|
Vdekja e një Nëpunësi Shteti
Botuar në gazetën “Shqip”, 8 shkurt 2010
Dëgjoj zërin e tij të regjistruar së fundi, diçka më shumë se një vit më parë, tek i shkova shtëpi, një apartament modest në një pallat në Romë, buzë sheshit me emrin Santa Emerenziana.
Me Leon Kostën pata punuar për katër vite me radhë në të njëjtën zyrë dhe shumë fragmente nga jeta e tij, kur nuk mundesha t’i fiksoja në kujtesë, ia kam regjistruar në magnetofon. Ai kishte përjetuar shumë momente kyçe të jetës së Shqipërisë, veçanërisht kur diktatura ra dhe nisi tranzicioni i shumë dëshiruar, por njëkohësisht edhe mjaft i mundimshëm. Leoni kur filloi tranzicioni, periudhë e cila do të ketë fatin të mbetet në histori jo më pak se çastet më të spikatura të jetës së shqiptarëve, Rilindja, vitet 1920-25, rezistenca antifashiste e viteve të Luftës së Dytë Botërore, ishte në një nga zyrat kryesore të parlamentit shqiptar. Qe në vendin dhe kohën e duhur. Dhe veproi siç duhej.
Për rregullin më të thjeshtë të mbijetimit një populli relativisht të vogël i duhet një shtet i fortë, jo e kundërta. Në se nuk do që ai të jetë kala rëre, por kështjellë, lënda themelore mbeten nëpunësit, sidomos ata që sapo përfundojnë shkollimin zgjedhin të punojnë me të deri sa të thinjen e të dalin në pension. Kur mes qindra e qindra atyre që kanë zgjedhur të jenë në çdo kohë besnikët e tij e zgjodhëm në këtë shkrim Leon Kostën jo sepse është i vetmi apo më i miri. E vumë në qendër sepse historia e jetës së tij mishëron tiparet më kryesore të dukurisë së fatit të një Nëpunësi Shteti në Shqipëri, me të mirat dhe të këqijat e saj.
Leoni ishte një prej atyre që e dinte se duke bërë këtë zgjedhje, pra nëpunësin, nuk do të bënte karrierë deri në majat më të larta të idhullit të vet, Shtetit. Të gjithë nëpunësit e përkushtuar të tij në mos që në vitet e para shumë shpejt më pas e kuptojnë se në krye të piramidës së administratës shumë të lartë vijnë emra nga pjesë të tjera të jetës shoqërore, pothuaj tërësisht nga politika. Por kjo gjë ata nuk i shqetëson, e mirëkuptojnë. Ata me zgjedhjen e vetëdijshme që kanë bërë japin provën e sinqertë se nuk duan të hyjnë në lozhën e të fuqishmëve, të njerëzve të pushtetit, “sundimtarëve”, por në platenë e masës gri, të njerëzve me forcën e magjishme të ekuilibrimit të shoqërisë, të ruajtjes dhe forcimit të Shtetit, të këtij garanti i cili bën shërbimin e madh që vendi të shkojë përpara i pa ciflosur dhe i pa zënë peng nga përplasja e fortë e krahëve rivalë të politikës.
Leon Kosta e mbaroi shkëlqyeshëm Universitetin e Tiranës dhe për dy vite, deri në tetor 1978, punoi si këshilltar në gjykatën e kryeqytetit. Pastaj nisi të bënte jetën e asistent-pedagogut atje ku ishte diplomuar, në Fakultetin Juridik. Në vitin 1983 e morën në aparatin e presidencës. Do të qe këshilltar juridik i Kuvendit Popullor, por edhe kryeredaktor i “Fletores Zyrtare”. Ishte i pa anëtarësuar në partinë e vetme në pushtet, madje sipas një rregulli e dogme të kohës pikërisht për këtë gjë e patën zgjedhur. Kur nisi jetën në zyrën e re u ndje i emocionuar. Atje pati punuar Manol Konomi. Akoma në raftet e bibliotekës ndodheshin librat në frëngjisht, paketat me ligje moderne, të cilat juristi i famshëm i lexonte, por nuk mund t’i zbatonte. Regjimi kishte zgjedhur rrugë tjetër, doktrinën e Stalinit.
Në vitin 1988 Leon Kosta pa se si shteti i ashpër komunist po kërkonte që pa hequr dorë nga sistemi i tij politik, të zbutej dhe hapej. Në Kuvendin Popullor i dhanë edhe sektorin e jashtëm. Ishte ngarkesë tepër e madhe, por nuk kundërshtoi. Atëherë në të quajturën Republikë Popullore Socialiste parlamenti mblidhej në seancë plenare vetëm dy herë në vit. Miratonte projektligjet që përgatiste aparati i Kuvendit Popullor. Ndërkohë që nga viti 1960 ai bënte pjesë në një forum botëror, në Bashkimin Ndërparlamentar, por pas vetëm një pjesëmarrjeje të parë në 1961 partia e vetme në pushtet vendosi që marrëdhëniet me të të mbetnin vetëm duke paguar një detyrim vjetor prej katër mijë dollarësh. Asnjë dërgatë në mbledhjet e saj nuk do të kishte, asnjë delegacion i ardhur nuk do të pritej. Ndërkohë nga organizata botërore vinin vazhdimisht broshura me literaturë juridike të kohës. Shumica nuk duhej as të vendoseshin në raftet e bibliotekës.
Viti 1988 premtonte se për të dalë nga ku vetrrethim diçka mund të bëhej. Leon Kosta propozoi, për derisa paguanin edhe kuotën, marrjen pjesë rregullisht në forumin ndërparlamentar. Dy shkallët e piramidës mbi të, deri tek numri një i shtetit, i kërkuan një studim. E bëri dhe ua dorëzoi. Pas dy muajsh pjesëmarrja u miratua. Atë vit mbledhja e radhës u mbajt në Sofje. Tek të pesë anëtarët e delegacionit me dy makina kalonin Shkupin, preknin kufirin bullgar dhe hynin në brendësi të vendit, e ndjenin se po niste të paktën një përvojë e re. Në takimin e Bashkimit Ndërparlamentar ata panë edhe bolshevikun lindor Teodor Zhivkov, por edhe liberalin perëndimor Xhulio Andreoti. Kur në një seancë nisi votimi i një deklarate, prej kreut të delegacionit shqiptar iu kërkua të pestëve të largoheshin. Kosta kundërshtoi butësisht se do të qe shumë e vrazhdë ta linin demonstrativisht sallën. Mjaftonte të mos e votonin. Por megjithatë dolën. “Latë nam!”, u tha një koleg i një vendi tjetër, duke nënkuptuar figurë të keqe, por në Tiranë nga nismëtari i bojkotit u raportua si gjest që bëri famë të mirë.
Një vit më pas, në 1989, takimi i Bashkimit Ndërparlamentar u bë në Budapest. Këtë herë, kur erdhi radha për të mos votuar, nuk u dol nga salla. Ishte moti kur po binin diktaturat komuniste. Në Shqipëri, nën këtë trysni, por edhe të pakënaqësisë së brendshme, filloi çmontimi i pjesëve më brutale të sistemit politik: U krijua Ministria e Drejtësisë, u flak tutje ligji i agjitacion-propagandës, ai i dëbim-internimeve. Në të gjitha ngjarjet Leon Kosta ishte i pranishëm dhe mes inkurajuesve. Kur u miratua rënia e të parit kundërshtoi bashkëshortja e diktatorit. U ankua “Po hiqet dorë nga mësimet e Enverit!” Në të dytin, heqjen përfundimtare të ndëshkimeve me dëbim dhe internim, u kujtua se që në vitin 1985 nga zyra juridike e Kuvendit Popullor kishte dalë propozimi që të paktën në këto dënime të kishte një garanci, atë të rikthimit pas përfundimit. Një ligj internimi kishte pasur edhe Ahmet Zogu, por me disa garanci. Mbaronte afati ktheheshe. Ndërkohë dënimi ishte individual, jo si familje.
Më vonë Leon Kosta u përfshi në grupin e punës për hartimin e paketës për shtetin e ri ligjor. Shteti politik ishte në grahmat e fundit. Në janar 1991 bashkë me tre kolegë mori pjesë në televizionin e vetëm shqiptar në debatin e parë pluralist juridik. Po skicohej edhe paketa e re kushtetuese. Tashmë ajo kishte një nënkryetar nga opozita. Në nëntor 1991 grupi hartues qe në Komisionin e Venecies. Lajmi i pranisë së tij ndodhet ende në faqen e internetit të Këshillit të Evropës. Mban datën 16 dhjetor 1991 dhe shkruan se dy përfaqësues nga Komisioni Evropian për Demokraci Nëpërmjet Ligjit në datat 22 dhe 23 nëntor ishin takuar me delegacionin shqiptar, në përbërje të të cilit qe “Mr Leonidha KOSTA, Member of the Commission for the drafting of the Constitution”.
Kur në vitin 1992 i ftuar nga parlamenti gjerman bashkë me disa kolegë shkoi për të marrë përvojë në Bon e Berlin, në aeroportin e Rinasit, piu kafe dhe bisedoi me atë kohë shefin e opozitës antikomuniste. Ky shkonte për në Francë. Me t’u kthyer lanë të takoheshin për projektin e ligjit të zgjedhjeve. Ndërsa në prill 1993 qe në një mbledhje ndërkombëtare në Budapest përfaqësuesi amerikan u tha atyre të Moldavisë se për ligjin e zgjedhjeve duhej të merrnin shembull nga shqiptarët.
Mirëpo ky vit ishte edhe bartësi i fatit të tij tragjik. Si pasojë e një gripi banal mori një infeksion fatal në veshka dhe ato nuk mund të funksiononin më pa një aparat të jashtëm. Dy-tre herë në javë duhej të bënte dializë. Një shërbim i tillë nuk kryhej në Shqipëri. Shkoi në Itali, tek njerëzit e tij të migruar atje dhe mundi të niste gratis, një vepër e mahnitshme i sistemit shëndetësor italian, ndërhyrjen me aparat. Çdo seancë kushtonte disa mijëra dollarë. Pikërisht në këto çaste kryetari i parlamentit Pjetër Arbnori bëri një ndërhyrje mirësie. Leon Kostën e rekrutuan në Shërbimin e Jashtëm. Në vitin 1995 nisi punën si i ngarkuar për ekonominë dhe ligjet në Ambasadën Shqiptare në Romë. I dhanë gradën më të ulët, atë të fillestarit. Nuk bëri zë. U ndje i nderuar dhe i mbrojtur nga shteti i vet. Shumë shpejt për zotësinë e tij u ngarkua edhe si përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë në FAO, Organizatën për Ushqimin dhe Bujqësinë të Kombeve të Bashkuara, me seli në Romë. Nisi të mbante lidhjet mes shtetit tonë dhe Komisionit të Venecies, sidomos me La Pergola-n, bashkëkryetarin italian të kësaj organizate të rëndësishme evropiane. Prej tre dializave dy të gjatë javës i bënte pasdite vonë, të tretën ditën e shtunë. Për vite me radhë, deri sa më në fund, kur mbushi dy mandate, në 2003 u lirua nga misioni, asnjë minutë nuk i hoqi orarit të punës, madje vinte përherë pasdite, po të qe nevoja pa munguar edhe të dielave.
Pas kësaj ai njeri që i njihte gjer në përsosmëri të gjitha ligjet italiane dhe po të kishte tjetër përfytyrim për zgjedhjen e punës do të gjendej paralelisht në një studio private avokatie, u ndodh i lënë në rrugë. Nuk kthehej më dot as në Tiranë. E mbante të lidhur përfundimisht dializa. Po ashtu edhe radha e gjatë për trapiantin e veshkave. Kishte një duzinë vitesh në listë-pritje
I ndarë nga shërbimi për shtetin e vet edhe pse akoma i aftë, nën një gjendje harrimi që e përballte pa u ankuar, në vitin 2006 pësoi një goditje të rëndë. Prej dobësimit të rënduar të veshkave ra tek zbriste disa shkallë dhe i dolën nga të gjitha kyçet e lidhjeve të dy këmbët e të dyja duart. Trupi i tij pothuaj u zbërthye krejt. Kur e vizituam në spitalin Umberto Primo ai sfinks mbijetimi kishte nisur të përdorte forcën e tij të pazakonshme morale. Me një durim të madh dhe inteligjencë kurimi arriti t’i “lidhë“ sërish gjymtyrët, të bëjë hapat e para me patericë dhe më pas të hyjë në radhën e njerëzve që mund të dilnin një shëtitje të shkurtër. Po ashtu edhe të shkonte tre herë në javë për dializë deri në spital, hipur në një makinë të vjetër, të drejtuar nga i biri.
Kur ndërroi jetë në Romë, por edhe kur trupin e tij e sollën në Tiranë, shteti i tij mungonte. Ndoshta ai do ta dërgonte përfaqësimin e vet po të lajmërohej posaçërisht, por një familje në hidhërim vendos vetëm lajmërimet publike, nuk mund të dërgojë “ftesa” zyrtare për ceremoninë funebre.
Tashmë ka disa muaj që trupi i juristit të njohur Leon Kosta prehet në atdheun e vet, tek shteti i tij, nëpunës i devotshëm, i vyer dhe i pabujshëm i të cilit dëshmoi se qe. Një shtet që i ka dhënë fund epopesë së kryeministrave që i kanë varret nëpër botë dhe premton një mënyrë të re jete për nënshtetasit e vet, por edhe për ata nëpunës që ia kanë blatuar të gjithë jetën shërbimit në të, e gjen një mënyrë kujtimi. Mjafton të bëjë rregull e zakon të vetpajiset me kulturën e mirënjohjes. Kjo do të thotë se duhet të përdorë stimujt, duke nisur nga më të thjeshtët: falënderimet. Për fat të keq deri tani punon mirë vetëm zakoni për ndëshkimin, vërejtjen, madje edhe për “shkurtimin e vendit të punës”.
Punon veçanërisht non stop harrimi.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|