Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Në dyert e Romës ka rrënjë shqiptare


(Botuar në “Gazeta Shqiptare”, shtojca “Milosao”, më 28 shkurt 2010)

Të rregulluara në formën më të standardizuar për t’u mbajtur sa më lehtë mend, të dhënat kryesore për arbëreshët në Itali thonë se ata gjenden në jugun e saj, në Kalabri dhe Siçili. Ata që janë më kuriozë kanë depërtuar deri tek të mësuarit se bashkëkombës të pesëqind viteve më parë ndodhen edhe në krahinën e Pulias dhe të Molises, pra në Italinë qendrore. Dinë po ashtu se tashmë të asimiluar ata nuk kanë qenë pak mes popullsisë vendase në ish-territoret e Republikës së Venedikut, në verilindje të Italisë. Akoma më të interesuarit kanë përvetësuar informacion se arbëreshët kanë arritur të shkojnë gjer në Torino, në skajin tjetër të gadishullit Apenin, në atë veriperëndimor dhe se po ashtu në shekullin e shtatëmbëdhjetë, saktësisht në vitin 1756, njëmijë e shtatëqind e pesëdhjetë e gjashtë të ikur nga Shkodra u vendosën në qytezën Pianiano (Viterbo), pra vetëm disa dhjetëra kilometra larg Romës.
Prej këtyre të gjithëve shumë pak ose nuk dinë fare se në Grotaferrata, në një qytet në shpatullën e një kodre nga më piktoresket, vend i ajrosur dhe me klimë shumë të shëndetshme, atje ku artistët dhe shumë nga vip-at e kryeqytetit italian kanë ndërtuar vilat e tyre të shplodhjes, gjendet një manastir i cili me gjuhën e vendit shkruhet Monastero di Santa Maria di Grottaferrata.
Cila është shtysa që nëpërmjet këtij shkrimi na bën ta vendosim për një çast këtë manastir në vëmendje të lexuesve dhe sa të jetë e mundur para opinionit tonë publik?
Në të (ka pamjen e një kompleksi me të paktën tetë godina të stilit të vyer mesjetar dhe është i rrethuar me mure të lartë si të jetë një kështjellë), ka rreth njëzetë murgj bazilianë katolikë dhe të gjithë këta i drejton arkimandriti Emiljano Fabrikatore (Emiliano Fabbricatore). Ai është një arbëresh nga Shën Sofia, në Kalabri një nga qytezat më qëndrestare të identitetit shqiptar. Kur në mes të tetorit 2001 i bëra një vizitë në përfundim të takimit ai më dhuroi librin mbi gjashtëqind faqesh për historinë e këtij manastiri. Në fletën e parë të tij kishte shkruar se ma kushtonte “me dashuri vëllazërore prej Arbreshë”. U emocionova pikërisht nga ky formulim. Arkimandriti Emiljano Fabrikatore kishte përdorur kodin e vjetër dhe të pashuar të bashkëkombësve tanë: shqiptarët e shtetit amë apo të trojeve të tjera, si edhe të gjithë ata që jetojnë në emigracion, arbëreshët i thërresin vëllezër. Është një fjalë shumë e ngrohtë edhe tani, emër që tregon lidhje gjaku, porse në gojën dhe të menduarit e tyre ajo ka një të kuptuar edhe më të valë, më të thellë, më të lartë, më bashkues. Në tekstin e shkruar në fletën e parë të librit arkimandriti fjalën e përkatësisë së tij etnike, arbëresh, në shenjë krenarie e pati nisur me A të madhe.
Në atë mes tetor të vitit 2001 ndërsa nisa të shfletoja librin, ende pa hyrë në faqet me lëndën e tij, pikërisht në fletën e dytë, me gërma të dukshme shkruhej se botimi qe kryer nën kujdesin e arkimandritit Marko Peta (Marco Petta). Edhe ky qe një emër i padyshimtë arbëresh. Kohë më vonë kur puna e solli që për këtë bashkëkombës të bisedoja me Hasan Aliaj, botuesin dhe njëkohësisht kryeredaktorin e gazetës dy gjuhëshe “Rrënjët-Le Radici”, ky më shpjegoi se jo vetëm që Peta ishte një nga të emigruarit në Itali pesë shekuj më parë, saktësisht nga Hora e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi), qyteza më e madhe e bashkëkombësve tanë në Siçili, por edhe se mendonte të qe nga Peta e Vlorës. Kështu u shpreh, këtë origjinë pesëqindvjeçare i dha, me siguri jo patjetër sepse vetë Hasani është një vlonjat.
Nuk e pata fatin ta takoja këtë arbëresh të ditur, sepse ai tashmë nuk jeton. Ka ndërruar jetë në moshën mbi nëntëdhjetë vjeçare. Përveç një periudhe kur drejtoi Manastirin ai për shumë kohë ka qenë edhe drejtori i bibliotekës së tij. Pikërisht këtu, tek biblioteka, ku i gjithë personeli i shërbimit përbëhet nga nëpunës të shtetit italian dhe jo prej murgjve, gjendet edhe e arsyeja tjetër përse në këtë shkrim iu adresuam këtij institucioni fetar të Grotaferratës: në këtë bibliotekë të rrallë e të famshme për restaurimin e librave shumë të vjetër (midis tyre edhe të mbi njëmijë hartave dhe skicave, studimeve gjeometrike dhe blloqeve të shënimeve të Leondardo Da Vinçit) gjendet edhe një seksion shqiptar. Ky të befason për pasurinë e madhe të librave në gjuhën tonë. Patjetër është ndër më të rrallët dhe për të cilin pothuaj nuk dinë gjë deri edhe disa studiues. Kurse ata që shkojnë të konsultohen me të janë shumë të pakët.
Kur e zgjodhëm temën e këtij shkrimi, pra për të rrëfyer pjesën shqiptare të Manastirit të Grotafferatës, këtë e bëmë sepse edhe Hasan Aliaj është një nga ata që plotëson këtë tablo interesante bashkëkombëse të qytetit panoramik tek dyert e Romës. Prej asaj kodrine kryeqyteti italian të duket i gjithë tek këmbët, madje është disi e vështirë të dallosh se që prej qendrës së tij, siluetës së Koloseut, ai ka ndonjë vijë ndarëse me Grotafferatën.
Në Grotaferrata ka dukshëm prani shqiptarësh, jo thjesht dhe vetëm prej emigracionit të ri, por në të gjithë historinë e vet. Duket e habitshme megjithatë vetë manastirin në vitin 1004 e ka themeluar Nilo, një i shenjtë me origjinë aristokratike, i lindur në trojet e Kalabrisë buzët detit Jon, në Rosano. Para se të vinte në dyert e Romës ai ka pasur strehë lutjesh një shpellë në San Demetrio (Shën Mitër), qytezën që më pas u bë qendër e arbëreshëve të emigruar në Kalabri. Ai qe me mendje shumë të hapët, mik i madh i librave dhe i kulturës, njeri i tolerancës dhe i bashkëpunimit. Vetë Manastiri i shpallur një shekull e gjysmë më parë për italianët si monument kombëtar dhe i propozuar Uneskos që të fitojë statusin e pasurisë së kulturës botërore, është i ritit greko-bizantin, pra i atij riti që në Itali e përdorin arbëreshët. Në një farë mënyre ai është institucioni i tyre. Kjo i ka lidhur fort bashkëkombësit tanë me këtë Manastir, i vetmi në të gjithë Evropën Perëndimore, i cili duke qenë i këtij riti ka mbetur me Kishën Perëndimore, pra me Vatikanin. I tillë ka qenë në të mbi njëmijë vitet e ekzistencës së tij, i pandarë nga Kisha e Romës, madje edhe pasi Kisha Lindore, ajo e Bizantit, u nda prej saj. Nga Selia e Shenjtë Manastiri i Shën Mërisë së Grotaferretës konsiderohet jo si mur ndarës, por si urë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit. E pajisur me këto vlera e gjithë kisha ortodokse arbëreshe në Itali, pjesë e tolerancës fetare karakteristike shqiptare, e ka këtë institucion pikë referimi të saj dhe në disa piktura të vendosura nëpër mure sheh se tradita e drejtimit të tij prej klerikëve arbëreshë është shumë e vjetër dhe e vazhduar. Kur herën e fundit qemë atje, në mars 2009, në hyrjen e sallës së madhe të bibliotekës qenë nderur postera për një veprimtari të kishës së Horës së Arbëreshëve.
Do të ishte shumë e gëzueshme për ne shqiptarët vetëm prania e këtij institucioni mjaft të spikatur në vetë dyert e Romës, por klerikët arbëreshë të tij shkojnë shumë më tej se mbajtja gjallë e ritit fetar të tyre, çka në kushtet e një popullsie krejtësisht katolike ka pasur rëndësi të jashtëzakonshme sepse u ka ruajtur në mërgim identitetin kombëtar. Arkimandriti Emiljano Fabrikatore herë pas here ndihmon financiarisht, ndonjëherë deri edhe me njëqind e pesëdhjetë euro, botimin e gazetës “Rrënjët-Le Radici”. Ato shuma nuk i merr prej ndonjë fondi kishtar apo publik, por prej pagës së vet.
Grotaferrata është një vend shumë simbolik për ne shqiptarët edhe sepse aty botohet ky organ mediatik tashmë dymbëdhjetë vjeçar, me një tirazh në letër prej dy mijë kopjesh dhe në formatin elektronik të dërgueshëm në disa qindra adresa. Ajo gazetë është një e përmuajshme larg politikës, që boton histori të kombit tonë, bën të njohur frymën tonë perëndimore. Me “në duar” këtë buqetë të vlerave shqiptare ajo shkon me postë dhe nëpërmjet internetit në të gjithë botën. Mbërrin rregullisht në paketa me dhjetëra kopje në disa pika vullnetare shpërndarjeje në Austri, në Angli (ku ndihmojnë kompozitori Thoma Simaku dhe studiuesi i njohur i çështjeve shqiptare Gëzim Alpion), në Greqi, në Kanada (këtu i palodhur në përhapjen e saj është shkrimtari Faruk Myrtaj), në disa qytete të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Francë (më aktivët këtu janë Solane D’Angeli, bija e autorit të librit proshqiptar “Enigma” si edhe Vasil Qesari, punonjës në televizionin e njohur publik France 3). Gazeta “Rrënjët” shkon edhe në Norvegji, në Danimarkë, në Australi. Në Argjentinë e pret për më pas shpërndarë në dhjetëra adresa, kryesisht arbëreshësh, Mersini, dikur portieri i ekipit futbollistik të Vlorës.
Kjo e përmuajshme që mbahet në jetë nga një pasion i pazakonshëm i një adhuruesi të shtypit të lirë si Hasan Aliaj, shkon gjer në Zelandën e Re. Atje ai ka hyrë në kontakt me një qytet ku jeton një bashkësi shqiptarësh prej nëntë familjesh.
“Rrënjët” vjen edhe në Shqipëri (Moikom Zeqo është një ndër të lexuesit e saj). Në Itali vrapon pothuaj në të gjitha vendbanimet e bashkëkombësve tanë të vjetër. Tek Hora e Arbëreshëve e mbështet një pasardhës i derës së famshme atdhetare të Skirojve.
Ja pse nuk duhet humbur nga vëmendja, doemos as nga shprehja e mirënjohjes, Grotaferrata. Në dyert e Romës ka rrënjë shqiptare.

Ylli Polovina

Tiranë, më 18 shkurt 2010










Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com