Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

NJË SURPRIZË QË FSHIHET NË JAVOREN VJENEZE “DAS INTERESSANTE BLATT” NË NUMRIN E SAJ TË 28 NËNTORIT 1912
FESTAT 28-29 NËNTORIT 1945 DHE LOJA E ENVER HOXHËS ME FJALËN DEMOKRACI Pjesa e dytë
FESTAT 28-29 NËNTORIT 1945 DHE LOJA E ENVER HOXHËS ME FJALËN DEMOKRACI Pjesa e parë
LAJMI I SAJUAR MBI NGRITJEN E FLAMURIT DHE SHPALLJEN E PAVARËSISË NË DURRËS
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISË ITALIANE ME MBIEMRIN ÇIFTELIA (Pjesa 2)
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Arbëreshë dhe shqiptarë në dyert e Romës


(Botuar në gazetën “Illyria”, 23 prill 2010)

Ky është shkrimi i parafundit i këtij cikli për arbëreshët në “Illyria” dhe pjesa e dytë e një botimi që pata në “Gazeta Shqiptare” në mes të muajit shkurt. Titullohej “Në dyert e Romës ka rrënjë shqiptare”. Në pak radhë po përmbledh thelbin e tij.
Bashkëkombësit tanë të vjetër gjenden jo vetëm në hapësirat e tyre tradicionale, në Kalabri, Siçili, Pulia dhe Molise, por dukshëm edhe përreth kryeqytetit italian. Vendndodhja e tyre nuk janë vetëm tre qyteza (sidomos në Pianiano, rrethinat e Viterbos), por edhe në Grotaferrata. Kjo e fundit është e vendosur në shpatullën e butë të një kodre me klimë shumë të shëndetshme dhe ku e gjithë Roma shtrihet “nën këmbë“. Mjaft nga vip-at e kryeqytetit italian aty kanë ndërtuar vilat, shtëpitë e dyta. Kjo është një traditë mbi dy mijëvjeçare e aristokracisë romane, që kur bënte histori perandoria e tyre e madhe.
Ajo që në Grotaferrata është e veçantë për ne shqiptarët ka të bëjë me praninë në këtë qytet të një institucioni fetar shumë të rëndësishëm. Emri i tij në gjuhën italiane shkruhet Monastero di Santa Maria. Pra është një manastir. Ka pamjen e një kompleksi me të paktën tetë godina të stilit mesjetar dhe është i rrethuar me mure të lartë si të jetë një kështjellë. Në të jetojnë një duzinë me murgj dhe të gjithë i drejton arkimandriti Emiliano Fabrikatore (Emiliano Fabbricatore). Ai është një arbëresh nga Shën Sofia dhe i gëzohet shumë përkatësisë etnike shqiptare. Në pjesën e parë të shkrimit për Grotaferratën bëja fjalë edhe për një arkimandrit tjetër arbëresh, Marko Peta (Marco Petta). Ishte nga Hora e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi), qyteza më e madhe e bashkëkombësve tanë në Siçili. Ai tashmë ka ndërruar jetë. Përveç një periudhe kur drejtoi manastirin Marko Peta për shumë kohë ka qenë edhe drejtori i bibliotekës së tij. Pikërisht këtu, tek fama e kësaj biblioteke, është i zëshëm edhe një mjedis i specializuar për restaurimin e librave shumë të vjetër, midis tyre edhe i mbi njëmijë hartave, skicave, studimeve gjeometrike dhe blloqeve të shënimeve të Leondardo Da Vinçit. Në këtë bibliotekë nuk mungon edhe një seksion shqiptar. Ky të befason për pasurinë e madhe të librave në gjuhën tonë.
Në shkrimin “Në dyert e Romës ka rrënjë shqiptare” citoja edhe gazetën dy gjuheshe, të përmuajshmen “Rrënjët-Le Radici”. Botues dhe kryeredaktor i saj është Hasan Aliaj, bashkëkombës i emigruar në Itali pas viteve nëntëdhjetë. Arkimandriti arbëresh Emiliano Fabrikatore herë pas here e ndihmon financiarisht këtë botim, përherë duke e këputur këtë shpenzim prej pagës së vet. “Rrënjët-Le Radici” ka në letër një tirazh prej dy mijë kopjesh dhe në formatin elektronik të dërgueshëm në disa qindra adresa. Ajo boton histori të vyer të kombit tonë dhe bën të njohur frymën tonë perëndimore. Në asnjë rresht nuk merret me politikë apo punë partish. Paketa të saj në dhjetëra kopje shkojnë që nga Australia dhe Zelanda e Re deri në Argjentinë, nga Greqia deri në Norvegji e Danimarkë. Nuk mungojnë në Kanada dhe sigurisht hyjnë edhe aty, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Nju Jork.

ooo

Grotaferrata gëlon nga arbëreshët dhe shqiptarët. Mjafton të jesh i vëmendshëm ndaj pranisë së tyre, sepse këtu ata nuk janë të potershëm. Bashkërisht të gjithë nuk mblidhen kurrë. Kalojnë jetë të mënjanë. Kjo ndodh jo vetëm sepse si të gjithë bashkëkombësit e trashëgojnë të paprekur këtë defekt moskolektiviteti, por edhe sepse janë tashmë të integruar në mënyrën e jetesës së vendasve, edhe ajo jo aq shumë me frymëzim të bashkuari. Ndonjëherë këta bashkëkombës ndihen mes italianëve si qytetarë të mëdhenj, pse jo edhe zotërinj. Janë evropianizuar për fat të mirë. Megjithatë ndihen jo të italianizuar. Kanë mbetur shqiptarë. Ndoshta ua mbron identitetin shpirti i tyre individualist dhe protagonist. Ky u gufon përherë, edhe pse në mënyrë më të butë e më të përmbajtur nga sa kjo gjë do t’u ndodhte në vendin e tyre.
Grotaferrata përherë ka pasur shqiptarë, por deri në dekadën e dytë të shekullit të shkuar ata qenë fare të paktë, një masë modeste që nuk ndikonte në jetën e qytetit. Ndryshimi i madh ndodhi në vitet tridhjetë kur ata vërshyen nga viset tradicionale arbëreshe. Mjaftonte një murg në Manastir që pas tij të vinin njëri pas tjetrit e gjithë anëtarët e familjes. Kështu prej Padre Marko Petës në Grotaferrata prej kohësh ka ngritur shtëpinë e vet edhe i nipi. Të pasuar nga breza të rinj ardhës në qytet ka pothuaj dyzetë familje arbëreshe. Duke qenë se nuk janë pak, pra përbëjnë një bashkësi me ndikim, jo vetëm ka arbëreshë që në zgjedhjet lokale kandidojnë për këshilltarë (në një rast qe dëshmitar i rastësishëm edhe autori i këtyre radhëve dhe për sa e njihte personin garues ai nuk qe ndonjë model i mirë përfaqësimi), por edhe për kryetar bashkie. Ky ka qenë një rast i vetëm, por mjaft kuptimplotë për të provuar se komuniteti arbëresh bashkë me atë shqiptar, sidomos ai i pasvitit 1990, më e pakta gjithsej mbi njëqind familje, e mbajnë të gjallë shpresën që një ditë kjo pakicë të mund të ndihet zëshëm në historinë e Grotaferratës. Provën e parë të këtij protagonizmi e kreu një grua, një nga dy motrat Elmo, bijë e një studiuesi arbëresh, autor i shumë librave me dashuri për rrënjët e tij shqiptare. Ajo është mjeke në një spital të shendetit mendor në Romë. Nuk fitoi për shkak të votuesve ende të paktë, por gjithkund la një përshtypje të hirshme. Sepse bashkësia shqiptare në Grotaferrata ka për vendasit një histori të mbushur me mbresa të mira në një rast, vitin e shkuar, u bëra dëshmitar se si një kandidat italian, dikur kryetar bashkie i qytetit dhe i ndezur në dëshirë ta ripërsëriste mandatin, e mbajti Hasan Aliajn të gozhduar në një bisedë mikluese për një orë të tërë. Lutej për votat e shqiptarëve.
Valët e pandërprera të arbëreshëve u bënë më të shpeshta menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Pikërisht këtë çast mbërritën në qytetin me Romën tek këmbët edhe shumë të ikur nga Shqipëria. Qenë kundërshtarë të regjimit politik që u vendos në Tiranë. Ishin çaste kur u përhapën fjalë se në portin e Barit pati zbarkuar edhe Ernest Koliqi, ish-ministër i arsimit gjatë pushtimit fashist të Shqipërisë. Kishte sjellë me vete jo plaçka gardërobe, por vetëm valixhe dhe arka me libra, një superbibliotekë të tërë. Deri sa do t’i shuhej jeta në Romë, për shumë vite themelues e drejtues i Institutit të Studimeve Albanologjike në Universitetin “La Sapienza”, ai do ta bënte pa pushuar rrugën për në Grotaferrata. Atje jetonte i kunati i tij, njeriu i ditur shkodran, prifti katolik Petro Vunçani, një nga jetët më të dhimbshme në emigracion. Ky do t’i mbyllte sytë në 17 mars 2002 i pajisur vetëm me një leje qëndrimi në Itali, pa marrë një pasaportë vendase, edhe pse kishte dekada jete aty. Shqiptari i madh me vendim të tij nuk e ndërroi kurrë shtetësinë. Mbeti qytetar i Shqipërisë.
Ndërkohë në Grotaferrata do të vazhdonte jetën e saj e bija e Koliqit. Qe e martuar me një italian dhe një ditë të vitit të shkuar Hasan Aliaj e takoi në një tregtore të qytetit. Kishte biseduar me të edhe njëherë tjetër më parë, ku qe gjallë Padre Vunçani. Përveç bashkëpunimit me gazetën “Rrënjët-Le Radici”, këtë herë të dytë botuesi i të përmuajshmes iu lut ta ndihmonte në gjetjen e bibliotekës së të atit. E bija e gjendur në vështirësi për t’i dhënë një përgjigje të gëzueshme në fillim pati ngritur supet dhe më pas me një shqipe shumë të pastër dhe elegante kishte shpjeguar se tashmë ai thesar gjendej tek shtëpia e të vëllait, prej vitesh me banesë në veri të Italisë, në Milano. Mirëpo, vazhdoi ajo, i vëllai pati ndërruar jetë dhe ndihej e gjithëfuqishme e shoqja italiane. “Ndoshta edhe i ka braktisur librat”, tha një çast, jo pa dëshpërim, e bija e njeriut që më shumë se një ish-ministër i qeverisë bashkëpunuese me regjimin fashist në fund të vitit 1944 qe bërë lajm duke zbarkuar në Bari me valixhet dhe arkat e shumta me libra.
Pas vdekjes së Ernest Koliqit për ta siguruar atë bibliotekë të famshme e tanimë të shndërruar në legjendë qe përpjekur shumë edhe Manastiri, veçanërisht të dy drejtuesit e saj arkimandritë, arbëreshët Marko Peta dhe Emiliano Fabrikatore. Siç ishte rregulli i bashkësisë së tyre fetare në fillim u qenë drejtuar pasardhësve të Koliqit duke shprehur dëshirën që ato libra të rrallë të mund t’i bëheshin dhuratë bibliotekës së Manastirit, strehë e duhur për thesarin e një dijetari, rast i bekuar që të ruheshin në mënyrë të sigurt dhe kështu të mirëpërdoreshin nga brezat e ardhshëm. Më pas dy arkimandritët arbëreshë ofruan edhe mjete financiare për ta blerë. Megjithatë nuk ja dolën dot. Biblioteka mbeti në anonimat, si të qe arratisur nëpër një natë të turbullt e me mjegull apo prej dikujt rrëmbyer fshehtas e mbajtur peng.
Botuesi i gazetës “Rrënjët-Le Radici” nëpër faqet e saj nuk shpreh vetëm këtë merak ngulmues. Ai ka edhe një tjetër brengë për të cilën nuk e kursen të përmuajshmen e tij, por po ashtu në një kërkim të papushuar vetjak edhe kohë fizike. Sipas tij Grotaferrata mban të fshehur një nga provat e qytetërimit të vjetër shqiptar, një dokument për të cilin vlerësimi me fjalën “thesar” duket se është fare pak. Hasan Aliaj ngul këmbë se Mitat Frashëri ka lënë një dëshmi me rëndësi të jashtëzakonshme sipas të cilës në thellësitë e mistereve të bibliotekës së Manastirit San Nilo, në pjesën e saj të librave shumë të rrallë dhe ku është mjaft e vështirë të depërtosh, gjendet një dokument i cili e provon të shkruajturin shqip një shekull më parë nga sa i njohuri “Meshari” i Gjon Buzukut, viti 1555, e mban deri tani përparësinë. Këtë dëshmi të rrallë Mitat Frashëri e ka publikuar me një shkrim të tij të vitit 1928, botuar në revistën “Dituria”. Ai thotë saktësisht “S’ka dyshim që hazardi (rastësia, shënimi ynë) që i shërbeu kaq lumturisht z. Jorga në një zbulim të një dokumenti të hershëm do të na ndihmojë që të gjejmë gjurmë të rrojtjes sonë edhe më të vjetra akoma. Do të shënoj këtu, duke përfituar nga rasti që më jep ky artikull dhe duke shpresuar se një tjatër do të jetë mbase më i lumtur se unë, ekzistencën e një dokumenti më të moçëm akoma. Më 1919 në një vizitë që bëra në manastirin Grotaferrata afër Romës i ndjeri Don Sofronio Gassisi duke treguar bibliotekën e konventit mori një kodeks mbi pergamene nga dollapi më të djathtë duke hyrë nga dera, në dhomë të dorëshkrimeve: ishte një libër që miku im e kujtonte të mezit të parë të shekullit të katërmbëdhjetë, në gjuhën greqishte. Po në të ishte një faqe e gjysmë tekst shqip. Desha të nxjerr një kopje të asaj cope ose ta fotografoj; Sofronio Gassisi më tha se së shpejti do të botonte një studim mbi të. Që atëhere më nuk më ra udha të vete në Romë, veçse për të këmbyer trenin dhe s’kam ndonjë tjatër të re jashtë atyre që më ka shkruar Sofronio duke përsëritur premtimin se do ta botojë copën që na prek dhe na intereson kaq shumë. Mjerisht kallogjeri simpatik vdiq në 1922 dhe dokumenti (që mbase është edhe një shekull më i vjetër se ay i Laurentinës) po rri në gjumë. Desha ta shpëtoj prej vdekjes duke lajmëruar ata që nuk tremben nga punimi”.
Studjuesi nga Tirana, Emil Lafe, një nga të rrallët e albanologjisë shqiptare që shkon për punë në bibliotekën e Manastirit, iu desh në një intervistë t’i shpjegonte botuesit të “Rrënjët-Le Radici” përse nuk po binin në gjurmë të dokumentit të dëshmuar bindshëm nga Mitat Frashëri. Ai pohoi se për shkak të vlerës së rrallë të librave të ruajtura aty (ka të tillë që kushtojnë deri edhe 2 milionë euro), duket e vështirë që punonjës të saj (nuk janë murgjë por nëpunës të emëruar nga shteti), t’i nxjerrin në sallën e leximit. Emil Lafe po ashtu pati shprehur dëshpërimin se mungesa e depërtimit deri tek misteri i përfolur, ç’ka po të gjendej e zbulohej do të përbënte një ngjarje të jashtzakonshme në historinë tonë, ka të bëjë edhe me një fakt tjetër: ka ndërruar jetë arkimandriti Marko Peta, njohësi i madh e mbase i fundit i të gjitha të fshehtave të bibliotekës së jashtëzakonshme të Manastirit San Nilo.
Tashmë natyrshëm mund të mos e përmbash pyetjen “Kur do të ndodhë që studiues, mjete financiare dhe mbështetje shtetërore do të nisin aksionin e madh të gjetjes të së vërtetës, superdëshmisë së shkrimit të hershëm shqip?” Ka disa vite që Grotaferrata dhe kuvendi i tij vizitohen nga njerëzit me autoritet politik të Tiranës. Aty ka qenë si president Sali Berisha dhe si kryeministër Fatos Nano. Ka dëshmuar prani presidenti Rexhep Meidani. Ndërkohë, edhe pse i ardhur jo vetëm një herë në Romë, ka munguar në Grotaferrata presidenti Alfred Moisiu.
Megjithatë për Hasan Aliajn dhe shqiptarët e qytetit ngjarja më e madhe dhe më mbresëlënëse që kanë provuar ka qenë një vizitë tjetër, ajo e Ismail Kadaresë. Ishte bashkë me Helenën. U krye me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së Jeronim De Radës. Qe një konferencë me kumtesa shkencore, e organizuar nga i palodhuri dijetar e veprimtar arbëresh Françesko Altimari. Pjesëmarrja ishte e madhe, si rrallë herë. Shumica qenë arbëreshë nga viset e Kalabrisë, Siçilisë, Pulies, Molisës por edhe prej gjithkund ku brenda dhe jashtë Italisë jetojnë arbëreshë. Disa prej tyre patën ardhur të veshur me kostume kombëtare dhe jo pak kënduan dhe hodhën valle të zjarrta. Në ndërhyrjen e tij të pritur me nemitje të plotë adhuruese, Ismail Kadare e vlerësoi Jeronim De Radën si “princin e letërsisë shqiptare”. Kur e mbaroi fjalën shumë prej arbëreshëve e vunë në mes dhe nuk ndaheshin dot prej tij. Ndonjë i dëshiruar ta kuptonte gjer në imtësi iu “ankua” përse nuk foli edhe italisht. Shqipen moderne shumë pak prej ardhësve e kuptonin. Për fat të keq në atë konferencë prej një moskuptimi apo ndoshta keqkuptimi fjala e Ismail Kadaresë nuk u shoqërua e përkthyer në shqip.

ooo

Në Grotaferrata ndodhet edhe vila e Klejdi Kadiut, valltarit të famshëm shqiptar, të cilin të gjithë e njohim për suksesin e madh në Itali. Ndërtesa e bukur e zhytur mes gjelbërimit është fare afër me atë të inkurajuesve të tij, çiftit artistik Mauricio Kostanco dhe Maria de Filipi. Porse ndërsa shtëpia e dytë e Klejdit ka një hapësirë të kursyer ajo e dy miqve të tij të fuqishëm është një brinjë e tërë kodrine me pemë e kaçube lulesh. Në Grotaferrata e ka banesën e saj edhe valltarja tjetër e njohur, Anbeta Toromani. Por ajo në qytetin me histori shqiptarësh nuk ka vilë, madje as shtëpi si pronë të vetën. Ka marë një apartament me qira.
Sidoqoftë dy të emigruarit tanë të pas vitit 1990, duke qenë emra bashkëkohës, shumëcitohen për lidhjen e tyre me Grotaferratën, gjë që nuk ndodh me një emër tjetër, edhe pse ai është tepër i madh dhe i regjistruar në historinë botërore. Ky është mbreti Faruk, stërnipi i Mehmet Ali Pashës, dinastisë shqiptare themeluese e shtetit modern egjiptian. Ai ka ndërruar jetë në vitin 1965, kur qe vetëm dyzetë e pesë vjeç. Ka një vdekje shumë të dyshimtë, aspak bindëse t’i ketë ngjarë natyrshëm. Mes të tjerash ekziston edhe një botim i historianit shqiptar, për shumë kohë edhe profesionist në shërbimet e fshehta, Irakli Koçollari.
Vila e madhe ku në Grotaferrata mbreti Faruk ka jetuar vitet e fundit tashmë është blerë nga një bashkësi fetare e krishterë, por mjafton të qëndrosh disa çaste para saj për të ndjerë që ajo ndërtesë ka një forcë magjike të të kthejë mbrapsht në kohë, në ato çaste kur monarku me origjinë shqiptare, i dhjeti sundimtar i Egjyptit nga dinastia e Mehmet Ali Pashës, shëtiste vetmitar në kopshtin e saj të madh.
Kishte lindur në Karjo në 11 shkurt 1920 dhe vetëm 16 vjeç, më 28 prill 1936, qe shpallur mbret. U rrëzua nga froni në 26 korrik 1952 prej një revolucioni nacionalist të drejtuar nga gjenerali Gamal Abdul Naser, pas të cilit rrinin sovjetikët. Edhe pse njihet si mbreti që e modernizoi vendin e tij, Faruk më pas i tejngopur nga pushteti bëri shumë zullum. Djali i bukur dhe elegant i rinisë së vet, ndryshe nga ngjyra e zeshkët e egjiptianëve me lëkurë të bardhë e sy të kaltër, prej grykësisë së madhe u bë një barkmadh me peshë 136 kile. Kur pas 148 viteve të dinastisë së shqiptarit Mehmet Ali qeveria revolucionare e shfuqizoi zyrtarisht monarkinë, Egjipti u shpall republikë dhe e gjithë pasuria e Farukut u nxuarr në ankand, ky i hipit jahtit mbretëror “Mahroussa” dhe bashkë me familjen brenda, vetëm me roje besnike shqiptare, e la përgjithmonë Aleksandrinë. Me vete mundi të të marrë vetëm 1933 monedha floriri që kishin në një anë të faqes shqiponjën dy kokëshe. Fillimisht monarku i shkurorëzuar shkoi në Monako dhe vetëm më pas u vendos në Romë, në Grotaferrata. Në 1959 Faruku mori edhe shtetësinë italiane. Tashmë të dhjetit dhe të fundit monark të dinastisë me origjinë prej Zëmlakut të Korçës, pas gruas së parë dhe të dytës, i kishte zjarrmuar flirti me një aktore dhe këngëtare operistike italiane, jo pak të përfolur, Irma Minutolo.
Më 18 mars 1965, në ditën e fundit të jetës, ish-mbreti Faruk ishte në një restorant të Romës, në “Ile de France”. Po darkonte, kur papritmas u rrëzua mbi tavolinë. Kishte vdekur. Kurrë nuk iu krye një autopsi zyrtare. Asnjë hetim nuk u hap. Më pas të gjithë përfolën se qe helmuar.

ooo

E trishtuar kjo histori e një shqiptari që drejtoi dhe sundoi një vend të madh si Egjipti. Trupi i tij tashmë ndodhet në vendin e vet dhe në Grotaferrata kanë mbetur vetëm kujtimet e largëta për të. Në këtë qytet ky bashkëkombësit tanë janë arbëreshë të thjeshtë, por edhe klerikë të lartë, veprimtarë politikë apo studiues, emigrantë të pas vitit 1990 e mes tyre edhe një botues gazete si Hasan Aliaj, është ndoshta rasti më i bukur që në rreshtat e mbylljes së këtij shkrimi të dytë për Grotaferratën, të sjellim ndër mend gëzueshëm dhe me dashuri një emër. Është italiania Anamaria Tereza, me profesion mësuese, tashmë në pension. Ajo përfaqëson një nga frymëzueset e mbajtjes gjallë të përmuajshmes “Rrënjët-Le Radici”. Ajo kërkon përherë e gjen libra të vjetër që flasin për Shqipërinë dhe Skënderbeun. Së fundi po i gëzohet një zbulimi të ri, një libri antik për perandorin romak Konstandin, me origjinë ilire, themelues i Kostandinopojës, kryeqendrës së perandorisë së mëvonshme të Bizantit dhe perandori i parë i krishterë i Maqedonisë.
Anamaria Tereza lë çdo punë në rast se gjen dëshmi se shqiptarët janë një popull, të cilit shumë në vendin e saj akoma nuk ia dinë vlerat historike.

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com