Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Një shtatore e munguar për Jeronim De Radën


(Botuar në gazetën “Illyria” të Nju Jorkut më 2 mars 2010)

Që në çastin kur lë pas Shën Mitrin (San Demetrio Corone), për të shkuar në Maqi (Macchia Albanese), vendlindjen e Jeronim De Radës, nga pas të ndjek motivi tronditës i një kënge të Pino Kakocës, “Mëma arbëreshe”. Ajo thotë se një ditë një vashës kishte ardhur prej detit dhe sapo doli në breg u plandos përdhe. Ishte pafuqi. E lagur, e mardhur. “E bukur, por e shqerrë”, përshkruan kantautori, pra e çjerrë, e gërvishur përgjakshëm. “E gjallë, por e bjerë” vazhdon Kakoca, pra e rraskapitur, me të gjitha fuqitë humbur. “Sytë i kish të kuq si flamuri i Shqipërisë, lot kullojnë mbë truall...” janë vargjet pasues. Pastaj Pino Kakoca rrëfen se si më në fund ajo ngrihet, ecën disa hapa, bie, ringrihet. Duke u mbajtur këtu atje deri sa më në fund largohet nga buza e detit, ngjitet në një pllajë të pjerrët, nëpër muzg. Duke rënë dhe duke u çuar sërish në këmbë vasha shqiptare arrin më në fund në një brinjë mali, sheh rreth e rrotull, detin e ka poshtë saj dhe ia rrok syri. Kështu vendos të rrijë aty, të ngrejë kasollen e saj. Përreth ka një grusht tokë dhe pak qiell, por i mjaftojnë për ta përballuar fatin e ri dhe për të krijuar lirinë e vet. Kështu “me djersë dhe forcë ndërtoi Rilindjen, ndërtoi ekzistencën e saj dhe shpëtoi shpirtin” thotë kënga e Pino Kakocës. Në atë brinjë mali të huaj lindi fëmijë, “bëri bil”, “e tha: “Rrini pa u ndar!” Pastaj vasha-nënë thirri “Arbërinë çë bëra nëng e dua me vëra”, pra nuk e do të ndarë. Kushtron “Mendoni, mirrni vesh se kini gjak arbëresh, Shpirtin mbanie ngusht! Mbaheni lart shpirtin!”
Imazhi i asaj vashe të bërë nënë në këto anë dhe që u lë amanet bijve të saj ta mbajnë shpirtin lart, nuk mund veç të ta shtojë dashurinë për Jeronim De Radën. Sepse një bir të tillë arbëror mund vetëm ta duash me të gjithë forcën e shpirtit. Në Maqi nuk kam shkuar vetëm një herë, sepse siç Shën Mitri është një kryeqendër e vendbanimeve arbëreshe të Kalabrisë Maqi është bërthama e Shën Mitrit. Në historinë e kësaj qyteze të madhe ka dy monumente të mëdhenj të kombit tonë, Kolegji dhe Jeronim De Rada. Janë aq shumë të rëndësishëm në historinë tonë sa (le të ëndërrojmë pak) po të qe e mundur të merreshin prej andej dhe të transportoheshin për t’u vendosur në Shqipëri, do të meritonin sheshin më madhështor që kemi.
Mirëpo janë këtu, larg prej nesh, të papara nga shumica e shqiptarëve, madje duhet thënë pothuaj të pavizituara prej tyre. Është një mangësi e madhe, një boshllëk që e ndjen sapo kur del prej Shën Mitrit dhe merr rrugën e një kodrine të veshur me pemë ulliri, e cila të çon drejt Maqit. Në një nga brylimet, pas një kthese të butë, mbi një degë ulliri Hevzi Nuhiu ka gdhendur portretin e Jeronim De Radës. Duket sikur artisti nga Presheva e Kosovës e ka vendosur arbrin e madh posaçërisht aty për t’u treguar udhëtarëve drejtimin e Maqit. “Ejani!” sikur thotë edhe vetë De Rada, “Është vend shumë i bukur”. Në të vërtet ajo është një qytezë piktoreske, e zhytur në gjelbërim.
Kur mbërrin në brinjë të kishës, në shesh, të pret busti i tij. Është po ajo pamje e cila njihet prej të gjithë shqiptarëve, plak në moshë të thellë. Ka një fytyrë të menduar, por edhe disi të përvuajtur. Ky bust është krijuar dhe derdhur në bronz në Shqipëri. Është më popullori, deri tani më i miri. Edhe pse duhet thënë se nuk ka ndonjë vëmendje të dukshme për t’i bërë Jeronim De Radës një lloj tjetër vepre artistike: përshembëll një shtatore. Pse jo edhe një monument. Ai i ka përmasat e merituara.

ooo

Mund të vish në Maqi edhe njëmijë herë dhe në të njëmijtat nga emocionet të të mbahet fryma. Nuk ka shqiptar që në bankat e shkollës nuk ka ditur pjesë nga jeta e De Dadës dhe nuk ka mësuar përmendësh fragmente nga “Milosa”. Në Shqipëri dhe Kosovë ka shkolla me emrin e tij, botimet e veprave deradiane kanë qenë seriale, në dhjetëra mijëra kopje, biografitë dhe artikujt studimorë të shumtë. Secili prej nesh me aq sa di do të ndihej i dëshiruar të qe një çast në Maqi. Shumë mund ta kenë ëndërruar, por pak e kanë pasur këtë mundësi. Unë jam njëri prej atyre që i gëzohet këtij fati.
Megjithatë ka edhe një “sekret” pse prania aty përherë më trondit. Kam kërkuar e gjetur nëpër arkiva mjaft dokumente për jetën e arbrit të madh, shumë prej tyre nuk janë bërë publike. Në disa i rrëfehen edhe pjesë intime të jetës, si vepruan pasardhësit e brezit të parë të tij, të atij të dytë...Më është dukur që i kam gjetur një fill shpjegimi pse Jeronim De Rada kur ndërroi jetë, tepër i moshuar, dëshmoi një gjendje jo të mirë ekonomike, pra pse u gjet me një cironkë të thatë në xhep....Por këto e shumë të tjera, histori nipërish dhe mbesash, çmime librash e dokumentesh të arkivës së tij, të cilave për ndonjë përfitim vetjak iu rrit çmimi apo pengesat e çuditshme përse komuna ende nuk mundi ta blejë shtëpinë e tij për ta pasur pronë publike dhe investuar si muze. Këto nuk do t’i shkruajmë këtë herë. Me këto që pohova dhe rendita më sipër thjesht dua të shpjegohem përse përjetoj një emocion të madh këtu, në Maqi.
E kam edhe për arsye të tjera, disa prej të cilave po ia paraqes lexuesit.
Në historinë e kombit tonë De Rada është më i madh, më i rëndësishëm nga sa e dimë dhe kemi mësuar. Që pas shpalljes së pavarësisë shteti shqiptar për aq sa kohë pati të mëkëmbej nuk ka bërë pak për ta popullarizuar figurën e tij si edhe rolin që ka luajtur në historinë kombëtare. Periudha e cila kontribuoi më shumë për të, madje dukshëm, ka qenë regjimi komunist. Është shumë komplekse sqarimi i kësaj teze, sepse njëzetë vite pas rënies së domosdoshme të tij, ka ende zell për t’ia mohuar gjithçka. Mund të lëndohen edhe disa politikanë që kanë qeverisur vendin tonë pas rënies së diktaturës dhe ku progresi ka qenë i hovshëm në shumë fusha, por jo tek De Rada.
Kam në duar një telegram që në 9 prill 1960 nisej nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë drejt Legatës së saj në Romë (atëherë raportet mes dy vendeve nuk qenë në nivel ambasadash). Në këtë mesazh të qendrës selisë diplomatike shqiptare në kryeqytetin italian i thuhej: “Njoftoni me telefon....(përmendet emri i një personi-YP), se dje 8 prill Presidiumi i Kuvendit Popullor dekoroi me titullin “postume” (pas vdekjes) me dekoratat që vijojnë këta persona:
1. Jeronim De Rada
Me URDHËRIN E LIRISË TË KLASIT TË PARË, me këtë motivacion:
“Bir i shquar i arbëreshëve, ka ngjallur dashurinë për Atdheun e të parëve të tij, Shqipërinë, me kontributin e tij për zhvillimin e letërsisë, folklorit dhe gjuhës shqipe, si edhe pjesëmarrjen e tij aktive në lëvizjen e Rilindjes sonë kombëtare dhe pavarësinë e Shqipërisë“.
2. Gavril Dara (I Riu)
ME URDHRIN E FLAMURIT, me këtë motivacion:
Bir i dashur i arbërshëve.....
3. Zef Serembe
ME URDHRIN E FLAMURIT, me këtë motivacion:
Poet i shquar....
Nuk po i shkojmë më tej listës dhe gjithë paketës së korrespondencës mes Tiranës dhe Romës me rastin e këtyre dekorimeve. Kaq sa paraqitëm mjaftojnë për të kuptuar frymën e dukshme të haresë që përcillej nëpër piramidën shtetërore të kohës me porosinë për t’ia bërë këtë të ditur sa më shpejt arbëreshëve. Ndërkohë mund të dallohet lehtë vlera që i është çmuar dhe spikatur ndryshe nga bashkëkombësit e tjerë të ditur Jeronim De Radës. Atij i është dhënë Urdhër Lirie dhe përcaktohet me fjalët “bir i shquar i arbëreshëve”.
Këtu nuk është vendi për të sqaruar se me liri regjimi i atëhershëm nuk kuptonte ato politike dhe sociale, por atë territoriale, pavarësinë e vendit dhe të shtetit, megjithëse duhet pranuar se në një diktaturë edhe sovraniteti i territorit ruhet me metoda që demokracia i bën shumë më mirë se ajo.
Ajo ngjarje e shënuar që ndodhi në prill 1960 ishte përgatitur për një dekadë të tërë. Rritja e vëmendjes për arbëreshin e madh të lënë në periferi të kujtesës nisi me një raport të diplomatëve shqiptarë në Romë i datës 12 korrik 1950. Në të thuhet “Sipas autorizimit verbal bëmë vizitë në fshatrat italo-shqiptare të Kalabrisë dhe Siçilisë ku ramë në kontakt me shkrimtarë të rinj, me familje të italo-shqiptarëve të dëgjuar si De Rada dhe me Kolegjin e San Demetrio Corona (Shën Mitri). Në shtëpinë e De Radës (Makia) gjetëm mjaft material dorëshkrimi të tij dhe të njerëzve të huaj që kishin këmbyer letra me De Radën. Materiali ishte i depozituar në disa arka dosido dhe lënë në bodrumin ku mund të rrezikoheshin nga mijtë ose nga myku”.
Që prej këtij çasti nis, kundrejt një pagese, tërheqja për në Tiranë e këtij arkivi të vyer. Në 2 gusht një radiogram i nisur nga Roma për në Ministrinë e Punëve të Jashtme saktësonte se jubileu i 50-vjetorit të vdekjes së Jeronim De Radës kishte një zhvendosje prej pesëmbëdhjetë ditësh. Më pas nuk gjenden raportime të hollësishme si u përkujtua ngjarja, por këtë e kam mësuar nga rrëfime mbresëlënëse në Maqi. Duhet të jesh atje për ta kuptuar përmasën e vetëm një detaji: Rruga që të sillte prej Shën Mitrit deri vendlindjen e De Radës u mbush me njerëz. Kishin ardhur jo vetëm prej arbëreshëve, shqiptarëve të emigruar në Itali para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, nga të gjitha vendet e kontinentit, prej Amerikës Latine dhe ShBA-ve, prej Kanadasë e Australisë. Ai që na e përshkruante linte të kuptonte jo vetëm për një masë njerëzore të paparë ndonjëherë në ato anë, por edhe si manifestim i madh kombëtar e patriotik. Anashkalimi që legata shqiptare në Romë i bën kësaj ngjarjeje, ndërsa ka merakosje për shpëtimin e arkivës personale të Jeronim De Radës, është pjesë e cungimit ideologjik të regjimit. Shumica dërmuese e pjesëmarrësve jo vetëm ishin nacionalistë, por edhe kundërkomunistë, të papajtueshëm me kursin politik që kishte zgjedhur pas lufte Tirana zyrtare.
Duke rënë mbi De Radën po aq respekt e vlerësim sa edhe gjymtim ideologjik gjithsesi në prag të rënies së diktaturës, në vitin 1985, kohë kur doli botimi i parë i “Fjalorit enciklopedik shqiptar” (pra i hartuar tërësisht kur në krye të piramidës komuniste ishte Enver Hoxha) për të shkruhet që në fillim “Poet, publicist, folklorist, filolog dhe mësues, themeluesi i letërsisë arbëreshe”. Po aty nënvizohet se “Më 1978 përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe ngriti zërin kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë”, “Në veprimtarinë gjuhësore të D.R. duhet përmendur edhe organizimi i dy kongreseve të shqipes, i pari (1895) në Koriliano Kalabro), i dyti (1897) në Lungro” dhe ishte “i pari që shkroi vepra me frymë kombëtare”, duke qenë “figura më e kulluar dhe më e fuqishme e letërsisë dhe e botës arbëreshe”.
Pikërisht ky vlerësim i fundit, pra që De Rada është “figura më e kulluar dhe më e fuqishme e letërsisë dhe e botës arbëreshe”, mbetet maksimalja që deri tani i është përkushtuar nga shteti amë. Në vitin 2008 u krye botimi i dytë i “Fjalorit enciklopedik shqiptar”, një vepër shumë e përparuar, në tre vëllime, ku gjymtimi ideologjik pothuaj është fshirë dhe janë rikthyer të gjitha vlerat e figurat e mohuara, por për Jeronim De Radën thuhen po ato gjëra që pohonte botimi i parë, veç mund të dallohet një ndryshim. Që në fillim shkruhet “Poet, publicist, folklorist, filolog, themelues i letërsisë dhe i kulturës arbëreshe, veprimtar i Rilindjes Kombëtare...”. Pra ka zgjerim. Ndërkohë është ftohur entuziazmi i enciklopedistëve komunistë se qe figura më e kulluar dhe më e fuqishme e letërsisë e botës arbëreshe.
De Rada ka nevojë për një rivlerësim. Si shkrimtar dhe veprimtar i Rilindjes ai nuk është i përmasave të vetëm arbëreshëve. Vlera artistike e krijimtarisë së tij përfaqëson kulmin më të madh të letërsisë shqiptare deri tek Migjeni. Për kohën e vet ai ishte një Ismail Kadare, emër dhe vepër që njihet si kulmi i tretë pas Millosh Gjergj Nikollës. Por siç Migjeni nuk e pati fat përhapjen e madhe dhe të merituar të veprës së tij për shkak kryesor vdekjen në moshë shumë të re, Jeronim De Rada e vuajti moskuptimin e shtatit të tij të lartë si krijues për shkak të përdorimit në veprat e tij të gjuhës arbëreshe, një bashkësi që atëherë nuk i kapte të njëqind mijë njerëzit. Madje sikur edhe në shqipen letrare të mund t’i krijonte e botonte efekti i këtij kufizimi në përhapjen publike do të rëndonte.
Ndërkohë ky themelues i letërsisë moderne shqiptare është edhe më e pakta themeluesi kryesor i Rilindjes sonë kombëtare, jo vetëm asaj të arbëreshëve. Për këtë cilësi të fundit të tij për fat të keq ka mosinteresim, mbase është thjesht shprehje e “nacionalizmit” të ngushtë të trojeve tona. Siç po ashtu mes nesh nuk ka guxim për të pranuar se në librat e shkollave në shtetin amë e deri në Kosovë nuk duhet mësuar se periudha e Rilindjes tonë nis (përshembëll) vetëm me Naum Veqilharxhin (ky pëcaktohet si ideologu i kësaj lëvizjeje dhe pionieri i parë i saj), por edhe me Jeronim De Radën. Të dy jetuan pothuaj paralel dhe në veprime qenë të njëkohshëm. Kështu kjo periudhë e ndritur e zgjimit politik, social e kulturor merr plotësisht jo vetëm përmasa të shtrira kombëtare, por shfaqet me një bazë shumë të gjerë që nga Rumania, trojet amtare e deri në Arbëri. Kështu ajo përbën një moment fillimi gati shpërthyes, që çliron energji aq të madhe sa edhe në vendet e tjera të Evropës. Arbëreshët bënin pjesë në të dhe prandaj i patën kushtet lehtësuese dhe favorin për të qenë prijësit e parë të Rilindjes Kombëtare, edhe pse duhet pohuar që merita kryesore dhe vendimtare që ajo të bëhej realitet ishte e mbetet e vetë shqiptarëve në trojet e tyre.
Mbi De Radën dhe jo vetëm mbi të akoma peshon edhe një padrejtësi. Ai vlerësohet si “gjuhëtar”, pra si filolog. Doemos vepra e tij përfshin jo vetëm nismën e një alfabeti apo gramatike si edhe të mbajtjes së dy kongreseve gjuhësore, por po të studiosh dokumentet, veçanërisht vendimet e këtyre të fundit dhe me këtë rast tua bësh ngjarjeve interpretimin në kohë, kupton menjëherë se patriotët me gjuhën merreshin jo nën pasionin “e pastër” të filologut, por si me mjetin më kryesor për ruajtjen e identitetit dhe realizimin e çlirimit kombëtar. Puna me gjuhën qe mënyra më e drejtë për t’u marrë me politikë. Jeronim De Rada dhe dhjetëra të tjerë shqiptarë kur hartonin një krijonin një alfabet, bënin një abetare apo çelnin një shkollë kryenin në të vërtetë një veprim me ndikim politik shumë herë më të madh se një miting sot apo një çetë e armatosur dje.

ooo

Jeronim De Rada ka lindur në Maqi në 29 nëntor 1814. Ai nuk është një arbëresh “klasik”, pra një nga ata që kanë pesëqind vite në Itali. De Rada nuk ka mërguar pas vdekjes së Gjergj Kastriotit. De Radat kanë shtatë shekuj në ato anë. Stërgjyshërit dhe babai i tij vinin nga Pjetër Anton Rada, refugjat nga Shqipëria e para një mijë e treqindës. Këtë vit për herë të parë në një kontratë shitblerjeje të gjetur në arkivin e Venedikut thuhet se “Një farë Pjetër Antoni është i pari i shtëpisë Rada, të cilin e gjejmë në librat e pagëzimit të Maqës....”
Jo i pranishëm në Motin e Madh të Gjergj Kastriotit dhe me një kryevepër si “Skënderbeu i pafan”, i papranishëm në Shqipëri që prej gjashtëqind vitesh e megjithatë i tillë me një vepër kolosale në mbrojtje të saj, ky arbëresh e shqiptar i madh deri sa në moshën 89 vjeçare u fik mbeti në dritare me sytë nga deti.
Tani sa herë që mund të shkosh në atë banesë dhe të hysh në dhomën e De Radës të ruajtur me po ato orendi që kishte atëherë, tek sa me një frymë shkon tek dritarja të përjetosh po atë veprim që ai bënte më shumë se një shekull më parë, të kap menjëherë një trishtim i madh. Deti nuk duket. Një pemë e madhe me degë të harlisura, ndoshta njëqindvjeçare, zë gjithë pamjen.
Është dëshmi shumë tronditëse se De Radë nuk ka më.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com