|
Monumenti i lotit
(Botuar në gazetën “Illyria” e Nju Jorkut më 3 shkurt 2010)
Çfarë ishte ajo sferë përballë të cilës ndalëm këmbët? I ndalëm apo në të vërtetë ato papritur na u mpinë? Ai rruzull gjysmë i mbështjellë me gurë si me një lëvozhgë ngjyrë artë herë na dukej si fryt i prodhuar nga pemë kozmike të rritura në yllësin e pafund të qiellit dhe herë si një lloj meteori, që pasi ishte shkëputur prej galaktikash të largëta, i përvëluar nga flakët, pati rënë megjithatë i paprishur, si një mesazh hyjnor, në tokat ku prej shekujsh mërgonin arbëreshët.
Si të shushatur bëmë disa hapa përreth sferës, në mundim të plotë për ta kuptuar atë krijesë. Diku duhej të qe titulli i asaj vepre artistike ose të paktën emri i autorit. Më në fund e gjetëm një shenjë prej ku diçka mund të ftillonim. Ishte një pllakëzë e shkruar në dy gjuhë, arbërisht dhe italisht.
Qenë vendosur në të vargjet e këngës së njohur, himnit të arbëreshëve, “Moj e bukura Morè”.
Vargjet i lexojmë duke mos mundur dot ta përmbajmë e qetësojmë veten. Për të gjithë ata shqiptarë që e kanë dëgjuar atë melodi e njihet mirë se si, ndërsa trupin ta rrëmbushin mornicat, ndihesh e bëhesh menjëherë arbëresh.
Moj e bukura Morè,
Si të lë u më nëng të pe si të le.
Si të le, si të le u më nëng të pe
Atje ku kam u zotin Tatë,
Atje ku kam zonjin Mëmë
Atje kam edhe t’im vëlla gjithë mbuluar,
Gjithë mbuluar, gjithë mbuluar nën atë dhe,
Moj e bukura Morè.
Vështirë në botë të gjenden shumë krijime të tilla. Duhet të jenë mjaft të pakta. Melodia dhe teksti i saj për nivelin artistik dhe për forcën e dramës që ngërthejnë janë shekspiriane. Nuk mund të shpjegohet ndryshe veç prej këtij gjenialiteti jo vetëm mbijetesa qindra vjeçare, mosvyshkja e saj, mos harrimi, por edhe freskia si të jetë krijuar ato çaste kur e këndon. “Moj e bukura Morè” është e interpretueshme po aq magjishëm me zë njeriu dhe vetëm melodi, në kor dhe fillikat, në muzgun e ditës dhe kur sapo zbardh agimi, kur të mbulojnë ëndrrat dhe kur dëshiron vetëm të mendosh, kur je fëmijë apo në fund të jetës, ndërsa je vajzë e re dhe kur ndihesh nënë. Jo, nuk mund të shpjegohet ky mbijetim shekullor përveç me nivelin e jashtëzakonshëm artistik të kësaj kënge. Po të kishte ajo një emër autori ai do të qe mbuluar i tëri nga lavdia dhe në trojet e shqiptarëve, madje kudo në glob ku ata kanë ngritur familjet e tyre, sheshet, rrugët e parqet do të mbuloheshin nga bustet e tij. Në mungesë të këtij emri njeriu konkret (i cili në anonimatin e vet doemos ka ekzistuar), “Moj e bukura Morè” ka autor vetë Arbërinë.
Ajo është KËNGË KOMBI.
Është monumenti i tij.
Këtë duket se e di edhe krijuesi i asaj sfere të artë në Shën Sofi, rruzull që tani na duket se është i mbushur me lot. Thua këtu në shekuj të shekujve, madje deri një ditë më parë, në mos vetëm pak minuta para se atij mëngjesi të vinim ne, aty arbëreshët me mijëra qenë mbledhur e patën lotuar.
Ah, lotët e mërgimtarëve! Janë më të dhimbshmit në botë, të nxehtë gjer në përvëlim. Jemi vendi ku në një qytet të tërë të madhërishëm dhe gjithë kulturë, në Korçë, njëra lëndinë e saj mban emrin e lotëve.
Mbijetimi qindravjeçar i “Moj e bukura Morè” e ka të fshehtën tek malli i përhershëm i arbëreshëve për Shqipërinë, gati një ethe që nuk u fashit dhe nuk u shërua kurrë, një temperaturë e dhimbje e brendshme e vazhduar, shpesh aq munduese sa u ka shkaktuar zhgjëndrra, u ka sjellë pamje jo reale, vegime. Ka ndodhur një gjë e tillë edhe me kryekëngën e tyre të mërgimit.
Në pamje të parë ngjan me një absurd, me një gjë të papërfytyrueshme prej një logjike të ftohtë. Moreja nuk është tokë shqiptare, historikisht e tërësisht është greke. Është Peloponezi i sotëm. Në mjaft qytete dhe kështjella të këtij gadishulli të zotëruara nga Republika e Venedikut shqiptarët qenë punësuar si luftëtarë (stratiotë). Edhe pse pas pushtimit osman një pjesë e tyre migruan në tokën italiane atë melodi dhimbjeje e këndojnë duke pasur ndër mend dhe në zemër vetëm Shqipërinë, asnjë truall tjetër.
Edhe pse saktësisht me rënien dhe pushtimin e qytetit Korona, kështjellë në Peloponez, shumë arbër dhe grekë u zhvendosën në Italinë e Jugut, këtu fshatrat arbëreshë rezistuan fort, kurse ata helenë e patën shumë të vështirë mbijetimin. U rralluan. “Moj e bukura Morè” patjetër është kënduar nga të dy etnitë, madje ajo i ka mbajtur të afërt njëri me tjetrin, pothuaj të bashkuar. Megjithatë në fund të fundit atë këngë të rrallë, atë thesar historie dhe identiteti, e ruajtën dhe e mbajtën gjallë arbëreshët. Madje ajo kishte nisur të harrohej kur vargjet ia gjeti një studiues shqiptar, Nikollë Filja (1682-1769). Vendi ku u zbulua ishte qyteza arbëreshe Qeft (italisht Chieuti), krahina Molise. Ndodhej në një dorëshkrim prej 105 faqesh, ku pranë njëra-tjetrës qenë një doktrinë e krishterë, disa poezi laike dhe një përmbledhje këngësh popullore. Ishte një manifest arbëror lirie mendimi, pluralizmi të vërtetë.
E veçanta, por edhe befasuesja, qe se arbëreshi Filja këngën “Moj e bukura Morè” e gjeti në gjuhën shqipe, por të shkruar me alfabet grek. Rrinin bashkë e të pandarë të dy popujt.
Me siguri bashkëkombësit tanë të vjetër e kanë kryer këtë vepër kujtese historike edhe në mbrojtje e respekt të thellë të grekëve. Me ta kishin jetuar në Ballkan, por edhe në viset e reja të mërgimit. Ndiheshin dhe qenë miq, shokë fati të njëjtë. Arbëreshët jetën e tyre prej më shumë se pesë shekujsh e kaluan në një tokë e vend tjetër dhe nuk përjetuan gjysmën e dytë të shekullit në nëntëmbëdhjetë, kur helenët krijuan shtetin e vet dhe në kundërshtim me frytin e bukur të miqësisë e vëllazërimit që dy popujve u kishte dhënë historia, i zgjeruan kufijtë e tij, nën një absurd shoven në kurriz të miqve të tyre të sinqertë, shqiptarëve.
Arbëreshët këto gjëra të mbrapshta nuk i kanë përjetuar. Disa të paktë i dinë vetëm prej leximit të librave të historisë. Në Shën Sofi në mbresë të vëllazërisë së shekujve të shkuar njëra nga rrugët siç quhet Via Epiro, tjetra, një lloj shëtitoreje, ka emrin e Marko Boçarit (Largo Mrco Botsaris).
Emërtimi Santa Sofia degli Albanesi është gjetur i dokumentuar që në vitin 1571, kurse tani Shën Sofia ka shtesë fjalën Epiro. Ngjarja ka ndodhur në vitin 1873, me një vendim mbretëror të Romës. Atëherë u justifikua si një mënyrë për t’u dalluar nga një Santa Sofia e gjendur në krahinën veriore të Romanjës.
Sigurisht është një gjest tërësisht e kryer nën logjikën e asaj kohe kur shteti i pavarur grek, i shkëputur më në fund nga sundimi osman, po e vinte në jetë projektin e tij të ekspansionit territorial mbi shpërfilljen ndaj shqiptarëve.
Në Shën Sofi, mbase duke ditur se edhe mjaft qyteza të tjera arbëreshe afër apo disi më larg, e kanë përcaktorin Albanesi, nuk kanë ngulur këmbë për t’u rikthyer në emrin e tyre historik. Ka të ngjarë që gjenden mirë me emrin e njëqind e pesëdhjetë viteve të fundit, sepse ruajnë të palëkundur respektin e tyre për popullin grek, me të cilin një pjesë e paraardhësve të tyre jetuan në Peloponez dhe së bashku më pas migruan.
Porse në Siçili vendbanimit të madh deri një shekull më parë thirrur Piana degli Greci (Hora e Grekëve), arbëreshët me kohë e kanë bërë Piana degli Albanesi (Hora e Shqiptarëve). Dhe jo vetëm këtu.
Por as “E bukura Morè” nuk u bë kurrë “E bukura Arbëri”.
Për shumë arsye. Shumë bashkëkombës, arvanitasit e sotëm, do të ndiheshin të përjashtuar padrejtësisht nga ajo që kanë pasur imazh të gjithë paraardhësit tanë të pesë-gjashtë qind viteve më parë. Kur arbëreshët lanë brigjet e përtej dy detrave, Adriatik dhe Jon, ata jetonin nëpër të gjithë bregun, gjer në buzë të Egjeut. Atëherë në ndërgjegje e tyre, ndryshe nga tani, nuk vepronin konceptet e sotme për shtetet dhe kombet. Këto atë kohë qenë vagëllim politik e social. Popujt i kishin tokat e shtëpitë e tyre, trojet ku patën lindur dhe vdekur, pa kufij. Një arbëresh mund të jetonte normalisht në Greqi nën një sundimtar helen po aq natyrshëm sa edhe një grek nën një feudal shqiptar.
Arbëri ishte e gjithë hapësira përtej detit, i gjithë horizonti. Arbëri qe po aq Moreja sa edhe vetë qielli në sfond të ujërave të kaltra, madje edhe vetë deti.
Malli i mërgimtarit, duke qenë vuajtje, nuk ka kufi, nuk dëshiron asnjë kufi. Është planetar.
Në Arbëri akoma ka qyteza ku bashkëkombësit tanë në një ditë të vitit, në pranverë, më shpesh ditë pashke, prill apo maj, kthehen me fytyrë nga deti dhe për një kohë shohin në lindje. Është çasti kur zemra u vrapon larg, në mëmëdhe dhe vetëm trupi u rri në tokën italiane. Është momenti më i brishtë i jetës së tyre. Të duket shpesh se ato çaste po t’i prekësh pak, vetëm me një gisht, do t’ua prishësh atë magji. Arbëreshët me atë vështrim të ngulitur në horizontin e mbi ujërave të detit marrin energji mbijetimi sa për të gjithë vitin. E kanë fat atë afërsi të tokës amë, por edhe vuajtje.
Ata e dëshirojnë të pakëputur këtë lidhje. E duan të tillë sepse pas çastit të parë të mërgimit për breza e breza të tërë nuk e larguan nga ëndrrat e tyre mundësinë e rikthimit në atdhe. Ai moment i vendosjes së fytyrës së tyre nga deti nuk është gjë tjetër veç kjo dëshirë shekullore për t’u rikthyer. Nuk mundën dot të shkonin fizikisht, atëherë si eter dërgojnë atje shpirtin.
Ishte një pritje e gjatë ajo e arbëreshëve në tokën italiane, përherë me shpresë se do të rilindte një Skënderbe tjetër dhe do t’i çlironte tokat e pushtuara nga turqit. Oh, sa e kanë pritur Skënderbeun e dytë!
Pastaj ai, Skënderbeu i Dytë, për në vendin tashmë të lirë do t’i ftonte ata dhjetëra e dhjetëra mijëra mërgimtarë arbërorë t’u rihipnin anijeve dhe ktheheshin në shtëpitë e tyre!
Ja përse kënga për të bukurën Morè që në vargun e parë thotë “Si të lash e më s’të pash”. Ja përse pastaj përsërit me dhimbje sfilitëse “Si të lash, si të lash!” në vargun tjetër “Siç të gjeta nuk të lash”. Sepse kur kanë bërë migrimin e parë nga vendlindjet e tyre për në tokat e Peloponezit apo Atikës i kanë gjetur tokat djerrë dhe me mund e duart e tyre ua kanë rikrijuar begatinë e trojeve të reja. Ashtu siç bënë edhe në të gjithë hapësirat italiane ku u mërguan.
Arbëreshët e kanë mbajtur të gjallë shpresën e rikthimit në atdhe në një mot të madh, sepse atje në Morè, pra simbolikisht Arbëri në të gjithë bregun e përtej detit, “Atje kam unë zotin At”, pra gjithsecili kishte babanë. Sepse “atje kam unë zonjën Mëmë”. Kishte nënën. “Atje kam dhe tim vlla” (Oh, ky varg është klithmë motre!).
I kemi të gjithë atje, matanë detit, vajton kënga, veç të “gjithë mbuluar”, asnjë më i gjallë. I ka mbështjellë në krahë e futur në gji dheu. Një pjesë kanë vdekur natyrshëm, prej moshës apo sëmundjeve, por shumica kanë rënë në luftë për të mbrojtur vendlindjen. Aq dhimbje ulëritëse është kjo sa kënga përsërit për të dytën herë “të gjithë mbuluar”, madje edhe për të tretën herë: “Të gjith mbuluar nën dhe”. Pas kësaj vjen thirrja ngashëruese “Ah e bukura Morè”.
Sa shpirt të fortë kanë arbëreshët! U kanë vdekur gjithë të dashurit, përtej dy detrave nuk kanë më asnjë prej tyre t’i presë e megjithatë për shekuj me radhë ëndërruan dhe iu dogjën shpirtrat të riktheheshin në mëmëdhe.
Edhe Naim Frashëri, poeti ynë i madh kombëtar, qe një i mërguar. Sepse në këtë fat të përbashkët e kanë kuptuar mirë njëri-tjetrin në website-n e komunës së Shën Sofisë, aq dukshëm sa t’i shohë gjithsecili që atë faqe online e hap, gjenden edhe vargjet “O malet e Shqipërisë dhe ju, o lisat e gjatë, fushat e gjëra me lule q’ju kam ndër mend ditë e natë...”.
Pastaj: “Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar, dashurinë tënde kurrë zemra ime s’ka për ta harruar. Kur dëgjon zëthin e s’ëmës, qysh e lë qengji kopenë, blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë”.
ooo
Ajo sferë qiellore, ai krijim hipnotizues, të cilin në këtë reportazh e quajtëm “Monumenti i Lotit”, autorin e ka italian. Anxhelo Alixha (Angelo Aligia) i ka vënë emrin “Shqiptarët e Italisë“.
Është një mënyrë kaq e drejtpërdrejtë, por edhe aq shumë e figurshme, për të kuptuar arbëreshët, cilësinë e tyre të mahnitshme të mostjetërsimit etnik. “Shqiptarët e Italisë“ do të thotë se prej fatit që nuk e kishin vetë në dorë, ata kanë ndryshuar vetëm vendin e banimit, shtetin, por jo identitetin e tyre. Janë thjesht shqiptarë të zhvendosur në një dimension tjetër fare të parëndësishëm për ta: hapësirë. Pa asnjë forcë ndikimi mbi ta edhe në një përmasë tjetër: në kohë. Ky formulim, “Shqiptarët e Italisë“, si të jetë kod gjenetik do të thotë se pesë shekuj kaluan, por le të kapërcejnë edhe pesëdhjetë të tjerë. Ata do të jenë e mbeten aty arbëreshë, pra shqiptarë të përhershëm.
Shën Sofia me atë monument artistikisht aq shumë simbolik është ndër të rrallat vendbanime arbërore në Itali që dëshmon të mbijetojë tek ta edhe një shpirt shumë i hollë artistik. Në këtë qytezë ka një grup folklorik i cili quhet “Avulli”. Ka edhe një pistë patinazhi. Siç është Kroi Mali gjendet edhe Kroi Piu (pi ujë kroji).
Studiuesit e Shën Sofisë dhe të shqiptarizmit të saj të paepur, të mbrojtur me kryelartësi etnike, me një lloj nacionalizmi të ndezur, por edhe me finesë e sqimë aristokratike, dëshmojnë se në traditën e shtëpive ka qenë vendosja në ballë të tyre, sipër harqeve të portave, të stemave ushtarake të legjioneve ku kanë marrë pjesë në motin e tyre heroik të rezistencës ndaj pushtimit osman
Këtë shenjë krenarie ndonjë banesë sofiote e ka ende.
ooo
Atë ditë të fund nëntorit 2009 kishim vizituar qytezën San Giorgio Albanese (Shën Gjergji Shqiptar), Corigliano Calabro (Koriliano Kalabro) dhe gjendeshim në Spezzano Albanese (Spixana Shqiptare), kur ndërsa bisedonim me përgjegjësin e bibliotekës, studiuesin vendas dhe njëkohësisht drejtuesin e Bashkimit Kulturor Arbëresh, Xhuzepe Akuafreda (Giuseppe Aquafreda), na u avit pa u ndjerë dhe pa u prezantuar një bashkëkombës. Qe prej të emigruarve tanë të pas vitit 1991. Tek arbëreshët e Kalabrisë janë sistemuar shumë pak prej refugjatëve të pas diktaturës, sepse shumica iu drejtuan Italisë qendrore dhe asaj të veriut. Personi për të cilin bëjmë fjalë qe një djalë elegant dhe aq fort i shkathët sa që në minutën e dytë kur u ndodh pranë nesh na u fut në mes ndërsa po bënim një foto pranë bustit të Skënderbeut.
Po nxitonim për të shkuar, pa rënë shumë nata, në Shën Mitër (San Demetrio Corone). Në një farë mënyre ky vendbanim arbëror është edhe “kryeqyteti” i arbëreshëve të Kalabrisë, por këtë gjë do ta shpjegojmë në reportazhin e ardhshëm. Bashkëkombësi nuk na ndahej, por edhe kur kjo gjë ndodhi, ai ngau makinën e tij për në Shën Mitër dhe prej andej na telefononte pa pushim në shenjë kujdesi ku gjendeshim dhe se bashkë me Pino Kakocën, kantautorin më të madh arbëresh që do të takonim, po na priste të mos vonoheshim.
Sigurisht që këtë kujdes nuk ia kishim kërkuar, prandaj edhe menduam se zotëria tashmë po e tepronte. Na ishte bërë mik me pahir. Nuk e njihnim dhe duke qenë se qemë një dërgatë zyrtare e një ministrie të rëndësishme të shtetit shqiptar, nuk mund të lejonim shoqërime njerëzish të panjohur. Këmbëngulja e tij për t’iu bashkëngjitur të gjithë protokollit të katër takimeve që kishim në Shën Mitër fshihte diçka. Jemi mësuar me raste të tilla, në shumicën e të cilave “ngjitësit” kërkojnë të përfitojnë kapital dhe imazh sidomos për të mbuluar paudhësi të kryera
Në hyrje të Shën Mitrit nata tashmë me kohë qe bërë e thellë. Me gjithë se në makinë kishim një navigator mjaft të mirë, edhe pse këtu kishim ardhur edhe më parë, parashikonim të humbitnim disa minuta të vyera deri në gjetjen e shtegut për të hyrë sa më shpejt tek qendra e qytezës, atje ku ndodhet Monumenti i të Rënëve, shumë prej të cilëve edhe arbëreshë.
Kishim mall për takuar sa më shpejt jo vetëm Pino Kakocën, Xhani Makri-në (Gianni Macri) drejtorin e një radioje lokale dhe botues, por edhe skulptorin Hivzi Nuhiu, një krijues të habitshëm. Ai është nga Lugina e Preshevës në Kosovë, migruar në Shën Mitër në mes të viteve tetëdhjetë të shekullit të shkuar. Aty pati zgjedhur për shoqe jete një arbëreshe. Që prej atij çasti ai shqipen kosovare e flet me intonacion arbëror. Është një çudi. Ka dalë si simfoni. Në atë pleksje, krejt një natyrshmëri, sheh sa melodioze është shqipja.
Thua me vete: Sa bukur do të qe në rast se gjuha jonë e standardizuar do të kishte mbërritur deri në këtë nivel. Do të qe plotësisht një Gjuhë Kombëtare.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|