Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Çiviti, qyteza e magjishme


Botuar në gazetën “Illyria”, Nju Jork, më 12 janar 2010


(Pjesa e tretë)

Mbijetesa e mahnitshme e arbëreshëve ka edhe dy forca të mëdha bashkuese. Njëra është ajo, të cilën ata e thërresin “gjitonia” dhe tjetra “vallja”.
Gjitonia, fjalë me origjinë greke e njohur edhe për shqiptarët e këtij fillim mijëvjeçari, nuk do të thotë vetëm fqinjësi ose thjesht të qënit fqinj. Në Çiviti ajo është strukturë urbanistike. Kjo do të thotë se që kur ngrihen shtëpitë e reja ato ndërtohen mbi këtë rregull: gjitoninë. Mjafton ta kundrosh me kujdes qytezën për të kuptuar se tre apo katër shtëpi vendosen pranë njëra-tjetrës në një mënyrë të tillë që portat e tyre të dalin në një shesh të vogël të përbashkët. Në të vërtetë duket si një oborr për të gjitha shtëpitë dhe banorët e tyre. Të tre apo katër familjet kur dalin për punë a rikthehen prej saj, ndërsa shkojnë të bëjnë pazar e pastaj të rihyjnë në banesat e tyre, kur largohen për t’u zbavitur apo udhëtuar larg, shkëmbehen e takohen me njëri-tjetrin me dhjetëra herë në ditë. Kjo mënyrë fqinjërimi pa iu shmangur apo mënjanuar një kontakti me tjetrin, duket sikur bën pjesë në një kulturë të vjetër, arkaike, jashtë kohe.
Porse duke qenë vërtet se vjen prej kohësh të thella të historisë së njerëzimit sërish për arbëreshët jo vetëm në Çiviti ajo është një mënyrë për të ruajtur jetesën e viseve prej nga ku kanë emigruar. Ndërkohë ka pasur edhe një mision shumë të madh: në trojet italiane, ku qenë në luftë për të ruajtur identitetin e tyre etnik, gjitonia qe një nga mënyrat më të sigurta për t’ia dalë mbanë këtij mbijetimi të vështirë. Banorët e atyre tre apo katër shtëpive që me dëshirë i ndërtojnë të kenë dalje në një shesh të përbashkët ku të përshëndeten në çdo orë të ditës dhe paraditeve apo mbrëmjeve, të ulur në pragjet e tyre të bisedojnë në intimitet, këtë gjë e kryejnë për të mbajtur të gjallë forcën e të qenit pranë njëri-tjetrit. Pra gjitonia më shumë se një strukturë arkitektonike është një mekanizëm social. Për ata që mund të dyshojnë në se është i dobishëm për vitet dymijë duket sikur në favor të tyre peshon arsyetimi se kjo lloj fqinjësie tepër e ngushtë në disa raste shumon fjalënajat. Porse çivitiotët janë të bindur se thashethemet e kanë truall pjellor çdo qytezë të vogël dhe se me një gjitoni të fortë e të kultivuar ngjan e kundërta e një vendbanimi pa këtë mënyrë jetese: marrja nëpër gojë si zakon i keq dobësohet dhe zbehet.
Në Çiviti jo më kot thuhet fjala e urtë “Gjitoni më se gjiri”, çfarë do të thotë “fqinji është më shumë se pjesëtari i familjes”.
Ja përse, sepse ekziston forca e të qenit i bashkuar, tek çivitiotët ka jetë të gjallë edhe vallja. Këtë fjalë ata e shkruajnë saktësisht si ne edhe pse Ll-në për shkak të përdorimit paralel edhe të gjuhës italiane, e cila këtë germë nuk e ka, shumica e tyre nuk e shqiptojnë dot.
Vallja si institucion bashkimi tashmë ka mbetur, mes afro dyzetë vendbanimeve aktive të arbëreshëve, vetëm në qytezat e Çivitit dhe të Frashinjetës. Siç e kemi thënë në një reportazh të mëparshëm të dy qytezat gjeografikisht janë shumë afër njëra-tjetrës, punë e disa kilometrave distancë.
Shpresojmë t’ia dalin ruajtjes së kësaj valleje, sepse ajo lidhet me ritin e Pashkës. Bashkëkombësit tanë të këtyre anëve thonë se në migrimin e tyre të dhimbshëm janë nisur nëpër det në një muaj maji. Kjo ndoshta është një e vërtetë, sepse duhej të zgjidhnin një det pa shumë dallgë. Ndërkohë ka të ngjarë të jetë edhe një romantizëm. Megjithatë mbijetesa e kësaj valleje të kënduar e ka të ardhmen të siguruar sepse çivitiotët besojnë se në të martën e Pashkëve, pra më 24 prill, në vitin 1467, ka ndodhur edhe një mrekulli: Skënderbeu në një betejë të madhe mundi renegatin Ballaban. Ja përse nëpërmjet valles së kënduar me vargje kujtohen edhe shumë bashkëluftëtarë të Gjergj Kastriotit.
Një dëshmi mbijetimi kjo perlë e identitetit arbëror e ka dhënë katër shekuj më parë, në vitin 1629, kur peshkopi i Venozës, monsinjor Barbenedetti, i cili kishte nën juridiksion edhe zonën e vendbanimeve të shqiptarëve të emigruar, për ta asgjësuar e shpalli publikisht blasfemi dhe e shkurtoi festimin e Pashkëve sipas ritit ortodoks bizantin nga tre në vetëm një ditë. Mirëpo nuk ja doli dot, sepse në rit ishte vendosur dhe i pavdekshmi i të gjithë shqiptarëve, Skënderbeu. Si edhe ngadhënjimi i tij i madh mbi bashkëkombësin tradhtar.

ooo

Në Çiviti nuk do të bjerë kurrë perdja e harrimit të identitetit sepse banorët e saj dhe elita e qytezës kanë kryer një akt gjenial. Të gjithë traditën e tyre arbërore, pra atë që është e ndryshme nga mjedisi rrethues latin, e kanë ngulitur në një vlerë të spikatur turistike. Pikërisht Demetrio Emmanuele në numrin dy të vitit 1999 të revistës që drejton, “Katundi Ynë”, bërë më pas libërth me titullin “Çiviti dhe shtatë mrekullitë, Polino dhe italo-shqiptarët”, ide për të cilën ka këmbëngulur edhe në një intervistë dhënë Radiotelevizionit Italian, rreshton këtë intenerar vlerash: folklori, kanionet e Raganelos bashkë me Urën e Djallit, liturgjia bizantine dhe ikonat, qendra historike e qytezës, Muzeu Etnik Arbëresh, gatimet karakteristike dhe mikpritja, rezervati i Polinos.
Kështu nëpërmjet turizmit në Çiviti tradita është bërë histori. Kjo do të thotë se nuk zhduket dot më. Ndodh e do të ngjajë vetëm e kundërta, forcimi i kësaj vlere. Mbi njëzetë mijë turistët e huaj dhe vendas që vijnë aty çdo vit nuk bëjnë gjë tjetër veç shpërndajnë nëpër Itali dhe në të gjithë globin botën shqiptare që sapo kanë parë. Për ta ajo mbetet shumë origjinale dhe tërheqëse, mjaft qytetare dhe e pasur në shpirt, plot karakteristike të veçanta dhe njëherësh tipare të përbashkëta me popujt evropianë. Në Çiviti vlerat pozitive të shqiptarëve, si në një qendër të madhe mediatike, përhapen lirisht anë e mbanë kontinenteve. Kjo është një vepër kolosale e çivitiotëve për të cilën shumë nga ne dinë fare pak ose asgjë.
Kemi në mes një mëkat: hapësira e një deti të ngushtë këto njëzetë vitet e hapjes së shoqërisë sonë të dikurshme të mbyllur, nuk duhej të mbetej kaq shumë i pa pakapërcyeshme për të shkuar sa më shumë dhe sa më shpesh në Arbëri.
Në pjesën e parë të këtij reportazhi shpjeguam disa nga vlerat kombëtare dhe njëherësh edhe turistike të Çivitit. Le t’ua lëmë bashkëkombësve të cilët më në fund do të vendosin që një pjesë të shpenzimeve vjetore për pushime t’i bëjnë duke vizituar qytezat arbëreshe në Itali, të shohin nga afër Muzeun Etnik Arbëresh, ku dëshmohet e gjithë historia e qytetërimit fshatar çivitiot të lidhur fort pas tokës, ritin oriental grek bizantin në kishën e shkëlqyer Santa Maria Assunta, kanionet e përroit të vrullshëm Raganelo dhe grykat e tij të mahnitshme, një monument i vërtetë i natyrës, vallet e kënduara, në një pllajë deri edhe një çudi me dy shkëmbinj të mëdhenj të hipur njëri mbi tjetrin (thirren nga vendasit “gurët vallëzues”). Tani të shkojmë së bashku drejt mbylljes së këtyre dy reportazheve për Çivitin duke rrëfyer historinë e Urës së Djallit.
Ajo ndodhet atje ku në kahun jugor majëmalet e Polinos ulen drejt luginës së Sibarit dhe të dy anët, dy krahët shkëmborë, edhe pse i afrohen njëri-tjetrit sa të munden nuk arrijnë dot të takohen. Njëra brinjë quhet Timpa dhe tjetra San Lorenzo. Malit dikur të pandarë nëpër qindra shekuj i kanë bërë një çarje të thellë gjer në rrëzë ujërat e rrëmbyera të përroit Raganelo.
Ura e Djallit bashkon pikërisht këto dy brinjë të thepisura. Ajo ngrihet tridhjetë e shtatë metra nga buza e ujit. Kur e sheh e beson se një urë e tillë është e pamundur të sendërtohet nga dora njerëzore. Duke qenë se janë ndërtime shumë të habitshme dhe të pabesueshme për çdo mendje e forcë fizike njerëzore ato i kushtohen qenieve mitike. Mitet e urave të krijuara nga shpirti i keq apo nga djalli gjenden në të gjithë Evropën, në Çeki, Francë apo gjetkë. Në Itali janë tetë të tilla. Pothuaj në të gjitha rastet legjenda e thur rrëfimin e saj sipas subjektit se nga halli kërkesën djallit ia bën një person. Në këmbim ky i vë kusht që i duhet marrja e shpirtit të njeriut të parë që do të kapërcejë këtë urë të porsandërtuar prej tij. Gjithnjë sipas këtij modeli subjekti ura do të ndërtohet vetëm natën dhe të gjithë popujt që e kanë thurur këtë legjendë besojnë që djalli të mos ketë fat të marrë një jetë njerëzore. Ata shpresojnë që qenia e parë, e cila do të kalojë nëpër urë, të jetë një kafshë. Historia e fantazuar e thotë se në raste të tilla, kur sheh se ja kanë hedhur, djalli hakmerret duke e shembur urën.
Për urën e tyre Çivitiotët dëshmojnë se nuk kanë asnjë dokument apo rrëfim njerëzish realë se si është ngritur në fillesat e saj. Tregojnë vetëm se paraardhësit shumë të hershëm e kanë gjetur një mëngjes të ngritur. Kështu ja kanë besuar ndërtimin e saj forcës së djallit. Në legjendën e Çivitit ai që ia kërkoi këtë gjë ishte një banor i cili tokat i kishte mbi grykën e përroit Raganelo, në brinjën shkëmbore të përtejme. Djalli e pranoi, madje gjatë natës kur bashkë me të vetët punoi për ta ngritur pati shumë furtunë dhe ra shi i rrëmbyer. Ndaj të gdhirë kur më në fund ura kishte përfunduar dhe prej dritës së ditës u bë e dukshme, djalli u fsheh pas një shkëmbi. Aty priti çfarë do të ndodhte, pra kush do ta kalonte i pari, që t’i sulej e merrte jetën. Ndërsa qëndronte në pritje të viktimës ndjeu se dikush po kalonte mbi urë dhe u vërsul menjëherë. Kur e vuri nën thonj pa se qe vetëm një dhi. I zëmëruar u përpoq ta rrëzonte të gjithë ndërtimin e tij, mirëpo në këtë kohë aty afër kishin mbërritur banorët vendas duke kryer ritin fetar me në duar statujën e një të shenjti të krishterë. Djalli e kuptoi se ata qenë të mbrojtur dhe e pati humbur betejën për t’u hakmarrë me rrëzimin e urës. Që nga lartësia e saj ai u hodh në ujë duke ngritur lart stërkala dhe shpërndarë përreth një erë të keqe.
Ja përse çivitiotët gjithnjë e kanë kapërcyer atë duke bërë një kryq.
Mirëpo papritur pasditen e 25 marsit 1998, pas një furtune të madhe që gjëmoi nëpër grykën e përroit Roganelo, ura e mbështjellë nga një re e tërë pluhuri u shemb. E dalluan që ajo nuk ishte më disa nxënës të shkollës të cilët sapo mbaroi furtuna dolën të luanin në një shesh prej ku dukej gryka e thellë me urën lidhëse. Menjëherë vrapuan në sheshin qendror të Çivitit e dhanë lajmin e tmerrshëm. Banorët rendën të shihnin çfarë gjëme u kishte ngjarë dhe nuk u besonin syve. U gjet i hutuar edhe një bari, i cili bashkë me dhitë e tij ato çaste po zbriste prej anës së përtejme të malit. Lajmi u dha nga të gjitha gazetat lokale, madje me shumë kërshëri dhe habi edhe në shumë prej televizioneve kombëtare.
Ura duhej rindërtuar. Doemos që kësaj radhe nuk mund ta ringrinte djalli, por njeriu. Kështu duke filluar nga marsi 1998 nisi që gazeta
”Katundi Ynë” me shkrime të njëpasnjëshme ta mbante të ndezur shpresën e rindërtimit. U bënë shumë mbledhje dhe u mbushën me shkrim mjaft shkresa, u lëshuan thirrje për ndihmë dhe fonde, u mbajtën manifestime, u përballua një mal i tërë me burokraci. Më në fund vëzhgimet e para për mundësinë e rindërtimit prej njeriut nisën në 2 shtator 2003. Në prill 2004 filluan punimet restauruese. Të gjithë rindërtuesit me në krye Domeniko Masaro qenë arbëreshë.
Në 7680 orë pune shumica e tyre u kryen me dorë, mjeshtërisht. Më 25 janar 2005 Ura e Djallit u ringrit.
Në të vërtetë si të dytë ajo mund të mbajë emrin “Ura e Arbëreshëve”.
Ashtu siç patëm kënaqësinë tua tregonim historia e Çivitit nuk është gjë tjetër veç ajo e një ure të madhe mes shqiptarëve në trojet e tyre në Ballkan dhe Italisë. Pse jo edhe të një ure pothuaj kozmike, të ngjashme me një ylber, me të cilën bashkëkombësit tanë të vjetër na lidhin e bashkojnë të gjithëve, kudo ku gjendemi nëpër botë.


Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com