Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Çiviti, qyteza e magjishme


Botuar në gazetën “Illyria”, Nju Jork, më 5 janar 2010


(Pjesa e dytë)


Demetrio Emanuele në një çast të bisedës, si të mos e kishte në dorë mbajtjen nën kontroll të ndjenjave të veta, e rrëmbush vështrimin. Lotët nuk i duken në anë të syve, por mund t’i dallosh që i janë thërrmuar mbi retinë në qindra e qindra pikla të xixëllimta. Sapo ka treguar historinë e një skifteri dhe ka rënë në një heshtje të thellë. Në të vërtetë deri ato çaste shpendin, të cilit iu drejtua me një nderim të veçantë, herë pas here e thërret shqiponjë. Megjithatë ai nuk kishte qenë aspak një “aquila”, por një “rifone”, pra një skifter. Një “ngatërrim” të tillë i mençuri Demetrio, një njohës i shkëlqyer i gjuhës arbëreshe dhe i terrenit të Çivëtit, autor i disa librave studimorë dhe turistikë për qytezën e tij, e bën thjesht nga një mall i madh që çivitiotët kanë për shqiponjën.
Nostalgjia për të është në të vërtetë mall i pashuar për Shqipërinë. Historia e të gjithë brezave të Çivitit nuk është gjë tjetër veç përpjekja e pareshtur kurrë, asnjë ditë dhe asnjë minutë, për të rikrijuar në grykën mes dy majëmaleve italiane mëmëdheun e tyre, Arbërinë. Kanë lindur, jetuar e më pas ndërruar jetë me këtë projekt që nuk e braktisën kurrë dhe që ja kanë dalë. Janë heronj të vërtetë, me një forcë të brendshme pothuaj mitike, si t’u burojë nga legjendat. Çiviti është sot një Shqipëri në dhe të huaj dhe dëshmon se sa forcë të madhe ka diaspora jonë kombëtare jo vetëm dje, por edhe sot.
Demetrio e tregon historinë e atij skifteri me pamjen madhështore të një shqiponje si të ketë krijuar me kohë mbi atë ngjarje një tregim apo roman të mirëfilltë artistik. Ai nuk ngul këmbë shumë, nuk i shkon shpjegimit të tij deri në fund, por ne jemi të bindur se në mendje nuk i tretet në harrim hamendja e bukur se kur paraardhësit e tyre emigruan në këto anë në mos e kanë mbartur me vete të gjallë një shqiponjë shqiptare, në trojet italiane patjetër duhet të kenë kërkuar për t’u strehuar në vise ku ato kanë qenë. Ato dy majëmale, në grykë të të cilave mbijetoi Çiviti, njërit duke i vënë emrin Brinja dhe tjetrit Rrëza, janë përzgjedhur sepse përmbushnin kushtet për të qenë një copë mëmëdhe. Atdheu i dytë ku do të rriteshin fëmijët, nipërit dhe stërnipërit e tyre, duhej të kishte patjetër male, ujëra gurgulluese përrenjsh, pyll të harlisur me shtojzovalle, shqiponja dhe dhi. Këto ishin më jetiket, nuk mund të mungonin. Të tjerat do t’i ngrinin vetë sipas traditave të tyre arbërore.
Kështu ata rikrijuan Gjergj Kastriotin, udhëheqësin e tyre universal, figurën që i mbante jo vetëm të bashkuar, por edhe të denjë para vendasve e të gjithë popujve të Evropës. Bashkë me Skënderbeun riformuan gjitoninë, fqinjësinë arbërore. Rindezën këngën dhe shpalosën nëpër sheshe kostumet dhe vallen e tyre. Ruajtën dhe përcollën nga goja në gojë gjuhën amtare, duke e mbrojtur prej agresionit të fjalëve vendase me forcë dhe besnikëri kështjellari. Nuk e humbën, nuk e lëshuan, madje e forcuan ritin e tyre fetar të krishterë ortodoks bizantin. I transmetuan pa i bjerrë të gjitha fjalët e urta, këtë kod moral të mënyrës së tyre të të gjykuarit. Ruajtën, nuk i flakën në harresë e shpërfillje, veglat e tyre të punës, mjetet me të cilat kanë mbijetuar nëpër dekada paqeje dhe lufte, skamjeje dhe mëkëmbjeje.
Demetrio Emanuele, ndërsa xixëllimat e piklave mbi retinën e syve ende i feksin, duket sikur në heshtje ka rënë për të na lehtësuar mesazhin që kishte dashur të na përcillte me historinë e atij skifteri. Prej shumë dekadash në shkëmbinjtë e dy majëmaleve, ku në pëqinj u rri Çiviti, nuk kishte më skifterë. Duke qenë se afër tyre, diçka më tepër se pesë kilometra larg, është ngritur rezervati i Polinos, një nga më të mëdhenjtë në Itali, një grup spanjollësh të ardhur për bashkëpunim, pasi panë malet Brinja dhe Rrëza, thanë se qenë shumë të përshtatshëm për të mbajtur skifterë nga ata që kishin në viset e tyre. Qenë shumë të mëdhenj, hijerëndë dhe kryelartë. Çivitiotët, siç mund të merret me mend, brofën nga gëzimi dhe u lutën që shpendët madhështorë menjëherë të vinin nga Spanja. Fjala e premtuesve u mbajt dhe ata u vendosën në kafazet e tyre në rezervatin e Polinos. Që prej atij çasti skifterët trupmëdhenj e të ngjashëm me shqiponjat shqiptare fluturojnë jo vetëm mbi male, por edhe mbi Çiviti, duke i bërë arbëreshët t’i kundrojnë me adhurim.
Ndodhi që një ditë njëri prej skifterëve të goditej mbi një majë shkëmbore, të rrëzohej dhe thyente njërin krah. Çivitiotët sapo e panë çfarë gjëje e tmerrshme i ndodhi shpendit të tyre simbol të mëmëdheut vrapuan ta merrnin në krahë. Kishte shumë plagë dhe jo vetëm që nuk linte shpresë të fluturonte, por as të mbetej në jetë. Atëherë e dërguan në Universitetin e Kozencës, ku ka një spital të vogël kurimi. Ky universitet, më i madhi në Italinë e Jugut, është shkolla ku mësojnë pjesa më e madhe e arbëreshëve, madje përveç zëvëndësrektorit Françesko Altimari, një nga dijetarët bashkëkohës më të shquar, ka edhe katër dekanë me origjinë nga etnia jonë.
Aty skifterin e Çivitit e kuruan me shumë përkushtim dhe një ditë iu mbyllën plagët. Krahu i thyer iu lidh e iu forcua. Kështu e sollën në qytezën e tij dhe prej andej, ndërsa përreth qenë grumbulluar pothuaj të gjithë banorët, u lëshua në ajër.
Në fillim mes arbëreshëve kishte pasur ankth mos nuk ngrihej dot. Kur u çua në qiell i angështoi frika mos nuk fluturonte dot gjatë e këputej e binte sërish mbi ndonjë majë shkëmbi. Por skifteri nuk ishte epur. Kishte fluturuar kryelartë duke i lëvizur krahët me një hijeshi të habitshme, si të qe në një paradë. Pati bërë mbi Çiviti rrotullimin e parë, pastaj iu rikthye fluturimit mbi qytezë edhe një herë të dytë. Arbëreshët qenë mrekulluar. Kaq u mjaftonte. Mirëpo skifteri, ndërsa pritej të largohej, i qe rikthyer sërish, tashmë për herë të tretë, rrethit fluturues. Kësaj radhe arbëreshët e patën duartrokitur dhe brohoritur. “Shqiponja” e tyre kishte triumfuar mbi vdekjen.
Pasi pati përfunduar të plotë rrotullimin e tretë skifteri qe nisur drejt verilindjes, atje ku ishte Polino. Në Çiviti u ranë menjëherë telefonave dhe punonjësit e rezervatit iu përgjigjën me entuziazëm “Erdhi këtu dhe i gjeti menjëherë shokët”.

ooo

Nostalgjia për simbolin e vendlindjes së tyre, shqiponjën, i bën çivitiotët, mes tyre edhe Demetrion, të shkojnë më larg në mosbindje ndaj diturisë së plotë shkencore që kanë. Ata edhe vetë origjinën e emrit të qytezës së tyre duan ta shpjegojnë me këtë ngjashmëri: Çivëti-Çiviti-Çivti-Çift-Qift. Në shqipen e sotme dhe të vjetër sipas fjalorit të saj themeltar qift do të thotë “shpend i madh me krahë të mëdhenj, zakonisht të zinj, me kokë si në të bardhë, me sqep të kthyer e me bisht të bigëzuar”. Pra, siç e shpjegon po ky fjalëmbajtës, me qift kemi të bëjmë me skifterin.
Dhe duke qenë se arbëreshët e Çivitit me skifter nënkuptojnë shqiponjën nuk të lënë shteg të gjesh rrugëdalje tjetër veç t’i bindesh arsyetimit se vendbanimi i tyre e ka emrin origjinal Shqiponja. Këtë këmbëngulje e gjen në mjaft botime të nxjerra prej duarve të tyre, deri edhe si një shprehje tunduese turistike të vendosur dukshëm në një nga muret buzë rruge të qytezës. Shkruhet pa mëdyshje “Civita: nido d\\\'aquila”, pra “Çiviti: foleja e shqiponjës”.
Porse vetë Demetrio Emanuele, ky njeri aq fort i malluar për simbolet e Shqipërisë, në librin e tij “Çifti: kulturë dhe natyrë” (Civita:cultura e natura”), edhe pse nuk e fsheh dëshirën patriotike, i nënshtrohet më në fund ligjësive shkencore. Vendbanimi para ardhjes së arbëreshëve ka qenë i populluar me italianë dhe në Mesjetën e Hershme, që në vitin 1040, në dokumente gjendet i emërtuar Castrum Sancti Salvatoris. Pas një fikjeje të përkohshme të jetës më 1443, pasojë e luftërave, qyteza rishfaqet e gjalluar me disa shtëpi në vitin 1471. Të gjithë studiuesit arbëreshë janë të mendimit se jeta rilindi prej ardhjes së tyre. Këtë herë, si edhe më pas, deri në vitin 1500, përfshirë këtu edhe kohën kur u firmos marrëveshja e lejes së banimit mes shqiptarëve të emigruar dhe pronarit lokal (1495, kur qenë 19 shtëpi), emri i vendbanimit vijon si edhe më parë: Castrum Sancti Salvatoris. Duke filluar prej vitit 1500 e më pas qyteza e rinis jetën me emrin Civita, i cili ka qenë i vërtetë dhe i përdorur shumë shekuj më parë nga mbërritja e arbëreshëve. Civita është fjalë e gjuhës vendase, latine, që do të thotë fare qartë vendbanim. Me siguri, edhe pse deri tani nuk gjenden argumente të mjaftueshëm për të shpjeguar këtë rikthim të emrit në formën e lashtë duket që shqiptarët e emigruar kanë vepruar njëlloj si me gjithçka tjetër, kur malin e gjetur me emrin Erta, në mall të zjarrtë për mëmëdheun e tyre, e thirrën Brinja. Apo edhe kur pllajën Valle Piccola e quajtën Llakëza.
Emri Civita për ta donte të thoshte Çift, pra qift, skifter. Kjo donte të thoshte shqiponjë. Gjithçka përkon në mënyrë të harmonishme me kohën kur etnia jonë nëpër kontinent nuk thirrej vetëm Albania (Arbëri), por edhe Shqipëria. Ky emër i dytë, paralel, interpretohej si “vendi i shqiponjave”.
Kështu deri sot për banorët e tij Çiviti është foleja e shqiponjës.
Arbëreshët janë “të pakorrigjueshëm” në mënyrën se si ia nënshtrojnë nostalgjisë së tyre shqiptare çdo shenje që shkencërisht mund të ketë një origjinë e shpjegim tjetër. Nëpër botimet e tyre nuk u bën tërr syri të shkruajnë se fjala ilir, prej ku edhe kanë origjinën dhe për këtë gjë mburren, vjen prej fjalës “i lirë”, pra i pa nënshtrueshëm.
Veç kjo puna e mallit të pashuar të arbëreshëve nuk mbaron dot me kaq. Nuk duhet të harrojmë edhe simbolin e dhisë. Ajo jo vetëm ka qenë pjesëtare e jetës së tyre në viset autoktone të Ballkanit, por mbi të gjitha e ka shenjën e vet në përkrenaren e idhullit të tyre, Gjergj Kastriotit. Patjetër konfirmohet se dhia qe një kafshë e egër që jetonte në malet përreth Çivitit para se arbrit të emigronin aty, por ata po të mungonte do ta kishin eksportuar nga çdo krahinë tjetër italiane, madje nga vetë fundi i botës.
Kështu dhia është bërë zonjë e vendit. Ajo përfaqëson edhe vetë stemën e komunës së Çivitit. Në pamje të parë të duket si një siluetë kaprolli, por nuk është gjë tjetër veç një dhi e bukur dhe elegante, një nga ato që arbëreshëve u është mbushur mendja se i kishin me bollëk në viset e Epirit, pra Arbërisë së jugut, kur emigruan përtej Adriatikut.
As emrin e kësaj kafshe të dashur për ta arbëreshët nuk ia kanë lënë gjuhës italiane. Ndërsa kjo e thërret “capra”, ata e quajnë “dhi”. Asaj që italianët i thonë “capretto” ata e thërresin “kaciqi”. Duket qartë se është fjala jonë “kec”. Një ndër gjellët më të ofruara për turistët ata e quajnë “Kaciq çivitit” (“Capretto alla civitese”), kurse një nga fjalët e urta më të përdorura prej tyre, kur duan të thonë se edhe një gjë shumë e vështirë, por të kesh vullnet, arrihet, është “Ku këcen dhia këcen kaciqi”. Pra në atë reliev malor të tyre atje ku kërcen dhia kërcen edhe i vogli i saj, keci.

(Vijon)
Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com