Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Good Morning, Arbëria!


(Botuar në gazetën “Illyria”, Nju Jork, 26 janar 2010)

Tani është koha e internetit dhe të rinjtë imazhet e tokës së ëndërruar të përtej detit i kërkojnë dhe i gjejnë me një notim të shpejtë online. Në motorin “Google” po të dëshirojnë formojnë fjalën Arbëria dhe presin tërë kërshëri se çfarë do t’u sjellë ajo në ekranin e kompjuterit. Kështu u vërshen një det i tërë me fjalë, tinguj, ngjyra, pamje.
Sepse interneti ka një fuqi të madhe për të rikrijuar gjithçka, përfshi edhe atë që është sa krijim real aq edhe tërësisht virtual: Arbërinë. Në pak minuta atë vend apo “shtet” e ke në dhomë, madje gjithkund ku një kompjuter e hap. Ndërkohë cilido që ka mall për një imazh të saj mund të bëjë edhe një provë tjetër. Le të shkruajë në Google fjalët “Good Morning, Arbëria!” dhe të presë rezultatin. Ndërsa me “Good Morning, Albania!” ka shumë gjurmë online (madje edhe vetë autori i këtyre radhëve me këtë titull ka bashkëpunime të veçuara me dy regjisorë të ndryshëm italianë për dy dokumentarë televizivë), me “Good Morning, Arbëria” gjen në të gjithë botën vetëm një rast. Ndodhet në Shën Sofi.
Është një radio, nismë të rinjsh, të lidhur shumë fort pas muzikës. Për një dekadë të tërë ata kanë mundur ta rikrijojnë atdheun e tyre nëpërmjet një mikrofoni dhe në fillim ta përhapin nëpër eter në hapësirën ajrore të disa kilometrave. Më pas guximin e tyre e mbartën në internet, duke e bërë që fjala dhe muzika të mos ketë asnjë kufi shtetesh dhe kontinentesh. Të rinjtë në përmallimin e tyre për gjithçka shqiptare janë aq kokëkrisur sa që kur e hapën radion me teknologjinë klasike të një studioje me aparatura nuk morën asnjë leje, prej asnjë autoriteti. Kështu dhjetë vite punuan pa autorizim. Megjithatë qeverisësit lokalë të Shën Sofisë i lanë. Kurajës së tyre u gëzoheshin edhe ata vetë. Në fund të fundit çdo arbëresh për diçka shqiptare do të bënte të njëjtën gjë, do të “vetëqeverisej”.
Rikrijimi i Shqipërisë kudo ku gjenden është mënyra e të jetuarit të tyre, e vetë ekzistencës. Arbëreshi pa Shqipërinë mbaron së qeni dikush, i veçanti, i pazakonshmi, i ardhuri nga pejsazhe mahnitëse të përtej detit, atje ku ujërat dhe malet janë të ngjyer në blu aq të thellë sa kushdo shastiset e mbetet i pa gojë. Pa Shqipërinë arbëreshi është pa historinë e tij të jashtëzakonshme, e cila mban emrin e Gjergj Kastriot Skënderbeut, mbrojtësit të famshëm jo vetëm i viseve ku pas vdekjes së tij u shtrënguan të emigronin, por i të gjithë qytetërimit evropian.
Ruajtja e përhershme e imazhit të Shqipërisë duke mos e lënë të ngrijë e bëhet si gur i ftohtë por nëpërmjet rikrijimit të Arbërisë ta mbajnë të ngrohtë e të gjallë, është kodi i brendshëm gjenetik, urdhri që u vjen arbëreshëve nga vetëdija, madje edhe prej thellësive të nënndërgjegjes. Rikrijimi romantik i saj në këngë e valle, tinguj e faqe librash është për çdo njërin prej tyre dhuntia e madhe artistike që e ruajnë dhe e zhvillojnë përditë. Nuk është çështja se në këtë rast për sofiotët kemi të bëjmë me një talent të lindur të tyre, por për një vendim racional dhe dritëpamës. Shndërrimi i kujtimit të mëmëdheut në materie artistike është ruajtja më e mirë, më e sigurt, më jetëgjatë, më e transportueshme nga shekulli në shekull, shumë më e pranueshme nga brezat e pritshëm. Ata e dinë që një këngë është më e mirë se një muze, një valle më tepër se një libër historik, një rit dasme shumë më shumë se një konferencë, një poemë apo roman më i dobishëm se festimi i një përvjetori.
Në Shën Sofi kanë një logjikë të hekurt kur mendojnë se mes tyre Shqipëria rron jo vetëm me të kaluarën e pesë shekujve më parë, por edhe me praninë e saj të sotme. Sofiotët janë nga ata arbëreshë që ngulmojnë se identiteti i tyre për të mbijetuar në kohë dhe në hapësirë, pra i tillë që të mos shuhet, duhet të mos mbetet i regjistruar vetëm në kujtimet e shkuara. Kjo për ta do të thotë se Arbëria, pasuria më e madhe, ky thesar, duhet të ecë drejt të ardhmes me në krah shqiptarët e vitit dymijë, me shtetin e Shqipërisë, madje tashmë edhe me atë të Kosovës. Edhe kur kjo hapësirë etnike ndodhej nën Jugosllavi arbëreshët duke përfituar nga një liri më e madhe e hyrjes në këtë shtet, i mbajtën dhe i zhvilluan lidhjet me kosovarët shpesh herë më fort se me vetë Shqipërinë që ishte vetizoluar dhe nga realkomunizmi e mbidoktrinuar.
Si në çdo vendbanim arbëror në Shën Sofi ky raport i pandashëm mes Arbërisë së shekullit të katërmbëdhjetë dhe ekzistencës së Shqipërisë aktuale gjendet i ngulitur kudo, duke nisur nga emërtimet e rrugëve. Këtu gjen në arbërisht “Udha e madhe”, “Lëmërtiri”, “Marqaneshet”, “Kriqzit”, “Kroj Malit”. Në gjuhën vendase me qëllim ta dinë edhe italianët rrugës më të dukshme i kanë vënë emrin “Via Castriota”. Po ashtu që ta marrin vesh të gjithë latinët që hyjnë dhe dalin në Shën Sofi njërën prej rrugëve kryesore sofiotët nuk e thërresin “Udha Shqipëria”, por “Via Albania”.
Në Shën Sofi një makinë muzikore xhuboksi e mbushur me tridhjetë këngë, ku secilën prej tyre mund të zgjedhësh për ta dëgjuar me ëndje me vetëm një monedhë virtuale, mban krahas melodive arbërore “Mbrëma e mirë”, “Ku vete mollë, ku vete”, “Moj ti zemër, moj ti mall”, “Illy i bukur”, “Shkova te dera jote”, “Moj e bukura Moré”, “Skanderbeku një menatë”, edhe Himnin Kombëtar Shqiptar, këngët lirike “Moj korçare”, “Lule bore”, “Aroma portokalli”, “Ti je krejt si një gonxhe”, “Perëndeshë e bukurisë”.
Sofiotët, këta bashkëkombës me shtat e pamje bukur, të prirë pas dëfrimeve dhe të dhënë veçanërisht pas dashurisë, i gjen duke dëgjuar edhe melodi shqiptare me ca aheng “osman” brenda, si “Mora mandolinën dola në oborr” dhe ku thuhet, siç e dimë të gjithë, “O moj gocë e vogël pse ma bën me dorë...O moj gocë e vogël pse ma bën me sy...O moj gocë e vogël mos më bëj merak... dhe në refren “Vaj-vaj-vaj, gishtat me kajmak!”
Studiuesit e gjuhës thonë se në Shën Sofi arbërishtja jo vetëm ruhet me xhelozi, por për ta bërë të dallueshme nga bashkëkombësit e tjerë në qytezat përreth banorët e saj e shqiptojnë më thekshëm, në mënyrë më kërcitëse, ndoshta si një përpjekje për ta bërë të bjerë më shumë në sy.
Në Shën Sofi mësimin e gjuhës arbërore, si të jetë një rit i fesë atdhetare, duke i shqiptuar në shqipen e kulluar, e nisin me vargjet naimiane “Gjuha jonë sa e mirë!/Sa e ëmbël! Sa e gjerë!/Sa e lehtë! Sa e lirë!/Sa e bukur! Sa e vlerë!”
Në Shën Sofi edhe kisha në portikun e saj hyrës, sipër, mbi kokat e të gjithë njerëzve që hyjnë e dalin prej saj, ka të gdhendur një shqiponjë të madhe me dy krerë. Ndërkohë në brendësi e gjen të vizatuar në mozaikët që lbyrin në të katër faqet e mureve shumë të lartë e deri në thellësi të kubeve të mbushura mistershëm nga rreze drite qiellore.

ooo

Prandaj duket e çuditshme që ndryshe nga të gjitha vendbanimet simotra këtu mungon busti i Skënderbeut. Nuk është fjala që ai të jetë në formën tradicionale, çfarë do të thotë një portret i tij i krijuar mbi një pamje reale, klasike, të paktën ashtu siç e ka sendërtuar artistikisht Odise Paskali ose edhe mjaft autorë të tjerë. Skënderbeu mund të jetë i mishëruar në bust edhe në një formë moderniste, përveç se në bronc patjetër edhe në çdo material tjetër të ngurtë. Biseda me përgjegjësin e bibliotekës Antonio Franko Mirako si edhe më pas me këshilltaren e kulturës na bën të mendojmë se çështja e mungesës së këtij busti në Shën Sofi përveç se një debat i vazhduar duket edhe çështje e ndërlikuar. Të dy bashkëbiseduesit tanë janë të përfshirë me lobin që bën presion për t’u vendosur ajo dëshmi e natyrshme e një qyteze arbëreshësh. Ata e kuptojnë se sofiotët me “Via Castriota” e kanë kryer një pjesë të këtij detyrimi dhe testamenti kombëtar, por kjo me të drejtë u duket shumë pak. “Via Castriota” është një emërtim i vjetër rruge, mbase disa shekullor dhe aspak meritë e administratave komunale të njëqind viteve të fundit. Ndërkohë atje nuk përmendet vetë emri i Skënderbeut. “Rruga Kastrioti” (po të shqipëronim një çast emërtimin “Via Castriota”) është fare pak pa atë emër të famshëm Gjergj.
Biseda jonë për këtë mungesë të çuditshme mbyllet një çast me fjalët që të dy intelektualët arbëreshë na e thonë kush e kush më parë: “Ne e kemi gjetur edhe vendin ku do të vendoset ai bust”.
Me propozimin e tyre ecim disa minuta më tej dhe më në fund ndalemi në një kënd me shumë ajër, ku pasi duhet të prishet një faqe e panevojshme muri, del plotësisht imponues para kalimtarëve një shesh i mjaftueshëm për bustin e heroit gjithshqiptar. Përgjegjësi i bibliotekës dhe këshilltarja bashkiake e kulturës qenë të lumtur ndërsa na e tregonin projektin. Tek i shihnim si të dyve u gëzonin sytë e përfytyronim se në mendjet e tyre ata me kohë e kishin ngritur atë përmendore për Gjergj Kastriotin dhe kryetari i bashkisë, i cili paraqitej si penguesi kryesor, në një mbledhje të afërme të këshillit komunal mbase do të mundet me votë.
Autori i këtyre radhëve do ta thotë më poshtë çfarë mendon e dyshon për arsyet e mundshme, të pathëna, mbase të fshehura në thellësi të disa shekujve, të kësaj mospranie të dukshmërisë së madhe publike në Shën Sofi të Gjergj Kastriotit.
Historia e kësaj qyteze në pak fjalë është e tillë. Në vitin 896 në këtë vend një legjion ushtarësh grekë ndeshi në ujë të bollshëm dhe duke e quajtur me atë emër që ka edhe sot, Santa Sofia, u vendos aty menjëherë. Gjashtë shekuj më pas mbi atë vendbanim si edhe në të gjitha fshatrat e qytetet e Kalabrisë kaluan kobshëm një kolerë e rëndë si edhe në mes të shekullit të pesëmbëdhjetë disa tërmete, më rrënuesi i të cilëve qe ai i vitit 1450. Kur nisi vala e madhe e ardhjes së emigrantëve nga Arbëria, 1468, gjithçka përreth qe zbrazëti dhe mjerim i plotë. Popullsia e mëparshme ishte mpakur në një të dhjetën e saj. Të grishur për të ardhur aty shqiptarët risollën jetën. Në vitin 1508 në Shën Sofi qenë 77 familje, gjithnjë me arbëreshë që vijonin të zbatonin strategjinë e tyre të banesave kasolle kashte, të cilave kur mbërrinte çasti i pagimit të taksave u vinin flakën. Më e bujshmja vetzjarrvënie ndodhi në vitin 1543. Emërtimi Santa Sofia degli Albanesi (Shën Sofia e Shqiptarëve) gjendet e dokumentuar më 1571. Me këtë emërtim që u ka ardhur shumë më shpejt se shumë vendbanimeve të tjera arbëreshe sofiotët mund të quhen njerës me fat. E gjithë kjo mbrothësi ka të bëjë me një fakt shumë të gëzueshëm: padronë të qytezës qenë familja princërore e Bizinjanos. Pietro Antonio, vetë princi, qe martuar me Irena Kastriotin, vajzën trashëgimtare të nipit të Skënderbeut, Ferdinandit. Siç kemi vënë në dukje në reportazhet e mëparshme të këtij cikli dhe një shkrim të plotë për këtë temë mbase e kemi të nevojshëm ta bëjmë publik në një tjetër cikël, Irena është shtylla e madhe dhe e palëkundur ku në mbijetimin e tyre në ato çaste të vështira u mbështetën me besim të gjithë refugjatët shqiptarë të Kalabrisë.
Autori i këtyre radhëve pa e fshehur drojën mos nuk është tamam i saktë në arsyetimin e vet mendon se kryetari i bashkisë së Shën Sofisë, duke qenë një Bizinjano, i pretenduar si trashëgimtar i drejtpërdrejtë i kësaj familjeje (por pa tjetër jo i çiftit Piertro Antonio-Irena, sepse pema gjenealogjike e familjes së tyre në vijë mashkullore u shua pas dy brezash), duhet të ketë si traditë të familjes së tij nxjerrjen më shumë në pah të mbiemrin Kastrioti se sa të vetë emrit Gjergj. Katër shekuj më parë, pra kur Bizinjanot qenë pushtetmbajtësit kryesorë në këto anë, legjendat për heroin shqiptar qenë të pranishme kudo, kështu ata panë më të arsyeshme që të bënin të dukshme derën e shquar Kastrioti, e cila deri në ato kohë në katër gjeneratat e emigracionit në Itali kishte bërë po aq emër të mirë sa edhe vetë themeluesi i saj në Shqipëri, Skënderbeu. Irena kur u martua ishte një Kastriot. Me mbiemrin autentik Kastrioti qenë në Itali prej një shekulli, siç dokumentohet, me dhjetëra të shquar. Ja përse “Via Castriota” në Shën Sofi nënkupton fisin e famshëm dhe jo vetëm heroin e lavdishëm Skënderbeu. Ndoshta kjo është arsyeja kryesore përse druhet kryetari Bizinjano i bashkisë, në prishjen e këtij ekuilibri të vendosur katërqind vite më parë nga dera princërore italiane. Të mos harrojmë se Bizinjanot ishin ndër princërit më të pasur e më të fuqishëm të mbretërisë së Napolit, kurse Pietro Antonio njihet edhe për frymën e tij liberale, kulturën e thellë, shpirtin e gjerë dhe forcën ndërtimtare. Në Itali doemos një Bizinjano qe shumë më tepër se një Kastriot. Pa dyshim e kanë nënkuptuar eten edhe më shumë se një Skënderbe.
Në fund të fundit vlerësimi i fjalës Kastrioti si më me shumë ngarkesë prestigji princëror se emri Gjergj është një rast i përsëritur. Në Koriliano Kalabro (Corigliano Calabro), qytet afër Shën Sofisë dhe ku princërorët Bizinjano kishin kështjellën e tyre (ajo është hijerëndë edhe sot), pranë saj rezidenca shumëkatëshe e vëllait të Irenës, Çezarit, bir i Ferdinandit me një lidhje jashtëmartesore, është thirrur përherë Don Çezari Kastriota, pa shtesën e fjalës Skënderbeu.
Atë kohë kjo gjë nënkuptohej, nuk kishte asnjë nevojë të theksohej. Ishte moti kur fisi i Kastriotëve në Itali kishte vetëm një shekull dhe brezat të lindur aty e njihnin mjaft mirë njeri-tjetrin. Më pas nisi që degëzimet origjinale gjenealogjike të tyre të fiken, dyert të mbyllen, trashëgimtarët e vërtetë të pakësohen, njerëzit të bjerrin kujtesën e kështu të mbijnë falsifikatorët, shtirrësit, përfituesit, ata që nuk ishin aspak Kastriotë. Për hir dhe për logjikë të thjeshtë të mashtrimit ata duhej ta bashkëngjitnin, ta ngulnin pranë mbiemrit të sajuar Kastrioti edhe mbiemrin e dytë Skënderbeu. Gënjeshtra duhej të shkonte gjer në fund, të plotësohej, të bëhej më pak e dyshuar dhe e zbulueshme. Të vërtetëve pasardhës të Gjergj Kastriotit nuk i duhej, as i shkonte ndër mend që si fill besimi dhe sigurie të kishin edhe fjalën Skënderbeu. Qenë autentikë, pasaporta e tyre ishte reale. Lojën e togfjalëshit të pashqitshëm Kastrioti Skënderbeu e bënin ata që u duhej ta falsifikonin këtë pasaportë.
Ndërkohë u shumuan edhe arbëreshët e vërtetë që mbiemrin Kastrioti e mbanin thjesht për t’u identifikuar si shqiptarë. Një kohë ky u bë zakon shumë i përhapur, i lejuar dhe i pranuar.
Megjithatë kryetari Bizinjano i bashkisë së Shën Sofisë, të cilin thjesht me një hamendje jo të palogjikshme e qortuam se mund të jetë ndikuar nga kjo traditë e hershme e fisit të tij të lartë, duhet të bjerë dakord për ngritjen e një busti të Skënderbeut në qytezën e vet. Për këtë ka mjaft arsye, pafundësisht shumë, por edhe një shtysë lokale, që lidhet me vetë Shën Sofinë. Në historinë e qytezës ka një familje arbërore shumë të njohur, me emër mjaft të mirë. Quhet familja Beçi (Becci). Pallati i tyre ekziston akoma, ka një siluetë arkitektonike mjaft aristokratike. Marco Becci Siniore, pra Mark Beçi i Riu, për merita të tij në shërbim të mbretit Ferdinandi I i Aragonës (1458-1494), aleatit dhe mikut të shumënjohur të Skënderbeut, u shpall prej tij me titullin fisnik baron. Ishte ky baron nga njëri krah dhe Irena vigane nga ana tjetër që u kujdesën për rehatimin e arbëreshëve në Shën Sofi. Po ashtu edhe për t’i mbrojtur. Mark Beçi i Riu qe si të thuash kapiteni e parë i tyre, komandanti, qeverisësi. Pikërisht nipi i këtij arbëreshi të shquar sofiot u martua me një pasardhëse të njërës prej degëve trashëguese të Skënderbeut. Më pas edhe kjo derë kastriotase u shua. Të fundit ishin fisnikja Karolina dhe bashkëshorti i saj prej një dere të shquar arbërore, Luixhi Markianò (Luigi Marchianò).
Ja përse si asnjë qytezë tjetër arbërore të kesh dy lidhje aq të forta me Skënderbeun dhe të të mungojë busti i Gjergjit është diçka që nuk shkon, nuk mund të shtyhet më tej.
Apo ndoshta kryetari i bashkisë nuk është aq fort kundër kujtimit dhe imazhit publik të Gjergj Kastriotit, por thjesht kundër formave të njohura, të përsëritura, jo origjinale e në mos artistikisht edhe lodhëse siç mund ta konsiderojë vendosjen e të njëjtit lloj e tip busti? Në Shën Sofi ka një vepër tjetër skulpturore, do të thoshim një kryevepër. Titullohet “Shqiptarët e Italisë“ dhe ka për autor italianin e talentuar Anxhelo Alixha (Angelo Aligia).
Do të shkonim ta shihnim atë pak minuta më pas, ndërsa po shtrëngohej koha që na detyronte të iknim drejt qytezave të tjera arbërore. Sapo e pa autori i këtyre radhëve nuk gjeti dot fjalë më të bukur për ta thirrur se “Monumenti i Lotit”. Për ta shpjeguar pse gjithçka e krijuar në atë kryevepër arti kishte të bënte me lotin do të na duhet shkrimi i ardhshëm. Këtë herë bashkëngjitur këtij reportazhi, sa për t‘i sjellë lexuesit imazhin e parë të të jashtëzakonshmes, po sjellim njërën nga fotot që i bëmë atij monumenti tronditës.



Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com