koha e bisedës së planifikuar kishte kaluar pesë minuta. Remzi Kolgeci nuk iu përgjigj. Pas pak mbaroi biseda për çështjet zyrtare dhe kapërceu në ato shoqërore, deri edhe familjare.
Në këtë kohë Remzi Kolgeci kishte kthyer edhe gotën e tretë të konjakut “Skënderbeu” dhe po u thoshte “Shih, këtë gjë nuk e kam bërë kurrë. Po e bëj për ju, gëzimin që më jepni”. Tek dera e porsahapur zgjati edhe njëherë tjetër kokën Kahremani. Tha se qenë bërë njëzetë minuta mbi afat dhe se duhej bërë takimi tjetër. Presidenti sërish nuk iu përgjigj. Vetëm kur pas një çerek ore shefi i Protokollit futi sërish kokën Remzi Kolgeci shfryu “Ja, nuk të lë rehat as Kahremani!”
Më në fund u ndanë. U përqafuan fort.
Takimet e tjera diplomatët e Shqipërisë i bënë në Këshillin Ekzekutiv, Kuvendin e Prishtinës dhe tek Oda Ekonomike. U nisën drejt Beogradit pa rënë plotësisht nata.
Të nesërmen më 28 shtator gazeta “Nova Makedonia” botoi një shkrim, në të cilin ankohej se çfarë donte në Prishtinë ambasadori i Shqipërisë me flamurin në krye të makinës. Në ditë më pas iu përgjigj Protokolli i Shtetit të Republikës Federative të Jugosllavisë, duke e siguruar se gjithçka qe kryer sipas një lejeje të rregullt.

ooo

Megjithatë Jugosllavia nuk kalonte orë të qeta. Vetëm pak ditë më vonë, në 9 tetor, në një miting të ndërkryer prej Sllobodan Millosheviçit dhe që kishte për shenjim shtypjen me dorë të hekurt të lirisë për vetëvendosje të Kosovës, në turmën e eksituar qe bërtitur me histeri “Ec përpara Sllobodan, po qe nevoja edhe deri në Tiranë!”
Nëpërmjet kronikave të drejtpërdrejta dhe edicioneve informative të mediave që e kollitnin pa pushim, përfshi në kor edhe ato periferike si Radio-Titogradi, klithma u përhap në të gjithë vendin. Filluan ta hedhin në eter edhe agjencitë e huaja të lajmeve me rezidencë në Beograd. Kur në kryeqytetin jugosllav doli gazeta e mbrëmjes me në faqen e parë “Ec përpara Sllobodan, po qe nevoja edhe deri në Tiranë!”, tashmë ajo që pati ndodhur ishte përcjellë me mesazh të mbyllur në Tiranë. Diplomatët e karrierës ia kishin dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme, zbuluesit e mbuluar formalisht me statusin e diplomatit, kishin bërë të njëjtën gjë, në mënyrë të pavarur nga ambasadori, drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme. Të dy alarmet shkuan menjëherë në krye të piramidës së shtetit të kohës. Ishte mesnatë dhe ndërsa në godinën e ambasadës të gjithë punonjësit qenë në punë, mbërriti nga Ministri i Jashtëm Reis Malile urdhri që të nesërmen të bliheshin të gjitha gazetat më kryesore, saktësisht të gjitha ato që citonin thënien kërcënuese apo përshkruanin dinamikën e plotë të zhvillimit të mitingut, përfshi patjetër edhe të përditshmet me të gjitha komentet apo analizat që bëheshin për të dhe bashkë me tufën e tyre menjëherë një nga diplomatët profesionistë të nisej për të ardhur në Tiranë.
Situata e re iu bë e ditur trupës diplomatike të nesërmen, 10 tetor. U blenë gazetat. Qenë shtatë copë, tre prej të cilave me titullin kanosës dhe germëmadh në faqen e parë. Ambasadori Kujtim Hysenaj u bëri leximin e kujdesshëm dhe i dërgoi raportin e parë të mbyllur Ministrisë. Nuk kishte asnjë dyshim se gjendja e papritur nuk dukej se paralajmëronte ndonjë agresion ushtarak drejt Shqipërisë, se klithma kërcënuese qe për konsum të brendshëm, për të tutur republikat e tjera jo serbe si edhe për ta përgatitur mllefin radikal serb të binte mbi Kosovën. Po të tulatej ajo atëherë do të ndiheshin më të dobësuar edhe sllovenët, edhe kroatët, edhe boshnjakët.
Në orën dhjetë të paradites Hysenaj kishte caktuar edhe diplomatin që do të nisej drejt Tiranës. Ky do të qe i ngarkuari me shtypin dhe analizën Leonidha Mërtiri. Nuk ishte hera e parë që drejt kufirit apo edhe vetë kryeqytetit shqiptar nisej nga Beogradi një makinë me një apo dy diplomatë brenda dhe futur në çantë një paketë materialesh të shkruara e të mbyllura me vulosje. Kur superzarfi fillonte rrugën për në kufi drejt të njëjtës pikë takimi me kohë nga Tirana qe nisur një korrier diplomatik. Zakonisht kontakti kryhej në Hanin e Hotit, edhe pse të ardhurit nga Beogradi pëlqenin që kjo të ndodhte në brinjën tjetër të kufirit shtetëror, në Kukës. Dëshironin shumë të kalonin nëpërmjet Kosovës. Mirëpo në këtë çështje nuk qenë të një mendjeje ata të Ministrisë. Për të dalë në këtë anë të kufirit rruga ishte shumë e gjatë dhe rraskapitëse. Kështu që në më të shumtën e herëve marrja në dorëzim e materialit të mbyllur bëhej në postën kufitare të Hanit të Hotit. Pas kësaj të dy makinat kryenin rrugëtimin në drejtime të kundërta. Korrieri i Ministrisë ngutej drejt Tiranës, diplomatët me mision në Jugosllavi riktheheshin me shpejtësi drejt Beogradit.
Leonidha Mërtiri dhe shoferi e nisën nxitimin e tyre drejt kufirit shqiptar në orët e para të pasdites. Kur ora shënoi gjashtëmbëdhjetë u nis nga Tirana edhe njeriu me ato çaste detyrën e korrierit. Ky nuk ishte një diplomat i rëndomtë, punonte si një nga ndihmësit e Reis Maliles. Në profil të ngushtë mbulonte Turqinë, porse qe edhe një njohës mjaft i mirë i Ballkanit. Quhej Kastriot Robo.
Doemos ky se çfarë mendohej në Tiranë dinte më shumë se kolegu i tij nga Beogradi. Thirrmën histerike “Ec përpara Sllobodan, po qe nevoja edhe deri në Tiranë!” e kishte kapur Agjencia Telegrafike Shqiptare shumë më përpara se me telegram të mbyllur të bënte dijeni ambasada. Kur prej majës së piramidës së shtetit-parti kishte ardhur porosia që vetë ministri të shkonte në Komitetin Qendror dhe të informonte hollësisht mbi situatën e re të krijuar në raportet me Federatën e Jugosllavisë, ata i kishin bërë analizat e para. Tashmë marrëdhëniet me shtetin fqinj me siguri do të hynin në një periudhë të re tensionimi. Arsyeja qe Kosova. Mirëpo të goditej ajo ishte njëlloj si plaga të krijohej në Shqipëri. Serbët radikalë rrënimin e Kosovës nuk e kuptonin dot pa dobësimin e Tiranës. Dhe Shqipëria nuk qe aspak mirë. Ishte në krizë të plotë ekonomike.
Kur mbërriti në postën kufitare të Hanit të Hotit Kastriot Robo u ndje menjëherë i tronditur. Ndërsa mori vesh se kolegu i tij Mërtiri ende nuk kishte mbërritur vuri re se ndërsa priste i ulur në makinë, shumë larg postbllokut, dy ushtarë i qëndruan atij dhe shoferit shumë afër. Dukej qartë që i ruanin. Armët e tyre kallashnikov gjithë kohën bënin kujdes të shihnin vetëm nga ata. Robo e kuptoi menjëherë përse ndodhte ajo frikë edhe prej dy të dërguarve të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Disa ditë më parë pati ndodhur arratisja e një punonjësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Qe oficer në nivelin e një majori. Flitej se e gjithë historia e asaj arratisjeje kishte nisur kohë më parë, kur bashkëshortja e tashmë të ikurit pati siguruar në ambasadën italiane një vizë turistike për një duzinë ditësh. Kur u kthye ajo kishte sjellë me vete edhe një motoçikletë të lehtë “Vespa”.
Në doganë nuk ia patën lejuar ta merrte. Nuk i dhanë shpjegim, por në fillim shfrytëzuan të drejtën ta mbanin deri sa e porsaardhura të sillte disa dokumente shtesë si edhe shumën e nevojshme të parave. Më pas mbërriti nga Roma një raport i rezidentit shqiptar të zbulimit, i cili në mënyrë të hollësishme dëshmonte se bashkëshortja e oficerit të Ministrisë së Punëve të Brendshme ishte takuar me antikomunistë. Pikërisht prej tyre kishte marrë si dhuratë edhe motoçikletën. Kështu u vendos që ajo të mos i jepej. Më pas në ministri episodin me të shoqen e patën lënë mënjanë dhe një ditë u firmos transferimin i oficerit nga një pozicion modest në Tiranë në shef prapavije në batalionin e kufirit në Shkodër. Doli se ky që në fillim ishte marrë me njohjen fizike të terrenit dhe një ditë, pasi kishte hipur në një kamion të batalionit gjithë familjen, me shpejtësi pati thyer traun e postbllokut të parë, atij shqiptar. Me të parë çfarë po ndodhte, postblloku i dytë, ai jugosllav, i qe hapur menjëherë. I futur në një qendër filtrimi, që ndodhej në territorin malazez, ish-oficeri i Ministrisë së Punëve të Brendshme pati kërkuar të shkonte për të jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Leonidha Mërtiri mbërriti në pikën e kufirit në prag të mesnatës. Të dy makinat u nisën menjëherë drejt Tiranës. Kur hynë këtu, ndërsa nata vazhdonte të qe e thellë, pranë dyqaneve të bulmetit me shishe të zbrazura qumështi në dorë panë të rrinin në radhë të gjata e të heshtura shumë njerëz.
Reis Malile e priti vartësin e tij të ardhur nga ambasada e Beogradit që në mëngjes. Takimi vetëm për vetëm zgjati njëzetë minuta. Ministri kërkoi vetëm hollësi, reagime konkrete të diplomatëve të vendeve të tjera. Porositi t’i shtonin takimet me ta, veçanërisht të Perëndimit, por pa u shtyrë dukshëm në këtë hetim. Le të silleshin sikur nuk kishin asnjë shqetësim. Pastaj u ndanë. Leonidha Mërtiri u nis drejt Beogradit po atë ditë, në mbrëmjen e vonë. Gjatë udhëtimit rikujtoi çdo detaj të bisedës me Malilen. Një çast ky e pati pyetur se si ishte gjendja ekonomike në Jugosllavi. Iu përgjigj se nuk qe e keqe, dyqanet ishin të furnizuara, megjithatë Beogradi nuk e kishte më atë nurin e parë të një qyteti të lulëzuar. Këtu qe mbyllur përgjigja dhe nuk i pati thënë se kishte parandjenjën që edhe atje raftet e dyqaneve kishin nisur të “lehtësoheshin”, diku edhe të rralloheshin nga mallrat. “A do të prishet Jugosllavia?” kishte qenë një pyetje tjetër. “Ka shumë të ngjarë”, qe përgjigjur Mërtiri.
Ishte një garë me kohën që e bënin dy vendet fqinje, të dy në të njëjtin sistem shoqëror dhe që të dy në përballje të përhershme për çështjen e të ardhmes së shqiptarëve të Kosovës. Diplomati shqiptar besonte se Federata Jugosllave po shkonte drejt shpërbërjes, por ende nuk e kishte shkuar ndër mendje se pas disa muajsh, gjatë gjithë vitit 1989, në Evropën Lindore do të niste edhe një rrokullimë tjetër, shumë më e madhe dhe historike, ajo e komunizmit. Megjithatë në disa biseda me ambasadorin Kujtim Hysenaj, të bëra vetëm për vetëm në oborrin e godinës së përfaqësisë, në vijim të një rregulli të vjetër që të ishin jashtë mundësisë së përgjimit nga mikrofona të vënë prej shërbimeve të fshehta jugosllave, patën folur për apatinë e madhe të udhëheqjes politike në Tiranë, për pavendosmërinë për të kryer ndryshimin thelbësor të mënyrës së jetës, të vetë mirëqenies ekonomike, të lirive më të mëdha, të hapjes ndaj vendeve të Perëndimit. Kishin folur edhe për një episod që u kishte ndodhur dhe i pati prekur thellë në zemër. Apartamentet e tetë familjeve të tyre ndodheshin në një pallat dymbëdhjetë katesh në lagjen “Banovo Bërdo”, që sllavisht donte të thoshte “Kodra e zogjve fluturues”. Pesë minuta larg ishte një pyll dhe në të gjendej një kamp refugjatësh të huaj. Mes tyre ndodheshin edhe disa familje shqiptarësh të arratisur. Këta, ndërsa para pallatit të tyre shkonin të shoqëruar për në punë, dy herë rresht u kishin blerë akullore fëmijëve të diplomatëve. Vogëlushët, tek e tregonin çfarë u kishte ndodhur, kujtonin se i kishin përkëdhelur shumë butë, me shumë mall.







Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com