Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Shën Mitër, kjo Arbëri e vogël


(Botuar në gazetën “Illyria” Nju Jork, më 8 shkurt 2010)

Duke hyrë në Shën Mitër nata papritmas na u duk jo miqësore. Ndoshta kjo ndodhte sepse herë tjetër në qytezën prej katër mijë banorësh patëm depërtuar ditën. Drita të jep më shumë liri, vetvetiu edhe më tepër siguri.
Shën Mitri në gjuhën italiane emrin e plotë e ka San Demetrio Corone (San Demetrio Korone). Në një farë mënyre kjo do të thotë Shën Mitri i koronezve, pra i atyre që kanë emigruar pasi nën pushtimin osman në Peloponez ra qyteti Korone, kështjella strategjike që, atë kohë e zotëruar nga Republika e Venedikut, mbante nën kontroll rrugët e kalimit mes Italisë dhe Lindjes së Afërme.
Arbëreshët në Shën Mitër tashmë nuk përbëjnë shumicën, por në historinë e saj kanë pasur një peshë të disafishtë. Mes ndikimit të latinëve dhe influencës së shqiptarëve këtu nëpër dekada e shekuj duhet të ketë pasur ndeshje të madhe. Kjo shihet në strukturën e mbiemrave të banorëve. Dallohet po ashtu në rrjetin rrugor. Pjesa dërmuese e emrave të tyre kanë të bëjnë me vendasit dhe historinë e Italisë. Megjithatë dy prej rrugëve më kryesore, ato që e depërtojnë qytezën mes për mes, janë Via Dante Alighieri dhe Via Giorgio Castriota. Të dyja qëndrojnë paralel me njëra-tjetrën, në një garë të përhershme.
Ndërsa ishte natë e thellë dhe për orientim më të sigurt shkruam në navigator fjalën “Centro” (“Qendër”), sërish në brëndësi të Shën Mitrit nuk po hynim dot. Në dy vende dy tabela na urdhëronin prerë të ktheheshim mbrapsht. Kështu u rikthyem dy herë rresht atje ku qemë nisur. Kjo na zëmëroi, sepse kishim planifikuar katër takime dhe çdo minutë ishte jetike për të mos shkaktuar komprometimin e tyre. Atëherë zbatuam rregullin tonë “arbëresh”, përdorëm kodin kyç. Duke e ditur se nuk ka vendbanim të bashkëkombësve tanë në Itali pa emrin e Skënderbeut, në ekranin e navigatorit futëm për kërkim emrin e tij. Shenja orientuese nuk u vonua. Doli e qartë. Vetëm duhej të ndiqnim çfarë na thoshte.
Këtë herë depërtuam drejt qendrës shpejt dhe pa probleme. Rrugës pamë që deri ato çaste nuk ja kishim dalë dot për një arsye të thjeshtë. Tabelat që na detyronim kthimin mbrapsht qenë të përkohshme. Në disa rrugë po bëheshin riparime, kështu që për drejtuesit e automjeteve atë natë qenë mbyllur.
Në sheshin qendror pranë Monumentit të të Rënëve kantautori Pino Kakoca hap krahët dhe na pret me gëzim. Në të vërtetë ai i shtrin duart, i nder ato drejt qiellit. Kështu bën edhe kur këndon, veçanërisht gjatë interpretimit të finaleve. Pranë tij janë dy të tjerë, por jo skulptori Hevzi Nuhiu, shqiptari nga Presheva e Kosovës, i cili është aq shumë i njohur dhe po aq i çuditshëm në veprimet e tij sa që në faqen web të komunës, në gjuhën italiane, pra për turistët vendas, në nyjen “Doni të njihni qytetin?” dhe lidhjen “Pikat më interesante”, rreshtohen katër tundime. Tre të parat janë ndjekja e Festivalit të Këngës Arbëreshe, i cili çdo vit organizohet të shtunën e dytë të muajit gusht; këshillohet nga 14 deri 24 gusht të ndiqet Pasqyra Kinematografike “Gianku Yne i shprishur” (“Gjaku ynë i prishur”); e treta gjë e propozuar “është vizitë në studion e mjeshtrit Hevzi Nuhiu, artist i skulpturës në dru...”.
Megjithatë kantautori Pino Kakoca na siguron se Hevziu është nga çasti në çast duke mbërritur. Dy njerëzit e tjerë me të cilët ai ndodhet i shoqëruar janë tipi ngjitës dhe një tjetër bashkëkombës që ka pamje shumë fisnike. Prezantohemi. Është muzikant nga Tirana, rezident në Shën Mitër. Quhet Aleksandër. Pak minuta më pas gjej rastin t’i them Pinos se në takimet e punës që sapo do të nisim, duke nisur nga drejtori i radios lokale dhe botuesi Xhani Makri nuk do të ketë asnjë njeri përveç nesh, dërgatës nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Kjo do të thotë, këmbëngula, që “ngjitësi” këtë gjë duhet ta dijë e të vendosë të mos na ndjekë më nga pas. Pino Kakoca u ndje ngushtë, la të kuptojë se nuk e kishte aq të thjeshtë t’ia kumtonte tjetrit, por më në fund, pasi u shkëput një çast me të, me sa duket ia bëri me dijeni. Kur iu avitëm hotelit ku do të linim një çast valixhet e çantat e udhëtimit tjetri buzëqeshi zorshëm, dukshëm sa për etiketë, dhe tha se po ikte që të na linte të qetë. Ironia e tij na u hodh si gur në shpinë. Ca më shumë tani ishte i padëshiruar dhe duhej të ndahej prej nesh. Edhe pse deri atëherë qemë orientuar vetëm nga parandjenjat si edhe prej rregullit të rreptë protokollar të punës, që atë mbrëmje morëm informacion se “ngjitësi”, i cili nuk banonte në Shën Mitër, por në një qytezë tjetër arbëreshe, ishte i goditur penalisht. Përse nuk po e shkruajmë. Nuk duam ta lëndojmë publikisht edhe pse nuk ja cituam emrin drejtpërsëdrejti. Po atë natë duket se edhe ai nuk qe i qetë. Autorit të këtyre radhëve, të cilin e gjykoi si shtytësin e largimit të tij, i dërgoi në celular mesazhin “Jam .....(emri i tij). Faleminderit për sjelljen e pa edukatë e presuntuoso (“mendjemadhe” në shqip). Nuk kemi për të ndarë gjë së bashku”.

ooo

Kurioziteti i katërt që Shën Mitri u afron turistëve është blerja pranë dyqanit Ambrosino i kukullave me kostume karakteristike shqiptare.
Siç shihet qyteza nuk ka gjë të veçantë italiane. Të mos pranojmë, po të duam, se arbëreshët këtu, edhe pse tanimë janë pakicë, nuk kanë dalë fitimtarë! Në fund të fundit vlera nuk është patjetër pjesë e numrave. Shqiptarët e moteve të shkuara kanë ditur ta ruajnë identitetin e tyre jo si gjë të veçantë, muzeale, por si vlerë që është rritur dhe shtuar në autoritet nga viti në vit. Arbëreshët nuk i kanë zbehur, i kanë përndritur vlerat e mbartura me vete që nga trojet e tyre autoktone. Kostumet me të cilat janë veshur kukullat e tregëtueshme në dyqanin Ambrozini duken aq fort mahnitëse sa na habisin edhe neve, shqiptarëve të kohëve të sotme.
Kjo spikatje e arbëreshëve duhet parë në sfondin e të gjithë historisë së krijimit dhe jetës së Shën Mitrit. Qyteza e sotme me katër mijë banorë ka lindur si vendbanim në shekullin e dhjetë. Në fillim ka qenë një faltore e vogël eremite, e thirrur atë kohë “Shpella e San Nilo-s”. Këtu fshihej e lutej pikërisht San Nilo di Rossano, një i shenjtë lokal.
Kur ndodhi ai i cili quhet “emigrimi i katërt i shqiptarëve”, i shtrirë në periudhën prej vitit 1470 deri në 1479, në këto anë pati ndryshime të mëdha demografike. Refugjatët e ardhur prej bregut tjetër të detit u ndanë në tre valë. Grupi i parë i valës së fillimit (jemi në vitin 1471) u vendos në Shën Mitër (San Demetrio), në Maqi (Makia, vendlindja e Jeronim De Radës), në Shën Kozmo (San Cosmo), në San Giorgio (nga arbëreshët thirret Mbuzati), në Spezzano (Specano). Këto qyteza janë fare ngjitur me njëra-tjetrën dhe këtë territor mund ta quash edhe bërthamën e parë të emigracionit të katërt shqiptar drejt Italisë. Aq e fortë ishte ajo, me njerëz të thjeshtë por kryesisht edhe me ushtarakë dhe familje fisnike sa që të gjithë vendbanimeve me emra italianë u shtoi nga pas përcaktuesin Albanese. Kështu sot kemi San Cosmo Albanese, San Giorgio Albanese, Spezzano Albanese.
Dinamika e valës së parë të emigrimit të katërt lidhet edhe me të venë dhe të birin e vetëm të Skënderbeut, me Donikën dhe Gjonin. Ata në mes të vitit 1468, të shoqëruar edhe prej disa vejushave dhe familjeve të kapitenëve shqiptarë të vrarë në luftime, u hipën anijeve dhe zbarkuan në Mbretërinë e Napolit. Nga jo pak studiues arbëreshë ngulet kembë se menjëherë pas tyre bënë të njëjtën gjë edhe afro tridhjetë mijë shqiptarë. Ndonjëherë ata shprehin mendimin se kjo mërgatë tridhjetë mijëshe erdhi në brigjet italiane bashkë me Gjonin dhe të ëmën e tij. Shkuan, si të thuash, pas tyre, atje për ku u nis edhe trashëgimtari i prijësit të tyre.
Edhe pse shprehja “i morën me vete” më shumë se një veprim konkret është një metaforë, tre valët e mëdha që u shtrinë prej vdekjes së Gjergj Kastriotit deri në rënien përfundimtare të kështjellës së Krujës, duhet të kanë pasur si orientim, si rrugëdalje, si zgjidhje të detyruar, mbase edhe si gjest stimulues, ikjen jashtë vendit të të gjithë familjes Kastrioti.
Për këtë efekt, largimin e familjes udhëheqëse të qëndresës kundër osmane, nuk është folur dhe shkruar asnjëherë. Po të bëhej më parë, por edhe tani, duket sikur prishet modeli me të cilin është përshkruar deri tani vepra skënderbejane, zbehet dhe vihet në diskutim roli i tij historik. Nuk ka përse të jetë fare kështu. Trysnia e ushtrisë osmane, numri i madh në njerëz dhe mjete, përdorimi prej saj i të gjitha mënyrave barbare të luftës totale (shkretim tokash dhe djegie të mbjellash, helmimi i burimeve, masakra dhe shfarosje masive e popullsisë civile), përveç kalasë së Krujës vënia nën kontroll e të gjithë hapësirës dikur të lirë, urdhri i Portës së Lartë për kapjen dhe e ndëshkimin e pjesëtarëve të mbetur të familjes Kastrioti e bënin urgjente largimin e tyre nga Shqipëria. Ata duhej patjetër të mos binin peng i sulltanit, çfarë po të ndodhte do të përbënte një goditje për vijimin e rezistencës. Në Mbretërinë e Napolit Donika me Gjonin nuk shkuan për të kaluar në përtaci vitet e mëpasshme të jetës, por fare përkohësisht, në përgatitje dhe pritjen e çastit të duhur për t’u rikthyer në luftë. Kjo u dëshmua më pas, jo vetëm në tentativën e parë të zbarkimit të Gjonit në vitin 1481, por edhe në fillim të shekullit pasues.

ooo

Më pas vala e dytë e emigrimit të katërt do të përqendrohej në Santa Sofia dhe fshatrat përreth. E treta do të grumbullohej në Civita, në Frasnita, Lungro, San Basile, Firmo, grup qytezash në distanca mjaft të afërta dhe për të cilat kemi folur në reportazhet e mëparshme të këtij cikli. Në një farë mënyre, si të qenë rrjedha lumenjsh, të tre valët e emigracionit të katërt të të gjithë historisë së ikjes së shqiptarëve drejt gadishullit Apenin, krijuan në Kalabri këto tre “liqene”. Qenë tre vatra njerëzore. Secila krijoi një vendbanim qendër. San Demetrio e dëshmoi se nuk do të qe vetëm qyteza kryesore e njërës vatër, por edhe e të trejave. Madje diçka më tepër, shumë më shumë se kaq.
Megjithatë deri në autoritetin e sotëm shqiptarët e Shën Mitrit dhe të qytezave përreth kanë pasur një rrugë të vështirë. Më 1492 banorët latinë të Akrit (Acri) i bënë një letër Mbretit të Napolit ku shkruajtën se duhet të merreshin masa dhe të dënoheshin arbrit e vendbanimeve të Sancto Adriano, Makia, San Cosmo e Vaccarizzo sepse bënin shumë vjedhje dhe krime të tjera, prisnin pemët në pyll dhe drurët frutorë.
Edhe pse patjetër me brenda shumë mllef racist dhe akuzë e zmadhuar na duhet të pranojmë se një pjesë e emigrantëve shqiptarë i kanë kryer këto paudhësi. Dukuri të tilla i kemi parë edhe pas viteve nëntëdhjetë të shekullit të shkuar, kur ndodhi vala më e re e madhe e ikjes dhe formimit të diasporës sonë të re. Karakteristike është se shqiptarët disi pa pasion për jetën kolektive dhe rregullat e saj, pas viteve të para të emigrimit, kur më në fund i formojnë dhe i konsolidojnë bashkësitë e tyre, dëshmojnë qytetari normale.
Në Shën Mitër pas rënies së kështjellës së Koronës, 1534, i cili quhet edhe burimi i emigracionit të pestë, duke prurë edhe një elitë të dukshme artistokatike, bën që Shën Mitri të stabilizohet dhe formësohet si qytet normal evropian. Pikërisht për këtë arsye, në shenjë nderimi, në vitin 1868 qytezës iu bashkëngjit zyrtarisht edhe përcaktori Corone. Në një farë mënyre, duke e thirrur San Demetrio Corone, pra Shën Mitri i koronezve, për të gjithë u kuptua Shën Mitri i shqiptarëve (të ardhur nga Korone).
Kështu në vatrën e madhe të krijuar nga vala e parë e emigracionit të katërt pothuaj të gjitha vendbanimet u plotësuan me një fjalë që theksonte se kishim të bënim me shqiptarë. U krijua një Arbëri e vogël, një nga ato dhjetëra e qindra që themelon shqiptari atje ku migron.
Sepse qe kështu, një rikrijim atdheu, në Shën Mitër bëri histori një institucion i rrallë: Kolegji ku për të gjithë Arbërinë përgatiteshin priftërinjtë e ritit ortodoks bizantin si edhe shumë laikë. Ky institut qe universiteti i arbëreshëve, madje i të gjithë shqiptarëve. Në trojet e tyre amtare as që ekzistonte një paralele e tillë, madje deri edhe në fillim të shekullit të shkuar nga Shqipëria dhe trojet e Kosovës shkonin në Shën Mitër mjaft studentë. Disa prej tyre u bënë edhe politikanë të shquar. Citojmë dy prej tyre: Luigj Gurakuqin dhe Avni Rustemin.
Ky kolegj ishte me famë për nivelin e tij të përgatitjes. Qe krijuar më 5 tetor 1732 me dekret të veçantë të papës me nënë arbëreshe, Lorenco Corsinit (Lorenzo Corsini), emri kishtar Klementi XII. Selia e tij e parë ishte në qytezën arbërore San Benedetto Ullano. Më 1794 prej këtej u transferua në Shën Mitër, në godinën e një manastiri. Këtu edhe bëri histori. U shndërrua në qendër revolucionarësh, përmbysësish të regjimeve despotike. Sepse prej bangave të saj dilnin liberalë pushtetarët tiranë e quanin Kolegjin e Shën Mitrit “fabrikë djajsh”. E gjithë Arbëria dhe qytezat e saj i kanë rrugët të mbushura me emrat e ish-studentëve të kësaj shkolle legjendë, sheshet me bustet e tyre: Domenico Mauro, Agesilao Milano, Pasquale Scura, Gennaro Placco, Fedele Marchianò, Alessandro Marini, Costantino Lopes, Alessandro Mauro, Giuseppe Cadicamo, Nicolò Ieno, Salvatore Braile.

ooo

Si të qe traditë e kësaj e kësaj fryme në Shën Mitër në vitin 1983 emigroi edhe një bashkëkombës nga Kosova. Ishte nga Presheva, i pajisur me talentin e skulptorit. Edhe Hevzi Nuhiu, studio e të cilit tanimë është krenaria artistike e qytezës, ka trillin e një “përmbysësi”. Ai ka krijuar në Shën Mitër një gjë të pazakonshme në të gjithë Italinë dhe me siguri mbase nga të rrallat në botë. Është një ekspozitë unike, të cilin ai e quan Muzeu në Natyrë. Hevziu pa i marrë leje askujt, asnjë autoriteti publik, në rast se gjen një trung peme të përshtatshme për ta punuar, gdhend menjëherë një portret. Në të gjithë Shën Mitrin ka shtatëmbëdhjetë apo tetëmbëdhjetë krijime të tilla. Së bashku me Hevziun dy vite të shkuara kemi shkuar tek shumica e tyre. Të emocionojnë. Janë në vendet më të dukshme, buzë rruge e deri afër një shpërndarësi benzine.
Dhe duke qenë se preshevari Hevzi është martuar me arbëreshen Franka Kofone dhe prej dashurisë së tyre ka lindur një djalë, të cilit i kanë vënë emrin Skifter, nëpër trungjet e pemëve të Shën Mitrit doemos do të gjesh të gdhendur vetëm portretet e krenarisë tonë kombëtare: Nënë Terez, Jeronim De Rada, Ibrahim Kodra. Prej duarve të tij në sallonin kryesor të bashkisë së Shën Mitrit lartohet i gdhendur në dru një Gjergj Kastrioti tre metra i lartë.
Shën Mitri mban shumë mrekullira, gjëra që nuk i ka asnjë vendbanim tjetër arbëresh. Si në asnjë rast tjetër në regjistrat e vjetër të banorëve të qytezës, që prej vitit të largët 1563, gjendet i lindur një bashkëkombës me emrin Scanderbek. Ai është martuar me Katerina Argondica (Argondizza janë arbëreshë shumë të njohur). Më 1600 bija e tij, Marta, bën martesë me një djalë nga familja partërtisht arbërore Mashi (Masci).
Pastaj ky emër, si të qe me trillin e një meteori, zhduket, nuk përsëritet më. Ashtu si edhe në trojet autoktone shqiptarët kurrë nuk i kanë vënë një fëmije emrin e Skënderbeut. Për ta ai mbetet i papërsëritshëm nëpërmjet jetës së një bashkëkombësi tjetër.
Por rasti i rrallë i Shën Mitrit, në mungesë të dokumenteve apo e një të dhëne të çfarëdoshme për ta shpjeguar sadopak, mund të cilësohet një mister i këndshëm, një shenjë që të mrekullon.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com