Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Skënderbeu 38 vjeçar në një shtatore


(Botuar në “Milosao”, “Gazeta Shqiptare”, 31 janar 2010)

Shumica e shqiptarëve, të paktën ata që çdo mbrëmje e kanë bërë zakon të ndjekin në ekranet televizive edicionet e lajmeve, nuk e panë dot atë që ndodhi në qytetin e Peshkopisë më 9 qershor 2009. Këtë ngjarje nuk e patën fat ta ndeshnin të sendërtuar me pamje vizive apo në lëndë shkronjash as në ditët e muajt e mëpasshëm. Për javë të pafundme, deri në sfilitje të durimit, shqiptarët deri atëherë patën parë se si me rastin e botimit për Skënderbeun të një libri nga historiani zviceran Oliver Jens Schmitt shungulloi një polemikë që çdo ditë, si të qe një fabrikë, prodhonte katër-pesë lajme të forta, pothuaj të gjitha kontradiktorë.
Para se të ndodhte në Peshkopi ngjarja e 9 qershorit 2009 për Gjergj Kastriotin qe krijuar sërish një zhurmë e madhe, potere e cila mbërtheu si në ngërç mediat kryesore të vendit. Në qytetin e Burrelit nga autoritetet e forumet bashkiake të tij ishte projektuar që nga një shesh kryesor të hiqej busti i bronztë i Skënderbeut dhe në vend të tij të lartohej në formën e një shtatoreje silueta e Ahmet Zogut.
Kur ndodhnin të gjitha këto skulptori Sadik Spahia, i cili njëkohësisht është edhe dekan i Fakultetit të Arteve Figurative në Akademinë e Arteve në Tiranë, qe mbyllur në studion e tij në krye të rrugës “Komuna e Parisit” dhe që prej më shumë se një viti po përpiqej t’i jepte formën përfundimtare veprës së tij të fundit. Qe një shtatore e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Për t’ia dalë mbanë një krijimi të ri ai po kryente një veprim origjinal. Ndërsa deri atëherë heroi i shumë adhuruar i shqiptarëve qe interpretuar me pamje dhe gjeste të një moshe madhore, rreth të gjashtëdhjetave, Spahia po guxonte të kundërtën: ta bënte tridhjetë e tetë vjeçar. Për pamjen e Skënderbeut, duke qenë se më afër realitetit ekziston vetëm një pikturë-portret e tij e realizuar gjatë vizitës që kreu në Romë në dhjetor 1466-mars 1467, pra një vit para vdekjes, ky model ka bërë hegjemoni të plotë. Gjergj Kastrioti me të vërtetë në këtë pamje të moshuar ka aq shumë fisnikëri dhe forcë karakteri, urtësi dhe hije të një burri shteti, sa që ka sugjestionuar breza të tërë piktorësh dhe skulptorësh. Mirëpo Sadik Spahia dëshironte t’i shpëtonte këtij modeli dhe moshën tridhjetë e tetë vjeçare të Skënderbeut e zgjodhi si më të ultën e mundshme. Arsyeja përse kishte këtë limit qe fare e thjeshtë. Në këtë moshë Gjergj Kastrioti shpërtheu kryengritjen e tij kundër pushtimit osman dhe Portës së Lartë. Spahia e kishte vëzhguar me aq kujdes bëmën të Skënderbeut sa e dinte fare mirë që pjesa historike e jetës së tij niste vetëm pasi me treqind trimat e tij, pjesa dërmuese nga trojet e vendlindjes, në betejën e Nishit braktisi frontin e luftës kundër hungarezëve, u kthye në Dibër dhe pa mbushur atje as edhe një ditë të plotë, organizoi dhe nisi operacionin e sulmit të befasishëm për të çliruar Krujën.
Pikërisht këtë çast, një nga momentet më vendimtarë të veprës historike të Gjergj Kastriotit dhe asnjëherë e fiksuar në një vepër arti, zgjodhi dhe fiksoi në skulpturë Sadik Spahia.
Por këtë herë risia e dekanit të Fakultetit të Arteve Figurative të Universitetit të Tiranës nuk ishte vetëm kaq. E mishëruar artistikisht në pamjen e vet tridhjetë e tetë vjeçare skulptura nuk do të vendosej në kryeqytet, në hapësirat e Shqipërisë së jugut apo të veriut, në Kosovë apo në qytete të largëta të botës. Kësaj here Skënderbeu do të vendosej në Peshkopi, çfarë do të thotë në kryeqendrën e Dibrës. Në fund të fundit kishte qenë një dibran, biznesmeni Zaim Korsi, i cili e kishte dëshiruar, porositur dhe sponsorizuar shtatoren.
Po cili është ky? Sigurisht sapo e sheh për herë të parë dhe shkëmben një opinion e kupton që është një tip protagonisti, njeri që dëshiron të lejë pas një gjurmë të tij. Këtë virtyt që po e teprove shndërrohet në vesin më të keq apo këtë vetëpëlqim që ndonjëherë ka fuqinë mbinatyrore të krijojë kryevepra, Zaimi dëshiron ta vërë në jetë me Gjergj Kastriotin. Më së pari sepse ai është kryeheroi kombëtar. Së dyti se është siguruar nga historiani i njohur Kristo Frashëri që ndryshe nga teoritë apo hamendjet e shumta sipas të cilave Skënderbeu është prej veriut të vendit, nga zona e Hasit, shkencërisht është provuar që familja e tij vendlindje ka fshatin Sinë të krahinës së Dibrës. Duke nismuar projektin e një shtatoreje për Gjergjin biznesmeni Korsi kështu qe i bindur se kishte përputhur më së miri dimensionin kombëtar dhe lokal të Skënderbeut. Punë mjaft delikate kjo, sepse do ta kishte një pasojë. Po të ndodhte që po ajo shtatore e vendosur në Peshkopi të përurohej në Tiranë nuk do të mbetej në periferi të interesimit të medias.

ooo

Rrëzëllimi në mendje i idesë Zaim Korsit i ngjau tre vite të shkuara. Madje atëherë e kishte menduar skulpturën si një bust. Me këtë konceptim nisi të takojë krijues të ndryshëm dhe t’u ofronte projektin. Një pjesë kujdeseshin që në fillim, më tepër se realizimin e ndonjë gjëje të re, të fiksonin shumën e parave për honorar. Në këtë kërkim këmbëngulës, ashtu siç u ngjan shpesh njerëzve me fat, i ra në dorë adresa e Sadik Spahisë. Sapo e takoi ky iu duk shumë ndryshe. Tek pinin nga një çaj të gjithë bisedën e bëri për vlerën artistike të veprës së ardhshme. Kur Korsi i shpjegoi se e donte bustin e Skënderbeut të ishte duke qëndruar në këmbë atëherë Spahia ia shpjegoi se ajo ide që mbante në kokë nuk quhej bust. Bust donte të thoshte pamja e një njeriu në gjysmën e shtatit. Po të krijohej si një njeri i plotë, ca më shumë duke qëndruar në këmbë, kjo kuptonte se figura duhej të pasqyrohej me të gjithë shtatin. Një vepër e tillë artistike në skulpturë, e sqaroi dekani i Fakultetit të Arteve Figurative në Akademinë e Arteve në Tiranë, quhej shtatore.
Më pas Zaim Korsi do të mësonte se skulptori që pati zgjedhur për t’i dhënë jetë një shtatoreje në Skënderbeut qe edhe autor i monumentit të protestës kundër diktatoriale të 2 prillit në Shkodër, i një shtatoreje të Shtjefën Gjeçovit në Zymë afër Prizrenit, ku bashkëkombësi i madh ka edhe varrin e vet, i memorialit skulpturor nga më tronditësit, ai për dy poetët e Librazhdit, të pushkatuar nga regjimi komunist. Sadik Spahia qe autor edhe i një basorelievi në bashkinë e Kamzës si edhe një busti të Pjetër Arbnorit. Ky i fundit akoma nuk është vendosur, sepse parashikohet kur të mbarojë përfundimisht rikonstruksioni i Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës që mban emrin e kryeparlamentarit të njohur, njeriut simbol të rezistencës së gjatë kundër diktaturës.
Në atë fillim të vitit 2007, kur u takuan dhe ranë dakord për ta realizuar shtatoren e Gjergj Kastriotit bashkëbiseduesit Korsi nuk i rrëfeu që vinte me origjinë nga Dibra e Madhe dhe se prej andej për të mos shkuar ushtar në armatën mbretërore jugosllave gjyshi i tij, vetëm gjashtë muaj i martuar, kishte kapërcyer kufirin dhe hyrë në thellësi të Shqipërisë. Nuk i tregoi po ashtu se vëllait të gjyshit në prag të 28 nëntorit 1912 iu dhanë disa letra të mbyllura, të cilat duhej t’i dorëzonte në Vlorë, por në kufi e kapën rojet jugosllave. U zëmëruan që në to shkruhej për gëzimin e madh të banorëve të Dibrës së Madhe për ngritjen e një shteti të shqiptarëve. Duke qenë se ngritja e një shteti shqiptar i prishte shumë punë Beogradit të riut që kapën i hodhën prangat dhe e burgosën. Ushtarakët jugosllavë ia thanë çfarë e priste: do të pushkatohej. Mirëpo i rrezikuari të humbte jetën u mbrojt mirë në hetuesi e në gjyq. Nguli këmbë se nuk dinte çfarë thuhej në ato letra, se nuk dinte as shkrim dhe as këndim dhe se në atë rrugëtim të ndërprerë në buzë të kufirit nuk qe veç një korrier i thjeshtë. Në atë takim të parë të fillim vitit 2007 biznesmeni Zaim Korsi nuk i tha skulptorit Sadik Spahia se ndërsa shteti i porsa shpallur shqiptar kalonte vitet e para të vështira gjyshit të tij të arratisur në Shqipëri një ditë i kishte mbërritur një letër nga konsullata jugosllave në Tiranë. Sjellësi i saj i pati mbushur mendjen se zarfi kishte brenda një haber të mirë dhe se nuk duhej të vononte të paraqitej. Ndërsa shkonte drejt konsullatës jugosllave takoi rastësisht një mik që e pyeti për ku po ngutej. Ky ia shpjegoi. Tjetri pa një pa dy hapi zarfin dhe lexoi letrën. Pastaj i tha të mos ikte. Konsullata kishte plan ta dorëzonte tek autoritetet kufitare jugosllave.

ooo

Pas çajit të parë Korsi dhe Spahia, tashmë një çift me të njëjtin mendim dhe marrëveshje veprimi, pinë edhe një të dytë. Herën e tretë shkuan në vend, në Peshkopi, atje ku parashikohej ngritja e shtatores. Për çdo skulptor relievi natyror është pothuaj pjesë e veprës artistike. Sadik Spahia e dinte mjaft mirë çfarë madhështie i jepte monumentit të Gjergj Kastriotit në Krujë prania e kështjellës dhe e malit të lartë e shumë shkëmbor. Ai e dinte po ashtu se qenë të munguara nga kjo mbështetje monumentet e Skënderbeut në qendër të Tiranës apo në Prishtinë e Shkup. Sfondi i relievit të qytetit të Peshkopisë ishte një plus. I takonte Spahisë ta zgjidhte shtatoren artistikisht që ajo të bashkëjetonte në harmoni me mjedisin përreth, të jepte e të merrte madhështi me të.
Pastaj të dy “kokëkrisurit” kaluan kufirin dhe shkuan në Dibër të Madhe. Aty ka një monument të Gjergj Kastriotit. Duhej parë që të mos përsëritej jo më i njëjtë, por as i përafërt. Në rrugën e rikthimit, në Peshkopi, firmosën kontratën e bashkëpunimit. Sipas saj Skënderbeu duhej të ishte luftëtar, burrë shteti dhe diplomat. Qe pranvera e vitit 2007.
Patën çelur lulet e para të po asaj stine, kësaj here në 2008, kur Zaim Korsi shkoi si zakonisht në studion e Sadik Spahisë. Ajo qe duke përfunduar. Para skulpturës ende në baltë mbeti një kohë të gjatë i heshtur. Për nga lartësia e trupit iu duk saktësisht siç e desh. Ndihej mirë po ashtu që Skënderbeu ishte pasqyruar në moshë të re. Veç u turbullua nga disa mospërputhje të tjera, sidomos nga ajo që nuk mund ta pranonte. Sadik Spahia nuk e kishte mishëruar me përkrenare në kokë, pra siç i takon një luftëtari në betejë, por duke e mbajtur atë në njërën dorë, mbështetur afër ijës. Zaim Korsit i erdhi keq, sepse atë çast heroi i tij i adhuruar iu duk si i çarmatosur. Atë ditë nuk u deshën pak minuta, madje nuk mjaftoi as vetëm ajo seancë vizite në studio për t’iu mbushur mendja se arti prandaj është art, që të dijë ta shprehë një fitimtar me mjete shprehjeje më të thella, me shumë metaforë dhe jo me skematizëm.
Megjithatë Zaim Korsit për magjinë e mjeteve figurative të shprehjes artistike nuk iu mbush mendja shumë, por tek Sadik Spahia kishte besim të plotë dhe kjo mjaftonte. Ndërkohë duke qenë edhe dëshira e vetë skulptorit, ftoi shumë njerëz ta shihnin shtatoren ende në krijim. Kishte mes tyre jo vetëm artistë, ardhës posaçërisht nga Peshkopia, por edhe historianë. Fitoi varianti me përkrenaren në njërën dorë.
Erdhi koha për t’u derdhur në bronc si edhe përcaktimi i datës së përurimit. Bashkia e Peshkopisë me kohë kishte miratuar dy sheshe dhe Sadik Spahia pati zgjedhur njërin, atë para Pallatit të Kulturës. Duke qenë se natyra Zaim Korsin e ka bërë jo vetëm shumë kureshtar, por edhe sfidues, e pyeti një ditë Kristo Frashërin a mos për përurimin e shtatores qe e përshtatshme Dita e Shën Gjergjit, 6 maj 2009. Skënderologu shumë i ditur i shpjegoi se çuditërisht i kishte rënë në të. Duke mos pasur asnjë dokument kur kishte lindur historianët mendonin se Gjergj Kastrioti në vitin 1405 duhej të kishte dalë në jetë pikërisht ditën e Shën Gjergjit. Sipas një zakoni të krishterë të porsalindurit i vihej emri i shenjtorit të asaj dite.
Sidoqoftë përurimi në 6 maj nuk u bë dot. Dikush nga myftinia e Dibrës i qe lutur kryetarit të bashkisë së Peshkopisë që shtatorja e Skënderbeut të bëhej publike në një ditë tjetër, jo në një festë të vetëm një feje. Atëherë dita e shty në 30 qershor. Parashikohej të përfundonte ndërtimi i Pallatit të Sportit dhe me këtë rast të ftohej Kryeministri. Kryetari i Qeverisë për shkak të një angazhimi tjetër nuk erdhi dot dhe përurimi bëri një shtyrje të tretë: 6 qershor. Por edhe kjo datë qe e pafat. U vendos afati i katërt, i cili qëlloi edhe i fundit: 9 qershor.
Ndërkohë Shqipëria gjendej në pikun e fushatës elektorale për deputetët e Kuvendit. Siç nuk mund tashmë të shmangej dot ngritjes së shtatores së Gjergj Kastriotit në Peshkopi iu avit për të marrë pjesën e saj të luanit edhe politika.
Guri i mermertë i bazamentit i nxjerrë në Shupenzë, të cilin nuk e ngriti dot një vinç i parë prej 15 tonësh, por një i dytë me forcë ngritëse të dyfishtë, u vendos në shesh natën, nën kërshërinë e shumë banorëve. Ndërkohë shtatorja tashmë në bronc, 1.2 ton, u nis nga një fonderi e Sofies. Furgoni i madh me shqiptaro-maqedonas që e kishin marrë përsipër derdhjen në firmën bullgare, e cila kishte prodhuar edhe monumentin e Skënderbeut të Dibrës së Madhe, u gjend në pikën doganore të Bllatës pak pas mesnate. Kur e lajmëruan Zaim Korsin, i cili qe në Tiranë, ky iu lut një miku të tij të vraponte menjëherë dhe ta shihte ishte e bukur shtatorja apo jo. Tjetri e ngau makinën me shpejtësinë më të madhe për ku iu lutën dhe në sy të doganierëve grisi menjëherë cohën që mbështillte Gjergj Kastriotin. Ato çaste, kur ora e ditës së re kishte kohë e larguar nga mesnata e të shkuarës, thonë se prej emocioneve ndonjërit prej doganierëve edhe iu rrëmbushën sytë. “Është shumë i bukur”, me fjalë që tingëllonin si një këngë i erdhi përgjigja në Tiranë Zaim Korsit. Atëherë ky sapo u zbardh dita vrapoi tek një firmë private që merrej me zbukurimet festive. Ajo në të gjithë Shqipërinë kishte edhe flamurin më të madh e më të bukur kombëtar. Me të në duar u nis drejt Peshkopisë. Sadik Spahia ndërkohë nuk kishte kohë të merrte frymë. Në bazamentin e mermertë një metra e gjysmë kishte bërë gati gropëzën lidhëse dhe katër bulonat e hekurtit që kurrë shtatorja e Gjergj Kastriotit të mos binte, veç po të ndodhte të çahej toka mes për mes. Nën vështrimin e shumë vendasve që edhe pse orë shumë të vona nuk donin të ktheheshin në shtëpitë e tyre, e montoi shtatoren. U bë një përmendore e vërtetë prej afro pesë metrash. Kur gjithçka u bë gati për ceremoninë e përurimit Spahia u kujdes që deri në pritjen e çastit sublim shtatorja të qe e mbuluar me një cohë me ngjyrë të kuqe dhe një tjetër të zezë.
Në ceremoninë e 9 qershorit erdhi kryetarja e Kuvendit. Bashkë me të edhe deputetët e vetëm njërës parti. Politika po bënte zakonin e vet. Kryeparlamentarja i dha dorën Zaim Korsit dhe Sadik Spahisë dhe mbajti fjalën e rastit. Pastaj zbuloi shtatoren e Gjergj Kastriotit. Siç e kanë pasionet zgjedhore në të gjitha fjalët që u thanë në atë ngjarje të madhe artistike nuk u përmend kurrë emri i autorit. Siç mund edhe të mos pritej, pra që mund të bëhej ndryshe, për pjesëmarrësit, mes tyre edhe shumë këngëtarë dhe orkestrantë, bashkia shtroi një drekë. Këta e bënë në një lokal që mbante deri njëqind veta. Duke qenë se fushatat elektorale kanë një logjikë të tyre doli se aty nuk kishte vend as për sponsorizuesin dhe as për krijuesin e shtatores. As për disa miq artistë të ftuar prej tyre. Atëherë për këta më shumë se njëzetë vetë qe Zaim Korsi që shtroi një drekë në një lokal tjetër.
Tani që shkruajmë këto radhë shtatorja më e re e Skënderbeut, një edhe nga më origjinalet e tij, ndodhet në sheshin e vet në mes të Peshkopisë, afër trojeve të vendlindjes së tij. Sadik Spahia është kujdesur që të ketë një pozicion ku lindja e diellit ta ndriçojë pamjen e tij bronztë gjithë ditën, pa iu ndarë asnjë çast. Madje duket sikur, pa e vënë re kush, edhe vetë Gjergj Kastrioti lëviz rreth bazamentit të tij për të ndjekur trajektoren e përjetshme të diellit.
Ndërkohë skulptori është kujdesur që heroi i madh i shqiptarëve ta ketë një pelerinë të hedhur supeve. Era e vendlindjes ia merr në një valëvitje të papushuar. Si të jetë një flamur që nuk ulet kurrë.

Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com